Dhunti të veçanta që na bëjnë të pashoq
Dhunti të veçanta që na bëjnë të pashoq
‘Shkencëtari e studion natyrën, sepse ajo i sjell kënaqësi, dhe kënaqet me natyrën, sepse është e bukur.’—ZHYL-ANRI PUANKARE, SHKENCËTAR DHE MATEMATIKAN FRANCEZ (1854-1912).
PUANKAREJA e admironte thellësisht bukurinë e botës natyrore, sidomos «atë bukuri më të thellë» që shihet te harmonia dhe rregulli i natyrës, e cila bën për vete mendjen e shkencëtarëve. Megjithatë nuk ka nevojë që dikush të jetë shkencëtar që të admirojë bukurinë dhe rregullin që shohim rreth nesh. Rreth 3.000 vjet më parë, psalmisti David u emocionua shumë nga projekti që shfaqej Psalmi 139:14.
në krijim—sidomos nga mënyra se si është projektuar trupi i njeriut. Prandaj ai u lut: «Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.»—Ndjenja të tilla mahnitjeje dhe nderimi i provojnë vetëm njerëzit dhe nuk mund t’i ndiejnë as kafshët më inteligjente. Megjithatë interesi që kemi për botën natyrore shkon edhe më thellë. Njerëz të mençur të të gjitha moshave kanë pyetur: Cili është burimi i projektimit të mahnitshëm të gjallesave? Vërtet, së pari, pse erdhën në ekzistencë gjallesat? Dhe çfarë vendi zëmë ne në këtë projekt? Shkenca dhe analiza që i bëjmë vetes nuk mund t’u përgjigjen këtyre pyetjeve. Por Bibla, e cila është e frymëzuar nga Perëndia, jep vërtet përgjigje të kënaqshme.—2 Pjetrit 1:20, 21.
Ky libër i shenjtë dhe i lashtë shpjegon se veçoritë e pashoqe që ka njeriu vijnë ngaqë jemi krijuar «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë»—që do të thotë se jemi në gjendje të pasqyrojmë (ndonëse në një shkallë më të vogël) tiparet e personalitetit të Krijuesit tonë. (Zanafilla 1:27) Pra, megjithëse nuk kemi sytë e shqiponjës, mund të shfaqim mençuri largpamëse. Aftësia jonë për të dëgjuar mund të jetë shumë më e dobët sesa ajo e lakuriqit të natës, por ne kënaqemi me bisedat, muzikën dhe me tingujt e këndshëm të natyrës. Dhe ndonëse nuk kemi një busull të brendshme, duke i vënë veshin Fjalës së Perëndisë, Biblës së Shenjtë, marrim udhëheqjen më të mirë që na duhet për jetën.—Fjalët e urta 3:5, 6.
Fakti që jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë shpjegon edhe përse vetëm ne kemi nevoja frymore. «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë,—tha Jezui,—por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4) A ushqehemi rregullisht me këto shprehje freskuese, duke lexuar Biblën?
Nëse ushqehemi siç duhet me Fjalën e Perëndisë, gjendja jonë frymore mund ta zgjerojë aftësinë tonë për të perceptuar përtej kufijve që na vënë shqisat fizike. Në ç’mënyrë? Duke e rritur besimin tonë. Besimi i vërtetë, i bazuar në Bibël na bën të aftë të ‘shohim’ Perëndinë e padukshëm—siç bëri Moisiu—dhe gjithashtu të dallojmë qëllimin e Tij për të ardhmen.—Hebrenjve 11:1, 27.
Një e ardhme e shkëlqyer për ata që ‘shohin’ Perëndinë
Bibla na mëson se Krijuesi, Perëndia Jehova, e do tokën dhe të gjitha krijesat që jetojnë në të, sidomos njerëzit që i frikësohen Perëndisë. Prandaj ai premton që të zhdukë të gjithë të ligjtë, përfshirë edhe ata që me lakmi «shkatërrojnë tokën». (Zbulesa 11:18; Psalmi 37:10, 11; 2 Selanikasve 1:8) Pas kësaj, ai do t’u japë jetën e përjetshme atyre që e duan dhe i binden atij. Përveç kësaj, ata do të ndihmojnë që i gjithë planeti të kthehet në një parajsë që gëlon nga jeta. Ç’e ardhme e mrekullueshme!—Luka 23:43.
Përfytyroni se çfarë do të jemi në gjendje të bëjmë e të zbulojmë kur jeta dhe shëndeti i mirë të jenë të pafund! «Natyra,—shkroi një shkencëtar,—gjithmonë do të ketë gjëra të reja, bollëk dhe bukuri që nuk kanë të sosur kurrë.» Bibla e shpreh këtë me fjalët: «[Perëndia] e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.»—Predikuesi 3:11.
Si mund të marrim pjesë në Parajsën e përshkruar në Bibël? Duke mësuar rreth qëllimit të Perëndisë tani dhe duke zbatuar gjërat që mësojmë. «Kjo do të thotë jetë e përhershme,—tha Jezui,—të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.
[Figura në faqen 10]
Përdorini shqisat për të rritur çmueshmërinë për Krijuesin
[Figura në faqen 11]
Leximi i Biblës është mënyra më e mirë për të njohur Krijuesin tonë