Mendje të sfilitura
Mendje të sfilitura
NIKOLA ka pasur periudha trishtimi të thellë që kur ishte 14 vjeçe. Megjithatë, në moshën 16-vjeçare, filloi të përjetonte diçka të re—një gjendje të çuditshme euforie dhe energjie të jashtëzakonshme. Në kokë i vërshonin mendime, thoshte gjëra pa lidhje dhe vuante nga pagjumësia. E gjithë kjo shoqërohej me një dyshim të pabazuar se miqtë përfitonin prej saj. Pastaj, Nikola thoshte se mund t’ua ndryshonte si të donte ngjyrën objekteve. Atëherë mamaja e saj e kuptoi se Nikola kishte nevojë për ndihmën e mjekut, prandaj e çoi në spital. Pasi e mbajtën për njëfarë kohe nën vëzhgim dhe i panë nga afër luhatjet e humorit, më në fund mjekët arritën të përcaktonin diagnozën: Nikola vuante nga çrregullimi bipolar. *
Anembanë botës ka miliona njerëz që ashtu si Nikola, vuajnë nga ndonjë çrregullim i humorit, i cili mund të jetë ose në formën e çrregullimit bipolar, ose në formën e depresionit. Pasojat e këtyre sëmundjeve mund të jenë shkatërrimtare. «Për vite të tëra kam provuar një dhembje të madhe shpirtërore,—thotë Stiveni, një pacient që vuan nga çrregullimi bipolar.—Bija në një trishtim të tmerrshëm e pastaj kaloja në një gjendje euforie. Terapia dhe ilaçet më ndihmonin, por gjithsesi mbetej një betejë.»
Nga se shkaktohen çrregullimet e humorit? Çfarë ndien një njeri që vuan nga depresioni apo nga çrregullimi bipolar? Si mund t’u jepet mbështetja e duhur atyre që vuajnë nga këto çrregullime dhe atyre që kujdesen për ta?
[Shënimi]
^ par. 2 Ky çrregullim quhet ndryshe çrregullimi maniako-depresiv. Ju lutemi kini parasysh se disa nga këto simptoma mund të jenë shenja të skizofrenisë, të abuzimit me drogën ose mund të jenë ndryshime të sjelljes që shoqërojnë zakonisht adoleshencën. Diagnoza duhet përcaktuar vetëm pas një analize rrënjësore nga profesionistë të kualifikuar.