Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përballojnë përmbytjet në Kaukaz

Përballojnë përmbytjet në Kaukaz

Përballojnë përmbytjet në Kaukaz

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË RUSI

VITIN e kaluar në krahinën veriore të Kaukazit, në Rusi, vetëm për dy ditë ra një sasi shiu që normalisht bie për tre muaj. Shumë lumenj dolën nga shtretërit. Edhe rrëketë e vogla u bënë përrenj të rrëmbyeshëm, të cilët merrnin me vete ç’të gjenin përpara. U prishën diga dhe u shembën shtëpi e ndërtesa të tjera. Papritur, me mijëra njerëz mbetën të pastrehë. Shumë veta që s’arritën të dilnin shpejt nga shtëpitë vdiqën. Të tjerë, të pafuqishëm, shikonin familjarët e tyre tek i merrnin me vete ujërat e rrëmbyeshme.

Në qytetin Nevinomisk, një familje u përpoq të ikte duke përdorur një traktor. Mirëpo një dallgë e madhe uji e ktheu përmbys traktorin, dhe ata vdiqën që të gjithë. Disa vdiqën ndërsa përpiqeshin të shpëtonin njerëz të tjerë. Sipas përllogaritjeve zyrtare, nga këto përmbytje u prekën 335.000 veta. Prej tyre, më shumë se 200 vdiqën, kurse shumë të tjerë u shpallën të humbur.

Dhjetëra mijë shtëpi u përmbytën nga ujërat. Tubacionet e ujit dhe sistemet e ujërave të zeza u prishën. Ujërat e rrëmbyeshme nxorën në sipërfaqe edhe kufoma të varrosura, përfshirë edhe trupa kafshësh që kishin ngordhur nga antraksi. Dëmet materiale nga këto përmbytje u llogaritën rreth 16 miliardë rubla ose rreth 400 milionë euro.

Ky vend i bukur e pjellor, që shpesh ka qenë temë këngësh e poezish, kishte marrë një pamje që të këpuste shpirtin! Megjithatë, kjo katastrofë nuk e shkatërroi dashurinë e vërtetë mes njerëzve.

Sigurohet ndihmë me shpejtësi

Fillimisht nuk kishte as ujë të pastër, rrymë elektrike, gaz dhe as rrjet telefonik. Njerëzit s’komunikonin dot me njëri-tjetrin. Në zonën e prekur jetojnë më shumë se 3.000 Dëshmitarë të Jehovait e më shumë se 700 prej tyre në Nevinomisk dhe afër tij. Prandaj, sapo u mor vesh lajmi për përmbytjet, Dëshmitarët formuan komitete speciale urgjence për t’u kujdesur për të dëmtuarit. Këto komitete filluan të vepronin madje para se të vinin punonjësit e skuadrave të shpëtimit të dërguar nga shteti.

Në qytetin e vogël Orbeljanovka, rreth 60 kilometra në juglindje të Nevinomiskut, niveli i ujit u ngrit me shpejtësi. Tetë njerëz, ku përfshiheshin edhe dy gra Dëshmitare, u strehuan majë një kodre të vogël. Mirëpo të njëjtën gjë bënë edhe kafshët e vogla, si edhe shumë gjarpërinj. Prandaj, gjithë asaj nate të gjatë, ata tetë njerëz luftuan për të mbajtur larg gjarpërinjtë.

Mëngjesin vijues, Dëshmitarët vendës po kërkonin një mënyrë se si të shkonin tek ato dy motra të krishtere që gjendeshin në vështirësi. Më në fund, aty nga pasditja herët, gjetën një gomone të vogël. Por, para se të shkonin të shpëtonin motrat, Dëshmitarët e përdorën gomonen për të shpëtuar një burrë të moshuar të paralizuar. Pas kësaj, ndërsa po transportonin motrat për t’i çuar në vend të sigurt, mbërriti një helikopter që shpëtoi të tjerët që kishin ngecur tek ajo kodër.

Më vonë, po atë ditë, Dëshmitarët që ishin me gomone shpëtuan edhe njerëz të tjerë. Kur Dëshmitarët i pyetnin: «A e dini cilët jemi ne?», njerëzit përgjigjeshin: «Sigurisht, jeni të skuadrave të shpëtimit të dërguara nga shteti.» Habiteshin kur merrnin vesh se ata ishin Dëshmitarë.

Dëshmitarët në Nevinomisk blenë një kuzhinë portative dhe përgatitën ushqime të ngrohta për nevojtarët. Shpërndanë jo vetëm ushqime, por edhe ujë, veshje dhe ilaçe. Skuadra vullnetarësh me Dëshmitarë gjithashtu pastruan shtëpi dhe hoqën mbeturina nga oborret.

Në çift Dëshmitarësh në Zelenokumsk, të cilët kanë një biznes, përdorën makinën e tyre për të transportuar ujë, ushqim dhe veshje, të cilat i blenë në një treg shumice. Kur të njohurit e gruas e pyetën se për kë ishin këto gjëra që kishte blerë, ajo u shpjegoi se ishin për bashkëbesimtarët e saj në zonën e prekur nga katastrofa. Të nxitur nga qëndrimi i saj i dashur, edhe ata deshën të ndihmonin. Një grua që kishte një biznes dha një thes me makarona peta, një tjetër dha një pako të madhe me sapunë, kurse të tjerë dhanë thasë me sheqer.

Ndihmë nga vendet e largëta

Meqë shumë Dëshmitarë në Rusi donin të dinin si t’i ndihmonin ata që ishin prekur nga përmbytjet, u ngrit një fond i veçantë për t’u dërguar ndihma nevojtarëve. Dhanë ndihmë edhe punëtorë vullnetarë në Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, që ndodhet pranë Shën-Pjetërburgut. Disa blenë sende të reja për ata që ishin prekur nga përmbytjet. Njëra prej tyre shpjegoi: «Kam dhënë gjërat më të mira që kisha, sepse gjithsesi unë kam diçka, kurse vëllezërit dhe motrat e mia nuk kanë asgjë.»

Gjithashtu, Qendra Administrative u dërgoi letra rreth 150 kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait në Shën-Pjetërburg dhe Moskë, duke shpjeguar se si mund të jepnin vëllezërit para, ushqime dhe veshje. Ndonëse gjendja ekonomike në Rusi lë shumë për të dëshiruar dhe shumica e Dëshmitarëve nuk kanë shumë nga ana materiale, kontributet e tyre ishin vërtet bujare. Të kujtonin kontributet e të krishterëve maqedonas që, edhe pse vetë ishin tepër të varfër, u dhanë vëllezërve dhe motrave nevojtarë në Jude.—2 Korintasve 8:1-4.

Pasi sendet e dhuruara grupoheshin sipas llojit në pikat kryesore të grumbullimit, ngarkoheshin në kamionë dhe çoheshin në zonën e katastrofës. Përveç këtyre sendeve të dhuruara, Qendra Administrative bleu dhjetë tonë ushqime, 500 palë çarçafë, si edhe produkte higjienike dhe mjete e rroba pune për pastrimin. Gjithsej, gjashtë kamionë me kapacitet 50 tonë çuan ndihma në rajonin verior të Kaukazit.

Bujaria shërbeu si dëshmi

Puna që bënë Dëshmitarët për pastrimin e zonës së katastrofës nuk kaloi pa u vënë re. Të shqyrtojmë situatën në qytetin e bukur turistik Kislovodsk, ku ka më shumë se 300 Dëshmitarë. Ata pyetën administratën e qytetit nëse mund të ndihmonin, dhe ajo u dha një zonë për ta pastruar.

Më 28 qershor, në orën 8.00 të mëngjesit, rreth 150 Dëshmitarë, përfshirë familje të tëra, sollën mjetet e punës dhe u mblodhën për të punuar. Për të marrë pjesë në pastrim, disa kishin marrë leje nga puna pa të drejtë rroge. Pak më vonë aty mbërriti një makinë dhe prej saj doli zëvendëskryetari i parë i bashkisë. «Cilët janë këta njerëz?»—pyeti ai.

«Janë Dëshmitarë të Jehovait,—ishte përgjigjja.—Kanë ardhur të pastrojnë qytetin pas katastrofës.»

I habitur që pa aq shumë njerëz, zëvendëskryetari tha: «U lumtë! Faleminderit. Kjo është e jashtëzakonshme!»

Më vonë, pak para dreke, edhe një zyrtare tjetër e bashkisë erdhi aty me makinë. E ndaloi makinën, zbriti dhe iu afrua Dëshmitarëve. «E kemi vëzhguar me vëmendje punën tuaj dhe jemi të mahnitur nga kjo,—tha ajo.—S’kemi parë kurrë njerëz që të punojnë siç punoni ju. Tashmë keni bërë një pjesë të mirë të punës.»

Gati në të njëjtën kohë, një e moshuar që po kalonte andej, ndaloi dhe pyeti: «Pse po punojnë kaq shumë këta njerëz?» Kur i thanë se Dëshmitarët e Jehovait po ndihmonin qytetin, asaj i rrodhën lot nga sytë. «Ju jeni besimtarë të vërtetë,—tha ajo.—Kur godet një katastrofë del në pah natyra e vërtetë e njerëzve.» Një grua tjetër tha: «Sa gjë të mrekullueshme po bëni! Kishte shumë kohë që nuk shihja një gjë të tillë.»

Ditën tjetër, gazeta vendëse Na Vodakh i lavdëronte Dëshmitarët e Jehovait, duke thënë se kishin hequr më shumë se 100 tonë llum nga qyteti. Zyrtarët e bashkisë së Kislovodskut u shkruan Dëshmitarëve një letër falënderimi, ku thuhej: «Kontributi juaj i çmuar i ktheu qytetit bukurinë që kishte më parë . . . Pa dyshim, fjalët mirënjohëse që do të thonë vizitorët e shumtë të qytetit tonë do të jenë shpërblimi më i mirë për ju.»

Ndonëse katastrofa natyrore që goditi rajonin verior të Kaukazit shkaktoi shumë dëme dhe telashe, Dëshmitarët e Jehovait ishin të lumtur që u treguan dashuri bashkëbesimtarëve dhe fqinjëve të tyre. Sidomos u gëzuan sepse e dinë që këto shfaqje dashurie i sjellin lavdi Jehovait, Krijuesit tonë.

[Hartat në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Deti i Zi

MALET KAUKAZ

Nevinomisk

Orbeljanovka

Zelenokumsk

Kislovodsk

Deti Kaspik

[Burimi]

Globi: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 17]

Dëshmitarët blenë këtë kuzhinë portative dhe përgatitën ushqime për nevojtarët

[Figura në faqen 17]

Kjo Dëshmitare përdori makinën e familjes për të shpërndarë ushqime dhe ndihma të tjera

[Figura në faqen 18]

Zyrtarët e Kislovodskut i lavdëruan Dëshmitarët që ndihmuan për t’i rikthyer pamjen e bukur qytetit të tyre