Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Jeta private Titulli në kopertinë «A është në rrezik jeta juaj private?» (22 janar 2003) më tërhoqi menjëherë vëmendjen, pasi jam autori i një libri shumë të shitur që flet për këtë temë. Shkrimtari juaj ka bërë një punë të shkëlqyer. Ja edhe një sugjerim tjetër: kur t’ju kërkojnë një dokument identifikimi, mund të përdorni pasaportën, pasi aty nuk përfshihet adresa e shtëpisë ose numri i sigurimeve shoqërore.
H. L., Spanjë
Xhevahiret Faleminderit për artikullin «Xhevahiret e bregdetit». (22 janar 2003) Kemi ndier të njëjtin emocion si shkrimtari kur mblidhnim guaska kërmijsh dhe midhjesh. Koha kur mblidhnim guaska në breg të detit është ndër kujtimet tona më të këndshme. Sa herë që shohim koleksionin tonë të guaskave, admirojmë mjeshtërinë e pakrahasueshme artistike të Krijuesit.
V. dhe M. P., Gjermani
Më kanë mahnitur guaskat që në moshën 12-vjeçare. Pasi kisha kaluar 20 vjet duke mbledhur guaska, u ndjeva e kënaqur me ato që kisha grumbulluar. Por tani, pasi lexova këtë artikull dhe mora vesh se ka rreth 50.000 lloje molusqesh, e kuptoj se kam grumbulluar shumë pak, dhe mrekullohem gjithnjë e më shumë me krijimin e Jehovait.
M. SH., Paraguaj
Anije prej kallami Më mahniti artikulli: «Lundrim në oqeanin blu mbi kallama!» (22 janar 2003) Në leximin tim personal të Biblës, arrita te Jobi 9:26. Duke folur për natyrën jetëshkurtër të njerëzve, aty thuhet: «Ikin shpejt si anijet prej xunkthi [kallami, BR].» Së bashku me një shoqen time, pyetnim veten pse Jobi e krahasoi natyrën jetëshkurtër me një anije prej kallami. Pastaj shoqja ime tha se Jobi mund të ketë pasur ndër mend të njëjtën pikë që u përmend në artikullin tuaj, pra që «dalëngadalë kallamat ngopen me ujë» e prandaj dalin jashtë përdorimi.
N. D., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Sipas një vepre referimi, fjalët e Jobit kanë të bëjnë me shpejtësinë e madhe, me të cilën mund të udhëtonin këto anije të lehta. Nëse është kështu, do të theksohej e njëjta ide, pra që jeta e njeriut është e shkurtër.
Flamingot Kur hapëm këtë numër të revistës Zgjohuni!, unë dhe im shoq vumë re artikullin «Kërcimtarët me pupla të shndritshme». (22 janar 2003) Im shoq tha: «Kjo është për ty.» Ai e di mirë sa shumë e admiroj krijimin e Jehovait, e sidomos flamingon elegant ngjyrë rozë. Kam shumë dëshirë t’i vëzhgoj me sytë e mi këto krijesa të bukura. Faleminderit për artikullin. Më ka pasuruar në shumë mënyra.
M. N., Republika Çeke
Kopjimi Jam 11 vjeç. Më pëlqeu artikulli «Të rinjtë pyesin: Ç’të keqe ka të kopjosh?» (22 janar 2003) Edhe pse nuk marr gjithmonë nota të mira, e di që ato nota që marr i kam fituar me ndershmëri. Madje disa nga shokët e klasës që kopjojnë marrin nota më të këqija se unë. Sidoqoftë, e kam ndërgjegjen të pastër, dhe kjo ka më shumë rëndësi.
Z. T., Austri
Kam rënë në grackën e kopjimit, mbase ngaqë nuk e konsideroja kaq të rëndë. Ky artikull do të më ndihmojë të kujtoj shkrime si Hebrenjve 13:18, dhe këto do të më ndihmojnë në të ardhmen, nëse tundohem prapë të kopjoj.
N. J., Itali
Jam në klasën e dhjetë. Disa herë jam përpjekur të kopjoj në provime, pa e kuptuar kurrë se kjo është njësoj si të vjedhësh. Por, pas këtij artikulli, tani do të përpiqem ta mbaj të pastër ndërgjegjen.
K. G., Estoni