Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Mesazhe kërcënuese
«Një në çdo katër adoleshentë ka qenë viktimë e kërcënimit të bërë nëpërmjet kompjuterit ose celularit»,—thotë gazeta The Guardian e Londrës. Një raport i shoqatës bamirëse britanike National Children’s Home (NCH) zbuloi se 16 për qind e të rinjve nga mosha 11 deri në 19 vjeç «kishin marrë mesazhe kërcënuese në celular», kurse 11 për qind kishin pasur ngacmime nëpërmjet dhomave të bisedave në Internet ose nëpërmjet postës elektronike. NCH-ja thotë se fëmijët «ose nuk i tregojnë askujt dhe vuajnë në heshtje, ose u hapen njerëzve që edhe vetë nuk dinë se çfarë të bëjnë në një rast të tillë». Ajo i këshillon të rinjtë që të mos i tolerojnë mesazhet kërcënuese, por të flasin me një njeri të përgjegjshëm dhe të besueshëm për atë që po u ndodh; të jenë shumë të kujdesshëm kur japin numrin e telefonit dhe adresën e postës elektronike dhe t’i ndryshojnë ato po të jetë e nevojshme. Sipas The Guardian, NHC-ja këshillon që «nëse merrni mesazhe që ju shqetësojnë, mbani shënim sa herë ju ka ndodhur, datat dhe raportojini ato në polici».
Bimë që «flasin»
Kërkuesit në Institutin e Fizikës së Zbatuar në Universitetin e Bonit, Gjermani, kanë ndërtuar mikrofona me rreze lazer që mund të «dëgjojnë» bimët. Mikrofonat kapin valët e tingullit që lëshon gazi etilen, të cilin e çlirojnë bimët «e shqetësuara». Dr. Frenk Kyhnemani, shkencëtar në Universitetin e Bonit, thotë: «Sa më të ‘shqetësuara’ të jenë bimët, aq më i lartë është tingulli që dëgjohet në mikrofon.» Në një rast, një kastravec që dukej i shëndetshëm, sipas të dhënave që tregonte pajisja, «praktikisht po bërtiste». «Një analizë më nga afër tregoi se ai vuante nga myku, por shenjat nuk dukeshin ende.» Ç’është e vërteta, duhen tetë ose nëntë ditë që myku të formojë njolla të dukshme dhe vetëm atëherë bujqit e dallojnë problemin. «Duke përgjuar bimët,—thotë The Times e Londrës,—duhet të jetë e mundur të ndërtohet edhe një sistem paralajmërues që do të jetë në gjendje t’i diktojë insektet e dëmshme dhe sëmundjet që në fillim. Gjithashtu, duke ditur se deri në ç’masë janë ‘të shqetësuara’ frutat dhe perimet, mund të jetë një ndihmë edhe për ruajtjen dhe transportimin e tyre me efektshmëri.»
Nikotina dhe sindroma e vdekjes së papritur foshnjore
E përditshmja franceze Le Figaro raporton se ka mundësi që kërkuesit në Francë dhe Suedi të kenë zbuluar se përse pirja e duhanit e shton rrezikun e sindromës së vdekjes së papritur foshnjore. Studimet te kafshët kanë zbuluar se ekspozimi ndaj nikotinës mund të ndërhyjë te reflekset e frymëmarrjes gjatë gjumit. «Mungesa e oksigjenit (hipoksia) gjatë gjumit, e cila mund të ndodhë vetvetiu gjatë ndërprerjeve të shkurtra të frymëmarrjes (apnea), zakonisht shkakton një ngacmim të fuqishëm të zemrës dhe të rrugëve të frymëmarrjes, si edhe zgjimin nga gjumi. Por nëse ky reagim mbrojtës i trupit dëmtohet, apnea dhe hipoksia bëhen më të rënda dhe mund të shkaktojnë ndërprerje të frymëmarrjes»,—thotë raporti. Studiuesit thonë se te njerëzit, ky reagim mbrojtës mund të dëmtohet nga ekspozimi i vazhdueshëm ndaj nikotinës, e cila gjatë shtatzënisë kalon nga gjaku i nënës që pi duhan te fetusi. Pasoja mund të jetë «një ulje në efektshmërinë e reflekseve të frymëmarrjes dhe të zgjimit si kundërpërgjigje ndaj apnesë gjatë gjumit. Si pasojë shtohet rreziku i vdekjes së papritur foshnjore». Le Figaro thotë se kjo sindromë «mbetet shkaku kryesor i vdekjeve që ndodhin gjatë vitit të parë të jetës së foshnjave në Francë».
Kultura e përhapur «erotike»
Nëpërmjet modës, reklamave, medias dhe botës së spektaklit, «kultura e përhapur bashkëkohore po e shfrytëzon në maksimum tërheqjen e njerëzve pas seksit»,—thotë revista e përjavshme polake Polityka. Sipas stilistëve, «moda frymëzon erotizmin dhe erotizmi frymëzon modën». Në thelb qëndron ideja: ‘Sa më shumë ta ekspozosh trupin, aq më shpejt do të biesh në sy.’ Po kështu, seksi dhe erotizmi nëpër reklama «bën që reklamat të mbahen mend më shumë» dhe në këtë mënyrë nxit shitjet, sipas dr. Eva Skesna, specialiste në fushën e semiotikës (që studion shenjat dhe simbolet) të kulturave të ndryshme në Universitetin e Varshavës. «Kufijtë e asaj që quhet nxitëse nga ana erotike janë zvogëluar shumë»,—shton ajo. Sipas revistës Polityka, përvoja ka treguar se për para, reklamuesit do të shkelnin çdo kufi.
Rritet popullariteti i medias në Indi
Lexuesit e gazetave në Indi janë shtuar nga 131 milionë në 155 milionë brenda një periudhe trevjeçare, nga viti 1999 deri në vitin 2002, sipas një studimi të drejtuar nga Këshilli Kombëtar për Subjektin e Leximit. Po të mbledhim së bashku lexuesit e gazetave, të revistave dhe të botimeve të tjera periodike, lexuesit e shtypit në shkallë vendi janë gjithsej 180 milionë. Megjithatë, meqenëse nga më shumë se një miliardë banorë që ka India, 65 për qind janë të arsimuar, ka shumë perspektiva që numri i lexuesve të shtohet. Numri i teleshikuesve arrin deri në 383,6 milionë, kurse ai i dëgjuesve të radios arrin deri në 680,6 milionë. Tani me Internetin janë të lidhur më shumë se 6 milionë njerëz, në krahasim me 1,4 milionë që ishin në vitin 1999. Pothuajse gjysma e shtëpive që kanë televizor në Indi, tani janë të lidhura me sistemin kabllor dhe me transmetimin satelitor, një rritje me 31 për qind në tre vjet.
Shtohen rastet e rrëmbimit të personit
«Pesëmbëdhjetë vjet më parë, rrëmbimi i personit ndodhte shumë rrallë [në Meksikë],—raporton gazeta The News e Meksikos.—Por krimet filluan të shtohen në vitet 1980, dhe kriza ekonomike në vitet 1994-1995 dukej se bëri ndryshime rrënjësore në Meksikë, duke e kthyer rrëmbimin e personit, dhe krimin në përgjithësi, në një industri lulëzuese.» Me sa duket, askush nuk mund të jetë i sigurt se nuk do të jetë viktimë e rrëmbimit të personit. «Vajzat i marrin peng për një shpërblim prej 500 dollarësh; një vajzë 12-vjeçare nga Tijuana e rrëmbyen . . . disa studentë të kolegjit që përpiqeshin të gjenin para për të vazhduar shkollën; disa njerëz kanë arritur deri aty sa të shtiren sikur i kanë rrëmbyer, me qëllim që të marrin para nga familjet e tyre ose nga firmat ku punojnë,—thotë The News.—[Rrëmbimi i personit është] bërë pjesë e pandarë e jetës. Meksika ka zhvilluar një kulturë, në të cilën shpërblimi paguhet shpejt dhe policia njoftohet shumë rrallë.» Në fakt, viktimat, specialistët në fushën e sigurisë, e madje edhe procesverbalet e gjykatave thonë se «shpesh policët janë bashkëpunëtorë në rrëmbime. Një sistem i tillë gjyqësor i pafuqishëm e i korruptuar shpesh nënkupton se ata nuk do të kapen».
Po keqësohen aftësitë gjuhësore
«Rreth 20 për qind e nxënësve të shkollës fillore, tetëvjeçare dhe të mesme rrallëherë lexojnë libra për kënaqësi dhe rreth 80 për qind e mësuesve në shkollat tetëvjeçare dhe të mesme mendojnë se aftësia gjuhësore e nxënësve për gjuhën japoneze është keqësuar»,—thotë e përditshmja japoneze The Yomiuri Shimbun. Kërkuesit në Institutin Kombëtar për Kërkime në Planin Arsimor anketuan «2.120 nxënës që vinin nga klasa e katërt e shkollës fillore deri në vitin e dytë të shkollës së mesme dhe 259 mësues të shkollave fillore, tetëvjeçare dhe të mesme»,—thotë raporti. Ata zbuluan se «meqë lexojnë më pak [studentëve] u është keqësuar kuptueshmëria në të lexuar, fjalori dhe aftësia për të shkruar». Për këtë prirje, shumë nga mësuesit e anketuar ia vunë fajin zakoneve të të rriturve, të cilët po lexojnë më pak, duke përfshirë edhe mësuesit, me të cilët shoqërohen nxënësit. Ata gjithashtu «ia vunë fajin edhe ndikimit negativ të videolojërave».
Vdekjet nga ndotja e ajrit tani i kalojnë ato të aksidenteve rrugore
«Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se 3 milionë njerëz vdesin çdo vit nga pasojat e ndotjes së ajrit. Kjo shifër është tri herë më e madhe sesa shifra prej 1 milion njerëzish që vdesin çdo vit nga aksidentet rrugore»,—thotë një raport i botuar nga Earth Policy Institute. Sipas raportit, qeveritë punojnë shumë për të zvogëluar numrin e aksidenteve automobilistike, por «i kushtojnë shumë më pak vëmendje vdekjeve të shkaktuara vetëm nga përdorimi i makinave. Ndonëse vdekjet nga sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes për shkak të ajrit të ndotur nuk krijojnë atë bujë që kanë përplasjet e makinave, me drita dhe sirena, përfundimi është i njëjtë. Ndër ndotësit e ajrit futen monoksidi i karbonit, ozoni, dyoksidi i squfurit, oksidet e azotit dhe grimcat e tyre» dhe të gjithë këta vijnë si pasojë e djegies së lëndëve djegëse si qymyri dhe benzina.