Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Bixhozi Sapo mbarova së lexuari serinë e artikujve: «Bixhozi: A është një zbavitje e padëmshme?» (Gusht 2002) Falënderoj Jehovain që ju përdor për të botuar këto informacione të kohës. S’i besoja dot syve kur pashë sjelljet e renditura për ata që kanë problemin e bixhozit. Ishte njësoj sikur po përshkruanit burrin tim. Mjerisht kjo praktikë mëkatare e çoi në mëkate të tjera të rënda. Bixhozi është një problem i përhapur. Shpresoj sinqerisht që të gjithë ta kenë parasysh se kjo nuk është një zbavitje e padëmshme.
M. G., Shtetet e Bashkuara
Fluturat Jam dhjetë vjeçe dhe jam shumë e lumtur që lexova artikullin «Mbledhja e të korrave që kanë flatra.» (Gusht 2002) Vitin e kaluar në shkollë kishim një detyrë për fluturat. Çdo fëmijë merrte një larvë për t’u kujdesur. Duhej ta ushqenim larvën çdo ditë dhe duhej ta mbanim enën të pastër. Madje pashë se si u shndërruan katër larvat. Kur arritën fazën e pupës, i kthyem në qendrën biologjike. Pastaj, pranverën tjetër, vizituam fluturat që kishin dalë. Ju lutem të vazhdoni të shkruani artikuj të tillë të bukur.
B. P., Gjermani
U rrita në një shtëpi afër një livadhi dhe ishte një gjë e zakonshme të shihje shumë flutura në oborrin tonë. Gjithmonë e admiroja bukurinë e tyre. Tani që jam rritur, këto krijesa delikate më ndihmojnë të kuptoj cilësitë e Jehovait. (Romakëve 1:20) Nuk mund ta imagjinoni gëzimin që ndjeva kur pashë fotografitë e fluturave shumëngjyrëshe në Zgjohuni! Faleminderit për punën e shkëlqyer.
D. G., Sllovaki
Depresioni i paslindjes Kam parë se informacioni në artikullin «Fitoj betejën me depresionin e paslindjes» (Gusht 2002) zbatohet fare mirë për çdo lloj depresioni. Luftoj vazhdimisht me depresionin. Është shumë inkurajuese të di që nuk jam vetëm dhe që depresioni, si të gjitha sëmundjet e tjera, do të marrë fund nën Mbretërinë e Perëndisë.
K. H., Shtetet e Bashkuara
Dhjetë muaj më parë, pasi linda një vajzë, fillova të vuaja nga psikoza e paslindjes. Nuk doja t’ia dija fare për fëmijën time. Trajtimi mjekësor, si dhe mbështetja e dashur e familjes dhe e kongregacionit kanë qenë një ndihmë e vërtetë për mua. Shpresoj që ky artikull t’i ndihmojë gratë e tjera dhe familjet e tyre që ta kuptojnë këtë sëmundje. Kam menduar t’i jap një kopje mjekes sime.
S. Z., Afrika e Jugut
Pas lindjes së fëmijës së dytë, rashë në një depresion të thellë. U desh ndërhyrja e miqve dhe e familjes për të më bindur që të kërkoja ndihmë mjekësore. Jam mirënjohëse që organizata e Jehovait siguron ushqim frymor në kohën e duhur nëpërmjet botimeve si Zgjohuni!
K. O., Shtetet e Bashkuara
Flokët Dua t’ju shpreh falënderimet e mia të përzemërta për artikullin «A shqetësoheni për flokët?» (8 gusht 2002, anglisht) Jam 36 vjeçe dhe disa herë shqetësohesha kur më binin pak flokët dhe më rralloheshin. Artikulli më ndihmoi të kuptoja se të të bien disa flokë çdo ditë është diçka e natyrshme. Tani ndihem shumë më e qetë. Vazhdoni të botoni artikuj si ky!
V. G., Sllovaki
Ky artikull erdhi pikërisht në kohën e duhur. Po stresohesha tej mase për rënien e flokëve. Artikulli më qetësoi, veçanërisht pohimi se «të tjerët zakonisht nuk merakosen për flokët tuaj aq shumë sa ç’merakoseni ju». Për më tepër, u qetësova kur lexova se edhe dikush që nuk ka problem me flokët, çdo ditë i bien rreth 70 deri në 100 fije floku.
I. L., Shtetet e Bashkuara