Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinj që flasin me guxim për besimin e tyre

Të rinj që flasin me guxim për besimin e tyre

Të rinj që flasin me guxim për besimin e tyre

NDËRMJET Dëshmitarëve të Jehovait ka edhe shumë të rinj. Ata e duan Perëndinë dhe bëjnë shumë përpjekje, që të jetojnë në përputhje me normat e tij të shkruara në Bibël. Këta të rinj janë krenarë për besimin e tyre, dhe flasin lirshëm për të në shkollë. Le të shqyrtojmë disa shembuj.

▪ Kur ishte në klasën e gjashtë, Hollit dhe shokëve të saj të klasës i dhanë si detyrë një hartim me temë «Si do ta zgjidhnit problemin e terrorizmit pa përdorur dhunë?» Holli e shfrytëzoi këtë mundësi për të shkruar rreth shpresës që ka për të ardhmen, një shpresë kjo e bazuar në Bibël. Ajo shpjegoi se gjatë gjithë historisë ‘njeriu ka sunduar mbi një tjetër për ta dëmtuar’. (Predikuesi 8:9) Pastaj, tregoi për të vetmen shpresë të vërtetë për njerëzimin, Mbretërinë e Perëndisë. «Meqë Jezui është Mbreti i caktuar i kësaj Mbretërie,​—shkroi ajo,​—të gjitha problemet, përfshirë edhe terrorizmin, do të zhduken një herë e mirë.» Holli shpjegoi se Jezui do të bëjë diçka që s’mund ta arrijë dot asnjë sundimtar njerëzor. Ajo shkroi: «Kur erdhi në tokë, Jezui tregoi se ç’lloj sundimtari do të ishte. Ai ishte i dashur dhe kujdesej për njerëzit. Jezui e tregoi fuqinë që kishte, duke kuruar sëmundjet dhe duke ringjallur të vdekurit. Asnjë qeveri njerëzore nuk është në gjendje t’i kthejë në jetë ata që kanë vdekur. Por, Mbretëria e Perëndisë do ta bëjë këtë.» Holli e përfundoi hartimin me këtë fjali: «Problemin e terrorizmit do ta zgjidhë vetëm Perëndia, jo njerëzit.»

Në fund të hartimit mësuesja shkroi: «Të lumtë! Shumë bindëse Holli. E ke bërë me shumë kujdes.» Mësueses i bëri përshtypje edhe që Holli kishte treguar se në cilat pjesë të Shkrimeve të Shenjta ishte bazuar. Kjo gjë i dha mundësi Hollit t’i tregonte mësueses për Shkollën e Shërbimit Teokratik, një program javor, që zhvillohet nga Dëshmitarët e Jehovait. Aty stërvitesh si të flasësh dhe si të mësosh të tjerët. Mësuesja pranoi me kënaqësi një kopje të librit që përdoret në Shkollën e Shërbimit.

▪ Edhe Xhesika ka folur për besimin e saj në hartimet që ka bërë në shkollë. «Kam shkruar tre hartime për besimin tim»,​—thotë ajo.​—Në njërin kam folur për Dëshmitarët e Jehovait dhe të drejtën e fesë. Mësuesja e vuri në bibliotekë, kështu që mund ta lexonte kush të donte. Kohët e fundit bëra një hartim për pagëzimin tim, dhe sa e rëndësishme ishte për mua ajo ditë. Nxënësit zakonisht qarkullojnë me njëri tjetrin skica të hartimeve të papërfunduara, dhe kështu shokët e klasës lexuan edhe atë që kisha shkruar unë. Një vajzë tha: ‘Punë e bukur. Është mirë të dish përgjegjësitë që vijnë kur je Dëshmitar i Jehovait. Urime për pagëzimin.’ Një vajzë tjetër tha: ‘Më la mbresa ajo që kishe shkruar. Jam e kënaqur që besimi yt është kaq i fortë.’ Një djalë shkroi këto pak fjalë: ‘Je vajzë e mençur. Përgëzime.’»

▪ Kur ishte 11 vjeçe, Melisa pati një mundësi të veçantë për të folur me guxim për besimin e saj. «Infermierja e shkollës erdhi në orën e shkencave natyrore që të na fliste për sistemin imunitar. U fol edhe për transfuzionin e gjakut. Pas mësimit i tregova mësuesit për njërën nga videokasetat tona, ku flitet për gjakun. Të nesërmen ia çova në shkollë dhe mësuesi e mori në shtëpi që ta shihte me familjen. Ditën tjetër ai e solli videokasetën dhe ia tregoi dy klasave, përfshirë edhe klasën ku isha unë. Pastaj mësuesi tha fjalë të mira për Dëshmitarët e Jehovait dhe i tregoi klasës se po të mos ishin Dëshmitarët e Jehovait, alternativat e transfuzionit të gjakut nuk do të ishin në dispozicion. Kur ma ktheu videokasetën, më pyeti: ‘Ku mund ta gjej një për bibliotekën e shkollës?’ I dhashë një kopje. U gëzua shumë, e po kështu edhe unë.»

Holli, Xhesika dhe Melisa janë ndër shumë të rinj Dëshmitarë të Jehovait, që ndjekin këshillën e Biblës për të kujtuar Krijuesin e tyre. (Predikuesi 12:1) A po bën edhe ti kështu? Nëse po, mund të jesh i sigurt që po ia gëzon zemrën Jehovait.​—Fjalët e urta 27:11; Hebrenjve 6:10.

Kur ju të rinj, u flitni me guxim për besimin tuaj shokëve të klasës dhe mësuesve, kjo jep një dëshmi të fortë për Perëndinë Jehova dhe për qëllimet e tij. Gjithashtu, kjo gjë jua forcon besimin dhe kultivon te ju një krenari të shëndetshme për privilegjin që gëzoni për të qenë shërbëtorë të Perëndisë. (Jeremia 9:24) Veç kësaj, kur jepni dëshmi në shkollë, kjo ju shërben edhe si mbrojtje. Xhesika shpjegon: «Një dobi që kam kur flas me guxim për bindjet e mia është që nxënësit nuk përpiqen të më shtyjnë të bëj gjëra që bien në kundërshtim me Biblën.»

[Figurat në faqen 12]

Holli

[Figurat në faqet 12, 13]

Xhesika

[Figurat në faqen 13]

Melisa