Si t’ia bëj që të mos jetoj më nën hijen e vëllait a të motrës?
Të rinjtë pyesin . . .
Si t’ia bëj që të mos jetoj më nën hijen e vëllait a të motrës?
«Doja të kisha individualitetin tim, por gjithnjë më dukej sikur duhej të jetoja në përputhje me reputacionin që kishin motrat e mia më të mëdha. Më dukej sikur nuk do t’i arrija kurrë ato që kishin bërë motrat e mia.»—Klara.
A KE ndonjë motër apo vëlla, më të madh se ty, që duket sikur ka sukses në çdo gjë? A të thonë gjithnjë prindërit të jesh si motra apo si vëllai yt? Nëse po, ndoshta ke frikë se gjithnjë do të jesh nën hijen e vëllait a të motrës, se vlera jote do të matet gjithnjë nga sa arrin të jesh si ai apo ajo.
Vëllezërit më të mëdhenj të Barrit * janë që të dy të diplomuar në një shkollë të respektuar, në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim *, dhe kanë reputacion të shkëlqyer si të krishterë. Barri pranon: «S’kisha besim te vetja, pasi mendoja që nuk do ta arrija kurrë nivelin e tyre në veprën e predikimit ose suksesin e tyre si oratorë. E kisha të vështirë të zija vetë miq, sepse gjithmonë shoqëroja vëllezërit e mi kur i ftonin ata. Mendoja se njerëzit tregoheshin miqësorë me mua vetëm ngaqë njihnin vëllezërit e mi.»
S’është e lehtë të mos bëhesh xheloz kur ke një vëlla ose motër që lavdërohet shpesh nga të tjerët. Në kohët biblike Jozefi i ri dallohej ndër vëllezërit e tij. Çfarë ndikimi pati kjo tek ata? «Filluan ta urrejnë dhe nuk mund t’i flisnin në mënyrë miqësore.» (Zanafilla 37:1-4) Natyrisht, Jozefi ishte modest. Por ndoshta vëllai ose motra jote mund të shkaktojë rivalitet dhe inat duke të të kujtuar vazhdimisht arritjet e tij apo të saj.
Disa të rinj reagojnë ndaj kësaj gjëje duke u rebeluar, ndoshta duke rënë nga mësimet me dashje, duke pakësuar aktivitetet e krishtere ose duke u sjellë në mënyrë skandaloze. Ndoshta mendojnë se meqë nuk bëhen dot aq të mirë sa vëllai a motra e tyre, s’ia vlen fare të përpiqen. Por në fund rebelimi vetëm sa do të të dëmtojë. Si t’ia bësh që të dalësh nga kjo situatë në një mënyrë që të të lërë me respekt për veten?
Mos i vër në piedestal!
Kur sheh gjithë vëmendjen që i kushtojnë vëllait a motrës sate, ndoshta fillon të besosh se ai ose ajo është e përsosur dhe kurrën e kurrës nuk do t’ia arrish të jesh edhe ti ashtu. Por, a është Romakëve 3:23.
e vërtetë kjo? Bibla është shumë e qartë kur thotë: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.»—Po, cilatdo qofshin talentet ose aftësitë e vëllait apo të motrës sate, ata janë prapëseprapë ‘njerëz që kanë të njëjtat të meta’ si të gjithë ne. (Veprat 14:15) S’ka pse t’i vësh në një piedestal ose t’i bësh idhujt e tu. I vetmi njeri që ka lënë një shembull të përsosur është Jezu Krishti.—1 Pjetrit 2:21.
Mëso prej tyre!
Më pas, përpiqu ta shohësh gjendjen në të cilën je si një përvojë ku mund të mësosh shumë. Mendo, për shembull, për vëllezërit dhe motrat e Jezu Krishtit. (Mateu 13:55, 56) Përfytyro sa shumë mund të kishin mësuar ata nga vëllai i tyre i përsosur! E megjithatë, «vëllezërit e tij nuk ushtronin besim tek ai». (Gjoni 7:5) Ndoshta besimit ia kishin zënë rrugën krenaria dhe xhelozia. Ishin vëllezërit frymorë të Jezuit, pra dishepujt e tij, ata që iu përgjigjën ftesës së tij bujare: «Mësoni prej meje.» (Mateu 11:29) Vetëm pas ringjalljes së Jezuit vëllezërit e tij nga gjaku e kuptuan më së fundi sa shumë mund të mësonin prej Jezuit. (Veprat 1:14) Deri në atë kohë, kishin humbur shumë mundësi të shkëlqyera për të mësuar nga vëllai i tyre i veçantë.
Edhe Kaini bëri një gabim të ngjashëm. Vëllai i tij, Abeli, ishte një shërbëtor shumë i mirë i Perëndisë. Bibla thotë se «Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij». (Zanafilla 4:4) Mirëpo, për ndonjë arsye Perëndia «nuk çmoi Kainin dhe ofertën e tij». Kaini mund të kishte treguar përulësi dhe të kishte mësuar prej vëllait të tij, por në vend të kësaj «u pezmatua shumë» dhe si përfundim e vrau Abelin.—Zanafilla 4:5-8.
Tani, jo se ti do të zemërohesh ndonjëherë aq shumë me vëllanë a motrën tënde. Por edhe ti mund të humbasësh mundësi të çmuara, në qoftë se lejon krenarinë dhe xhelozinë të të pengojë. Po të kesh një vëlla a motër që është shumë mirë në matematikë, zhivë në histori, ka mësuar sportin tënd të preferuar, ka një njohuri të veçantë për Shkrimet ose ka sukses në oratori, nuk duhet të bëhesh xheloz për këtë. Në fund të fundit «xhelozia është kalbësirë për kockat» dhe vetëm sa të dëmton. (Proverbat [Fjalët e urta] 14:30, BR; 27:4) Në vend që të inatosesh, përpiqu të mësosh prej vëllait a motrës. Pranoje faktin që ai ose ajo ka disa aftësi ose talente që ti nuk i ke. Vëzhgo mënyrën se si i bën gjërat vëllai a motra, ose më mirë, kërkoju ndihmë atyre.
Barri, që u përmend më sipër, arriti të nxirrte dobi nga shembulli i mirë që lanë vëllezërit e tij. Ai thotë: «Pashë sa të lumtur ishin vëllezërit e mi ngaqë ishin gati të ndihmonin njerëzit në kongregacion dhe në veprën e predikimit. Kështu që vendosa të ndjek shembullin e tyre dhe mora pjesë në punën për ndërtimin e Sallës së Mbretërisë dhe të Bethelit. Përvoja që fitova më ka dhënë siguri dhe më ka ndihmuar të forcoj marrëdhënien me Jehovain.»
Gjej pikat e tua të forta
Ndoshta ke frikë se po të imitosh cilësitë e mira të vëllait ose të motrës do të humbasësh individualitetin tënd. Por s’ka pse të ndodhë një gjë e tillë. Apostulli Pavël i nxiti të krishterët e shekullit të parë: «Bëhuni imituesit e mi.» (1 Korintasve 4:16) A do të thoshte kjo se Pavli donte që të gjithë ata të mos kishin më individualitetin e tyre? Aspak. Ka gjithnjë vend për të pasur një shumëllojshmëri karakteresh. Edhe sikur të mos jesh po aq mirë sa vëllai a motra në matematikë, kjo s’do të thotë që ke ndonjë mangësi. Do të thotë vetëm që je ndryshe.
Pavli jep këtë këshillë praktike: «Secili le të tregojë me prova se si është vepra e tij dhe atëherë do të ketë shkak për ngazëllim vetëm në lidhje me vetveten dhe jo në krahasim me personin tjetër.» (Galatasve 6:4) Pse të mos punosh që të zhvillosh aftësitë dhe talentet që ke ti? Mund ta shtosh respektin për veten dhe të fitosh aftësi të dobishme po të mësosh një gjuhë të huaj, të mësosh t’i biesh një vegle muzikore ose të përdorësh kompjuterin. Mos u bëj merak që t’i bësh të përsosura gjërat. Mëso t’u hysh me themel gjërave, të jesh i ndërgjegjshëm dhe të jesh i zoti. (Fjalët e urta 22:29) Ndoshta nuk ke ndonjë talent natyror për diçka, por te Proverbat 12:24 thuhet: «Dora e atyre që ngulmojnë do të sundojë.»—BR.
Gjithsesi, në mënyrë të veçantë duhet të dëshirosh të zhvillosh gjendjen tënde frymore. Aftësitë frymore kanë vlerë shumë më të qëndrueshme se ndonjë talent që mund të tërheqë vëmendjen e të tjerëve. Mendo për Esaun dhe Jakobin që ishin binjakë. Esau u lavdërua shumë nga i ati sepse ishte «gjahtar i sprovuar, një njeri fshatarak». Kurse fillimisht Jakobit mund të mos i kushtonin vëmendje, sepse ishte «njeri i qetë, që jetonte në çadra». (Zanafilla 25:27) Esau nuk e zhvilloi gjendjen e tij frymore dhe për pasojë i humbi bekimet. Jakobi zhvilloi dashurinë për gjërat frymore dhe u bekua shumë nga Jehovai. (Zanafilla 27:28, 29; Hebrenjve 12:16, 17) Mësimi? Zhvillo gjendjen tënde frymore, ‘lëre dritën tënde të ndriçojë’, dhe «përparimi yt [do] të duket qartë për të gjithë».—Mateu 5:16; 1 Timoteut 4:15.
Klara, e përmendur më sipër, thotë: «Mjaftohesha vetëm duke jetuar nën hijen e motrave të mia më të mëdha. Por pastaj vendosa të ndiqja këshillën biblike që të ‘zgjerohesha’ në përzemërsi. Fillova të punoja në shërbimin në fushë me shumë vëllezër e motra të kongregacionit dhe të kërkoja mënyra praktike se si t’i ndihmoja pjesëtarët e kongregacionit që kishin ndonjë nevojë. Gjithashtu, ftoja në shtëpi vëllezër e motra të moshave të ndryshme dhe gatuaja për ta. Tani kam një rreth më të gjerë miqsh dhe kam më shumë siguri te vetja.»—2 Korintasve 6:13.
Hera-herës prindërit mund të bëjnë prapë gabimin që të të këshillojnë t’i ngjash vëllait ose motrës. Por ndoshta do të lëndohesh më pak në qoftë se e kupton se prindërit të duan të mirën. (Fjalët e urta 19:11) Gjithsesi, mbase është mirë t’u thuash me respekt prindërve se si të bëjnë të ndihesh krahasime të tilla. Ndoshta ata do të përpiqen të gjejnë mënyra të tjera për t’i shprehur shqetësimet që kanë.
Mos harro kurrë se Perëndia Jehova do të të vërë re nëse i shërben atij. (1 Korintasve 8:3) Barri e përmbledh gjithë këtë duke thënë: «E shoh se sa më shumë t’i shërbej Jehovait, aq më i lumtur jam. Tani njerëzit më shohin për atë që jam dhe më vlerësojnë, ashtu si vlerësojnë edhe vëllezërit e mi.»
[Shënimet]
^ par. 5 Disa emra janë ndryshuar.
^ par. 5 Organizuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 25]
A është shpesh vëllai a motra në qendër të vëmendjes?
[Figura në faqen 26]
Zbulo talentet dhe interesat e tua
[Figura në faqen 26]
‘Lëre dritën tënde të ndriçojë’ duke zhvilluar aftësitë e tua frymore