Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Diabeti Ju falënderoj nga zemra për serinë e artikujve «Të jetosh me diabetin». (8 maj 2003) Kam filluar të luftoj me diabetin që në moshën 4-vjeçare. Gjithnjë mendoja se as që mund t’i çoja nëpër mend gjëra si martesa ose shërbimi në kohë të plotë, por këta artikuj më dhanë shpresë. Tani që jam 17 vjeçe po synoj që të filloj shërbimin e plotkohor dhe do të bëj çmos që ta arrij këtë synim.
T. A., Japoni
M’u duk jashtëzakonisht i dobishëm sugjerimi që u bëhej familjarëve dhe miqve që të mos i nxitin të sëmurët me diabet të hanë ushqime që s’u bëjnë mirë. Për mua gjithnjë është një sfidë të gatuaj për familjen dhe pastaj të mos i ha dot gjërat që kam përgatitur. Ndonjërit që nuk është me diabet kjo mund t’i duket e parëndësishme, por mund t’ju siguroj se nuk është ashtu.
V. N., Itali
Punoj si infermiere dhe mësuese. Në fillim të semestrit tjetër, gjatë orëve të mësimit do t’u flas nxënësve për diabetin. Ilustrimi në faqet 8 dhe 9 kuptohet me lehtësi, prandaj do ta përdor në mësim. Faleminderit që botoni artikuj të thjeshtuar për çështjet mjekësore.
K. B., Francë
Ju falënderoj për artikujt rreth diabetit. Unë vetë nuk e kam këtë sëmundje, por motra ime 14-vjeçare e ka. Tani arrij ta kuptoj se çfarë heq ime motër. Është e vërtetë se nganjëherë më duhet të bëj sakrifica për hir të motrës, por kjo s’është asgjë në krahasim me sakrificat e saj që jeton me diabetin.
E. D. M., Itali
U bënë pesë vjet tani që mamaja ime është me diabet. Shpesh jam në merak për shëndetin e saj, sepse jetoj shumë larg. Kam ndër mend t’i dërgoj një kopje të kësaj reviste. Mund ta ndihmojë ndërkohë që s’jam aty.
R. V., Indonezi
Aksidenti E lexova me kënaqësi artikullin «Një aksident më ndryshoi gjithë jetën». (22 prill 2003) Ky artikull po më ndihmon të duroj dhembjen e shpinës që e kam dëmtuar më shumë se 30 vjet më parë. Kam kaluar shumë gjëra të njëjta si vëlla Stenli Ombeva. Ishte një ngushëllim për mua dijenia se Fjala e Perëndisë na ndihmon të mbështetemi te Jehovai.
G. ZH., Shtetet e Bashkuara
Më preku shumë paraqitja me ndershmëri që i bënte vëlla Ombeva reagimit të tij kur mori vesh për këto probleme fizike. Kuptova sa të parëndësishme janë problemet e mia në krahasim me atë që duhet të durojë ai vëlla, dhe kjo më bëri më modeste. Ky artikull më ka ndihmuar të përqendrohem te bekimet.
SH. K., Kanada
Fantastik! Kjo është e vetmja fjalë më të cilën mund ta përshkruaj këtë artikull. Nuk arrija ta hiqja nga duart! Më vuri në mendime mënyra se si Shkrimet morën domethënie krejt të re për vëlla Ombevën atëherë kur kishte më shumë nevojë. Kjo do të më ndihmojë të kem më shumë empati kur ndihmoj të tjerët.
R. G., Shtetet e Bashkuara
Mora zemër kur lexova se edhe një i krishterë që shërben si plak kongregacioni ka ndier këtë lloj zemërimi dhe e pranon se duhet kohë që njeriu të mësojë të përballojë një situatë si kjo. Vëlla Ombeva tregonte se edhe kur ishte në periudhën më të mundimshme, nuk u bë kurrë i parregullt në shërbim. Jam e vendosur të bëj edhe unë të njëjtën gjë.
M. K., Japoni
Kur isha e re, jam rrëzuar kaq shumë herë, saqë tani po e vuaj këtë. Kam vazhdimisht dhembje, vështirësi në të ecur dhe më mungojnë energjitë. Kufizimet që kam në shërbimin e krishterë më bëjnë të ndihem përtokë. Por më ndihmoi mënyra se si e ka përballuar vëlla Ombeva problemin që ka. Ju falënderoj shumë.
I. E., Shtetet e Bashkuara