Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një grerëz parazite, por e dobishme

Një grerëz parazite, por e dobishme

Një grerëz parazite, por e dobishme

ËSHTË e vërtetë që grerëzat e familjes Ichneumonidae kanë një pamje të çuditshme e gati të frikshme. Por përse i kanë quajtur parazite? Sepse zakonisht ato riprodhohen duke vënë një vezë mbi larvën ose brenda larvës së ndonjë insekti tjetër a të ndonjë merimange.

Në Amerikën e Veriut ka më shumë se 3.000 lloje të pastra grerëzash të tilla. Këto grerëza bëjnë pjesë në një familje të madhe ku përfshihen grerëza të ndryshme parazite. Shkencëtarët kanë llogaritur se në të gjithë botën ka afërsisht më shumë se 40.000 lloje që i përkasin kësaj familjeje insektesh.

Këto grerëza janë 0,3 deri në 5 centimetra të gjata. Barku i tyre i hollë e i harkuar është më i gjatë se koka dhe kraharori të marrë së bashku. Grerëzat e familjes Ichneumonidae ndryshojnë nga grerëzat thumbuese, sepse kanë antena më të gjata.

Veçoria më dalluese e tyre është një gyp si gjilpërë, i cili ndodhet në fund të barkut. Ky organ që quhet vezëvendosës e që shërben për të lëshuar vezët shpesh është më i gjatë se trupi. Nuk është më i trashë se një qime kali dhe ka tri zgjatime në formë fijesh që tkurren dhe lëshohen për ta shtyrë vezën që të dalë nga gypi.

Si arrijnë këto grerëza të dallojnë larvën e bujtësit të mundshëm? Grerëza femër Megarhyssa, një gjini e familjes Ichneumonidae, është vrojtuar duke goditur lehtë një pemë me antenat e saj për të diktuar dridhjet e ndonjë larve që jeton dy ose më shumë centimetra nën lëvoren e pemës. Kur e ndien që ka një larvë, ajo godet më fort. Si përfundim, ajo fillon ta shpojë me gyp lëvoren sikur ta shponte me sondë.

Vëzhguesit thonë: «Sapo maja e vezëvendosësit të grerëzës prek larvën, nga gypi del një vezë që vendoset afër bujtësit të gjorë ose mbi të.» Kur del nga veza, larva e re ushqehet me yndyrnat dhe me lëngjet e trupit të larvës bujtëse. Pastaj ajo end një fshikëz mëndafshi, brenda së cilës do të zhvillohet dhe do të bëhet një grerëz e rritur. Kur arrin në sipërfaqen e pemës, grerëza e re është gati të dëmtojë një brez të ri insektesh.

Megjithëse dikush mund ta përshkruajë këtë grup insektesh si parazitë të pamëshirshëm, këto grerëza shërbejnë për një qëllim të rëndësishëm. Larvat e tyre ushqehen me insekte që janë të dëmshme për të mbjellat. Sa për të përmendur vetëm disa, këtu futen: tartabiqet e drithërave, noçkëgjati i pambukut, krimbi i mollës dhe brumbulli i shpargut. Pra është e qartë se këto lloj grerëzash frenojnë shumimin e insekteve të dëmshme për bujqësinë.

Ndonëse janë të shumta në numër, njerëzit i shohin rrallë këto grerëza, pasi ato zakonisht ushqehen, shumohen dhe i lëshojnë vezët në vende pak të rrahura nga njerëzit. Kështu këto grerëza janë një shembull tjetër i shumëllojshmërisë dhe i ekuilibrit midis qenieve të gjalla, të cilat njeriu s’i ka kuptuar ende plotësisht.

[Figura në faqen 24]

Grerëz e familjes Ichneumonidae, gati për të lëshuar vezën

[Burimi]

Scott Bauer/Agricultural Research Service, USDA