Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Metuselahu në mal

Metuselahu në mal

Metuselahu në mal

NË Malet e Bardha, në perëndim të Shteteve të Bashkuara, në lartësinë 3.000 metra mbi nivelin e detit rritet një pemë që mendohet se është më e lashta në botë. Është një lloj pishe (Pinus longaeva) e quajtur pema Metuselah, e njohur edhe si Plaku. Me moshë më shumë se 4.700-vjeçare, Metuselahu është pema më e vjetër në një pishnajë me pisha të lashta, të njohur si Pishnaja Metuselah. *

Këto pemë përballen me një mjedis shumë të ashpër. «Sasia mesatare e reshjeve është më pak se 30 centimetra në vit, pjesa më e madhe në formë bore, prandaj ka shumë pak lagështi,​—thotë një artikull në revistën New Scientist.​—Gjithashtu pemët rriten në dolomit, një lloj guri gëlqeror që përmban shumë pak lëndë ushqyese.» Përveç kësaj, «temperaturat janë ekstreme dhe era fryn me furi».

Megjithatë, po këto kushte ndikojnë në jetëgjatësinë e pemëve. «Mjedisi është kaq i thatë, saqë edhe viruset e bakteret e kanë të vështirë të mbijetojnë. Veç kësaj, druri [i kësaj pishe] është kaq i ngjeshur dhe rrëshinor, saqë nuk depërtojnë dot insektet parazite. Rrezik përbëjnë vetëtimat, por pemët janë në një largësi të mjaftueshme nga njëra-tjetra sa të mos përhapet zjarri»,​—shpjegon New Scientist.

Periudha e përvitshme e rritjes së pemëve zgjat rreth 45 ditë. Ato e ruajnë rezervën e kufizuar të energjisë që kanë, duke u rritur shumë ngadalë. Perimetri i trungut rritet vetëm 25 milimetra në shekull, dhe halat (gjethet) rrojnë deri në 30 vjet. Pema më e madhe është rreth 18 metra e lartë. Kërkuesit llogaritin se pishat më të vjetra mund të kenë edhe pesë shekuj të tjerë jetë.

Kohët e fundit, ata që duan të rritin jetëgjatësinë e njeriut janë interesuar shumë për këtë lloj pishe, duke shpresuar të zbulojnë sekretet e saj. Mirëpo, çelësi i vërtetë për jetëgjatësinë gjendet shumë më lehtë sesa ndonjë gjë që mund të ndodhet në një pemë të vjetër gungaçe lart në një mal. Libri më i lashtë i botës, Bibla, thotë: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Këtë njohuri mund ta marrë kushdo. Përse të mos e shqyrtoni vetë këtë çështje?

[Shënimi]

^ par. 2 Metuselahu, gjyshi i Noesë, jetoi 969 vjet, pra më shumë se çdo njeri për të cilin flet Bibla.​—Zanafilla 5:27; Luka 3:36, 37.

[Figura në faqen 15]

Një nga pishat në Pishnajën Metuselah