Pse po ndryshojnë vlerat?
Pse po ndryshojnë vlerat?
«Cila është gjëja më e rëndësishme në jetë?»
Kjo pyetje iu bë 50.000 njerëzve në 60 vende. Anketa Gallup tregon se në shumicën e rasteve pothuajse në çdo pjesë të botës përgjigjja ishte «të kesh një jetë të lumtur familjare» dhe «shëndet të mirë».
NË PAMJE të parë, mund të duket se njerëzit përreth globit kanë një grup vlerash fisnike të përbashkëta. Megjithatë, gjendja nuk është kaq e kënaqshme sa duket. Në të kaluarën, vlerat që njerëzit respektonin bazoheshin në parimet tradicionale fetare dhe morale. Gjithsesi, gjërat po ndryshojnë me shpejtësi. Studiuesja Mariza Ferrari Okjonero thotë për Italinë: «Të rinjtë duket se ndjekin disa vlera, të cilat po ndikohen gjithnjë e më pak nga prindërit, tradita dhe nga feja.» Mund të thuhet e njëjta gjë për njerëzit—qofshin të rinj ose të moshuar—në të gjithë botën.
Profesori Ronald Ingelhart, koordinues i një projekti kërkimesh të quajtur Anketë rreth Vlerave Botërore, thotë: «Një sërë dëshmish që sa vijnë e shtohen tregojnë se ndryshime rrënjësore po ndodhin në pikëpamjet e njerëzve përreth botës.» Ç’gjë po i sjell këto ndryshime? Ingelhart thotë: «Këto ndryshime pasqyrojnë ndryshimet në ekonomi dhe në teknologji.»
Anketa Gallup, për shembull, zbuloi se në vendet e pasura punësimi ishte «renditur mjaft poshtë» në listën e gjërave që kanë më shumë rëndësi në jetë. Kurse në vendet në zhvillim, pasja e një pune zinte vendin e parë. Po, kur njerëzit janë të varfër, sigurimi i mjeteve të përditshme të jetesës është gjëja kryesore. Kur vendet zhvillohen ekonomikisht, njerëzit u japin përparësi gjërave të tilla si shëndetit, një jete të lumtur familjare dhe zhvillimit të talenteve të tyre.
Për shkak të përparimit në teknologji, këto vlera të reja me siguri ndikojnë edhe në vendet në zhvillim. Revista The Futurist thotë: «Bindjet tona dhe vlerat që respektojmë modelohen nga ajo që shohim dhe dëgjojmë.» Kështu, mediat kanë pasur një ndikim jashtëzakonisht të madh në vlerat që ndiqen në perëndim. Revista thotë: «Ndikimi i mediave po shtrihet në shkallë botërore.»
Cilat ndryshime po vërehen si pasojë në qëndrime dhe në sjellje? Si po ndikojnë mbi ju dhe mbi familjen tuaj këto vlera që po ndryshojnë?