Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një aksident më ndryshoi gjithë jetën

Një aksident më ndryshoi gjithë jetën

Një aksident më ndryshoi gjithë jetën

TREGUAR NGA STENLI OMBEVA

Në vitin 1982 më shtypi një makinë që po ecte me shpejtësi të madhe. Pak pas mjekimit u riktheva në punët e mia të përditshme, edhe pse hera-herës kisha dhembje. Këtë dhembje ma shkaktonte një disk ndërruazor i dalë nga vendi midis qafës dhe kraharorit. Mirëpo, 15 vjet më vonë përjetova përvojën më sprovuese të jetës sime.

PARA aksidentit, e në njëfarë mase edhe më pas, isha plot energji. Bëja rregullisht ushtrime, që përfshinin vrapimin e lehtë nga 10 deri në 13 kilometra gjatë fundjavëve, lojën skuash dhe punë krahu të rënda. Ndihmova në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, si edhe në ndërtimin e një Salle të madhe Asamblesh në Najrobi, Kenia, ku jetoj me familjen.

Pastaj, në vitin 1997, dhembjet që ndieja në kraharor u bënë të rregullta dhe më të forta. Nga kontrolli mjekësor doli se një disk ndërruazor i shtyllës kurrizore kishte dalë nga vendi dhe po e shtypte shtyllën. Kjo ishte si pasojë e aksidentit që përmenda në fillim.

Para se të më keqësohej shëndeti kisha zënë punë si përfaqësues firme për shitjet. Puna përfshinte sigurimin shëndetësor për familjen. E ardhmja ime në botën e tregtisë dukej premtuese. Por aty nga mesi i vitit 1998 fillova të kisha mpirje të rëndë nga kraharori deri te këmbët. Shëndeti më keqësohej nga dita në ditë.

Jo shumë kohë më pas humba punën, duke përfshirë gjithë dobitë që më sillte ajo. Në këtë periudhë, dy vajzat tona, Silvia dhe Vilhelmina, ishin përkatësisht 13 dhe 10 vjeçe. Meqë unë mbeta pa punë, duhej të mbaheshim vetëm me rrogën e Xhojsit, gruas sime. Përballë këtyre rrethanave të reja, e përshtatëm jetën duke mënjanuar blerjen e gjërave jo të domosdoshme. Kështu arritëm të kishim gjërat e nevojshme për jetën.

Ndjenjat negative

Duhet ta pranoj se kur e kuptova që po më rëndohej gjendja, u bëra pesimist, i përqendruar te vetja dhe acarohesha shpejt. Nganjëherë zemërohesha dhe sillesha ashpër, duke u kapur për çdo gjë të vogël. Isha gjithnjë në prag të depresionit. Por asnjeri në familje nuk i shpëtoi stresit. Gruaja dhe vajzat e mia u ballafaquan me një gjendje të veçantë që s’e kishin hasur më parë.

Në atë kohë mendoja se isha i justifikuar për ndjenjat që provoja. Brenda një kohe të shkurtër shtova shumë në peshë. Kisha shumë probleme për të dalë jashtë në banjë dhe për të kontrolluar urinimin. Shpesh ndihesha shumë në siklet. Jo rrallë ndodhte që shkoja në një cep, i vetëm, me sytë të mbushur me lot. Kishte raste kur zemërohesha kaq shumë, saqë gati bëhesha komik. E dija se nuk po reagoja siç duhej ndaj kësaj gjendjeje.

Duke qenë plak në kongregacionin e krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait, shpesh i kisha këshilluar të bashkëkrishterët e mi që të mos ia vinin kurrë fajin Jehovait për vuajtjet që kishin. E megjithatë unë vetë më tepër se një herë bëra pyetjen: ‘Pse e lejoi Jehovai që të më ndodhte kjo gjë?’ Ndonëse kisha përdorur shkrime si 1 Korintasve 10:13 për t’i forcuar e për t’u dhënë zemër të tjerëve, mendoja se ajo që po kaloja unë ishte tepër e rëndë për t’u përballuar!

Sfida mjekësore

Një sfidë ishte edhe të gjeja një mjekim të mirë. Në një ditë të vetme më duhej të shkoja te fizioterapisti, te kiroterapisti dhe te akupunkturisti. Lehtësimi që ndieja, nëse ndieja të tillë, ishte tepër i shkurtër. Shkova te shumë mjekë, duke përfshirë këtu një kirurg ortoped dhe një neurokirurg. Të gjithë ishin të një mendjeje për një gjë: për të lehtësuar dhembjen dhe për të hequr diskun e dalë nga vendi duhej bërë një operacion. Duke u nisur nga bindjet e mia të bazuara në Bibël, u shpjegova qartë këtyre mjekëve specialistë se, në asnjë rrethanë, nuk doja të më futnin gjak.​—Veprat 15:28, 29.

Kirurgu i parë tha se do ta bënte operacionin duke bërë një çarje në shpinë. M’u shpjegua se kjo procedurë mund të jetë shumë e rrezikshme. Gjithsesi, ky mjek nuk më siguronte se s’do të përdorte gjak. Nuk u ktheva më tek ai.

I dyti më tha se do të arrinte në shtyllën kurrizore nëpërmjet qafës. Kjo procedurë dukej e tmerrshme. Ndonëse ai s’e kishte problem që unë nuk doja gjak, dëshironte ta bënte menjëherë operacionin dhe nuk më dha shumë hollësi. Hoqa dorë edhe nga ai.

Më në fund, me ndihmën e Dëshmitarëve të Jehovait që shërbenin në Komitetin e Lidhjes me Spitalet në zonën tonë gjeta një mjek që ishte mirëkuptues. Procedura që më sugjeroi kirurgu i tretë ishte e ngjashme me atë që më tha i dyti, duhej bërë një çarje në qafë. Ai shpjegoi se rreziqet do të ishin shumë të vogla.

U tmerrova kur m’u tregua në mënyrë shumë të hollësishme se si do të bëhej operacioni. Ajo që më frikësonte më shumë ishte fakti që ky operacion do të bëhej rreth e qark disa organeve shumë delikate, si për shembull zemrës dhe mushkërive. A do të dilja gjallë nga operacioni? Natyrisht që këto mendime negative nuk më ndihmuan për ta pakësuar frikën.

Më 25 nëntor 1998 bëra operacionin prej katër orësh në një spital në Najrobi, operacion që doli me sukses. Gjatë operacionit më hoqën edhe një pjesë nga kocka e legenit. Kjo pjesë u modelua dhe pastaj u vendos në pikën ku kishte dalë disku, bashkë me një pllakë metalike e me vida. Kjo ishte një ndihmë, por nuk i hoqi të gjitha problemet. Ecja me shumë siklet dhe ende kam mpirje të vazhdueshme.

Një qëndrim pozitiv

Siç e përmenda më sipër, kisha kaluar shumë kohë duke u merakosur e duke u zymtuar për gjendjen e keqe në të cilën isha. Çuditërisht, shumë nga mjekët dhe infermierët më lavdëronin për qetësinë dhe optimizmin që tregoja. Pse mendonin kështu? Sepse mund ta shihnin që ndonëse kisha shumë dhembje, vazhdoja t’u flitja për besimin tim te Perëndia.

Ndonëse nganjëherë më ndodhte që isha i zemëruar dhe i inatosur për atë që po kaloja, ende mbështetesha te Jehovai. Ai më mbështeti gjithnjë në gjithçka që kalova, madje kaq shumë, saqë disa herë më vinte turp nga vetja. Prandaj vendosa që të lexoja e të meditoja për disa shkrime që e dija se ishin ngushëlluese për gjendjen që ndodhesha. Ja disa prej tyre:

Zbulesa 21:4: «[Perëndia] do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.» Gjeta vërtet ngushëllim duke medituar për premtimin e Biblës për një botë të re ku lotët dhe dhembja do të kenë shkuar përgjithmonë.

Hebrenjve 6:10: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» Edhe pse tani isha i kufizuar fizikisht, e dija se Jehovai do t’i kujtonte e do t’i çmonte përpjekjet e mia në shërbim të tij.

Jakovit 1:13: «Kur është në sprovë, askush të mos thotë: ‘Po sprovohem nga Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» Sa të vërteta janë këto fjalë! Edhe pse Jehovai i lejoi vuajtjet e mia, ai nuk ishte kurrsesi shkaktari i tyre.

Filipianëve 4:6, 7: «Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» Lutja më ndihmoi që të fitoja paqen mendore që më nevojitej aq shumë, duke më dhënë mundësi ta shihja më objektivisht gjendjen time.

I kisha përdorur këto shkrime për t’u dhënë zemër të tjerëve kur ishin në hall dhe ato i kishin ndihmuar vërtet ata! Por, gjithsesi, zbulova se më përpara nuk e kisha kuptuar plotësisht vlerën e tyre. M’u desh të sëmuresha rëndë për të kuptuar çfarë është përulësia dhe për të mësuar të mbështetem plotësisht te Jehovai.

Ndihma të tjera fuqizuese

Shumë veta thonë që vëllazëria e krishterë është një shtyllë e një mbështetje në kohë të vështira. Por, sa e lehtë është që t’i nënvlerësojmë vëllezërit tanë të krishterë dhe motrat tona të krishtere! Vërtet që ndoshta ata mund të jenë të kufizuar në ndihmën që mund të japin, por janë gjithnjë gati për të na u gjendur pranë. Kjo ishte e vërtetë në rastin tim. Ndodhte shpesh që ata ishin pranë shtratit tim në spital, disa herë edhe shumë herët në mëngjes. Madje u treguan të gatshëm të më ndihmonin që të paguaja faturat mjekësore. U jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që u prekën nga gjendja ime e vështirë dhe që më erdhën në ndihmë.

Në kongregacionin tonë, Dëshmitarët e dinë që tani jam i kufizuar në atë që mund të bëj. Tani shërbej si mbikëqyrës drejtues dhe punoj bashkë me një trup pleqsh të krishterë që më përkrahin shumë. Nuk kam qenë kurrë i parregullt në veprën e predikimit. Edhe në periudhën më të mundimshme që po kaloja, ndihmova dy veta që të arrinin deri në pikën që t’ia kushtonin jetën Jehovait. Njëri prej tyre tani shërben si shërbëtor ndihmës në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait në Najrobi.

Ende s’i gjej dot fjalët e duhura për të falënderuar time shoqe, e cila më mbështeti gjatë gjithë kësaj peripecie. Ajo duroi zemërimin, ndryshimet e humorit, paarsyetueshmërinë time dhe mërzinë. Sa herë që qaja e kisha dhembje, ajo më qetësonte dhe më ngushëllonte. Forca dhe qëndrueshmëria e saj përballë vështirësive ende më mahnitin. E ka treguar me vepra se është ‘një shoqe e vërtetë . . . në çdo kohë’.​—Fjalët e urta 17:17, BR.

Dy vajzat tona kanë mësuar ta përballojnë gjendjen time. Ato bëjnë ç’të munden për të më ndihmuar. I kuptojnë nevojat e mia dhe më vijnë në ndihmë menjëherë, duke më bërë të ndihem rehat kur mamaja e tyre nuk është aty. Silvia më ka shërbyer si «shkop për të ecur», sepse më ndihmon të lëviz nëpër shtëpi kur ndihem i dobët fizikisht.

Po Mina, vajza e vogël? Më kujtohet një herë kur u rrëzova në shtëpi dhe nuk ngrihesha dot. Bashkë me mua ishte vetëm Mina. Duke mbledhur gjithë forcën që kishte, më ngriti dhe dalëngadalë më çoi në dhomën time. Ajo vetë ende nuk e kupton si ia doli mbanë ta bënte këtë. Edhe ky veprim i vetëm i guximshëm më është ngulitur fort në kujtesë.

Të përballoj këtë dëmtim është beteja më e vështirë që kam bërë në jetë. Këtë betejë po e vazhdoj ende. Asgjë tjetër s’ma ka sprovuar jetën dhe besimin deri në këtë pikë. Kam mësuar shumë për përulësinë, arsyetueshmërinë dhe empatinë. Besimi i plotë dhe siguria te Jehovai më kanë ndihmuar që të vazhdoj ta përballoj me sukses këtë problem.

Kam mësuar sa të vërteta janë fjalët e apostullit Pavël: «E kemi këtë thesar në enë prej balte, që fuqia përtej asaj që është normale të jetë e Perëndisë dhe jo ajo që vjen nga ne.» (2 Korintasve 4:7) Gjej shumë ngushëllim në premtimin e Perëndisë për ‘qiej të rinj dhe një tokë të re’ që do të vijnë. (2 Pjetrit 3:13) Lutem që Jehovai të vazhdojë të më mbështetë derisa të vijë kjo botë e re, sepse vazhdoj të jem i dobët dhe mund të bëj pak me forcat e mia.

[Figurat në faqen 20]

Veprimtaritë e krishtere me familjen time më kanë ndihmuar të qëndroj