Pyjet e shiut: A mund t’i shfrytëzojmë pa i shkatërruar?
Pyjet e shiut: A mund t’i shfrytëzojmë pa i shkatërruar?
A MENDONI se industria e shfrytëzimit të lëndës drusore të pyllit ka të drejtë t’i shkatërrojë pyjet tropikale të shiut në botë? Patjetër që do të përgjigjeshit jo. Megjithatë disa ekologë mund të këmbëngulin se shumë nga ata që do të përgjigjeshin jo, në të vërtetë, tashmë kanë ndikuar në shkatërrimin e pyjeve. Për shembull, këtë mund ta kenë bërë duke blerë mobilje me lëndë drusore mjaft të kërkuar dhe të bukur, e cila vjen nga pyjet natyrore të shiut dhe jo nga plantacionet.
Shfrytëzimi i lëndës drusore të pyllit shpesh barazohet me shpyllëzimin. Dhe ç’është e vërteta, shumë pyje janë shkatërruar nga prerja e drurëve. Megjithatë thuhet se ka edhe nga ato pyje ku është marrë lëndë drusore, duke shkaktuar vetëm një dëm minimal. A është e mundur që pyjet tropikale të shiut dhe gjallesat që jetojnë aty të mbijetojnë pas prerjes së drurëve? Le të shqyrtojmë së pari se në ç’mënyrë prerja e drurëve mund ta shkatërrojë pyllin.
Si e shkatërron prerja e drurëve pyllin dhe gjallesat që jetojnë aty?
Ja tek e kemi një situatë të mundshme: historia nis me buldozerët që po hapin rrugë deri thellë në pyll. Sharrëxhinjtë, duke përdorur sharra zinxhir i futen shpejt punës. Kompania që merret me prerjen dhe transportimin e drurëve ka vetëm një leje afatshkurtër për të prerë lëndë drusore, prandaj punëtorët kanë marrë udhëzime të presin çdo pemë që ia vlen. Kur pemët që do të çohen në treg rrëzohen, ato dëmtojnë ose shkatërrojnë edhe pemët fqinje, me të cilat lidhen nëpërmjet bimëve kacavjerrëse. Pas kësaj, buldozerët çajnë përmes bimësisë së dendur për të tërhequr trungjet, duke e ngjeshur shtresën e hollë të humusit derisa ai bëhet vërtet i pavlefshëm.
Punonjësit e kompanisë zakonisht hanë më shumë mish sesa fshatarët vendës. Ata i bien qark pyllit për të kapur gjah; shpesh vrasin më shumë kafshë nga ç’iu nevojitet. Rrugët që lënë prapa sharrëxhinjtë hapin një territor të ri ku më parë nuk mund të shkoje dot. Gjahtarët tani mund të hyjnë me automjete dhe armë për t’iu dhënë fund edhe atyre gjallesave të egra që kanë mbetur. Gjuetarët që ngrenë leqe kapin kafshët më të vogla dhe zogjtë për t’i shitur me leverdi si kafshë shtëpiake. Pastaj vijnë banorët, mijëra të pastrehë që po kërkojnë një mundësi për të siguruar jetesën në territorin e hapur rishtazi. Metodat e tyre bujqësore që përfshijnë prerjen dhe djegien e pemëve i shkatërrojnë edhe ato pemë që kanë mbetur. Kjo bën që shirat e rrëmbyeshëm të marrin me vete shtresën e hollë të humusit.
Pylli ka mbetur vërtet pa jetë. Prerja e drurëve ishte veçse hapi i parë. Por, a duhet të jetë vërtet kaq shkatërrimtare mbledhja e lëndës drusore nga pyjet tropikale të shiut?
Prerja e drurëve me sa më pak dëme
Vitet e fundit përsëri është zgjuar interesi për metodën e prerjes së drurëve me sa më pak dëme dhe të shfrytëzimit të pyjeve pa e shkatërruar ekuilibrin ekologjik. Ideja është që lënda drusore të mblidhet në mënyrë të tillë që pylli dhe flora e fauna e tij të dëmtohen sa më pak të jetë e mundur. Pylli ripërtërihet dalëngadalë, duke bërë të mundur që pas pak dhjetëvjeçarësh të mblidhet përsëri lëndë drusore. Të gjendur përballë presionit të mbrojtësve të natyrës, tani disa tregtarë reklamojnë se lënda drusore që shesin vjen nga pyje, të njohura zyrtarisht si pyje që shfrytëzohen pa e shkatërruar ekuilibrin ekologjik. Le të shohim si funksionon metoda e prerjes së drurëve me sa më pak dëme.
Një specialist pyjesh dhe një grup ndihmësish hapin rrugën mes për mes gëmushave. Ata përbëjnë njërin nga grupet që do të kalojnë ndoshta gjashtë muaj nëpër xhungël, duke bërë një regjistrim të pemëve të pyllit. Firma e prerjes dhe e transportimit të drurëve ka një leje afatgjatë, kështu që punëtorët kanë kohë për ta bërë këtë regjistrim të drurëve, me qëllim që ta ruajnë pyllin për ta shfrytëzuar edhe në të ardhmen.
Specialisti i pyjeve i vë çdo peme një numër regjistrimi dhe përcakton llojin. Ekzistojnë qindra varietete, kështu që ai duhet të jetë mjaft i përgatitur. Megjithatë hapi tjetër kërkon teknologji moderne.
Duke përdorur një pajisje dore që lidhet me satelitë të sistemit që shërben për përcaktimin e vendndodhjes në glob, specialisti shtyp në tastierë përmasat, llojin dhe numrin e regjistrimit të pemës. Pastaj, kur ai shtyp butonin enter të gjitha hollësirat për atë pemë, përfshirë edhe vendndodhjen e saktë, dërgohen në çast nga pylli në një kompjuter të vendosur në një qytet të zhurmshëm, i cili ndodhet larg.
Më vonë, përgjegjësi për shfrytëzimin e pyllit përgatit në kompjuter dhe shtyp në printer një hartë me të gjitha hollësirat për çdo pemë që ia vlen. Ai përzgjedh saktësisht se cilat pemë mund të priten në përputhje me rregullat zyrtare. Për shumë lloje lejohet të priten vetëm 50 për qind e pemëve që kanë një diametër më të madh sesa diametri minimal i përcaktuar në leje. Pemët më të vjetra dhe më të shëndetshme s’duhen prerë, sepse duhen për farë.
Megjithatë, si mund të priten pemët pa dëmtuar pyllin? Zgjohuni! ia bëri këtë pyetje Robertos, specialistit të pyjeve që përmendëm në artikullin e mëparshëm. Ai shpjegoi: «Çelësi është harta. Me anë të hartës së pemëve, mund të planifikojmë të mbledhim lëndë drusore në një mënyrë që t’i shkaktojmë një dëm sa më të vogël pyllit. Madje edhe drejtimi i rrëzimit të pemës mund të planifikohet për të pakësuar sa më shumë dëmet anësore.»
«Gjithashtu mund të planifikojmë t’i nxjerrim trungjet me argano, në vend që të përdorim buldozerë për të hapur një shteg për çdo pemë të rrëzuar. Para se të presin pemët, sharrëxhinjtë presin bimët kacavjerrëse, të cilat lidhin pemët që do të priten me pemët fqinje. Edhe kjo gjë bëhet që të pakësohen dëmet anësore. Ne e shfrytëzojmë vendin me sektorë. Çdo vit përpilojmë një hartë për një sektor dhe mbledhim lëndë drusore nga ajo pjesë. Kështu që nuk kthehemi më te po ai vend pa kaluar të paktën 20 vjet. Për disa zona pyjesh kjo periudhë është 30 vjet.»
Gjithsesi Robertoja punon në një kompani që pret drurë. Prandaj Zgjohuni! e pyeti: «Sa të interesuar janë në të vërtetë ata që presin drurë për mbrojtjen e botës shtazore?»
Mbrojtja e kafshëve
«Nuk mund të kesh një pyll të shëndetshëm pa kafshë,—thotë Robertoja.—Ato janë jetësore për pjalmimin dhe për përhapjen e farërave. Ne bëjmë çmos që kafshëve t’u shkaktohet sa më pak shqetësim. Për shembull, rrugët për t’u futur në pyll i planifikojmë me kujdes, në mënyrë që të jenë sa më të rralla. Sa herë që është e mundur, rrugët i bëjmë aq të ngushta, saqë kurorat e pemëve t’i mbulojnë. Kjo lejon që kafshë të tilla, siç janë përtacët dhe majmunët, ta kapërcejnë rrugën pa zbritur nga pema.»
Robertoja tregon në hartë disa zona me ngjyra. Këto nuk duhen prekur fare. Një rrip toke i mbrojtur në të dyja anët e secilit përrua, për shembull, lejon që kafshët të lëvizin nga njëra zonë e xhunglës së paprekur në tjetrën.
«Përveç habitateve jetësore anës përrenjve,—shpjegon ai,—ne mbrojmë edhe shpellat, shkëmbinjtë, pemët e moçme me zgavra, pemët që japin fruta me tul, pra, çdo zonë që është jetësore për mbijetesën e ndonjë lloji. Për të parandaluar gjuetinë e paligjshme, i ndalojmë punonjësit tanë të mbajnë armë. Gjithashtu me aeroplan sjellim në zonën e sharrave mish viçi dhe mish pule që ata të mos kenë nevojë të vrasin kafshë. Pastaj, pasi mbarojmë punën në
një sektor, i bllokojmë ose i kontrollojmë rrugët me kujdes që në pyll të mos hyjnë ata që merren me gjueti të paligjshme ose ata që presin drurët në mënyrë të paligjshme.Personalisht, të gjitha këto i bëj me kënaqësi, sepse besoj se krijimi i Perëndisë duhet ruajtur. Por pothuajse të gjitha masat që ju tregova parashikohen në rregulloret ndërkombëtare. Në këto rregullore përcaktohen kushtet që duhen plotësuar për të marrë certifikatën, e cila vërteton se një pyll është shfrytëzuar pa ia shkatërruar ekuilibrin ekologjik. Për të marrë certifikatën, një firmë duhet të japë prova për këtë para inspektorëve të organizatave ndërkombëtare.»
A është me leverdi shfrytëzimi i pyjeve pa shkatërruar ekuilibrin ekologjik? Përveç pak njerëzve entuziastë si Robertoja, në përgjithësi, ata që merren me prerjen dhe transportimin e drurëve nuk i mirëpresin planet për mbrojtjen e florës dhe të faunës. Këto kufizime shpesh i shohin si një pengesë për fitimin.
Megjithatë studimet e bëra në lindje të pellgut të Amazonës në fund të viteve 1990 zbuluan se kostoja e hartave të pemëve, e prerjes së bimëve kacavjerrëse dhe e planifikimit të mirë për nxjerrjen e trungjeve të prera u kompensua më së miri falë rritjes së efektshmërisë. Për shembull, nga kjo shkuan dëm më pak drurë. Shpesh, pa një hartë të tillë, një ekip i pajisur me sharra zinxhir mund të presë një pemë, të cilën punëtorët që merren me nxjerrjen e drurëve nuk mund ta gjejnë dot mes xhunglës së dendur.
Gjithashtu mund të jetë më e lehtë të shesësh lëndë drusore kur certifikata, që vërteton se kjo lëndë vjen nga pyje të shfrytëzuar pa u prekur ekuilibrin ekologjik, jepet nga inspektorë të pavarur. Por, a e mbron në të vërtetë prerja e drurëve me sa më pak dëme shumëllojshmërinë biologjike? Sa gjallesa arrijnë të mbijetojnë nga prerja e drurëve në këto pyje të shiu?
A mund të mbijetojnë gjallesat kur priten drurët?
Është e vërtetë që ekosistemet e pyjeve tropikale të shiut janë të brishta dhe komplekse. Megjithatë mund të çuditemi se sa shpejt mund të ripërtërihen ato në kushte të caktuara. Për shembull, nëse lihet një pjesë pylli e pashfrytëzuar afër një zone ku është marrë lëndë drusore, filizat e llojeve të prera dalëngadalë do të rriten dhe do të mbushin boshllëqet e krijuara në kurorën e pyllit. Por, ç’mund të thuhet për kafshët, zogjtë dhe insektet?
Disa lloje janë dëmtuar rëndë dhe shumica e punëve për prerjen e drurëve i pakësojnë varietetet e zogjve dhe të kafshëve të zonës. Megjithatë prerja e drurëve me sa më pak dëme shpesh ka një ndikim të vogël te shumica e llojeve të gjallesave. Në fakt, krijimi i
boshllëqeve në kurorën e pyllit mund të nxitë shtimin e disa llojeve. Kërkimet e kohëve të fundit sugjerojnë se prania e njerëzve, madje edhe kur ndodhen atje për të prerë drurë në mënyrë të përzgjedhur, mund të rritë llojshmërinë biologjike të pyjeve të shiut.Pra, nga sa shohim, ka prova të bollshme që tregojnë se është e mundur që pyjet e shiut të shfrytëzohen në mënyrë të përgjegjshme, pa i shkaktuar dëm të përhershëm shumëllojshmërisë biologjike. Në revistën Economist të Londrës thuhej: «Vetëm 10% e pyjeve ekzistuese, të shfrytëzuara pa e shkatërruar ekuilibrin ekologjik, mund të plotësojnë të gjitha kërkesat që ekzistojnë për drurë të fortë tropikalë. Prandaj një pjesë e madhe e pyjeve që mbeten mund të shpallen të paprekshme.»
Shembull i një mbrojtjeje të plotë është pylli për të cilin folëm në artikullin e parë. Ramiroja e mbron atë, sepse shkencëtarët kanë zbuluar se atje ka disa lloje që rrezikojnë të zhduken. Pyje malore të shiut si këto janë të rralla dhe kanë një shumëllojshmëri jashtëzakonisht të madhe të formave të jetës. «Çelësi për mbrojtjen e tyre ka qenë informimi,—shpjegon Ramiroja.—Pasi fshatarët vendës e kuptuan se furnizimi i tyre me ujë varej nga pylli, filluan të interesoheshin për mbrojtjen e tij.»
Ramiroja shton: «Është i rëndësishëm edhe ekoturizmi, pra turizmi që bëhet duke i shkaktuar sa më pak dëme natyrës, sepse vizitorët mësojnë se përse ia vlen t’i ruash pemët dhe bimët e ndryshme që shohin. Kur largohen, çmueshmëria për pyllin dhe për gjallesat e tij është rritur.»
Shembujt e Ramiros dhe Robertos ilustrojnë se është e mundur që njeriu t’i shfrytëzojë pyjet tropikale të shiut pa i shkatërruar ato dhe gjallesat që rriten aty. Por fakti që diçka është e mundur nuk do të thotë medoemos që po bëhet. Sot, disa njerëz kanë mundësi të dinë se nga vjen lënda drusore që blejnë. Kështu mund të sigurohen nëse ajo vjen nga pyje tropikale që kanë certifikatë se janë shfrytëzuar pa ua shkatërruar ekuilibrin ekologjik. Megjithatë, për të tjerë, ky shërbim nuk është në dizpozicion. Pra, a do ta shpëtojnë përpjekjet për mbrojtjen e natyrës shumëllojshmërinë mahnitëse biologjike të këtyre pyjeve?
[Hartat në faqen 7]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
BOLIVIA
Harta në të djathtë jep të dhëna të hollësishme për çdo pemë; siç tregohet më sipër, në hartë është paraqitur vetëm një rajon shumë i vogël i Bolivisë
[Burimi]
Të gjitha hartat, përveç asaj sipër majtas: Aserradero San Martin S.R.L., Bolivi
[Figurat në faqen 7]
Çdo pemë shënohet me një numër dhe përcaktohet lloji i saj. Pastaj me ndihmën e një monitori të sistemit të përcaktimit të vendndodhjes në glob (sipër) regjistrohet vendndodhja e saj e saktë
[Figura në faqen 7]
‘Harta e regjistrimit të pemëve të pyllit është çelësi për të planifikuar një shfrytëzim të tillë që të mos dëmtohet përgjithmonë pylli ose gjallesat që rriten aty.’—Robertoja
[Figura në faqet 8, 9]
«Çelësi për mbrojtjen e pyjeve ka qenë informimi.»—Ramiroja
[Burimi i figurës në faqen 9]
Fotografia: Zoo de Baños