Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur ha me duar

Kur ha me duar

Kur ha me duar

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GANË

SHUMË njerëz përdorin pirun, thikë, dhe lugë për ta çuar ushqimin e shijshëm në gojë. Të tjerë, si për shembull ata që janë rritur në Lindje, përdorin një palë shkopinj për të bërë këtë. Megjithatë, disa njerëz thonë se ka ushqime që të shijojnë më shumë po t’i hash vetëm me duar. Mendoni për një pjesë brinje dhe për copa pule të pjekura në skarë, për simitet, për byrekun kinez dhe pitet meksikane.

Por ç’të themi për supën? A do ta hanit supën me duar? ‘E pamundur!’ mund të përgjigjeshit. ‘Ajo të djeg dhe është veshtullore, prandaj s’ke se si ta mbash me gishta.’ Megjithatë, në shumë vende të Afrikës është kaq e zakonshme ta hanë supën me duar, sa ç’është edhe për aziatikët që të hanë me shkopinj. Le t’ju njohim me një gjellë nga Gana dhe t’ju tregojmë për kënaqësinë që ndjen kur e ha vetëm me duar.

Fufuja dhe supa me kikirikë

Fufuja gatuhet duke zier një lloj bananeje, e cila është shumë e ngjashme me bananen e zakonshme, dhe me maniokë, një bimë me rrënjë me zhardhokë, e cila kultivohet në gjithë vendet tropikale. Bananeve dhe maniokës u heqin lëkurën, i lajnë dhe i ziejnë derisa të zbuten. Pastaj u derdhin ujin dhe i shtypin mirë bashkë, duke përdorur shtypës dhe havan, derisa të formohet një masë e njëtrajtshme. Pasi kjo masë është përzier mirë dhe është bërë e butë, ndahet në topa të vegjël.

Supa me kikirikë bëhet me pure kikirikësh, mish ose peshk, domate, qepë, piper dhe erëza të tjera. Mishi ose peshku gatuhen në avull dhe u hidhen erëza. Pastaj i shtohet ujë dhe pureja e kikirikave. Perimet përzihen së bashku dhe hidhen në supë dhe e gjithë masa përzihet dhe lihet të bëhet mirë. Pastaj në një tas, shërbehet fufuja në formë topi, mbi të cilin hidhet supë kikirikësh që nxjerr avull.

Mënyra e ngrënies

Tani që ju kanë përgatitur këtë gjellë të shijshme, si mund ta hani duke përdorur vetëm duart? Thjesht duhet të përdorni teknikën e duhur.

Në fillim, sigurisht që duhet t’i lani mirë duart. Pastaj, futini gishtat e dorës së djathtë në supë. Por, kujdes! Nëse nuk jeni mësuar, ajo mund t’ju duket tepër e nxehtë.

Tani shkëputni pak fufu, duke përdorur gishtin e madh, gishtin tregues, gishtin e mesit dhe gishtin e unazës. Mbajeni copën e vogël të fufusë të zhytur në supë dhe shtypeni lehtë me gishtin e madh për të krijuar një gropëz, në të cilën do të futet pak supë.

Pastaj nxirreni copën e vogël të fufusë me dorë. Ndërkohë që ktheni kyçin dhe gishtat drejt gojës, kini kujdes që gishtat të mos ngrihen më lart se kyçi. Duke vepruar kështu, kujdesuni që supa të mos ju pikojë nëpër krah deri te bërryli.

Përkuleni pak kokën dhe, kur dora arrin te buzët, përdorni gishtin e mesit dhe gishtin e unazës për të futur fufunë dhe supën drejt e në gojë. Shijojeni, por prapë kini kujdes. Tani ndoshta duhet të duroni specin djegës, sepse zakonisht në Ganë gjellët i bëjnë shumë pikante.

Duhet të përsëritni të njëjtën gjë, derisa ta keni ngrënë të gjithë fufunë. Përbërësit e tjerë, siç janë copat e mishit, hajini veç nga fufuja. Dhe nëse ka mbetur pak supë mund të përdorni dorën për ta mbaruar.

Një përvojë e re

Disa ganezë thonë se duan t’i përdorin të pesa shqisat kryesore kur hanë. Kur ushqimi gatuhet ju nuhatni erën dhe dëgjoni zhurmën. Kur e hani, e shikoni dhe e shijoni. Por me qëllim që të futni në punë edhe shqisën e pestë, duhet ta prekni dhe ta ndieni.

Pavarësisht nga prejardhja që keni, mund të jeni të sigurt se Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, interesohet për ‘njerëzit e çdo lloji’. (1 Timoteut 2:4) Kjo lë vend për një larmi zakonesh interesante. Edhe po të mos jeni mësuar që të hani supën me duar, ndoshta mund të zbuloni se kështu do t’ju shijojë dhe do të jetë një përvojë e këndshme.