Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Grackat që fshihen pas përpjekjeve për të arritur bukurinë

Grackat që fshihen pas përpjekjeve për të arritur bukurinë

Grackat që fshihen pas përpjekjeve për të arritur bukurinë

KU BAZOHEMI për të thënë se diçka është me të vërtetë e bukur? Disa mendojnë se bukuria është punë shijesh. Po, në përgjithësi bukuria është diçka subjektive. Për më tepër, koncepti i përhapur se çfarë mund të quhet vërtet e bukur ka ndryshuar shumë nga kultura në kulturë dhe nga koha në kohë.

Xhefri Sobali, i cili është asistent profesor në shkencën që merret me të ushqyerit dhe që punon në universitetin «Kornel» në SHBA, thotë: «Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, pothuajse në të gjitha kulturat, trupi i shëndoshë tregonte që vije nga një rang i lartë. Barku i madh shihej si shenjë begatie dhe shëndeti, kurse një trup kockë e lëkurë do të thoshte se ai njeri ishte tepër i varfër dhe nuk kishte para as për t’u ngopur me bukë.» Veprat e shumë artistëve të asaj kohe e pasqyronin këtë koncept, pasi modelet e tyre, shumica femra, kishin krahë, këmbë, kurriz dhe ije të bëshme. Shumë prej këtyre veprave artistike ishin portrete të njerëzve realë që mbaheshin si mishërim i bukurisë.

Ai koncept është ende i dukshëm sot, ndonëse bukuria përfshin më shumë sesa të jesh i shëndoshë apo i dobët. Edhe sot në disa kultura në ishujt e Paqësorit Jugor, trupi i shëndoshë pëlqehet shumë. Në disa vende të Afrikës, vajzat që bëhen gati për martesë, dërgohen në «qendrat e majmërisë», vende ku u japin të hanë ushqime me vlera dhe në sasi të mëdha, me mendimin se do të bëhen më tërheqëse. Pronari i një klubi nate në Nigeri, thotë: «Një grua e zakonshme në Afrikë është trupmbushur . . . Këtu qëndron bukuria e saj. Kështu e ka kultura jonë.» Edhe në shumë vende spanjishtfolëse trupi i bëshëm vlerësohet si shenjë e bollëkut dhe e suksesit.

Por në shumë vende të tjera ndodh e kundërta. Pse? Disa thonë se meqë tregtia u zgjerua dhe industrializimi bëri që të kishte më shumë ushqim e të furnizoheshin më shumë vende, klasat «e ulëta» mund të hanin gjëra që më parë kishin qenë privilegj i të pasurve. Prandaj, dalëngadalë admirimi për trupin e bëshëm u venit. Nga ana tjetër, disa besime fetare e lidhin mbipeshën me grykësinë, dhe kjo ka bërë që trupi i shëndoshë të mos shihet me sy të mirë. Gjithashtu kanë ndikuar edhe zbulimet shkencore që kanë treguar rreziqet shëndetësore të dhjamosjes. Këta faktorë dhe të tjerë kanë luajtur rol në ndryshimin e konceptit se çfarë mund të quhet vërtet e bukur, dhe tashmë prej disa dhjetëvjeçarësh në një pjesë të madhe të botës trupi i dobët mbahet si trupi ideal.

Media ka luajtur një rol të rëndësishëm që kjo pikëpamje të përforcohet edhe më tej. Njerëzit që dalin në posterat e reklamave dhe në televizor, zakonisht kanë trupa të hollë dhe sportivë. Pamja e tyre ka si qëllim të përcjellë ndjenjën e sigurisë dhe të suksesit. Të njëjtën gjë bëjnë edhe me yjet e kinemasë e të ekranit.

Si ndikon e gjithë kjo te njerëzit e thjeshtë, përfshirë edhe të rinjtë? Një artikull i kohëve të fundit, ku flitej për mendimin që krijojnë njerëzit për trupin e tyre, tregonte që «para se një vajzë amerikane të marrë diplomën e shkollës së mesme, do të ketë parë televizor më shumë se 22.000 orë». Një pjesë të mirë të kësaj kohe ajo bombardohet me pamje të grave tërheqëse që kanë trupa «të përsosur». Artikulli shton: «Duke i parë vazhdimisht këto pamje, gratë përvetësojnë mendimin se trupi ideal të sjell prestigjin, lumturinë, dashurinë dhe suksesin.» Prandaj nuk është për t’u habitur që, pasi panë fotografitë e modeleve në një revistë, 47 për qind e vajzave të anketuara mendonin se duhej të binin patjetër në peshë, ndërkohë që vetëm 29 për qind e këtyre ishin vërtet mbipeshë.

Edhe industria e modës ka një ndikim të fortë në konceptin e njerëzve për bukurinë. Xheniferi, një modele nga Venezuela, e cila punon në Meksiko, thotë: «Puna si modele është të dukesh bukur, dhe sot kjo do të thotë të jesh e dobët.» Një modele franceze e quajtur Vanesa thotë: «Nuk janë të tjerët që të kërkojnë të jesh e dobët, por je ti që e kërkon këtë nga vetja. Është një prirje mbarëbotërore.» Në një anketë me vajza, 69 për qind pranuan se fotomodelet e revistave ndikonin në konceptin që kishin ato për një trup të bukur.

Por i ashtuquajturi «fizik i përsosur» nuk ka bërë për vete vetëm gratë. Gazeta meksikane El Universal thotë: «Kurrë më parë në treg nuk ka pasur kaq shumë produkte për estetikën e meshkujve.»

Përpjekjet për «pamjen ideale»: A sjellin rezultate ideale?

Për të arritur «pamjen ideale» ose thjesht që të duken sa më mirë, shumë njerëz bëjnë operacione plastike. Këto operacione po bëhen gjithnjë e më të lira e më të shumëllojshme. Si lindën operacionet plastike?

Sipas Encyclopædia Britannica, metodat moderne të operacioneve plastike filluan të përdoreshin pas Luftës I Botërore, kur mjekët përpiqeshin të ndreqnin shfytyrimet e shkaktuara nga plagët e luftës. Që nga ajo kohë këto metoda kanë shërbyer si mjete të rëndësishme për të ndrequr dëmet e rënda fizike të shkaktuara nga djegiet, dëmtimet fizike ose defektet e lindura. Megjithatë, siç pranon Britannica, shpesh operacionet plastike «bëhen vetëm për të përmirësuar pamjen e njerëzve që janë të shëndetshëm». Për shembull, mund të ndryshohet forma e hundës, mund të hiqen rrudhat e faqeve dhe të qafës, mund të zvogëlohet madhësia e veshëve, mund të hiqet dhjami nga barku dhe nga ijët, mund të rritet madhësia e disa pjesëve të trupit, madje edhe kërthizës mund t’i jepet një pamje më «tërheqëse».

Gjithsesi, ç’të themi për ata njerëz të shëndetshëm të cilët rrezikojnë ngaqë duan të duken më të bukur? Çfarë rreziqesh mund të hasin ata? Angel Papadopulosi, sekretar i Shoqërisë Meksikane për Kirurgjinë Plastike, Estetike dhe Rimodeluese thotë se ndonjëherë këto lloj operacionesh i bëjnë njerëz që nuk janë të kualifikuar, dhe kjo u sjell shumë pasoja pacientëve. Ka klinika që gjatë trajtimeve për t’u përmirësuar pamjen pacientëve, përdorin lëndë të rrezikshme. Në fillim të vitit 2003, një gazetë tha se kushtet johigjienike në sallonet e bukurisë ndezën një skandal në ishujt Kanarie, ku qindra gra ishin operuar në kushte të rrezikshme për shëndetin. *

Edhe burrat mund të rendin pas «pamjes ideale». Disa kalojnë shumë orë në palestër, duke e shfrytëzuar pothuajse të gjithë kohën e lirë që të kenë një trup të bukur dhe muskulaturë të zhvilluar. «Si përfundim,​—thotë revista Milenio,​—dëshira e fortë për fizkulturë bën që të lënë pas dore veprimtaritë dhe marrëdhëniet shoqërore.» Madje dëshira e zjarrtë për një trup muskuloz i shtyn disa të përdorin lëndë që mund ta dëmtojnë trupin, siç janë steroidet.

Fiksimi për pamjen e jashtme ka bërë që disa të reja të vuajnë nga çrregullimet në të ngrënë, siç janë bulimia dhe anoreksia nervore. Disa përdorin produkte për t’u dobësuar. Ata që i nxjerrin këto produkte premtojnë se vetëm në pak kohë mund të arrihen rezultate të jashtëzakonshme, por këto produkte nuk janë të miratuara nga institucione shëndetësore të besueshme. Përdorimi i produkteve të tilla mund të sjellë dëmtime serioze.

Rreziqet që burojnë nga fiksimi për pamjen e jashtme nuk janë vetëm fizike. Dr. Katrina Filipsi, e cila punon në universitetin «Braun» në SHBA, thotë se njerëzve që shqetësohen së tepërmi për paraqitjen e jashtme, me kalimin e kohës mund t’u fillojë një sëmundje psikologjike e quajtur çrregullimi dismorfik i trupit. Në këtë rast të sëmurët janë të fiksuar pas defekteve imagjinare të pamjes së tyre. Ky çrregullim mund të prekë 1 në 50 veta. Dr. Filipsi thotë se ata që vuajnë nga ky çrregullim «mund të jenë kaq të bindur se janë të shëmtuar, saqë veçohen nga miqtë dhe të afërmit. Ata mund të bien në depresion dhe mund t’u lindë mendimi për vetëvrasje». Filipsi përmend rastin e një vajze të bukur që kishte një problem të vogël me aknet, megjithatë ishte e bindur se fytyra e saj ishte plot vraga. Meqë nuk donte të dilte para njerëzve, ajo e la shkollën kur ishte në klasën e tetë.

A është kaq e rëndësishme pamja e jashtme, saqë për të arritur «pamjen ideale» të sakrifikohet shëndeti mendor dhe fizik? A ka ndonjë lloj më të rëndësishëm bukurie për të cilën njeriu duhet të përpiqet?

[Shënimi]

^ par. 13 Për të krishterët është një vendim personal nëse do të bëjnë apo jo ndonjë operacion plastik. Sidoqoftë, duhen marrë parasysh disa faktorë tepër të rëndësishëm. Për një shqyrtim më të hollësishëm shihni Zgjohuni! të shtatorit 2002, faqet 18-20.

[Diçitura në faqen 5]

69 për qind e vajzave ndikohen nga fotomodelet e revistave për sa i përket konceptit që kanë për trupin e bukur

[Figura në faqen 4]

Reklamat ushtrojnë një ndikim të fuqishëm në konceptin që kanë njerëzit për bukurinë fizike

[Figura në faqen 6]

Disa e kanë dëmtuar veten me operacionet e shumta plastike

[Figurat në faqen 7]

Disa njerëz mundohen shumë për të arritur pamjen e dëshiruar