Beteja e vazhdueshme me ujin
Beteja e vazhdueshme me ujin
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË HOLANDË
«Me një vërshim të furishëm, dy herë në ditë oqeani pushton një sipërfaqe toke të paanë, kështu që s’kuptohet mirë nëse kjo tokë i përket terës apo detit. Aty jeton një popull i ngratë, i shpërndarë nëpër kodra të larta, të krijuara prej tyre, për të kaluar nivelin më të lartë të ujërave që njohin.»
FJALËT e mësipërme ishin një përshkrim që, shkrimtari romak i shekullit të parë, Plini Plaku, i bëri betejës së banorëve të rajoneve të ulëta përgjatë Detit të Veriut me ujin. Kjo betejë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në fakt, nga më shumë se 16 milionë banorët e këtij rajoni, gati gjysma jetojnë dhe punojnë nën nivelin e detit.
Ndonëse kanë këtë betejë të vazhdueshme, banorët e Holandës, ose siç quhet ndryshe Vendet e Ulëta, nuk e konsiderojnë veten të ngratë. Vërtet, vendi i tyre mund të jetë i ulët dhe i vogël, * por është një ndër kombet më të pasura të botës. E çuditërisht, një pjesë të mirë të begatisë së saj, Holanda ia detyron ujit dhe betejës kundër tij.
Një arsye kryesore pse holandezët zgjodhën të qëndronin në këtë rajon është toka pjellore e tij. Ajo është shumë e përshtatshme për bujqësi, për pemëtari dhe për blegtori. Veç kësaj,
ngaqë lumenjtë kryesorë të Evropës kalojnë përmes këtij rajoni për t’u derdhur në det, vendndodhja e kombit është strategjike në kuptimin ekonomik. Ja pse Holanda, e cila ka edhe portin e Roterdamit, porti më i madh i botës, quhet porta për në Evropë.Ndërtohen vazhdimisht diga
Mirëpo, begatia nuk erdhi vetvetiu. Ka më shumë se 900 vjet që holandezët ndërtojnë pareshtur diga për t’u mbrojtur nga ujërat e lumenjve që rrjedhin në këtë vend dhe nga deti. Si pasojë, tani në Holandë ka me mijëra kilometra diga, që e mbrojnë nga uji i detit dhe i lumenjve, një arritje kjo vërtet mbresëlënëse.
Ka edhe kombe të tjera që kanë diga. Por, faktorë të tillë si lartësia mbi nivelin e detit bëjnë që në këtë vend digat të kenë rol të rëndësishëm. Kus Gryni, bashkautor i librit Dijken (Digat), tha: «Në qoftë se e gjithë popullsia e Zvicrës do të shkonte me pushime jashtë shtetit për një vit, kur të ktheheshin, tokën do ta kishin prapë aty. Por, po ta bënin këtë gjë holandezët, kur të ktheheshin, gjysmën e tokës dhe 75 për qind të shtëpive do t’i kishin nën ujë.» *
Sot, miliona holandezë, që jetojnë nën nivelin e detit, arrijnë të flenë të qetë e të shkelin në tokë të thatë vetëm falë betejës së vazhdueshme që bëhet me ujin. Të shohim bashkë sa shumë përpjekje duhen për t’i ruajtur bregdetet dhe dunat e këtij vendi.
Ruajtja e bregdeteve dhe e dunave
Gjatë mijëra viteve, është formuar një pengesë natyrore me bregdete dhe duna, që e ka mbrojtur këtë rajon nga deti. Por kjo pengesë dobësohet vazhdimisht nga erozioni. Për të zëvendësuar humbjen, përdoren anije të veçanta që gërmojnë rërë nga fundi i detit, rreth 9 deri 20 kilometra larg bregut, dhe e depozitojnë atë në breg ose pranë tij. Që nga viti 1970, për t’i ruajtur dunat nga erozioni, janë lëvizur në këtë mënyrë më shumë se 85 milionë metra kub rërë.
Po gjithsesi, ruajtja e dunave nuk u shërben vetëm njerëzve. Sipas gazetës holandeze NRC
Handelsblad thuhet: «Ndonëse dunat përbëjnë vetëm 1 për qind të sipërfaqes së Holandës, aty gjenden tre të katërtat e të gjitha llojeve të shpendëve që jetojnë në këtë vend dhe dy të tretat e gjithë bimëve të larta.»Ngushtohet fronti i mbrojtjes
Në vitin 1932 holandezët ndërtuan një digë rrethuese 32 kilometra të gjatë ose siç e quajnë ata, Afsluitdijk. Sa hap e mbyll sytë, kjo digë e shndërroi Detin e Jugut nga një det të brendshëm në liqen, që sot njihet si liqeni i Zojderit. Në të njëjtën kohë, e ngushtoi vijën bregdetare të vendit nga afro 1.900 kilometra që ishte, në pak më shumë se 1.300 kilometra.
Rreth 20 vjet më vonë, në vitin 1953, pasi një përmbytje shkaktoi një katastrofë të madhe dhe vrau 1.835 veta, ndërtuesit e digave ndërmorën një projekt edhe më të madh ndërtimi. Synimi i tyre ishte t’i mbyllnin të gjitha gjiret detare në pjesën jugperëndimore të vendit, përveç atyre që të çonin në portin e Roterdamit dhe të Anversës. Ky projekt, i quajtur Delta Plan, solli si pasojë ngushtimin e mëtejshëm të vijës bregdetare të vendit, në 622 kilometra.
Mbrojtje nga lumenjtë
Kërcënim nuk përbën vetëm uji i detit, por edhe ujërat e lumenjve që rrjedhin përmes Holandës para se të derdhen në det. Kur fillon të dalë dimri, pasi ka kaluar periudha e gjatë e shirave dhe nis të shkrijë bora nëpër male, vërshime të mëdha uji nga Zvicra, Gjermania, Franca dhe Belgjika vijnë në Holandë përmes këtyre lumenjve.
Sasi të tilla gjigante uji mund të shkaktojnë probleme të mëdha. Për shembull, në shkurtin e vitit 1995, lumenjtë që kalonin nga qendra e vendit u frynë kaq shumë, saqë të gjithë i zuri frika se mos digat do të çaheshin nga presioni. Po të ndodhte ndonjë çarje, uji do ta mbulonte tokën pas digave në një lartësi prej disa metrash. Kus Gryni, i përmendur më parë, thotë: «Pak veta e kuptojnë se ç’do të kishte ndodhur sikur digat e lumenjve të ishin çarë.»
Një «vaskë» pa çati
Ndryshe nga çdo shtet tjetër, Holanda njihet si vend me shumë toka të bonifikuara, pra «toka të reja» që janë nën nivelin e detit, prandaj ruhen me diga dhe prita mbrojtëse. Deri në fund të shekullit të 19-të, niveli i ujit në këto toka rregullohej nga mullinjtë e erës. Sot këtë punë e bëjnë stacionet e pompimit, të cilat kontrollohen me kompjuter. Peter Nouaku, i cili mbikëqyr një stacion pompimi pranë Amsterdamit, na shpjegoi se çfarë përfshin kjo punë.
Ai tha: «Një tokë të bonifikuar mund ta krahasosh me vaskën e banjës. Shpesh kjo tokë ndodhet disa metra nën nivelin e detit. Diga që e rrethon e mbron tokën nga përmbytjet. Por, diga nuk është çati, kështu që shirat e rëndë mund të bëjnë që zona brenda saj, ose vaska, të mbushet me ujë. Për të parandaluar problemet e mëdha, uji duhet pompuar jashtë me forcë. Por, ku ta çojmë ujin?»
Një tokë e bonifikuar përbëhet nga shumë kanale që kullojnë ujin, duke e drejtuar në stacionin e pompimit. Që këto kanale të mos mbyllen, çdo bujk duhet të pastrojë kanalet që ndodhen në pronën e tij. Më pas, stacioni i pompimit e derdh ujin e tepërt nga këto toka nëpër buzeme, një sistem i efektshëm me ujëmbledhës dhe kanale, që shërbejnë si rezervuare jashtë tokës së bonifikuar. Uji i tepërt nga buzemet shkarkohet në det gjatë zbaticës.
Peter Nouaku tha më tej: «Mbajtja e nivelit të duhur të ujit në këto toka është thelbësore për ekonominë holandeze. Kur vera është e nxehtë, uji lëshohet në ara, sepse u duhet bujqve për të rritur drithërat. Në disa nga këto toka të bonifikuara rritet produkti më i famshëm për eksport i vendit tonë: lulet.»
Të jetosh aty ku një herë ishte det
Në shekullin e 20-të, këto toka të bonifikuara nuk u panë më vetëm si toka bujqësore, por edhe si hapësirë shtesë për banim. Rreth gjysmë shekulli më parë, punonjësit e urbanistikës, s’kishin shumë përvojë në organizimin e qyteteve të reja, kur vendosën të projektonin disa në këto toka. Kurse sot, po të bësh një vizitë në këto toka të bonifikuara, do të shohësh se këta punonjës ia dolën mbanë të ndërtonin qytete ku mund të jetohet, ndonëse më parë ajo tokë kishte qenë fund deti! Pse s’vjen ta shohësh me sytë e tu këtë?
Mos the se të frikëson ideja që të ecësh nën nivelin e detit? Kjo është e kuptueshme, por shumë veta janë habitur kur kanë mësuar se tashmë e kishin bërë këtë pa e ditur. Për shembull, në qoftë se ke udhëtuar ndonjëherë me avion dhe ke ndaluar në aeroportin Skipol, pranë Amsterdamit, avioni yt është ulur në pistën që më parë ka qenë fundi i një liqeni. Fakti që as e vure re se ishe rreth 4 metra nën nivelin e detit, tregon se digat e Holandës janë ende në gjendje shumë të mirë!
[Shënimet]
^ par. 5 Holanda zë një sipërfaqe prej 41.500 kilometrash katrorë.
^ par. 9 Në Holandë, dy të pestat e vendit përbëhen nga toka të bonifikuara, që gjenden nën nivelin e detit. Këto toka të bonifikuara mund të përmbyteshin prapë nga uji, nëse digat nuk do të mirëmbaheshin vazhdimisht. Vendet malore, si Zvicra, gjenden mbi nivelin e detit, prandaj nuk hasin të njëjtin kërcënim.
[Kutia dhe figurat në faqen 18]
Mblidhen NËN NIVELIN E DETIT
Njëra nga dy Sallat e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Holandë gjendet 5 metra nën nivelin e detit. Një Dëshmitar i Jehovait tha: «Rrugës për të shkuar në asambletë që mbajmë çdo gjashtë muaj, shpesh na vijnë ndër mend fjalët që tha Perëndia te Jobi 38:8 dhe 11: ‘Kush e mbylli me porta detin dhe i tha: “Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!”’ Këto fjalë na kujtojnë se mënyra si e kontrollon Jehovai forcën e pabesueshme të ujit është shumë më e mrekullueshme se veprat e inxhinierëve hidraulikë, sado mbresëlënëse të jenë këto vepra.»
[Kutia në faqen 19]
Kush kujdeset për DIGAT?
Digat dhe sistemet e kullimit duhen mirëmbajtur dhe riparuar herë pas here. Që nga kohët e mesjetës e më tej, për këtë përgjegjësi janë kujdesur autoritetet lokale dhe rajonale hidrologjike, të quajtur ‘ekipet e mbrojtjes nga uji’. Këto ekipe u bazuan në një parim të trefishtë: interes, pagesë dhe e drejtë fjale. Kush ka interes që digat të jenë të sigurta duhet të paguajë për mirëmbajtjen dhe riparimin e tyre. Por gjithashtu, ka të drejtën e fjalës kur merren vendime lidhur me mirëmbajtjen e digave dhe me mënyrën se si shpenzohen paratë e grumbulluara për to.
Këto lloj ekipesh kanë funksionuar në Holandë që nga shekulli i 12-të. Sot ekzistojnë më shumë se 30 ekipe të tilla. Të drejtën për t’i ngritur, për t’i shpërndarë dhe për t’i organizuar këto ekipe e kanë autoritetet zyrtare të provincave. U takon atyre të përcaktojnë përmasat dhe përbërjen e «ushtrisë së digës». Pjesëtarët e kësaj ‘ushtrie’ jetojnë në zonën që duhet të mbrojnë. Motivi që i shtyn ta bëjnë mirë punën është më se i fortë: duhet të kujdesen dhe të mbrojnë familjet e tyre dhe fqinjët. Kur ngrihet niveli i ujit, ata patrullojnë te diga, gati për të hyrë në veprim me thasë rëre dhe me pajisje të tjera, në mënyrë që të parandalojnë çarjet e digës. Ky sistem i lashtë i ekipeve të mbrojtjes nga uji siguron mirëmbajtjen e digave.
[Hartat në faqen 16]
(Shiko botimin)
Pa dunat dhe pa digat, zona me ngjyrë të kaltër do të ishte e përmbytur shumicën e kohës
[Figura në faqet 16, 17]
U ndërtuan diga gjigante në kufi me detin, për të mbrojtur tokën e ulët që ndodhej pas digave
[Figura në faqen 17]
Çdo vit, duhen zhvendosur miliona metra kub rërë
[Figura në faqen 18]
S’është e pazakontë që makinat të udhëtojnë në një nivel më të ulët se anijet
[Figura në faqen 18]
Katastrofa e digave në vitin 1953
[Burimi i figurave në faqen 17]
Të dyja fotografitë: Met vriendelijke toestemming van het Nederlandse Ministerie van Verkeer en Waterstaat
[Burimi i figurave në faqen 18]
Dy fotografitë sipër: Met vriendelijke toestemming van het Nederlandse Ministerie van Verkeer en Waterstaat