Pastrues të bezdisshëm
Pastrues të bezdisshëm
Në mesin e viteve 80 të shekullit të kaluar, në Liqenet e Mëdha të Amerikës së Veriut u soll pa dashje një molusk me madhësinë e thoit të gishtit të madh. Ky molusk quhet midhja-zebër. Gjendej në ujin e balastit të anijeve të mallrave që vinin nga Evropa. Maclean’s, një revistë kanadeze, thotë se ky molusk «është bërë shembulli kryesor i llojeve pushtuese të krijesave ujore». Përse?
Një femër e vetme e këtij lloji mund të prodhojë 500.000 vezë në vit. Për më tepër, këto midhje formojnë koloni dhe ngjiten pas çdo sipërfaqeje të fortë. Deri në 700.000 prej tyre mund të rrinë në një metër katror. Për pasojë, ato bllokojnë tubacionet që thithin ujë nga liqeni dhe e çojnë në impiantet e pastrimit të ujit dhe në hidrocentrale. Ato përbëjnë gjithashtu një problem që u kushton shumë pronarëve të anijeve dhe atyre të dokeve.
E megjithatë, kjo krijesë për të cilën thuhen shumë të këqija ka edhe një anë të mirë. Midhjet-zebër shumë shpejt mund të përdoren për të na mbrojtur shëndetin. Shkencëtarët që studiojnë mjedisin, të cilët për shumë kohë kanë studiuar ndërtimin dhe funksionin e kësaj krijese, e dinë se midhja-zebër është edhe një pastruese e palodhur e ujit. Parazitologu Tadeus K. Graçik, nga Universiteti Xhon Hopkins në Baltimorë, si edhe shkencëtari Iv dë Lafonten që punon për Environment Canada, në Monreal, kanë bashkëpunuar në studimin e tyre për këtë molusk. Maclean’s raporton se midhja-zebër është e aftë të gëlltitë «grimca pluskuese që përmbajnë çfarëdo gjëje, që nga tributiltina (një përbërës helmues në bojërat e përdorura për anijet) e deri te paraziti Cryptosporidium dhe bakteri E. coli, të cilët janë vdekjeprurës».
Cryptosporidium ka përmasat e rruazave të kuqe të gjakut të njeriut dhe është e vështirë të hiqet nga uji i pijshëm. Ka imunitet nga shumica e dezinfektuesve të zakonshëm, siç është klori dhe ozoni. «Mirëpo, midhjet-zebër mund t’i filtrojnë me lehtësi grimcat me këto përmasa»,—thotë Maclean’s. Në fakt, kërkuesit thonë se «gjatë muajve të ngrohtë, çdo midhje e rritur mund të filtrojë një litër ujë në ditë, duke hequr prej tij algat, grimcat e mineraleve, ndotësit dhe patogjenë e baktere të tjera që mund të kërcënojnë jetën». Ata përllogaritin se një koloni që zë sipërfaqen prej një metri katror mund të gëlltitë trembëdhjetë milionë parazitë të tillë në pothuajse dy orë.
Në të vërtetë, ajo që po zbulon shkenca për aftësinë pastruese të këtij molusku është një dëshmi e mrekullueshme e ekuilibrit të përsosur të të gjitha veprave krijuese të Perëndisë.
[Burimet e figurave në faqen 31]
Gishta që mbajnë një midhje-zebër: U.S. Geological Survey; të gjitha midhjet e tjera: © Rob dhe Ann Simpson/Visuals Unlimited; Cryptosporidium: H.D.A. Lindquist, U.S. EPA