Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rrënjët e paragjykimeve

Rrënjët e paragjykimeve

Rrënjët e paragjykimeve

PARAGJYKIMET mund të lindin nga disa shkaqe. Sidoqoftë, dy shkaqe për të cilat ka prova të bollshme janë (1) dëshira për t’ia hedhur fajin dikujt dhe (2) zemërimi i grumbulluar nga padrejtësitë e së kaluarës.

Siç u tha edhe në artikullin e mëparshëm, kur ndodh ndonjë fatkeqësi, shpesh njerëzit kërkojnë t’ia hedhin fajin dikujt. Kur njerëz të shquar përsëritin vazhdimisht të njëjtën akuzë kundër një pakice, ajo merret si e vërtetë, dhe kështu lind paragjykimi. Le të marrim një shembull të njohur: gjatë krizave ekonomike, në vendet perëndimore, shpesh fajin për papunësinë ua hedhin punëtorëve emigrantë, ndonëse shpesh ata bëjnë punë që shumica e vendësve nuk do t’i bënin.

Gjithsesi paragjykimet nuk vijnë gjithnjë ngaqë njerëzit duan të fajësojnë dikë. Ato mund të jenë edhe vraga të së kaluarës. «Nuk e teprojmë po të themi se tregtia e skllevërve krijoi konceptin e racizmit dhe të qëndrimit përbuzës ndaj njerëzve me ngjyrë»,​—thuhet në raportin UNESCO kundër racizmit. Tregtarët e skllevërve përpiqeshin të justifikonin trafikun poshtërues të qenieve njerëzore, duke pretenduar se afrikanët ishin më të ulët. Ky paragjykim i pathemeltë, që më vonë përfshiu edhe koloni të tjera, vazhdon ende.

Në mbarë botën, histori të ngjashme që flasin për shtypje dhe padrejtësi i mbajnë gjallë paragjykimet. Armiqësia ndërmjet katolikëve dhe protestantëve në Irlandë e ka zanafillën që në shekullin e 16-të, kur sundimtarët e Anglisë i përndoqën dhe i syrgjynosën katolikët. Mizoritë e kryera nga të ashtuquajturit të krishterë gjatë kryqëzatave ende ngjallin urrejtje të fortë te myslimanët në Lindjen e Mesme. Armiqësia ndërmjet serbëve dhe kroatëve në Ballkan u acarua më shumë nga masakrat e civilëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Siç tregojnë këta shembuj, një e kaluar me armiqësi ndërmjet dy grupeve mund t’i thellojë paragjykimet.

Ushqejnë paditurinë

Në zemrën e një foshnjeje nuk ka paragjykime. Përkundrazi, studiuesit thonë se një fëmije shpesh do të pranonte me gjithë qejf të luante me një fëmijë të një race tjetër. Por nga mosha 10 deri 11-vjeçare ai mund të mos pranojë të rrijë me njerëz të një fisi, race ose feje tjetër. Gjatë viteve kur formohet karakteri, fëmijës i nguliten lloj-lloj idesh që mund t’i ketë për gjithë jetën.

Si mësohen këto ide? Një fëmijë i mëson qëndrimet negative​—qoftë ato të shprehura me fjalë, qoftë të shprehura me veprime​—së pari nga prindërit, pastaj nga shokët ose mësuesit. Më vonë fqinjët, gazeta, radio ose televizori mund të ndikojnë më tej tek ai. Ndonëse ka të ngjarë që ai të dijë pak ose aspak për grupet e njerëzve që nuk i pëlqejnë, kur rritet ai tashmë ka nxjerrë përfundimin se ata janë inferiorë dhe nuk u zihet besë. Madje ai mund t’i urrejë.

Meqë udhëtimet janë bërë më të shpeshta dhe tregtia është zgjeruar, në shumë vende marrëdhënia mes kulturave dhe grupeve etnike të ndryshme është bërë një dukuri e përhapur. Megjithatë, ai njeri që i ka të ngulitura thellë paragjykimet zakonisht kapet fort pas opinioneve pa bazë që tashmë ka krijuar. Ai vazhdimisht mund të futë në të njëjtin kallëp mijëra, madje miliona njerëz, duke pretenduar se të gjithë kanë të njëjtat cilësi të këqija. Çdo përvojë e keqe, edhe nëse ka të bëjë vetëm me një person nga ai grup, shërben për t’ia përforcuar paragjykimin. Nga ana tjetër, përvojat e mira zakonisht i merr si përjashtime.

Çlirim nga paragjykimet

Ndonëse shumica e njerëzve në parim i dënojnë paragjykimet, pak veta u shpëtojnë kthetrave të tyre. Në fakt, shumë nga ata që kanë paragjykime të thella do të ngulnin këmbë që nuk i kanë. Të tjerë thonë se nuk ka rëndësi nëse ke apo s’ke paragjykime, sidomos kur i mban përbrenda ato. Megjithatë, kemi apo s’kemi paragjykime, kjo është një çështje që ka rëndësi, sepse paragjykimet i lëndojnë dhe i përçajnë njerëzit. Në qoftë se paragjykimi është fëmija i paditurisë, shpesh urrejtja është mbesa. Shkrimtari Çarls Kaleb Koltën (1780?-1832) tha: «Ne i urrejmë disa njerëz, sepse nuk i njohim; dhe nuk përpiqemi t’i njohim, sepse i urrejmë.» Gjithsesi, meqë paragjykimet mësohen, ato edhe mund të çmësohen. Si?

[Kutia në faqen 7]

Feja​—Një nxitje për tolerancë apo për paragjykime?

Në librin e tij, Natyra e paragjykimeve Gordon U. Ollporti thotë se «me sa duket, në përgjithësi anëtarët e kishave kanë më shumë paragjykime se të tjerët». Kjo gjë nuk na habit, sepse shpesh feja ka qenë shkaku i paragjykimeve në vend që të ishte një ilaç për to. Për shembull, klerikët nxitën armiqësinë kundër hebrenjve për shekuj të tërë. Sipas librit Një histori e krishterimit (anglisht), një herë Hitleri tha: «Sa për hebrenjtë, unë thjesht po ndjek të njëjtën politikë që Kisha Katolike ka ndjekur për 1500 vjet.»

Gjatë mizorive në Ballkan, mësimet e kishës ortodokse dhe katolike me sa duket nuk ishin në gjendje të sillnin tolerancë dhe respekt për fqinjët që kishin një fe tjetër.

Po kështu ndodhi edhe në Ruandë, ku anëtarët e kishave masakruan bashkëbesimtarët. Gazeta National Catholic Reporter nxori në pah se luftimet atje ishin «një gjenocid i mirëfilltë për të cilin mjerisht edhe katolikët janë përgjegjës».

Vetë Kisha Katolike i ka pranuar faktet e dokumentuara që flasin për intolerancën e saj. Në vitin 2000, papa Gjon Pali II kërkoi falje për «shkeljet e së kaluarës», gjatë një meshe publike në Romë. Gjatë ceremonisë u përmendën në mënyrë të veçantë «intoleranca fetare dhe padrejtësitë ndaj hebrenjve, grave, popujve indigjenë, imigrantëve, të varfërve dhe foshnjave të palindura».

[Figura në faqen 6]

Sipër: Kamp refugjatësh, Bosnjë-Hercegovinë, 20 tetor 1995

Dy refugjatë serbë të ardhur nga Bosnja, të cilët presin të mbarojë lufta civile

[Burimi]

Fotografi nga Scott Peterson/Liaison

[Figura në faqen 7]

Mëson të urrejë

Një fëmijë mund t’i mësojë qëndrimet negative nga prindërit, nga televizori ose nga ndonjë burim tjetër