Fëmijë të rritur para kohe
Fëmijë të rritur para kohe
NËN qiellin e zymtë, u dëgjua uturima e motorit të një aeroplani të vogël ndërsa ai shtonte shpejtësinë dhe ngrihej fluturim nga pista. Kjo ngjarje kishte tërhequr vëmendjen e medias. Për të u dhanë kronika lajmesh, u bënë filmime me kamera, kurse reporterët bënin pyetje që shprehnin admirim dhe nuk i kursenin përgëzimet. Kush e kishte tërhequr gjithë këtë vëmendje? Nuk ishte piloti profesionist që ndodhej në bord dhe as pasagjeri i vetëm—një burrë—por vajza e pasagjerit. Ajo ishte shtatë vjeçe.
Vajza e vogël do të drejtonte aeroplanin. Ajo kishte për të thyer një rekord. Përveç kësaj, ajo duhej të respektonte edhe afate të rrepta. Përfaqësuesit e medias do ta pritnin në ndalesën tjetër. Pra, pavarësisht nga moti i vranët, ata të tre hipën në bord. Vajza e vogël ishte ulur mbi një jastëk në mënyrë që të mund të shihte panelin e drejtimit dhe te pedalet e dyshemesë kishin vendosur diçka që këmbët e saj të mund t’i arrinin.
Por udhëtimi zgjati fare pak. Për shkak të një stuhie të papritur, aeroplani devijoi nga drejtimi, humbi shpejtësinë, u përplas dhe si pasojë që të tre pasagjerët mbetën të vdekur. Papritur media i ra trumbetave të pikëllimit në vend të trumbetave që duhej të bënin lavde. Disa reporterë dhe kryeredaktorë pyetnin veten nëse edhe media kishte pjesën e saj në këtë tragjedi. Shumë njerëz filluan të këmbëngulnin se asnjë fëmijë nuk duhej të drejtonte ndonjë aeroplan. Për këtë qëllim u miratuan edhe ligje në Shtetet e Bashkuara. Por, pas bujës dhe zgjidhjeve sipërfaqësore, fshiheshin çështje më të thella.
Kjo tragjedi bëri që disa njerëz të mendonin seriozisht rreth një prirjeje që vihet re në kohët tona. Sot, fëmijët po i rritin para kohe dhe që në moshë fare të njomë, po u ngarkojnë mbi supe përgjegjësitë
e një të rrituri. Vërtet, pasojat nuk janë gjithmonë kaq të rënda ose kaq tragjike. Por ato mund të jenë të thella dhe lënë gjurmë për shumë kohë. Le të shqyrtojmë disa nga mënyrat, të cilat bëjnë që një fëmijë të rritet para kohe.Ngut për t’i arsimuar
Është e kuptueshme që prindërit mezi presin t’i shohin fëmijët e tyre që të jenë të suksesshëm. Por, kur kjo dëshirë e fortë kthehet në ankth, prindërit mund t’i mbingarkojnë fëmijët dhe t’u japin atyre shumë përgjegjësi para kohe. Kjo gjë shpesh fillon fare pa dashje. Për shembull, po bëhet gjithnjë e më e zakonshme që prindërit t’i regjistrojnë fëmijët në veprimtari jashtëshkollore, duke filluar që nga sporti e deri te mësimet e muzikës ose te baleti. Shpesh këtu futen edhe kurset private.
Patjetër, nuk është e gabuar që t’i ndihmojmë të zhvillohen talentet ose interesat e fëmijëve. Por, a ka ndonjë rrezik se mos teprohet? Përderisa është e dukshme që disa fëmijë janë pothuajse po kaq të ngarkuar, sa edhe të rriturit që janë të mbytur me punë, është e qartë se ky rrezik ekziston. Revista Time vëren: «Fëmijët që dikur kishin fëmijëri, tani kanë kurikulume; fëmijët që duhej të vepronin të shtyrë nga energjia dhe shkujdesja e moshës, tani veprojnë me qëllimin madhështor të bletës punëtore.»
Disa prindër shpresojnë se fëmijët e tyre të vegjël mund t’i hyjnë një karriere, duke u bërë gjeni të vegjël në sport, në muzikë, ose si aktorë. Para se të lindin fëmijët, prindërit tashmë i kanë regjistruar ata në institucione parashkollore, duke shpresuar që të rritin mundësitë e tyre për të qenë të suksesshëm. Përveç kësaj, disa nëna i regjistrojnë fëmijët edhe në «universitete para lindjes» që u japin foshnjave njohuri në muzikë, kur ato janë ende në barkun e nënës. Qëllimi është të nxitet edhe më shumë zhvillimi i trurit të fëmijës.
Në disa vende, vlerësohet madje edhe se sa mirë lexon fëmija dhe sa i zoti është në matematikë para se të ketë mbushur gjashtë vjeç. Këto zakone kanë ngjallur shqetësime lidhur me dëmin emocional që mund të shkaktohet. Çfarë do të ndodhte, për shembull, nëse një fëmijë do të «ngelte» në kopësht? Dejvid Elkaind, autor i librit The Hurried Child, thotë se shkollat kanë prirjen t’i klasifikojnë fëmijët shumë shpejt dhe në moshë shumë të njomë. Elkaindi argumenton se ato e bëjnë këtë gjë për qëllime administrimi dhe jo për arsye që lidhen me një mësimdhënie të efektshme për fëmijët.
A ka një çmim ky presion që u bëhet fëmijëve për t’i kthyer ata para kohe në të rritur të vegjël dhe të zotë? Elkaindi është i shqetësuar që shoqëria ka përvetësuar pikëpamjen, sipas së cilës fëmijët duhet të jenë të zotë për të
mbajtur përgjegjësitë e një të rrituri. Ai thotë: «Kjo pasqyron prirjen tonë për t’i pranuar si ‘normale’ streset mbytëse që po u shtohen fëmijëve të sotëm. » Vërtet, koncepti për gjërat që quhen normale për një fëmijë duket se po ndryshon me shpejtësi.Ngut për të fituar
Me sa duket, shumë prindër mendojnë se është normale, madje e mençur, t’u mësojnë fëmijëve se të fitosh do të thotë gjithçka, sidomos në sport. Medaljet në garat olimpike shërbejnë si nxitje për shumë fëmijë sot. Me qëllim që të shijojnë lavdinë e fitores, gjë që zgjat vetëm për disa çaste, dhe për të siguruar një jetesë të mirë kur të rriten, disa fëmijë i detyrojnë të rriten para kohe, ose madje të mos kenë fare fëmijëri.
Le të marrim si shembull gjimnastet. Ato fillojnë të ekzekutojnë komplekse ushtrimesh të rënda që kur janë shumë të vogla. Kjo bën që trupat e tyre fare të njomë të përballojnë një ngarkesë të jashtëzakonshme. Harxhojnë vite të tëra për t’u përgatitur mendërisht dhe fizikisht për Lojërat Olimpike. Sigurisht, vetëm pak prej tyre do të dalin fituese. A do të mendojnë ato që kanë humbur se ia vlejti që sakrifikuan pjesën më të madhe të fëmijërisë së tyre për të arritur si përfundim këto rezultate? Me kalimin e kohës edhe vetë fitueset mund të dyshojnë nëse ia vlente vërtet që të sakrifikonin kaq shumë.
Nga ana emocionale, këto vajza të vogla mund të rriten para kohe duke pasur një dëshirë të zjarrtë për t’u bërë yje sporti. Por stërvitje të tilla të rënda mund të pengojnë që ato të zhvillohen normalisht nga ana fizike. Te disa pengohet rritja e kockave. Çrregullimet në të ngrënë janë diçka e zakonshme. Në disa raste puberteti fillon me vonesë, e cila mund të zgjasë për vite. Megjithatë, sot shumë vajza kanë problemin e kundërt: fillimin e parakohshëm të pubertetit.—Shih kutinë sipër.
Fëmijë që kanë gjithçka përveç fëmijërisë
Nëse do ta besonit atë që reklamon bota e spektaklit mund të mendonit se fëmijëri ideale do të thotë të kesh gjëra luksoze të çdo lloji. Disa prindër punojnë jashtëzakonisht shumë për t’u siguruar të gjitha gjërat materiale të mundshme fëmijëve të tyre, duke përfshirë një shtëpi luksoze, zbavitje pa kufi dhe rroba të shtrenjta.
Por pavarësisht nga kjo, jo pak prej fëmijëve të rritur në këtë mënyrë i kanë hyrë rrugës së drogës, alkoolit dhe kanë një sjellje rebele dhe janë të ngrysur. Pse ndodh kjo? Shumë prej tyre ziejnë nga inati, sepse ndihen të lënë pas dore. Fëmijët kanë nevojë për prindër që u gjenden pranë, duke u treguar dashuri dhe kujdes. Prindërit që janë tepër të zënë për t’ua plotësuar këtë nevojë mund të mendojnë se ata po
punojnë që fëmijët e tyre të jenë të lumtur—por ka shumë mundësi që po bëjnë të kundërtën.Dr. Xhudita Pafazi flet për «prindër, të cilët punojnë që të dy, që vijnë nga grupe në gjendje të mirë shoqërore dhe ekonomike» dhe thotë se shpesh ata «i plotësojnë çdo dëshirë fëmijëve të tyre, sepse thellë brenda vetes e kuptojnë se rendja pas gjërave materiale është në kurriz të familjes». Sipas saj, në këtë mënyrë prindër të tillë përpiqen të «paguajnë për t’u shkarkuar nga përgjegjësia e të qenët prind».
Shpesh fëmijët e paguajnë shtrenjtë këtë gjë. Ndonëse mund të rrethohen nga gjithë të mirat, atyre u mungojnë faktorët më thelbësorë për të pasur një fëmijëri të mirë: koha dhe dashuria prindërore. Duke mos pasur as drejtim dhe as disiplinë, ata përballen shumë herët me zgjedhje që u takojnë të rriturve, në një kohë kur janë pak ose aspak të përgatitur. ‘A duhet të marr drogë? A duhet të kem marrëdhënie seksuale? A duhet të bëhem i dhunshëm kur zemërohem?’ Ka mundësi që ata t’i gjejnë vetë përgjigjet e këtyre pyetjeve, duke i marrë ato nga bashkëmoshatarët ose nga personazhet televizive. Pasojat shpesh bëjnë që fëmijëria të ketë një fund të papritur, madje tragjik.
I detyruar të mbajë peshën e «të rriturit»
Kur një familje që i ka të dy prindërit mbetet papritur me një prind, për shkak të vdekjes, ndarjes, divorcit, shpesh fëmijët vuajnë emocionalisht. Sigurisht, shumë familje me një prind e përballojnë me sukses këtë gjendje. Por në disa të tjera, fëmijët detyrohen të rriten para kohe.
Është e kuptueshme që ndonjëherë një prind i vetëm të vuajë nga vetmia. Por, si pasojë, disa lejojnë që një fëmijë—zakonisht më i madhi—të marrë përsipër rolin e «prindit» tjetër. Ndoshta prindi për shkak të dëshpërimit, hapet me vajzën ose djalin e vogël, duke e ngarkuar fëmijën me probleme që ai nuk është gati t’i mbajë. Disa prindër të vetëm bëhen tepër të varur emocionalisht pas një fëmije.
Ka prindër që i braktisin fare përgjegjësitë e tyre dhe e detyrojnë fëmijën që të marrë përsipër rolin e të rriturit në familje. Karmeni dhe motra e saj, që u përmendën më sipër, e braktisën shtëpinë dhe nisën të jetonin rrugëve për shkak të kësaj gjendjeje. Edhe pse ishin fëmijë për vete, ato duhej të luanin rolin e prindit për vëllezërit dhe motrat e tyre më të vogla. Kjo ishte përtej mundësive të tyre.
Pa dyshim, është diçka e rrezikshme që t’i detyrosh fëmijët të rriten para kohe, dhe kjo duhet shmangur nëse është e mundur. Por ka një lajm të mirë: të rriturit mund të marrin masa që pasardhësit e tyre të gëzojnë vite të lumtura gjatë fëmijërisë. Cilat janë këto masa? Le të shqyrtojmë disa përgjigje që i ka treguar jeta.
[Kutia në faqen 6]
Sfida e pubertetit të hershëm
A po fillon puberteti te vajzat sot në një moshë më të hershme? Shkencëtarët kanë mendime të ndryshme për këtë çështje. Disa thonë se në mes të shekullit të 19-të, mosha mesatare kur fillonte puberteti te vajzat ishte 17 vjeç, kurse sot ajo është nën 13 vjeç. Sipas një studimi të vitit 1997 të bërë me 17.000 vajza, rreth 15 për qind e vajzave të racës së bardhë dhe 50 për qind e vajzave zezake në Shtetet e Bashkuara i shfaqin shenja e para të pubertetit që në moshën tetëvjeçare! Megjithatë, disa mjekë i kundërshtojnë këto përfundime dhe i paralajmërojnë prindërit që të mos e pranojnë zhvillimin tepër të parakohshëm thjesht si diçka «normale».
Gjithsesi, kjo gjendje paraqet një sfidë si për prindërit, edhe për fëmijët. Revista Time komenton: «Edhe më shqetësuese se ndryshimet fizike janë pasojat e mundshme psikologjike që ka zhvillimi i parakohshëm seksual te fëmijët, të cilët janë në moshën kur duhet të lexojnë ende përralla dhe jo t’u shpëtojnë nga duart ujqërve. . . . Fëmijëria për vetë natyrën e saj është e shkurtër.» Artikulli ngre këtë pyetje shqetësuese: «Çfarë humbet e s’kthehet më kur trupi i vajzave të vogla bën që ato të duken të rritura para se zemra dhe mendja e tyre të jenë gati?»
Shpesh, ajo që humbet është dëlirësia fëmijërore—për shkak të shfrytëzimit seksual. Një nënë thotë hapur: «Vajzat që duken më të mëdha për moshën që kanë, janë si mjalti [për bletën]. Ato tërheqin djemtë më të rritur.» Për shkak të presionit për të kryer marrëdhënie seksuale në moshë të njomë, çmimi që duhet të paguajnë është i lartë. Një vajzë e re mund të humbasë respektin për veten, ndërgjegjen e pastër dhe madje edhe shëndetin fizik e emocional.
[Figura në faqen 5]
Një program tepër i ngarkuar mund të sjellë probleme
[Figura në faqen 7]
T’i nxitësh fëmijët që të jenë tepër konkurrentë mund t’u heqë kënaqësinë e sporteve dhe të lojërave
[Figura në faqen 7]
Të mirat materiale nuk e zëvendësojnë përgjegjësinë e të qenët prind i mirë