Komunikim që çon në jetë
Komunikim që çon në jetë
NGA të gjitha krijesat e tokës, njerëzit janë të vetmit që nuk mjaftohen duke komunikuar vetëm me njëri-tjetrin. Pavarësisht nga kombësia, gjendja shoqërore, gjinia ose niveli arsimor, njerëzit kanë shfaqur një dëshirë të lindur për të komunikuar me qenien më të lartë, domethënë me Perëndinë.
A është kjo vetëm një besëtytni e pamend? Aspak! Siç u përmend në artikullin e mëparshëm, Perëndia i krijoi njerëzit sipas shëmbëlltyrës së tij. Ai vendosi brenda nesh aftësinë për të kuptuar gjërat frymore. Këtu përfshihet edhe dëshira për të komunikuar me të si Ati ynë qiellor. (Zanafilla 1:27; Mateu 5:3) Madje, Perëndia e sheh kaq të rëndësishëm komunikimin tonë me të, saqë quhet «Dëgjues i lutjes».—Psalmi 65:2, BR.
Sa nder i madh është t’i lutemi të Plotfuqishmit! Shumica e njerëzve do ta quante privilegj të fliste vetëm për vetëm me një funksionar të lartë, si presidenti ose kryeministri. E megjithatë, Perëndia Jehova është personi më i lartë në univers. Veç kësaj, nuk na duhet të marrim ndonjë takim për të folur me të. Mund të lutemi në çdo kohë, në çdo vend. Madje mund të flasim në heshtje me Perëndinë, nga zemra. (1 Samuelit 1:12-15) Megjithatë, Jehovai kërkon që të jemi të sinqertë dhe që t’i bindemi atij. (Mikea 6:8; Mateu 6:5-13) Në fund të fundit, komunikimi i mirë është i dyanshëm, apo jo?
A e dëgjoni Perëndinë?
Si mund ta dëgjojmë Perëndinë? Kryesisht duke lexuar dhe duke zbatuar mësimet që gjenden në Fjalën e tij të shkruar, në Biblën e Shenjtë. (2 Timoteut 3:16; 2 Pjetrit 1:20, 21) ‘Njeriu duhet të jetojë me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait’,—tha Jezui. (Mateu 4:4) A e dëgjoni Perëndinë duke lexuar dhe duke zbatuar Fjalën e tij të shkruar?
Ata që komunikojnë rregullisht me Jehovain marrin miratimin e tij dhe gëzojnë ‘paqen e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim’. (Filipianëve 4:6, 7; Fjalët e urta 1:33) Kanë edhe shpresën të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore, të lirë nga çdo ankth dhe vuajtje që kemi sot. (Psalmi 37:29; Gjoni 17:3) Sa shpërblime të mrekullueshme ngaqë e përdorin në mënyrën më të mirë mrekullinë e komunikimit inteligjent!
[Figura në faqen 10]
Komunikimi me Perëndinë përfshin leximin e Biblës dhe lutjen