Një njeri që zgjodhi t’i bindej Perëndisë
Një njeri që zgjodhi t’i bindej Perëndisë
NË DITËT e errëta të vitit 1937, kur ideologji kontradiktore shkaktuan një gjendje të tensionuar në shumë vende evropiane, të krishterëve u duhej të merrnin vendime të vështira. A do t’i bindeshin Perëndisë apo njerëzve? (Veprat 5:29) Të rinjtë që kishin mbushur moshën për ushtar e dinin që bindja ndaj Perëndisë mund t’u kushtonte jetën.
Antonio Gargaloja ishte një spanjoll 19-vjeçar, i cili u ballafaqua me një zgjedhje të tillë. Lufta civile në Spanjë tashmë vazhdonte që prej një viti, kur ai u thirr për shërbimin ushtarak nga forcat nacionaliste të gjeneral Frankos. Një vit më parë, Antonioja ishte pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait dhe e kishte lexuar këshillën biblike që shërbëtorët e Perëndisë duhet të mbeten asnjanës dhe madje të mos mësojnë luftën. (Isaia 2:4; Gjoni 17:16) Meqenëse nuk donte të bëhej ushtar dhe të vriste bashkëkombësit e tij, Antonioja u përpoq të ikte në Francë. Por, u arrestua dhe u dërgua në kazermat e ushtrisë në Haka, në provincën e Hueskës, afër kufirit francez.
Gjyqi ushtarak prerazi i propozoi të zgjidhte ose të merrte armët, ose përndryshe do të ekzekutohej. Antonioja vendosi t’i bindej Perëndisë. Pak kohë përpara ekzekutimit të tij, i shkroi këtë letër mamasë dhe të motrës, të cilat nuk ishin Dëshmitare të Jehovait:
«Më kanë arrestuar dhe pa gjyq më kanë dënuar me vdekje. Këtë natë do të përfundoj jetën time në tokë. Mos u trishtoni dhe mos qani . . . , sepse iu binda Perëndisë. Sidoqoftë, nuk humbas shumë, sepse në dashtë Perëndia, do të kem në të ardhmen një jetë të re dhe më të mirë. . . . Ndihem shumë i qetë ndërsa po vjen ora e fundit. Ju lutem, pranoni një përqafim të fundit nga biri dhe vëllai juaj që ju do shumë.» *
Tre ushtarë raportuan se kur po e çonin të ekzekutohej, Antonioja i këndonte këngë lavdie Jehovait. Sakrifica të tilla nuk mbeten pa u vënë re nga Perëndia ose nga Biri i tij. Mund të jemi të sigurt se të krishterët besnikë, si Antonioja, do të shpërblehen nëpërmjet ringjalljes.—Gjoni 5:28, 29.
[Shënimi]
^ par. 5 Letra e Antonios, e ruajtur për dekada në arkivat e ushtrisë spanjolle, nuk arriti kurrë te mamaja e tij.