Pse janë në rrezik?
Pse janë në rrezik?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË INDI
TIGRAT magjepsës të Bengalit, qentë e egër, krillat sarus, breshkat e lashta dhe elefantët aziatikë: këto janë vetëm disa nga llojet që rrezikojnë të zhduken në Indi. Mendoni pak për gjitarët më të mëdhenj që jetojnë në tokë të thatë, elefantët.
Dhëmbët e fildishtë të elefantëve janë shumë të kërkuar. Japonia është ndër vendet që e përdorin më tepër fildishin, dhe po kaq shumë kërkohet ky material në Kinë, ku shkopinjtë prej fildishi që përdoren për të ngrënë ushqimin, janë mjaft të përhapur. Ç’pasoja ka pasur për elefantin aziatik kërkesa për fildish?
Para ca kohësh, The Times of India shpjegonte: «Në ndryshim nga elefantët afrikanë, tek elefantët aziatikë vetëm meshkujt kanë dhëmbë dhe, mes këtyre, vetëm disa, jo të gjithë. Ja përse elefantët e rritur që kanë dhëmbë, janë shënjestra kryesore. Sipas shifrave zyrtare, rreth njëqind [meshkuj] vriten çdo vit në Indi, duke bërë që të prishet raporti meshkuj-femra.» Këto vrasje kanë vënë në rrezik vetë ekzistencën e këtij lloji.
Vetëm për një copë bri
Mendoni edhe për rinoqerontët, gjitarët e dytë për nga madhësia, që jetojnë në tokë të thatë. India dhe Nepali janë zonat e vetme ku rinoqerontët me një bri janë nën mbrojtje.
Megjithatë, Rezervati Natyror i Pobitarës, në verilindje të shtetit indian të Asamit, është vetëm 38 kilometra katrorë, një zonë relativisht e vogël për të mbajtur rinoqerontët. Prandaj kafshët sorollaten nëpër tokat bujqësore aty afër, ku mund të qëllohen ose të helmohen prej kujtdo.Njeriu ka gjetur një mënyrë dinake për të vrarë një rinoqeront. Sipër Rezervatit Natyror të Pobitarës kalojnë dy kabllo të tensionit të lartë. Kundravajtësit futin një tel në këto kabllo, me anë të një huri të gjatë bambuje, dhe teli varet poshtë, në afërsi të tokës. Studiuesi i faunës, Vivek Menoni, shpjegon çfarë ndodhi kur një rinoqeront preku telin: «Ndërsa ngarkesa e madhe e rrymës elektrike u shkarkua në trupin e tij, ai gulçoi dy herë dhe u shemb përdhe me një shpejtësi të habitshme. . . . Kafsha vigane u shtri në njërën anë e ngordhi brenda një sekonde.»
Të vjen keq kur mendon që gjithë ajo kafshë gjigante vritet vetëm për një copë bri, që s’peshon veçse ca gramë! Vlera që ka në treg ky bri—një masë kompakte keratine, shumë e ngjashme me thonjtë e njerëzve—e ka vënë rinoqerontin në rrezik të madh.
Vetëm se duan shalle shatush
Nga antilopa e Tibetit, ose si njihet ndryshe kiru, merret një lloj leshi që quhet shatush. Është kaq i hollë sa një shall i bërë me të, mund të kalohet përmes unazës së gishtit tregues. Një shall i tillë mund të kushtojë 13.500 euro, pra ndër më të shtrenjtët në tërë botën. Por çfarë ndodh me antilopën që ka këtë lloj leshi?
«Një shall shatush do të thotë t’u marrësh jetën të paktën pesë antilopave»,—thotë The Indian Express. Raportohet se çdo vit vriten pa leje nga gjuetarët afro 20.000 antilopa të rrafshnaltës së Tibetit. Kjo ndodh edhe pse, siç pretendohet, kafsha mbrohet nga disa ligje për llojet që rrezikojnë të zhduken. Për më tepër, në vitin 1979 u ndalua tregtimi i leshit shatush. Prapëseprapë, që nga ai vit e më pas, numri i këtyre antilopave është pakësuar.
Për lëkurën dhe kockat
Në Indi janë në rrezik edhe tigrat e kafshët e tjera të egra nga familja e maceve. Mendohet se në vende të tjera, disa nënlloje tigrash, si për shembull tigri i Kaspikut, tigri i Javës dhe tigri i Balit, janë zhdukur tashmë. Në fillim të shekullit të 20-të, rreth 40.000 tigra endeshin nëpër pyjet e Indisë. Gjatë viteve, numri i tyre ka rënë fare. Kjo sepse habitati i tyre ka ardhur duke u shkatërruar dhe sepse i kanë gjuajtur për lëkurën e për disa kocka që kanë veti kuruese, sipas mjekësisë kineze.
Si ndikon te tigrat mospasja e një habitati të përshtatshëm? Libri Sekreti i jetës së tigrave (anglisht) thotë: «Popullatat e tigrave mund të rriten vetëm kur të rritet sipërfaqja e pyjeve ku banojnë ata. Meqë kjo nuk ndodh, tigrat e pengojnë rritjen e popullatës së tyre duke u kacafytur për vdekje me njëri-tjetrin për ushqimin dhe territorin.»
Po si ia kalojnë në trojet indiane kafshët e tjera nga familja e maceve? Në një kopsht zoologjik në Junagadh, në Gujarat, një vizitor pa një kafaz bosh. Tabela jashtë kafazit kishte një fotografi me një gatopard aziatik dhe një mesazh të shkruar në gjuhën gujarate, ku thuhej: «Gatopardi u zhduk në Indi në vitet 50 të shekullit të 20-të.»
Ç’premton e ardhmja?
Në Indi, e ardhmja e këtyre krijesave që rrezikojnë të zhduken, nuk duket premtuese. Ka fakte të bollshme se njerëzit me egoizmin e tyre e kanë shkatërruar tokën, e këtu futet edhe shkatërrimi i një pjese të mirë të faunës së saj magjepsëse. Ç’do të ndodhë? Fjalët e besueshme të Perëndisë, që janë regjistruar në Bibël, tregojnë se është e afërt koha kur do të përmbushet profecia e mëposhtme: «Kombet u zemëruan dhe erdhi zemërimi yt [i Perëndisë] dhe koha e caktuar që . . . të shkatërrosh ata që shkatërrojnë tokën.»—Zbulesa 11:18.
Cili do të jetë rezultati kur toka të pastrohet nga të gjithë ata që e kanë shkatërruar atë dhe faunën e saj fantastike? Do të jetë vërtet një kohë e mrekullueshme! Njerëzit nuk do të vënë më në rrezik asnjë lloj kafshe. Kjo do të ndodhë nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, për të cilën Jezui i mësoi njerëzit që të luteshin.—Isaia 11:6-9; Mateu 6:10.
[Figurat në faqen 26]
Disa nga kafshët e rrezikuara të Indisë
Krilla sarus
Tigri i Bengalit
Elefanti aziatik
Rinoqeronti me një bri
Antilopa e Tibetit
[Burimet]
Krilla: Me mirësjelljen e Zoo de la Casa de Campo, Madrid; antilopa: © Xi Zhi Nong/naturepl.com