Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund ta përballoj një tragjedi të papritur?

Si mund ta përballoj një tragjedi të papritur?

Të rinjtë pyesin . . .

Si mund ta përballoj një tragjedi të papritur?

«Përse terroristët duhej të vrisnin mamin tim?»​—Kevini. *

«[Para 11 Shtatorit], më pëlqenin shumë tunelet. Tani përfytyroj sikur po vdes në një tunel që e hedhin në erë.»​—Piteri.

NËNA e Kevinit u vra më 11 Shtator 2001, kur sulmuan Qendrën Tregtare Botërore në qytetin e Nju-Jorkut. Piteri nuk pësoi një humbje kaq të tmerrshme, por gjithsesi ngjarjet ndikuan shumë edhe tek ai.

Në një njoftim për shtyp thuhet: «Mijëra fëmijë që jetojnë në Nju-Jork po luftojnë me probleme mendore që erdhën si pasojë e [sulmeve të] 11 Shtatorit. Në shumë raste këto probleme do të vazhdojnë edhe kur të rriten.» Është alarmuese që shenjat e traumave emocionale ishin «po kaq të përhapura te fëmijët që nuk ndodheshin afër vendit të ngjarjes, sa ç’ishin edhe te fëmijët që i kishin parë sulmet me sytë e tyre». *

E njëjta gjë mund të thuhet edhe në rastet e tragjedive të tjera, siç janë ato që shkaktojnë kamikazët në Izrael dhe të shtënat kuturu me armë në vende të tjera. Për këto të shtëna me armë, një specialist në fushën e pasojave të traumave tha: «Edhe sikur [fëmijët] të jetojnë 3.000 kilometra larg vendit ku gjuajnë me armë, prapëseprapë këto ngjarje mund t’ua shtojnë ankthin.»

Përse? Kur ndodhin ngjarje të tmerrshme, të rinjtë gjenden përballë vërshimit të kronikave të lajmeve, të cilat transmetojnë hollësira tronditëse. Pamje të frikshme me sulme terroriste, me të shtëna armësh nëpër shkolla dhe me katastrofa natyrore transmetohen pa pushim. Kjo ua bën të vështirë shumë të rinjve që t’i heqin nga mendja gjërat që kanë parë. Nuk është për t’u habitur që nga një anketë e drejtuar nga Bordi për Arsimimin në qytetin e Nju-Jorkut u zbulua se: «Gjashtë muaj pas rrëzimit të Qendrës Tregtare Botërore, 76 për qind e 8.266 nxënësve nga shkollat shtetërore ende mendonin shpesh për sulmet terroriste.»

Ne po jetojmë atë periudhë që Bibla e quan «kohë të tmerrshme». (2 Timoteut 3:1-5, New International Version) Si mund ta përballosh gjendjen kur ndodhin tragjedi të tmerrshme? *

Pse ndodhin gjëra të dhimbshme?

Një mënyrë për t’u bërë ballë ndjenjave që të duket sikur të marrin frymën është të vësh në punë ‘aftësitë e tua për të menduar në mënyrë të kthjellët’. (2 Pjetrit 3:1) Përpiqu të arsyetosh dhe t’i shohësh gjërat nga këndvështrimi i Perëndisë. Për shembull, ndoshta ke nevojë t’i kujtosh vetes që shumë tragjedi ndodhin thjesht si pasojë e «kohës dhe rastësisë». (Predikuesi 9:11) Jezu Krishti e ilustroi këtë me një shembull, duke folur për shembjen e një kulle në Siloam. Tetëmbëdhjetë njerëz mbetën të vdekur në atë katastrofë. Megjithatë Jezui e bëri të qartë se viktimat nuk ishin ndëshkuar nga Perëndia. Ata njerëz vdiqën thjesht sepse në kohën e gabuar u ndodhën në vendin e gabuar. (Luka 13:1-5) Meditimi për këtë fakt mund të të ndihmojë të kesh pikëpamjen e duhur për katastrofat.

Gjithashtu po të mendosh në mënyrë të kthjellët, kjo nuk do të të lërë ‘të pezmatohesh kundër Zotit ’ dhe ta fajësosh atë për ngjarjet e trishtueshme. (Fjalët e urta 19:3) Jehovai nuk na shkakton aspak mjerime, por përkundrazi, ai është «Perëndia i çdo ngushëllimi». (2 Korintasve 1:3) Kur ndodhin tragjedi kemi nevojë t’i afrohemi atij e jo t’i largohemi të zemëruar. Medito për fjalët e Biblës te Jakovi 1:13: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po sprovohem nga Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» *

Një ngjarje tragjike, që ndodhi shekuj më parë në Lindjen e Mesme, mund ta ilustrojë këtë pikë. Bibla na tregon se i mbijetuari i vetëm i asaj katastrofe tha: «Zjarri i Perëndisë ra nga qielli, zuri delet dhe shërbëtorët dhe i ka përpirë.» (Jobi 1:16) Ç’fatkeqësi e tmerrshme! Dhe me sa shihet, ky njeri i tmerruar mendoi se shkaktari i kësaj katastrofe ishte Perëndia. Por në fakt nuk ishte Perëndia. Jobi 1:7-12 zbulon se zjarri nuk ishte dërguar nga Perëndia, por nga Kundërshtari i Perëndisë, Satana Djalli.

Ky ishte një rast i pashoq: Jehovai i kishte dhënë Satanait një leje të veçantë për të provuar besnikërinë e Jobit. Pra mos nxirr si përfundim se Satanai është shkaktari i drejtpërdrejtë i katastrofave natyrore siç janë stuhitë dhe përmbytjet. * Megjithatë, Bibla tregon se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjonit 5:19) Prandaj ai mund të përdorë njerëzit si mjete për të bërë kërdinë dhe për të sjellë shkatërrim.

Megjithatë, nuk kemi pse të ndihemi të pashpresë. Le të shqyrtojmë një rast tjetër të përmendur në Bibël, te 1 Samuelit 22:12-23. Atje mësojmë për masakrën e egër që iu bë një grupi priftërinjsh besnikë dhe familjeve të tyre. Pa dyshim, Satanai bëri pjesën e tij për ta nxitur mbretin e lig Saul që të kryente këtë akt brutal. Megjithatë Davidi besnik, i cili më vonë u bë edhe vetë mbret, shkroi Psalmin 52, ku shprehu besimin se Perëndia do t’i shfaroste të gjithë njerëzit e ligj që kishin qenë fajtorë për gjëmën.​—Psalmi 52:5.

Po kështu edhe sot, mund të jesh i sigurt se Perëndia nuk do t’i durojë përgjithmonë vrasjet dhe dhunën, vepra të frymëzuara nga Djalli. Në fakt, Bibla premton që së shpejti Perëndia do të përdorë Birin e tij, Jezuin, për të «zhbërë veprat e Djallit». (1 Gjonit 3:8) Në atë kohë do të fshihen të gjitha gjurmët e dëmeve të shkaktuara nga Satanai. Me anë të ringjalljes, Perëndia mund të kthejë në jetë edhe njerëzit që kanë vdekur tragjikisht nga aktet e dhunës ose nga aktet terroriste.​—Veprat 24:15.

Mënyra praktike për ta përballuar

Kjo shpresë e bazuar në Bibël mund të të ndihmojë që të mos mpihesh nga frika. Por ka edhe disa hapa praktikë që mund të bësh. Për shembull, vëre parimin biblik te Fjalët e urta 12:25. Vetëm duke u treguar të tjerëve se si ndihesh mund të marrësh ‘fjalën e mirë’ të inkurajimit. Përveç kësaj, kjo gjë do të të ndihmojë të kuptosh se nuk je i vetëm në këtë gjendje të mundimshme. Pra nëse je i tronditur, përpiqu t’u hapesh prindërve ose të flasësh me një të krishterë të pjekur në kongregacion. *

Një sugjerim tjetër: mos shiko vazhdimisht kronika që japin hollësira të tmerrshme të ngjarjeve tragjike. Përndryshe do ta kesh më të vështirë që t’i fshish nga mendja pamjet tronditëse.​—Psalmi 119:37.

A je i krishterë? Atëherë vazhdo të ndjekësh me vendosmëri rutinën tënde të veprimtarive të krishtere. (Filipianëve 3:16) Veprimtari të tilla përfshijnë të marrësh pjesë në mbledhje me të bashkëkrishterët dhe të flasësh për besimin tënd me të tjerët. (Hebrenjve 10:23-25) Kjo do të të ndihmojë që të mos ndalesh nëpër mendime të zymta. Po të veçohesh, vetëm sa do të dëmtosh veten, emocionalisht dhe frymësisht.​—Fjalët e urta 18:1.

Sidomos, po të vazhdosh ta lexosh çdo ditë Biblën, kjo mund të të ndihmojë në çdo rrethanë stresuese. Nëna e një të reje të quajtur Loren po vdiste nga kanceri. Vëre si e përballoi Loreni këtë rrethanë tragjike: «Më kujtohet që e lexova disa herë librin e Jobit kur po kaloja këtë gjendje të rëndë. Edhe libri i Psalmeve më ngushëlloi shumë. Kur lexoja fjalë ngushëlluese nga Shkrimet, më dukej sikur Jehovai po më përqafonte.» Po kështu, motra e saj Mishela kujton: «E ndieja mungesën po ta lija ndonjë ditë Biblën pa lexuar. Mendja më shkonte vetvetiu te mendimet negative. Leximi i Biblës më jepte ushqimin frymor që më nevojitej për t’ia dalë mbanë ditë pas dite.»

Po të kesh pësuar ndonjë humbje, sidomos vdekjen e ndonjë njeriu të dashur, mund të të ngushëllojë shumë leximi i broshurës Kur të vdes një njeri i dashur  *. Gjej kohë të lexosh dhe të meditosh për të gjitha shkrimet e cituara. Gjithashtu medito për shpresën e ringjalljes. «Më dukej sikur e shihja mamin që kthehej e ringjallur,​—thotë Lorena.​—Përfytyroja të më thoshte: ‘Erdha. Çfarë na ke gatuar për drekë?’ Kjo më bënte të buzëqeshja.»

Gjithashtu, mbështetja te Jehovai nëpërmjet lutjes mund të të japë forcën që të duhet për të përballuar edhe tragjeditë më të rënda. Lorena sjell ndër mend: «Isha aty kur mami dha frymën e fundit. Menjëherë i kërkova Jehovait të më jepte forcën për të duruar dhe për ta përballuar këtë. Në çast ndjeva paqen e Perëndisë.» Ji specifik në lutjet që i bën Jehovait. Tregoji si ndihesh në të vërtetë. «Hap zemrën tënde para tij»,​—na nxit psalmisti.​—Psalmi 62:8.

Ndërkohë që koha kalon, ka shumë të ngjarë që vuajtjet në tokë të shtohen. (2 Timoteut 3:13) Megjithatë Bibla premton: «Njerëzit e këqij do të shfarosen . . . Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» (Psalmi 37:9-11, 29) Duke u kapur fort te kjo shpresë do ta kesh më të lehtë t’i përballosh me sukses tragjeditë.

[Shënimet]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 6 Sipas specialistëve të shëndetit mendor, shenja të tilla mund të përfshijnë mpirje emocionale, ëndrra të frikshme, veçim, ndërprerje të veprimtarive të zakonshme dhe ndjenja faji e zemërimi.

^ par. 9 Ndonëse ky artikull flet posaçërisht për tragjeditë me përmasa të mëdha, këshillat mund të zbatohen edhe në rastin e tragjedive personale, siç është humbja e një njeriu të dashur.

^ par. 12 Për një trajtim të pyetjes se përse Perëndia lejon ligësinë, shih kapitullin 7 të librit Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 14 Shih «Pyetje nga lexuesit», në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 1974, anglisht.

^ par. 18 Në raste kur ka tronditje emocionale ekstreme ose depresion, ka të ngjarë të jetë e nevojshme ndihma mjekësore.

^ par. 22 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 14]

Mund të jetë diçka e mençur të mos shohësh shumë pamje tronditëse që transmeton media