Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta në arenën e cirkut

Jeta në arenën e cirkut

Jeta në arenën e cirkut

TREGUAR NGA XHON SMOLLI

«Zonja dhe zotërinj, fëmijë të çdo moshe, mirë se erdhët në shfaqjen më të madhe të botës!» Këto fjalë të drejtuesit të shfaqjes së cirkut, për shumë nga të pranishmit shënonin fillimin e një shfaqjeje emocionuese me kafshë, klounë e akrobatë. Kurse për familjen time, kjo shënonte fillimin e një faze tjetër të punës në tendën kryesore të cirkut «Vëllezërit Ringling dhe Barnum & Bejli».

LINDA në vitin 1951. Mund të thuhet se linda me «tallash në këpucë». Kjo shprehje lidhet me tallashin që hidhet në dyshemenë e tendave të mëdha të cirkut. Porsa filluam të ecnim, unë dhe vëllai im merrnim pjesë në ndonjë gjë që kishte të bënte me jetën në cirk.

Prindërit e mi, Hari dhe Beatriza, u lidhën me cirkun e Klajd Bitit që para se të lindja unë. Nëna ishte këngëtare dhe interpretonte këngë spanjolle, e veshur me kostum popullor meksikan. Kurse im atë ishte muzikant dhe gjatë Luftës I Botërore kishte luajtur bashkë me Xhon Filip Suzën, drejtues grupi dhe kompozitor. Më vonë, në vitet 50, babanë e morën në punë që t’i binte instrumentit të tubës në grupin e famshëm Vëllezërit Ringling, ndoshta sepse në të kaluarën kishte punuar me Suzën.

Gjatë viteve, punuam në cirqe të ndryshme, e pastaj përfunduam në cirkun «Al Xh. Keli & Vëllezërit Miler». Edhe këta ishin bërë mjaft të famshëm në Shtetet e Bashkuara. Ky cirk kishte tri tenda të mëdha. Në njërën strehohej koleksioni i luanëve, tigrave, elefantëve, hienave dhe i kafshëve të tjera të vendeve të ndryshme.

Tendën e dytë e quanim shfaqje dytësore. Zakonisht në të luante një prestidigjitator që gëlltiste shpatën, i ashtuquajturi gjysmë-burrë e gjysmë-grua, xhuxhmaxhuxhët, një gjigant dhe njerëz të tjerë me karakteristika fizike të pazakonta. Ne fëmijëve na ndikonte për mirë në formimin tonë fakti që jetonim me njerëz që ishin ndryshe nga të tjerët. Disa u vinin nofka të këqija atyre, por ne i kishim si familje. Punonim, hanim e jetonim me ta pjesën më të madhe të vitit.

Tenda e tretë ishte kryesorja dhe kishte tri arena, ku zhvilloheshin njëkohësisht disa numra. Natyrisht që numrat më të rrezikshëm a që ngjallnin më tepër kureshtje, shfaqeshin në arenën qendrore.

Një ditë nga jeta në cirk

Unë dhe im vëlla u bëmë akrobatë që kur ishim shumë të vegjël. Gjithashtu bënim pjesë në Wild West Show, ku luanim rolet e djemve të vegjël indianë. Një familje nga indianët e Amerikës, nga fisi çoktau, që merrnin pjesë në shfaqje, na mësoi si të kërcenim valle indiane.

Zakonisht, ditën e nisnim rreth orës gjashtë të mëngjesit. Në këtë orë fillonim të bëheshim gati për të shkuar në një qytet tjetër. Të gjithë artistët bënin nga një punë për të çmontuar, transportuar dhe rimontuar cirkun. Për shembull, im atë, përveçqë ishte muzikant, ngiste edhe një maunë me shtatë elefantë në rimorkio. Nganjëherë, nëna, vëllai dhe unë udhëtonim me babanë në maunën e tij.

Zakonisht shkonim në një vend të ndryshëm çdo ditë dhe bënim dy shfaqje në ditë. Vetëm e diela bënte përjashtim. Atë ditë kishim vetëm një shfaqje pasdite, dhe pastaj në mbrëmje çlodheshim bashkë me familjen. Të dielave, im atë bënte gjithnjë ndonjë gjë të veçantë me familjen. Ose shkonim në qytet për një pije me qumësht e me akullore, ose e kalonim mbrëmjen në një kinema të hapur, ku shihen filmat që nga makina.

Për të montuar cirkun, duhej shumë punë. Për këtë na ndihmonin edhe elefantët. Si ia bënin? U kishim lidhur ca litarë që të tërhiqnin hunjtë e gjatë të të tria tendave. Njëri skaj i hurit futej në unazën që mbante rrobën që mbështillte arenën, dhe pastaj elefantët e tërhiqnin skajin tjetër derisa huri të ngrihej pingul me tokën. Pasi ishin ngritur të gjithë hunjtë dhe ishin instaluar gjeneratorët që të ndizeshin dritat, bëheshim gati për shfaqjen e pasdites.

Mësoj teknika të tjera

Gjatë pushimit ndërmjet shfaqjeve të pasdites dhe të mbrëmjes, fëmijët e shumtë të cirkut mësonin si të bënin rrotullime në ajër, të ecnin mbi tela, të bënin numra zhongleri dhe të hidheshin nga një trapez fluturues. Ata që na mësonin, ishin veteranët e cirkut, të cilët zakonisht vinin nga familje që kishin qenë në cirk për breza të tërë. Mbaj mend artistin italian që më mësoi të bëja rrotullimin e parë. Nisa kur isha nja katër vjeç. Në fillim ai më siguronte duke më vënë një rrip sigurimi; pastaj më mbante vetëm me duar teksa vraponte pranë meje. Pas disa provave i hoqi duart, dhe e bëra vetë rrotullimin.

I vetmi aksident që kam pasur, ndodhi gjatë parakalimit madhështor përreth arenës së tendës kryesore. Im vëlla dhe unë kishim zënë vend pas një klouni me dy majmunë dhe para një tufe me elefantë. Ndërsa ecja e tundja krahët, duhet të kem trembur njërin nga majmunët. Atëherë ai ma mbërtheu dorën dhe ma kafshoi fort. Shyqyr që nuk u infektua, por në dorën e majtë kam ende një vragë të vogël. Ajo më kujton se gjithmonë duhet kujdes kur ke të bësh me kafshë të egra, pavarësisht se sa të këndshme e të zbutura mund të duken.

Nxora mësime të vlefshme

Jeta në cirk nuk na e bënte të vështirë jetën familjare. Prindërit e mi përherë gjenin kohë të na mësonin parime të mira dhe vlera morale. Akoma e kujtoj babanë tek më merrte në prehër e më jepte këshilla që të mos kisha paragjykime ndaj njerëzve të një race ose prejardhjeje tjetër. Ky ishte një mësim i vlefshëm, meqë jetoja me njerëz që ishin të ndryshëm jo vetëm nga veçoritë fizike, por edhe nga kombësia.

Edhe nëna na mësonte shumë gjëra të mira. Disa herë tenda kryesore mbushej plot; herë të tjera nuk kishte dhe aq njerëz. Nëna na thoshte: «Ju luani në cirk për të kënaqur njerëzit (e ndërkohë duartrokiste), nuk luani për para. Edhe sikur t’ju shohin qindra njerëz, edhe sikur t’ju shohin fare pak, duhet të bëni gjithmonë më të mirën tuaj.» Këto fjalë nuk i kam harruar kurrë. Ishte mënyra e saj për të na thënë se duhej të tregonim interes për ata që vinin në shfaqje, sado që të ishin.

Përveçse të luanim në cirk, pas shfaqjeve im vëlla dhe unë duhej të ndihmonim në pastrim, duke hequr mbeturinat nga tenda kryesore. Kjo ishte stërvitje e mirë.

Nga prilli deri në shtator cirku ishte në lëvizje, kështu që nuk e ndiqnim dot shkollën si fëmijët e tjerë. E kalonim dimrin në qendrën e cirkut, në qytetin Hygo të Oklahomës. Gjatë kësaj kohe, e ndiqnim shkollën për afro pesë muaj. Edhe disa cirqe të tjera e kalonin dimrin atje, prandaj kishte shumë fëmijë në të njëjtat rrethana. Sistemi arsimor i qytetit u përshtat me situatën tonë të veçantë, duke bërë një program mësimor posaçërisht për ne.

Dita që na ndryshoi jetën

Ishte mëngjesi i 16 shtatorit të 1960-s. Babai u zgjua aty nga ora pesë dhe filloi të na bënte gati për udhë. Pikërisht atë mëngjes, mamaja vendosi të mos udhëtonim me babanë në maunën e elefantëve, por me transportin që siguronte cirku.

Sapo arritëm te vendi ku do të vendosej cirku, im vëlla dhe unë filluam të hetonim mjedisin e ri. Në atë çast dëgjuam dikë që bërtiti me të madhe: «Ka ndodhur një aksident i rëndë. Smolli dhe drejtuesi i shfaqjeve të cirkut nuk shpëtuan dot.» Sigurisht, në fillim mendova: ‘S’ka si të jetë e vërtetë! Do të jetë bërë ndonjë gabim.’ Më vonë mora vesh se mamaja tashmë kishte shkuar në vendin e aksidentit. Kur babai po zbriste me maunë në një të tatëpjetë afër Plasërvilit, në Kaliforni, duhet t’i jenë bllokuar frenat. Siç duket, pesha e elefantëve bëri që rimorkioja të ngjishej kundrejt kokës së makinës. Nga kjo u shtyp serbatori i madh i benzinës që pastaj shpërtheu, duke vrarë në çast babanë dhe drejtuesin e shfaqjeve të cirkut, që po udhëtonte me të. Atë ditë u ndjeva i dërrmuar shpirtërisht. Isha shumë i lidhur me tim atë. Ishim miq të ngushtë.

Pasi e varrosëm babanë në qytetin e tij të lindjes, në Riç-Hill të Misurit, u kthyem prapë në qendrën ku kalonim dimrin, në Hygo të Oklahomës. Kurse cirku vazhdoi udhën për të përfunduar sezonin e shfaqjeve. Ndërkohë ne djemtë shkuam në shkollë si nxënësit e tjerë. Kjo ishte një përvojë e re. Megjithëkëtë, e prisnim me padurim sezonin tjetër, që të udhëtonim përsëri me cirkun Keli Miler. Por jeta jonë mori një kthesë të papritur.

Njihemi me Biblën

Një ditë, kur u ktheva nga shkolla, mamaja më prezantoi një zonjë që kishte ardhur për të studiuar Biblën me ne. Quhej Xhimi Braun, dhe ishte Dëshmitare e Jehovait. S’kisha pikë dëshire të studioja Biblën. Për vite me radhë kisha ëndërruar e synuar të kthehesha në cirk dhe të mësoja të hidhesha nga trapezi fluturues. Madje im vëlla dhe unë sajuam vetë një trapez që e varëm mes dy pemëve, që të praktikoheshim. Prapëseprapë, të gjithë filluam ta studionim Biblën dhe të ndiqnim mbledhjet e krishtere me një grup të vogël me vetëm tetë Dëshmitarë në Hygo. Pas ca kohësh, mamaja vendosi të tërhiqej nga jeta e cirkut dhe të vazhdonte më tej studimin e Biblës. E pranova vendimin e saj me lot në sy. Ishte e vështirë sidomos kur vinin të na vizitonin pjesëtarë nga familja e cirkut dhe habiteshin pse nuk po shkonim me ta.

Deri atëherë nuk njihja botë tjetër veç cirkut. Për një çast u ndjeva sikur po i vinim shkelmin kujtimit të babait. Gjithsesi, si për çudi, vdekja e tij ishte në të njëjtën kohë arsyeja pse studioja Biblën, meqë një nga motivet më të fuqishme që më shtynte, ishte shpresa e ringjalljes. Kjo shpresë është ende mjaft e gjallë tek unë. Dua të jem ndër të parët që do ta mirëpresin babanë, tek hyn në Parajsën e premtuar në tokë.​—Zbulesa 20:12-14.

Një çift Dëshmitarësh, çifti Ridër, na ndihmuan të kuptonim që organizata e Jehovait është si një familje e madhe. Dhe sa e vërtetë doli kjo! Grupi i vogël i Dëshmitarëve të Jehovait u bë kongregacion, me disa familje që adhurojnë Perëndinë së bashku. Duhet të përmend edhe Robert e Karol Engelhartin, një çift që më mbanin si birin e tyre frymor. Ata, me dashuri, por me vendosmëri, më këshillonin gjatë viteve të adoleshencës.

Kjo dashuri e të krishterëve të pjekur mbushi një boshllëk të madh në jetën tonë. Dhe në shumë mënyra kjo vazhdoi të ishte e vërtetë gjatë jetës sime si i krishterë. Gjatë viteve, kam jetuar edhe në Oklahomë, edhe në Teksas, dhe në çdo kongregacion kam takuar shumë motra e vëllezër të krishterë të dashur. Disa nga vëllezërit më të moshuar më dhanë drejtim dhe inkurajim si baballarë. Vërtet, ata u bënë etër frymorë për mua.

Përsëri në udhë

Pak vjet ka që mamaja ra në gjumin e vdekjes. Deri sa vdiq, mbeti një studente e zellshme e Biblës dhe e krishtere besnike. Jam i sigurt se ajo do të ngazëllojë kur Perëndia t’i kthejë nga varret besnikët e vet. Ndërsa pres atë ditë, gjej ngushëllim në faktin që organizata e Jehovait më ka dhënë një familje në disa kuptime.

U ndjeva i bekuar, sidomos kur gjeta mes popullit të Perëndisë gruan time, Ednën. Pas martesës i rregulluam punët në mënyrë të tillë që të merrnim pjesë në veprën e arsimimit biblik në kohë të plotë. Për të siguruar të ardhura, fillova stazhin si reporter në televizion. Nuk kisha fare përvojë a stërvitje në atë fushë. Megjithatë stërvitja që kisha marrë si mësues i Biblës në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait, më bëri të aftë për këtë punë. Me kalimin e kohës u bëra drejtor i departamentit të lajmeve në një stacion radioje. Sidoqoftë, kurrë nuk kisha si synim që të shquhesha në botën e medias. Përkundrazi, unë dhe Edna u treguam të gatshëm për të shërbyer si mësues të të vërtetave biblike, ku të kishte nevojë.

Në vitin 1987, më ftuan të bëhesha mbikëqyrës qarkor, një mbikëqyrës vullnetar që viziton kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Si i tillë, vizitoj një kongregacion çdo javë për t’u dhënë vëllezërve e motrave në besim inkurajim e stërvitje për veprën tonë të arsimimit biblik. Po të flasim nga ana frymore, tani familja ime është akoma më e madhe. Ndonëse gruaja dhe unë nuk patëm fëmijë, kemi shumë fëmijë në besim në organizatën e Jehovait.

Nga një anë duket paradoksale që pas kaq shumë vjetësh, ende jam duke udhëtuar nga një qytet në tjetrin. Kam kaluar nga puna në cirk në veprën e qarkut. Nganjëherë pyes veten: ‘A do t’ia kisha dalë mbanë në trapezin fluturues? A do ta kisha realizuar ëndrrën e fëmijërisë për t’u bërë mjeshtër në salton mortale treshe?’ Megjithatë, këto mendime veniten menjëherë sapo mendoj për premtimin e Perëndisë për një parajsë këtu në tokë.​—Zbulesa 21:4.

Vërtet, linda me «tallash në këpucë». Por më vjen ndër mend çfarë thotë Bibla: «Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajmin e mirë për gjëra të mira!» (Romakëve 10:15) Privilegji që të ndihmoj njerëzit të njohin Perëndinë, është më i madh se çdo gjë tjetër që mund të kisha arritur si artist cirku. Bekimi i Jehovait ma ka mbushur jetën!

[Figurat në faqen 19]

Disa nga «familja» e cirkut dhe babai me tubën e tij

[Figura në faqen 21]

Me gruan, Ednën, sot