Deve në Ande?!
Deve në Ande?!
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË PERU
PASKA deve në Amerikën e Jugut?! Edhe vetë mendimi mund të duket i çuditshëm, sepse kur flitet për këtë kafshë të shkretëtirës, zakonisht njerëzve u vjen ndër mend Afrika ose Azia. Megjithatë llojet e deveve që rriten në Afrikë dhe në Azi janë shumë të afërta me lamoidet e Amerikës së Jugut. * Sidoqoftë, ndryshe nga kushërinjtë e tyre në vende të largëta, lamoidet e Amerikës së Jugut nuk kanë gungë. Për më tepër, ato janë të larta sa një njeri me gjatësi mesatare dhe nuk i arrijnë as te shpatullat devesë aziatike me dy gunga dhe dromedarit ose devesë me një gungë.
Vendi më i mirë për t’u hedhur një sy lamoideve të Amerikës së Jugut janë vargmalet e Andeve, sidomos në Bolivi dhe në Peru. Ato gjenden edhe në rajone të tjera të Amerikës së Jugut, ku përfshihen Patagonia dhe Toka e Zjarrtë që i përket Argjentinës dhe Kilit.
Në veçanti të lë mbresa ecja elegante dhe shpejtësia e këtyre krijesave. Por po kaq mbresëlënëse është edhe aftësia që kanë për t’u ngjitur fare lehtë në shpatet e pjerrëta shkëmbore. Hapat nuk janë të rëndë
falë pjesës së butë të shputës së këmbëve që ua kalon edhe këpucëve atletike më moderne.Në Ande kullotat janë të rralla dhe shtresa e dheut është shumë e hollë. Megjithatë, thundrat e lamoideve të Amerikës së Jugut e dëmtojnë më pak tokën, sesa thundrat e kuajve dhe të mushkave. Veç kësaj, dhëmbët dhe qiellza e këtyre kafshëve bën të mundur që ato të kullosin pa dëmtuar rrënjët e bimëve.
Shumica e kafshëve nuk rriten mbarë në lartësi të mëdha. Por lamoidet e Amerikës së Jugut mund të jetojnë pa problem edhe lart në Ande, meqë gjaku i tyre ka rruaza të kuqe me bollëk.
Në vendet ku nuk gjen dot dru për zjarr, si zëvendësues shërbejnë bajgat e thara të lamoideve. Dhe meqë lamoidet e egra krijojnë grumbuj bajgash në kufijtë e territoreve të tyre, është e lehtë të mbledhësh pleh për zjarr. Ndryshe nga pemët që duhet t’i presësh, plehun e ke gati e veç kësaj, ai thahet shpejt në ajrin e thatë të Andeve.
Dikur lamoidet përdoreshin në ritet fetare. Për shembull, çiribajat në jug të Perusë flijonin lama dhe alpake e i varrosnin nën dyshemetë e shtëpive. Historianët thonë se çdo muaj hënor, njëqind lama të bardha, të rritura posaçërisht, flijoheshin në Kusko, te sheshi kryesor «Uajaka Pata», kurse një numër më i vogël i flijoheshin perëndisë së diellit, gjatë festës së Inti Ramit. Sot, lamoidet përdoren rrallë për rite, por mishi i tyre, që ka shijen e mishit të qengjit, është shumë i kërkuar.
Shumë kohë para se të dilnin frigoriferët, inkasit e ruanin mishin e lamoideve duke e lënë të thahej në ngricë. Për këtë shfrytëzonin motin e ftohtë dhe trysninë e ulët të ajrit, tipike për lartësitë e mëdha në Ande. Mishin e tharë në këtë mënyrë, ata e quanin çarki.
Sigurisht, duhet t’i çmojmë këto krijesa të bukura jo vetëm për produktet që japin dhe shërbimet që bëjnë, por edhe sepse janë pjesë e krijimit të mrekullueshëm të Perëndisë, ku gjithçka i jep lavdi atij.—Psalmi 148:10, 13.
[Shënimi]
^ par. 3 Në Amerikën e Jugut rriten katër lloje lamoidesh: alpakat, guanakot, lamat, dhe vikunjat. Ato mund të kryqëzohen dhe të japin pasardhës hibridë.
[Kutia dhe figurat në faqen 16]
Guanako—Një krijesë e bukur, e fortë dhe e paepur
Një krijesë kaq e bukur e me tipare të brishta duket sikur ka nevojë për përkujdesje të veçantë. Por zakonisht guanakot i gjen në vendet më të ashpra, duke filluar që nga lartësitë e mëdha në Ande e deri në Patagoni dhe në Tokën e Zjarrtë që gjendet në jug të Argjentinës dhe në Kili. Në një terren kaq jomikpritës, guanakot ushqehen me kërcej, rrënjë dhe pinë ujë, ndonëse ai nuk është i mirë. Guanakot janë notare të mira dhe mund të vrapojnë me shpejtësi 65 kilometra në orë. Qerpikët e trashë i mbrojnë sytë nga era, dielli dhe pluhuri. Mjerisht gjuetarë pa leje e të pangopur i kanë vrarë pa mëshirë guanakot për t’u marrë mishin, lëkurën dhe leshin, i cili është më i butë sesa ai i alpakave.
[Burimi]
© Joe McDonald
[Kutia dhe figura në faqen 16]
Alpaka—E mbështjellë me rroba të ngrohta
Në një vend ku mbizotëron i ftohti dhe ku temperatura mund të ndryshojë 50 gradë Celsius brenda ditës, alpakat janë të veshura me një triko të trashë e me lesh të dendur që u shkon deri në fund të këmbëve. Leshi i butë i alpakës është më i fortë sesa leshi i deleve. Ndonëse turiri me majë bën të mundur që alpakat të kapin fijet e barit të Andeve, që rritet në të çarat e ngushta ndërmjet shkëmbinjve, këtyre kafshëve ledhatare u pëlqejnë më shumë zonat moçalore, ku fijet e barit janë të freskëta. Megjithatë, si të gjitha lamoidet edhe ato mund të durojnë shumë ditë pa ujë.
[Kutia dhe figura në faqen 17]
Vikunja—E veshur luks
Ndonëse vikunjat jetojnë lart në Ande, atje ku në përgjithësi temperatura i afrohet pikës së ngrirjes, ato janë të veshura për bukuri me një pallto të shkurtër e të lehtë. Fijet e leshit, me të cilat është endur ajo, mbahen si filli natyror më cilësor në botë. Veshja e vikunjës ka një xhufkë leshi në gjoks, e cila shërben si shall. Një vikunjë e rritur mund të japë më pak se një kilogramë lesh çdo dy vjet, prandaj ky fill cilësor është i rrallë dhe kushton shtrenjtë. Një metër stof luksoz me lesh vikunje mund të kushtojë më shumë se 3.000 dollarë.
Nën sundimin e Perandorisë Inkase dolën ligje për të mbrojtur vikunjat. Me rastin e qethjes së tyre u vendos një festë, e njohur si çaku, dhe vetëm pjesëtarët e oborrit mbretëror kishin nderin të vishnin rroba të bëra me lesh vikunje. Festa e çakusë është vendosur sërish vitet e fundit dhe veç kësaj janë nxjerrë përsëri ligje për të mbrojtur këtë lloj kafshe nga gjuetia e paligjshme.
Një pjesë e rëndësishme e kësaj feste është kapja e vikunjave të egra me çarqe shumë të mëdha në formë hinke, që në hyrje kanë një diametër 300 metra. Pas kësaj, vikunjat i qethin dhe i lëshojnë menjëherë.
[Burimi]
© Wilfredo Loayza/PromPerú
[Kutia dhe figurat në faqen 17]
Lama—Kafshë pune në Ande
Nuk është as e fortë sa gomari dhe as e shpejtë sa kali. Megjithatë, lama ua kalon që të dyve, pasi është një kafshë barre e çmuar. Ajo mund të mbajë në kurriz deri në 60 kilogramë ngarkesë. Nëse ngarkesa i duket tepër e rëndë, lama ulet dhe nuk luan nga vendi derisa të bëhet aq e lehtë sa t’i pëlqejë asaj. Nëse përpiqesh ta shtysh me zor, lama mund të nxjerrë ushqim nga stomaku i parë, nga tre stomakë që ka, e të të pështyjë me një saktësi dhe forcë të habitshme.
Megjithatë, në përgjithësi lamat janë të bindura dhe një bari miqësor mund të udhëheqë një karvan të gjatë me lama përmes pllajave të larta në terrene të vështira ku kafshë të tjera ngarkese nuk i bëjnë dot ballë mungesës së oksigjenit. Aftësia e lamave për të udhëtuar në terrene malore ka bërë që ato të përdoren si kafshë barre jo vetëm në Ande, por edhe në Alpet italiane. Litari, pajimet dhe rroba për t’i mbuluar lamat mund të bëhen me leshin që japin ato vetë.
[Burimi]
© Anibal Solimano/PromPerú
[Figura në faqen 18]
Një alpakë e sapoqethur
[Figura në faqen 18]
I vogli i lamës me një xhufkë zbukurimi në vesh
[Burimet e figurave në faqen 15]
Hartë: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.; lama: © Alejandro Balaguer/PromPerú