Një sprovë besimi
Një sprovë besimi
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANINË E MADHE
RIÇMONDI është një qytezë piktoreske në krahinën e Jorkshirit Verior, në Angli. Që nga Kështjella e saj, e ndërtuar menjëherë pas pushtimit nga Normandia në vitin 1066, mund të shihet si në pëllëmbë të dorës gjithë lugina e lumit Suejl që të çon në Parkun Kombëtar të Luginave të Jorkshirit.
Dokumentari televiziv Të gjashtëmbëdhjetët e Riçmondit ka zbuluar një aspekt të rëndësishëm të historisë së Kështjellës në kohët e sotme: fatin e 16 vetave që nuk pranuan të kryenin shërbimin ushtarak për arsye të ndërgjegjes dhe u burgosën në këtë kështjellë gjatë Luftës I Botërore. Ç’ndodhi me ta?
Rekrutimi
Pasi Britania shpalli luftë në vitin 1914, patriotizmi i shtyu rreth 2,5 milionë burra të hynin në ushtrinë e saj. Mirëpo, për shkak të humbjeve gjithnjë e më të thella në ushtarë dhe pasi u kuptua që lufta nuk do të përfundonte aq shpejt sa ç’kishin premtuar politikanët, «për rekrutimin nuk të luteshin më, por të bënin presion»,—komenton Alan Llojdi, historian i luftës. Kështu, për herë të parë në historinë e Britanisë, në mars të vitit 1916 filluan të rekrutonin me forcë djem beqarë.
U morën masa që në dy mijë gjykata të dëgjoheshin apelimet për mosrekrutim, por nga ata që apeluan për arsye të ndërgjegjes vetëm pak u përjashtuan nga shërbimi ushtarak. Shumicën i urdhëruan të hynin në forcat joluftuese, të cilat ishin krijuar për të mbështetur luftën. Ata që nuk pranonin, prapëseprapë i konsideronin rekrutë, prandaj i gjykonin nëpër gjykata ushtarake. I trajtonin me ashpërsi dhe i burgosnin, duke i lënë shpesh në kushte të tmerrshme, nëpër qeli të mbushura plot.
Të gjashtëmbëdhjetët e Riçmondit
Ndër Të gjashtëmbëdhjetët e Riçmondit ishin edhe pesë Studentë Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Herbert Seniori, i cili u bë Student i Biblës në vitin 1905, kur ishte 15 vjeç, shkroi rreth 50 vjet më vonë: «Na vunë nëpër qeli që dukeshin më shumë si bodrume. Me siguri kishte vite që nuk përdoreshin, pasi në dysheme kishte nja katër a pesë gisht pluhur e dhé.» Kohët e fundit janë bërë publike disa vizatime dhe shkrime që tani janë zbehur e në disa vende janë bërë të palexueshme. Këto i kishin bërë të burgosurit në muret e qelive të lyera me gëlqere. Aty ka emra, mesazhe dhe vizatime të njerëzve të dashur, si edhe thënie ku shprehej besimi i tyre.
Një i burgosur shkroi: «Më mirë të vdes për një parim, sesa të vdes ngaqë s’kam asnjë parim.» Shumë mesazhe flasin edhe për Jezu Krishtin dhe mësimet e tij. Ka edhe imitime të bëra me kujdes të emblemës me kurorë e kryq që përdorte atëherë Shoqata e Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës (IBSA). Herbert Seniorit i kujtohet që vizatoi në murin e qelisë së tij «Diagramin e epokave», të marrë nga libri për studimin e Biblës Plani hyjnor i epokave. Por ky vizatim nuk është gjetur. Mund të jetë fshirë, bashkë me shkrime të tjera nëpër muret e bllokut kryesor të qelive ose diku gjetkë. Një mbishkrim tjetër thotë: ‘Klarens Holl, Lids, I.B.S.A. 29 maj 1916. Dërguar në Francë.’
I çojnë në Francë, i kthejnë mbrapsht
Numri i të vrarëve nga lufta në Francë e në Belgjikë po shtohej në mënyrë alarmuese. Ministri i Luftës, Horacio Herbert Kiçeneri, dhe gjenerali britanik Dagllas Hejg kishin nevojë urgjente për më shumë trupa, përfshirë edhe burra të martuar, të cilët kishin filluar t’i rekrutonin në maj të vitit 1916. Për të forcuar pushtetin e tyre, autoritetet vendosën të ndëshkonin ata që nuk pranonin të kryenin shërbimin ushtarak për arsye të ndërgjegjes, që kjo të bëhej mësim për të tjerët. Prandaj, nën tytën e pushkëve, Të gjashtëmbëdhjetëve të Riçmondit u vunë pranga në duar dhe i hipën në një tren në mënyrë të paligjshme, duke i çuar fshehurazi në Francë, nga një rrugë e tërthortë. Sipas revistës Heritage, atje, në bregdetin e Bulonjës, «ata burra i lidhën me tela me gjemba nëpër shtylla, sikur po i kryqëzonin» dhe i vunë të shikonin ekzekutimin e një dezertori britanik nga një skuadër pushkatimi. U thanë se po të mos u bindeshin urdhrave, edhe ata do të pësonin të njëjtin fund.
Aty nga mesi i qershorit të vitit 1916 të burgosurit i vunë të marshonin para 3.000 trupave ushtarake për t’u dhënë dënimin me vdekje, por ndërkohë Kiçeneri kishte vdekur dhe kryeministri britanik kishte ndërhyrë në këtë çështje. Një kartolinë me një mesazh në kod kishte arritur deri te autoritetet në Londër, dhe urdhri ushtarak i mësipërm ishte anuluar me anë të një urdhri të dytë. Gjeneral Hejgu mori urdhrin që të gjitha dënimet me vdekje t’i kthente në dhjetë vjet punë të detyrueshme.
Pasi i kthyen në Britani, disa nga 16 burrat i çuan në guroren e granitit në Skoci, që të bënin «punë me rëndësi kombëtare» në kushte të tmerrshme, sipas një raporti zyrtar. Të tjerët, ku ishte edhe Herbert Seniori, i dërguan prapë në burg, por këtë herë në një burg civil, jo ushtarak.
Trashëgimia
Muret e këtyre qelive janë në një gjendje jo shumë të mirë. Prandaj një ekspozitë mjaft e madhe në Kështjellën e Riçmondit, e cila tani është nën mbrojtjen e organizatës «Trashëgimia e Anglisë», përfshin një lloj ekrani që mund ta prekësh, i cili paraqet në realitet virtual qelitë dhe vizatimet e u lejon vizitorëve t’i analizojnë ato nga afër pa i dëmtuar. Grupet me studentë nxiten të analizojnë shkaqet pse këta njerëz që nuk pranuan të kryenin shërbimin ushtarak për arsye të ndërgjegjes ishin gati të vuanin ndëshkimin, burgimin, e ndoshta edhe vdekjen, për bindjet e sinqerta që kishin.
Të gjashtëmbëdhjetët e Riçmondit ia dolën mbanë «të vinin në qendër të vëmendjes së publikut çështjen e mospranimit për shkak të ndërgjegjes dhe fituan miratimin dhe respektin e njerëzve për këtë». Kjo bëri që pastaj, gjatë Luftës II Botërore, autoritetet t’i trajtonin më me mirëkuptim ata që regjistroheshin për mosrekrutim për arsye të ndërgjegjes.
Në vitin 2002, një kopsht i këndshëm në oborrin e Kështjellës iu kushtua pjesërisht kujtimit të Të gjashtëmbëdhjetëve të Riçmondit, si shprehje e vlerësimit për bindjet e tyre morale.
[Figurat në faqet 12, 13]
Nga e majta në të djathtë: Kulla e shekullit të 12-të e Kështjellës së Riçmondit, me bllokun e qelive të burgimit
Herbert Seniori, një nga Të gjashtëmbëdhjetët e Riçmondit
Një nga qelitë ku u mbajtën Të gjashtëmbëdhjetët e Riçmondit
Bordurat në sfond: Pjesë të mbishkrimeve që ishin bërë në muret e burgut gjatë viteve