Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Isha udhëheqësi fetar i fisit kikapu

Isha udhëheqësi fetar i fisit kikapu

Isha udhëheqësi fetar i fisit kikapu

TREGUAR NGA BOBI LI UAIT PLAKU

Linda në vitin 1935 në një kasolle të vogël të mbuluar me rrogoz prej lëvoreje druri dhe prej kallamash xunkthi e indigjenëve amerikanë, në qytetin Meklaud, Oklahoma, SHBA. Emri im indian si kikapo * është Pei-MI-Ton-Uah, që do të thotë: «Ujë që rrjedh.» Edhe pse fëmijë, më mësuan të jetoja sipas riteve fetare indiane. Si ndodhi kjo?

PËR shumë vjet gjyshi nga nëna, ashtu si i ati, ishte udhëheqësi fetar i kikapuve, banorë indigjenë të Amerikës në Oklahoma, në të cilin bënte pjesë klani Uji. Kur ai vdiq, meqë nuk la asnjë trashëgimtar, 12 udhëheqësit e klaneve ose pleqtë, vendosën që djali më i madh i vajzës së parë të udhëheqësit fetar që vdiq, të zinte vendin e tij. Unë isha ai djalë.

Ja si u bëra udhëheqës fetar

Normalisht një udhëheqës i ri nuk e merr përsipër këtë detyrë derisa të mbushë 30 vjeç dhe pasi të ketë kaluar një periudhë agjërimi, gjatë së cilës sheh vegime ose në njëfarë mënyre ndriçohet për të kryer të gjitha detyrat që kanë lidhje me këtë titull. Që kur isha fëmijë, mësova gjithçka që kishte të bënte me fenë tradicionale të fisit kikapu. Trashëgova veshjet fetare dhe MI-shonin ose pakon e shenjtë. E quajtur disa herë edhe pakoja me fuqi shëruese, ajo përmban një sërë artikujsh fetarë të mbështjellë me lëkurë kafshësh. Kjo pako rreth 60 centimetra e gjatë, ngjan me formën e topit që përdoret në regbi, futbolli amerikan. Kaloja shumë kohë në ndarjen më të shenjtë të çadrës që shërbente si vend i shenjtë, ku dëgjoja për vegimet që kishin parë udhëheqësit e fisit. Kështu pra, që fëmijë u bëra udhëheqësi i ri fetar i fisit kikapu.

Të gjitha këto hollësi ruheshin të gjalla në mendjen time. Meqenëse asnjë prej këtyre të fshehtave nuk ishin të shkruara diku, traditat fetare të shumë brezave tani më ishin besuar vetëm mua. Nëse do t’i isha bindur kërkesës së udhëheqësve të klaneve në atë kohë, do të kisha qëndruar atje deri sot e kësaj dite, duke kryer çdo detyrë fetare që më ishte caktuar.

Mirëpo u largova për të ndjekur shkollën në Kansas. Kjo i shqetësoi pleqtë, sepse kishin frikë se do të më humbnin për shkak të «botës së njeriut të bardhë». Pas shkollës, shkova në Los Anxhelos, Kaliforni, ku u bashkova me Dianën, e cila më kishte pëlqyer që në fëmijëri. Emri i saj indian është Tu-NO-Thak-Kuah ose Arusha Rrotulluese, e klanit të Ariut. Nënat dhe gjyshërit tanë kishin qenë miq të vjetër. U martuam në shtator të vitit 1956. Edhe Diana ishte rritur në një mjedis fetar. Gjyshi i saj ishte i pari që futi fenë pijote në fisin kikapu.​—Shih kutinë në faqen 22.

Feja pijote

Feja pijote gjendet sot në shumë fise indiane. Kuana Parker (rreth 1845-1911), një udhëheqës fetar dhe kreu i grupit Komançi Kuahadi, «kishte ndikuar në zhvillimin dhe përhapjen e fesë pijote në territorin indian». (The Encyclopedia of Native American Religions) Duke i shpallur me entuziazëm vetitë halucinante dhe fuqitë shëruese të supozuara të kaktusit pijot, ai arriti të kthente shumë fise indiane të Amerikës së Veriut në fenë pijote. Kështu pra, në gjirin e kikapuve, si dhe në fiset e tjera, feja tradicionale dhe pijotizmi ekzistuan njëkohësisht.

I joshur nga Hollivudi

Kur isha në Los Anxhelos mora pjesë aktivisht në klubet dhe shoqatat shoqërore indiane, duke u bërë presidenti i disave prej tyre. Midis tyre ishin Klubi i Daulleve dhe i Puplave, Shoqëria Indiane e Bulingut dhe Shoqëria Kombëtare Indiane e Atletikës. Isha edhe në bordin drejtues të Qendrës Indiane në Los Anxhelos.

U njoha me të famshmit e Hollivudit. Ndër këta ishin Ajrën-Ajs Kodi, mjaft i njohur në departamentin publik të lajmeve për ekologjinë dhe Xhei Silvërhillsi, i cili luajti rolin e indianit të quajtur Tonto në serialin televiziv The Lone Ranger. Filmat më të shquar ku mora pjesë ishin Westward Ho!, Wagons! me protagonist kryesor Fes Parkërin dhe në filmin Pardners, me aktorët e famshëm Din Martin dhe Xherri Luis.

Bashkë me Dianën punuam për pak kohë në Disneyland. Interpretoja në një skeç të shkurtër prej dhjetë minutash çdo një orë gjatë gjithë ditës. Diana thotë duke buzëqeshur: «Gjithçka që duhet të bëja ishte të vishesha dhe të vërtitesha përmes turmës gjithë ditën ‘duke luajtur’ rolin e një indianeje.»

Një pikëpamje e re fetare

Në vitin 1962, Dianën e kontaktoi një Dëshmitare e Jehovait, e cila i la një broshurë të vogël. Dëshmitarja vazhdoi të kthehej përsëri, por Diana nxirrte gjithmonë nga një pretekst. Kur Dëshmitarja e pyeti nëse ajo nuk donte që të rikthehej më, Diana mendoi me vete: «Ah, sa mirë do të ishte!» Por duke dashur të tregohej e sjellshme, ajo tha: «Oh, jo, jo! S’ka problem!» Kështu që motra vazhdoi ta vizitonte. Diana gjithmonë më tregonte se çfarë kishte mësuar. Kur ndonjëherë harronte ta përmendte, unë e pyesja: «A erdhi ajo Dëshmitarja e Jehovait? Çfarë tha?»

Në një rast Dëshmitarja e ftoi Dianën për të dëgjuar një fjalim special që do të mbahej nga Dëshmitarët e Jehovait në një sallë publike të Los Anxhelosit. Ajo u tregua e gatshme për t’u kujdesur për të katër fëmijët tanë, që ne të shkonim të dëgjonim fjalimin. Duke menduar se unë nuk do të shkoja kurrë, Diana nuk ma përmendi fare. Por ngaqë Dëshmitarja e inkurajonte vazhdimisht, ajo foli me mua. Sa u habit kur i thashë: «Do të thuash që ajo do të rrijë këtu, do të kujdeset dhe do t’i ushqejë fëmijët? Kjo grua e bardhë?»

Kështu që shkuam në mbledhjen tonë të parë në vitin 1969. Nuk arrita të kuptoja gjithçka që u tha atje. Sidoqoftë, ajo që vërtet më bëri përshtypje ishte mënyra e organizimit, se si 20.000 vetave mund t’u shërbehej dreka në një kohë shumë të shkurtër në lokalet e ngritura nga vullnetarët. Gjithashtu vura re se nuk kishte paragjykime raciale​—njerëz të bardhë e të zinj që thërritnin njëri-tjetrin vëlla dhe motër.

Në gusht të vitit 1969, fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët, duke përdorur librin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. * E pranoj se, kur vendosa të studioja Biblën, kisha motive të gabuara. Isha anëtar i disa organizatave indiane dhe kujtoja se mund të bëja një karrierë politike në të ardhmen. Mendoja se duhej ta njihja Biblën pasi dukej se politikanët e njihnin dhe citonin prej saj. Tani e kuptoj se sa pak e njihnin Fjalën e Perëndisë shumica prej tyre.

Një ndryshim i madh në jetën time

Kur fillova të studioja Biblën, gjërat ndryshuan shumë shpejt. Hoqa dorë prej të gjitha klubeve dhe shoqatave ku bëja pjesë. E dija se më duhej të shkëputja edhe lidhjet me fenë e mëparshme tradicionale të banorëve indigjenë të Amerikës. Mbaj mend kur u ula të shkruaja letrën e dorëheqjes. Vendosa datën në krye të faqes dhe shkrova: «I dashur», por pastaj bëra një pauzë të gjatë, duke u përpjekur të përcaktoja kujt duhej t’i shkruaja. Më në fund e kuptova se letra duhej t’i drejtohej udhëheqësit fetar tradicional​—pra, mua! Shpejt i dhashë zgjidhje kësaj mëdyshjeje duke shkruar: «E dashur nënë.» Pastaj i shkrova nënës se nuk do të praktikoja më atë fe dhe as do të shërbeja si udhëheqës fetar.

Bashkë me gruan u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait më 3 janar 1970. Në vitin 1973 u emërova plak kongregacioni. E pra, imagjinoni, nga një udhëheqës fetar kikapu që isha dikur, tani po merrja drejtimin në kongregacionin tonë në adhurimin e vërtetë të Jehovait, Sovranit Universal. Në korrik të vitit 1974 u kthyem në Meklaud, Oklahoma, për të ndihmuar indigjenët amerikanë që të mësonin shpresën e vërtetë për të gjithë njerëzimin, e cila gjendet në Fjalën e Perëndisë, në Bibël.

Ashtu si fiset e tjera, edhe kikaputë përdornin duhan në adhurimin e tyre. Por është interesante se ata nuk e pinin. Ata e shpërndanin duhanin në zjarr si një temjan, duke besuar se lutjet e tyre do të shkonin lart në qiell me anë të tymit të krijuar. Udhëheqësit më të vjetër të kikapuve mendonin se të pije duhan ishte mëkat dhe se të përdorje llullën për të tymosur ishte një fyerje, kjo sepse përdorimi i saj e ka origjinën nga evropianët.

Më kanë pyetur nëse kam ndonjë fotografi me rrobat e shenjta që mbaja më parë. Faktikisht, sipas traditës nuk lejohej asnjëherë të bëheshin fotografi, nga frika se mos praktikuesit e magjisë mund të bënin diçka me këto fotografi. Gjatë gjithë atyre viteve, sa herë që prisja flokët gjithmonë i digjnin dhe nuk lejonin askënd t’i merrte që të mos përdoreshin për magji, një çështje që shihej me shumë seriozitet nga indianët.

Pasi u shkëputa plotësisht nga feja kikapu, udhëheqësit e klaneve morën përsipër të gjitha detyrat që kishin lidhje me udhëheqjen fetare të fisit. Kur 12 pleqtë që më kishin zgjedhur si udhëheqës vdiqën, udhëheqësit e rinj të klaneve dalëngadalë nisën t’i bënin ndryshime fesë. Tani vetëm njëri nga udhëheqësit jeton akoma dhe është shumë plak. Nuk kam fare ndër mend t’ua transmetoj të tjerëve çfarë mësova kur isha fëmijë.

Tani përpiqem për t’ua mësuar Fjalën e Perëndisë njerëzve të të gjitha kombeve dhe fiseve. Në shërbimin e plotkohor si pionier, kam pasur privilegjin t’ua mësoj Biblën indianëve në shumë rezervate indiane anembanë Shteteve të Bashkuara. Kam vizituar midis të tjerave, fisin osaji në Oklahoma si dhe fisin mohavi, hopi e navajo në Arizona. Mes indigjenëve të Amerikës ekziston një shprehje shumë e vjetër që e përdornin të parët tanë për t’iu referuar shpresës për jetën pas vdekjes. Ata mendonin se pas vdekjes shpirtrat e gjuetarëve dhe të luftëtarëve shkojnë në një vend ku mund të gjuajnë dhe të jenë përgjithmonë të lumtur. Jam i kënaqur kur u tregoj këtyre njerëzve se kjo shprehje e drejton vëmendjen te toka. Kështu që, të parët tanë mezi prisnin të jetonin në tokë e jo në qiell. Me padurim pres ringjalljen e shumë indianëve të brezave të kaluar që të kem mundësinë t’u mësoj atyre rreth botës së re të Perëndisë.​—Gjoni 5:28, 29; 2 Pjetrit 3:13.

[Shënimet]

^ par. 3 Emri kikapu vjen nga fjala kiikaapoa, që do të thotë: «Njerëz që enden.»​—Encyclopedia of North American Indians.

^ par. 19 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

[Kutia dhe figura në faqen 22]

Çfarë është feja pijote?

Feja pijote tani është e njohur si Kisha Indigjene Amerikane. Pijota është një kaktus i vogël pa gjemba (shih djathtas) që gjendet kryesisht në luginën Rio Grande në Meksikë dhe në Teksas. Feja pijote ka më shumë se 200.000 anëtarë në fiset veriore të Amerikës. «Sot pijotizmi, që fillimet e saj në Meksikën e lashtë, ndërthur elemente të krishterimit, por prapëseprapë mbetet një çështje mbarëindiane.» (A Native American Encyclopedia​—History, Culture, and Peoples) Dy ceremonitë kryesore në fenë pijote janë Gjysmëhëna dhe Hëna e Plotë. Të dyja ndërthurin «aspekte të kulturës indiane dhe të krishterimit». Ceremonia pijote zgjat gjithë natën. Zakonisht fillon të shtunën, kur një grup burrash ulen në formë rrethi në një tipi ose çadër karakteristike indiane. Ata përjetojnë halucinacione kur hanë zhardhokët e hidhur të kaktusit pijot dhe këndojnë këngë të shenjta nën goditjet e një tamburi dhe nën trokëllimën e një kungulli uji.

[Burimi]

Me mirësjelljen e TAMU Cactus Photo Gallery

[Figura në faqen 21]

I veshur si një luftëtar kikapu

[Figura në faqen 23]

Me Dianën sot