Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërcimtarët e detit

Kërcimtarët e detit

Kërcimtarët e detit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

PARTNERËT skuqen kur takohen me njëri-tjetrin. Ai duket sikur krekoset gjithë krenari, ndërsa ajo e vështron me miratim. Ata preken lehtas dhe pastaj i japin një përqafim të ngrohtë njëri-tjetrit. Kur rrezet e agimit depërtojnë deri te ky çift, partnerët futen ëmbël në ritmin e njërit prej baleteve më elegante në natyrë​—vallëzimi i kuajve të detit.

«Kuajt e detit janë magjepsës, të pashoq dhe kanë një hijeshi të veçantë»,​—thotë dr. Kith Martin-Smithi, specialist për gjallesat ujore. Por, në të kaluarën, njerëzit nuk ishin të sigurt se ku duhej t’i klasifikonin ata. Natyralistët e hershëm përdornin emrin Hippocampus, i cili u ishte vënë edhe kuajve mitologjikë me bisht si të peshkut, që tërhiqnin karrocën e Poseidonit, perëndisë greke të deteve.

Thuhet që në mesjetë, disa tregtarë shëtitës mund t’i kenë shitur kuajt e detit duke pretenduar se ishin dragonj të vegjël. Në të vërtetë, kuajt e detit janë thjesht peshq që e kanë trupin të mbuluar me një shtresë pllakash kockore​—edhe pse nuk ngjajnë si shumica e peshqve dhe as nuk notojnë si ata. Ata enden sa andej-këtej ose përkunden nga uji, prandaj janë krahasuar me kuaj delikatë kristali dhe me gurë shahu të gjallë.

Kuajt e detit gjenden në shumicën e ujërave të ngrohta bregdetare të të gjithë botës. Shumëllojshmëria e formave dhe e madhësive të tyre është e jashtëzakonshme. Specialistët thonë se mund të ketë nga 33 në më shumë se 70 lloje të ndryshme. Këtu përfshihen kali xhuxh i detit, i cili mund të jetë sa thoi, dhe kali i detit me bark të madh, i cili mund të arrijë një gjatësi më shumë se 30 centimetra.

Pa dhëmbë, pa stomak, por të shëndetshëm!

Trupi i tyre i çuditshëm, me kokën në formë kali, me armaturën prej pllakëzash kockore dhe bishtin e gjatë si të majmunit, i bën kuajt e detit krijesa më të përshtatshme për të qëndruar në një vend, sesa për të lëvizur me shpejtësi sa andej-këtej. Në pjesën më të madhe të ditës, ata duken se kënaqen, thjesht duke e lidhur bishtin rreth ndonjë korali ose leshteriku dhe duke u ushqyer. Nëse u duhet të lëvizin, një pendë e vogël në shpinë i shtyn ngadalë përpara, kurse pendët anësore u shërbejnë si timon. Duke rregulluar sasinë e ajrit që grumbullohet në fshikëzën e notimit brenda trupit të tyre, ata janë në gjendje të ngjiten drejt sipërfaqes ose të zbresin në thellësi të ujërave tamam si një nëndetëse.

Me kuajt e detit s’bëhet shaka kur janë të uritur. Ata janë shumë llupës, dhe me turirin e tyre kockor rrufitin sa hap e mbyll sytë, çdo karkalec të vogël ose krustace që u kalon afër. Meqë nuk kanë as dhëmbë dhe as stomak për të ndihmuar tretjen, kuajt e detit duhet të kapin nja 50 karkaleca çdo ditë për të siguruar lëndët ushqyese që u nevojiten për të mbijetuar. Për sa kohë kanë një shikim të mprehtë, këta gjuetarë të zotë e kanë të zgjidhur problemin. Sepse me njërin sy mund të shohin ngultas përpara për të gjetur prenë, ndërkohë që me tjetrin kontrollojnë se ç’po ngjet prapa. Sytë e tyre dallojnë më shumë ngjyra sesa syri njerëzor dhe më shumë hollësi sesa shumica e peshqve.

Nga ana tjetër, kuajt e detit duhet të kenë kujdes që të mos përlahen nga krijesat e tjera. Për t’iu dredhuar grabitqarëve të tillë, si gaforreve dhe breshkave të ujit, shumë lloje mund të fshihen aq mirë midis barishteve të detit, koraleve ose bimëve rizofore, saqë pothuajse nuk duken fare. Lëkura e tyre me njolla, trupi që ngjan me barishtet e detit dhe aftësia për ta ndryshuar rrënjësisht ngjyrën e lëkurës, që të përshtaten me gjërat përreth, bëjnë të mundur që të bëhen njësh me mjedisin rrethues. «Trupi i tyre është i maskuar kaq mirë saqë për t’i dalluar duhet t’i hapësh sytë mirë»,​—thotë kërkuesi Rudi Koitër.

Vallëzim dhe romancë

Ndryshe nga shumica e peshqve të tjerë, kuajt e detit, meshkuj dhe femra, çiftohen për tërë jetën dhe rrallë largohen nga njëri-tjetri. Sa herë që agon, ata deklarojnë lidhjen e tyre me anë të një vallëzimi të veçantë. «Vallëzimi i kuajve të detit është kaq i bukur dhe i hijshëm saqë ta ka ënda ta shohësh»,​—thotë mbarështuesja e kuajve të detit, Tresi Uorlandi. Kur vallëzimi mbaron, kuajt e detit kthehen sërish te bimët ku përdredhin bishtin dhe qëndrojnë për t’u ushqyer gjatë pjesës tjetër të ditës. Vallëzimi i çiftimit është më i ndërlikuar. Kur femra i afrohet mashkullit, në pjesën barkore të tij fryhet një si xhep, ngjyra e trupit i bëhet më e ndritshme, dhe ai bën një paradë përpara saj duke ecur sa para-prapa. Ngadalë ata sillen rrotull njëri-tjetrit dhe bashkojnë bishtat. Ndërkohë që rrotullohen së bashku si piruetë, çifti lodron përmes shtratit të detit tamam si kuajt që ngrihen mbi këmbët e prapme. Duke u ngjitur dhe duke zbritur, duke u rrotulluar dhe duke ndryshuar ngjyrën, ata argëtohen për rreth gjysmë ore.

Pa dyshim, vallëzimi i çiftimit shënon fillimin e rolit si prindër. «Kur afrohet koha e çiftimit, vallëzimi i kuajve të detit bëhet më i gjatë dhe më i shpeshtë, dhe mund të përsëritet gjatë gjithë ditës,​—thotë Koitëri.​​—Kur vallëzimi arrin kulmin, çifti ngrihet ngadalë në sipërfaqe me bishtat të përdredhur me njëri-tjetrin dhe trupat e ngjitur. Atëherë femra i lëshon butësisht vezët në qeskën e inkubimit të mashkullit që ngjan me xhepin e kangurit.» Pastaj, babai i ardhshëm gjen një vend të qetë për vete që vezët të zënë vend mirë dhe të jenë të sigurta në qeskën e inkubimit. Ai i fekondon ato, dhe kështu fillon shtatzënia më e pazakontë në mbretërinë e kafshëve.

«Ëndrra e çdo gruaje»

«Mendoj se është e mrekullueshme që kuajt e detit meshkuj mbeten shtatzënë dhe lindin të vegjëlit»,​—tha një grua. «Kjo është ëndrra e çdo gruaje»,​—bëri shaka një tjetër. Një kalë deti mashkull duroi shtatë periudha shtatzënie të njëpasnjëshme ku secila prej tyre zgjati 21 ditë, dhe kjo vetëm brenda një viti!

Ndërkohë që të vegjëlit tulaten butë-butë në brendësi të xhepit, një rrjet i pasur me enë gjaku i furnizon ata me oksigjen dhe me lëndë ushqyese. Me kalimin e kohës, kripësia brenda qeskës rritet, duke i përgatitur ata për jetën në ujërat e detit. Kur vjen koha për të lindur, mundimet e lindjes së babait mund të zgjasin nga disa orë deri në dy ditë. Më në fund, qeska hapet, dhe të vegjëlit dalin një nga një në ujë. Numri i të vegjëlve të lindur ndryshon nga njëri lloj tek tjetri, por mund të arrijë deri në 1.500.

Mbahen për kënaqësi, tregti e ilaçe

Ndonëse te kuajt e detit lindshmëria është e lartë, në mbarë botën, rreziku për habitatin dhe ushqimin e këtij peshku sa vjen e rritet. Disa specialistë llogaritin se çdo vit, afro 30 milionë kuaj deti kapen, pastaj tregtohen kudo në botë. Shumë shiten si një ilaç tradicional aziatik që përdoret për të kuruar sëmundje të ndryshme, duke filluar që nga astma dhe kockat e thyera e deri tek impotenca.

Çdo vit rreth një milion kuaj deti përdoren nga ata që prodhojnë dhe shesin objekte të rralla e të çuditshme. Këta zanatçinj i përdorin kuajt e detit që të bëjnë mbajtëse çelësash, objekte që shërbejnë si pesha për të mbajtur letra dhe karfica zbukurimi. Peshkimi me rrjeta tratë, peshkimi me dinamit në shkëmbinjtë koralorë dhe ndotja, kërcënojnë zonat e brishta bregdetare ku jetojnë kuajt e detit. Gjithashtu kuajt e detit kapen për t’u shitur në tregun e akuariumeve, por pak ia dalin të mbijetojnë në kushte artificiale, sepse duan ushqim të veçantë dhe mund të preken nga sëmundjet.

Për të frenuar peshkimin e kuajve të detit, janë propozuar masa ligjore që do t’u kërkonin shumë shteteve të vërtetonin se eksportimi i këtyre peshqve nuk do të dëmtonte as popullatën e tyre dhe as ekuilibrin ekologjik. Disa metoda dhe mjete më të mira teknologjike po ndihmojnë edhe një numër të vogël mbarështuesish që të furnizojnë tregun e akuariumeve me kuaj deti të rritur në kushte artificiale.

Perspektiva e kuajve të detit është e lidhur me të ardhmen e oqeaneve. «Shihet qartë se oqeanet e botës kërcënohen nga aktiviteti i njeriut. Po marrim më shumë se ç’duhet nga gjithçka që ofrojnë oqeanet»,​—thotë me keqardhje Kuitri. A do të zhduken këta kërcimtarë të bukur dhe elegantë në vorbullën e zhurmshme të «përparimit» njerëzor? «Duhet të jemi optimistë,​—thotë Martin-Smithi.​—Pa dyshim njerëzve nuk u mungon vullneti i mirë. Detyra jonë është të nxitim sa më shumë njerëz që të merakosen për krijesat e gjalla të tokës. Kur arrihet kjo, vjen edhe ndryshimi. Nëse arrijmë të shpëtojmë kuajt e detit, ndoshta mund të shpëtojmë edhe detet.» Ndoshta! Por, lumturisht ka edhe një burim tjetër më të besueshëm shprese.​—Zbulesa 14:7.

[Figura në faqen 15]

Kalë deti xhuxh (përmasat reale)

[Burimi]

© Reinhard Dirscherl/Visuals Unlimited

[Figurat në faqet 16, 17]

Kuajt e detit kanë aftësinë për ta ndryshuar rrënjësisht ngjyrën e lëkurës që të përshtaten me gjërat përreth

Kalë deti kokëvogël

Kuaj deti me bark të madh

Kalë deti me viza

[Figura në faqen 16]

Kalë deti me kurorë të madhe

[Figura në faqen 17]

Kuaj deti kokëvogël

[Figura në faqen 17]

Të vegjëlit e kuajve të detit kokëvogël

[Figura në faqen 17]

Mashkulli i kalit të detit kokëvogël, duke lindur

[Burimet e figurave në faqen 16]

Kalë deti me vija: © Ken Lucas/Visuals Unlimited; të gjitha fotografitë e tjera: Rudie H Kuiter

[Burimi i figurës në faqen 17]

Të gjitha fotografitë: Rudie H Kuiter