Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Fëmijët e afrueshëm pëlqehen më shumë
«Të kesh xhinse të firmuara dhe pajisjet teknologjike më të fundit nuk është garanci se të tjerët do të të pëlqejnë. Mes një grupi bashkëmoshatarësh ajo që ka më shumë rëndësi është se sa i afrueshëm është një fëmijë dhe jo gjendja shoqërore e tij»,—thuhet në revistën gjermane Psychologie Heute. Xhudita Shrenk dhe Kristina Gyrtler, psikologe në Institutin për Zhvillimin Njerëzor «Maks Plank», në Berlin, vëzhguan 234 fëmijë të klasës së tretë dhe të katërt në dhjetë shkolla fillore. Ato zbuluan se u dëgjohej më shumë fjala atyre fëmijëve që dëshironin të shkonin më mirë me të tjerët dhe që ishin të afrueshëm e komunikues. Fëmijët që i goditnin të tjerët ose talleshin me ta, ndikonin më pak te bashkëmoshatarët. «Edhe pamja tërheqëse ose t’i kesh xhepat plot me para nuk kanë shumë rëndësi për shokët e shkollës»,—thuhet në artikull.
Majdanozi çudibërës
Sipas gazetës Sunday Telegraph të Australisë, ndonëse shpesh përdoret thjesht si garniturë në ushqime, majdanozi është mjaft i pasur në vitamina dhe minerale. «Një filxhan me majdanoz përmban më shumë beta karotinë (vitaminë A) sesa një karotë e madhe, ka pothuajse dy herë më shumë vitaminë C se portokalli dhe më shumë kalcium se një filxhan qumësht. Gjithashtu, një gram majdanoz ka më shumë hekur se një gram mëlçi dhe përmban shumë vitaminë B1 dhe B2.» Nga ana mjekësore, sipas gazetës, «majdanozi është një diuretik shumë i efektshëm, që do të thotë se e ndihmon trupin të nxjerrë lëngjet e tepërta». Përveç kësaj, ai bën mirë për disa sëmundje të mëlçisë, shpretkës, stomakut dhe të rrugëve urinare. Kur hahet i freskët, «ai është një nga freskuesit më të mirë për gojën dhe natyrisht më i liri». Megjithatë artikulli paralajmëron se «në disa rrethana, si për shembull gjatë shtatzënisë, . . . përbërësit e majdanozit që nxitin prodhimin e estrogjenit mund ta bëjnë atë të rrezikshëm».
Kartëvizitat: A po dalin jashtë përdorimit?
«Me valën e madhe të rrëmbimeve në Brazil, është më mirë që administratorët e firmave të mos mbajnë kartëvizita që tregojnë pozitën e tyre në punë dhe në shoqëri»,—thotë këshilltari për sigurinë Karl Paladini në një artikull të gazetës braziliane të biznesit Exame. Për kriminelët, një informacion i tillë shërben për të kuptuar gjendjen financiare të dikujt. Vagner d’Anxhelo është një drejtor i Krollit, një shoqëri e madhe këshilluese në fushën e sigurisë. Ai arrin deri aty sa të thotë që «dokumentet që ke në portofol mund të të shkatërrojnë jetën». Ai i këshillon njerëzit e biznesit, të cilët ndodhen në vende ku rrëmbimet janë shumë të përhapura, që të heqin nga kartëvizitat të gjitha të dhënat për punën dhe pozitën shoqërore dhe «të mos përdorin kartëvizita të shtypura në letër të kushtueshme [dhe] me reliev». Meqë kanë frikë se shpejt kriminelët do ta kuptojnë edhe këtë taktikë, disa administratorë nuk po i përdorin më fare kartëvizitat.
Epidemia e SIDA-s në Karaibe
Sipas botimit ndërkombëtar të gazetës The Miami Herald, pas Afrikës, Karaibet kanë numrin më të madh në botë të të infektuarve me HIV. «Disa llogaritje tregojnë se rreth 2,4 për qind e të rriturve në Karaibe janë të infektuar me [HIV]», kurse në disa zona të qyteteve janë infektuar afro 12 për qind. «Përhapja e vërtetë e epidemisë nuk është zbuluar për shkak të frikës, mohimit të sëmundjes, mundësive të pakta të kurimit dhe mungesës së mjeteve dhe personelit në shëndetësi,—thotë Herald.—Mendohet se në Karaibe, vetëm në vitin 2001, nga kjo sëmundje kanë vdekur gati 40.000 të rritur dhe fëmijë.» Patrishjo Markezi, i cili punon në Bankën Botërore si specialist për shëndetin në Karaibe dhe në Amerikën Latine, thotë se rreziku i SIDA-s «kërcënon grup-moshën më frytdhënëse . . . Ekziston rreziku që të shfaroset një brez i tërë.» Më keq nga të gjithë është goditur Haiti, ku përqindja e të infektuarve e ka kaluar shifrën 6 për qind. «Specialistët e shëndetit dhe udhëheqësit politikë paralajmërojnë për mundësinë e shkatërrimit të një rajoni me vende . . . të vogla që mbështeten në një fuqi punëtore të kufizuar, në një numër të kufizuar burimesh natyrore, si edhe në turizëm»,—thuhet në gazetë.
Shkëlqejnë nga rrezet ultravjollcë
Prej një kohe të gjatë, shumë shkencëtarë kanë menduar se ngjyrat e shndritshme te disa lloje zogjsh i ndihmojnë ata të tërheqin shokun ose shoqen e tyre. Biologët në Universitetin «Queen» në Kingston të Ontarios, në Kanada, kanë zbuluar se pendët e një lloj zogu pasqyrojnë dritën ultravjollcë. «Me anë të një pajisjeje ndijore që i ngjan stilolapsit, e cila quhet spektrometër,—thotë revista Canadian Geographic,—studiuesit kanë zbuluar të vërtetën e padukshme të pendëve të zbehta të trishtilit kokëzi.» Spektrometri zbuloi se «trishtilat meshkuj shkëlqejnë më shumë se femrat. Ngjyra e bardhë në trupin e tyre është më e ndritshme dhe bën më shumë kontrast. Koka dhe gusha e atyre meshkujve që kanë më shumë sukses me femrat e pasqyrojnë më tepër ngjyrën ultravjollcë që është e padukshme për sytë e njerëzve». Canadian Geographic thotë se ky zbulim mbështet provën ekzistuese që zogjtë «shohin më shumë ngjyra dhe kanë sy më të mprehtë se njerëzit».
Shpërthimi rekord në sistemin diellor
Sipas revistës Science News, në një nga satelitët e Jupiterit, në Io, ndodhi «shpërthimi më i fuqishëm vullkanik që është regjistruar në sistemin diellor». «Forcat e jashtëzakonshme shformuese që vijnë nga tërheqja gravitacionale e Jupiterit e tërheqin pa pushim Ion dhe e ngrohin, duke bërë kështu që ai të ketë vullkane vepruese. Në këtë satelit mund të ndodhin pak a shumë dymbëdhjetë shpërthime të fuqishme çdo vit.» Sipas artikullit, «me sa duket, materialet që solli ky shpërthim rekord mbulojnë 1.900 kilometra katrorë, një zonë rreth 1.000 herë më e madhe sesa zona vullkanike e malit të Etnës në Itali, një nga vullkanet më vepruese të Tokës». Shkencëtarët e dalluan shpërthimin duke përdorur Keck II, një teleskop të fuqishëm të vendosur në Mauna Kea të Havait, që është një vullkan i shuar. Sipas revistës Science News, Keck II mundi ta dallonte shpërthimin falë pasqyrave të tij të manovrueshme, të cilat «përshtaten mjaft shpejt sa të jenë në gjendje të reduktojnë efektin e mjegullës që shkaktohet nga turbullimet atmosferike të Tokës».
Si ndikon te prindërit vdekja e një fëmije
Sipas The Times të Londrës, studiuesit në Universitetin e Orhusit, në Danimarkë, «vëzhguan 21.062 prindër në Danimarkë që kishin humbur një fëmijë, i cili nuk kishte mbushur ende 18 vjeç dhe që kishte vdekur nga ndonjë sëmundje, aksident, vrasje ose vetëvrasje». Ata i krahasuan këta prindër me 300.000 të tjerë që nuk u kishte vdekur ndonjë fëmijë. «Në tri vitet e para pas vdekjes së fëmijës, rreziku që nëna të vdiste nga shkaqe jonatyrore, ku zakonisht përfshihen aksidenti ose vetëvrasja, rritej me 300 për qind, kurse për babanë rreziku rritej me 57 për qind.» Studiuesit thonë se shtimi i stresit mund të jetë arsyeja kryesore përse shtohet numri i vdekjeve.