Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Toka mund të shpëtohet!

Toka mund të shpëtohet!

Toka mund të shpëtohet!

ARTIKUJT e mëparshëm e treguan qartë se njerëzit nuk mund të vazhdojnë t’i shfrytëzojnë me këtë ritëm burimet natyrore të tokës. Është e vërtetë që udhëheqësit e botës kanë bërë përpjekje të lavdërueshme për të pakësuar ndotjen, shpyllëzimin dhe për të frenuar probleme të tjera të mjedisit. Duke filluar në vitin 1972 me Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe më pas me konferenca të tjera që janë bërë rregullisht, 163 vende janë mbledhur për të miratuar plane se si të veprojnë në këtë fushë. Por çfarë rezultatesh janë arritur? «Mjerisht gjithë këto traktate, plane dhe mjete të tjera nuk e kanë prapësuar dëmtimin e mjedisit në nivel botëror»,​—thotë Dejvid Hanteri, drejtor ekzekutiv i Qendrës për të Drejtën Ndërkombëtare të Mjedisit. Në fakt, siç shton Hanteri, «pothuajse çdo tregues kryesor i mjedisit sot është më keq sesa në kohën e Konferencës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1992».

Përse është bërë kaq pak progres kur kanë kaluar më shumë se 30 vjet që njerëzit merren me problemet e mjedisit? Një arsye është nevoja për zhvillim ekonomik. Ekonomitë e shteteve varen nga shpenzimet e konsumatorëve. Kjo kërkon që të prodhohet, dhe për të prodhuar artikuj nevojitet lëndë e parë. Është një rreth vicioz dhe ai që del i humbur është mjedisi. Atëherë, cila është zgjidhja?

Hapa të drejtuar keq

Bibla e shpjegon se përse përpjekjet e njeriut për t’u drejtuar vetë kanë dështuar në mënyrë kaq të mjerueshme. Profeti Jeremia tha: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Sa të vërteta kanë dalë këto fjalë!

A keni qenë ndonjëherë në një kopsht ose në ndonjë park? Sa na pëlqen sistemimi me hijeshi i pemëve, i shkurreve dhe i luleve! Sidoqoftë një kopsht i rregulluar mirë nuk krijohet vetvetiu. Kopshtarë të zotë rrinë me orë të tëra duke krasitur pemët, duke kositur barin nëpër lëndina dhe duke u kujdesur për lulishtet që ato të jenë të këndshme për syrin. Përfytyroni se si do të dukej shtëpia jonë, Toka, nëse për të gjithë globin do të kujdeseshin me aq përkushtim, siç bëhet me një kopsht.

Ç’është e vërteta, Krijuesi ynë kishte si qëllim që planetit tonë t’i kushtohej një kujdes i tillë. Në tregimin e krijimit që gjendet në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, thuhet: «Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante.» (Zanafilla 2:15) Për më tepër, familja njerëzore kishte përgjegjësinë që jo vetëm të kujdesej për Edenin, por edhe ta zgjeronte më tej Parajsën, derisa ajo të shtrihej anekënd tokës.​—Zanafilla 1:28.

Mjerisht, për shkak të mosbindjes, Adami dhe Eva u bënë të papërsosur dhe e humbën mundësinë për t’u kujdesur dhe për të zgjeruar kufijtë e parajsës. (Zanafilla 3:1-6, 23) Si pasardhës të këtij çifti të parë, ne kemi trashëguar mëkatin dhe papërsosmërinë e tyre. (Romakëve 5:12) Keqadministrimi i burimeve natyrore është vetëm një shembull që tregon se ku kanë çuar përpjekjet e keqdrejtuara të njerëzve të vetëqeverisur. Është e qartë se zgjidhja e problemeve të njerëzimit është përtej aftësisë së njeriut. Nevojitet ndihmë nga dikush tjetër.

Rruga drejt shërimit

Kur ishte në tokë, Jezui i mësoi dishepujt e tij të luteshin kështu: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:10) Bibla thotë se nën sundimin e Mbretërisë qiellore të Perëndisë, toka do të kthehet sërish në një parajsë. (Psalmi 37:10, 11) Kur të vijë ajo kohë, pemët dhe bimët do të japin plotësisht prodhimin e tyre në një mjedis të pastër. (Psalmi 72:16) Nën drejtimin e Perëndisë toka do të pastrohet edhe nga ndotja dhe njerëzimi do të mësojë se si të jetojë në harmoni të plotë me mjedisin. Si mund të jemi të sigurt për këtë?

Bibla thotë se toka «nuk do të luajë kurrë përjetë». (Psalmi 104:5) Në kohën e caktuar nga Perëndia, të gjithë do të gëzojnë bekime të përjetshme, siç janë një shëndet i mirë, ushqim me bollëk dhe një shtëpi e bukur. A do t’ju pëlqente të mësonit më shumë për qëllimet e Perëndisë? Flitni me ndonjë nga Dëshmitarët e Jehovait. Ata do të jenë të kënaqur t’ju ndihmojnë që të kuptoni nga Bibla se Toka mund të shpëtohet dhe do të shpëtohet.

[Figurat në faqen 10]

Nën drejtimin e Perëndisë, njerëzimi do të jetojë në harmoni me mjedisin

[Burimi]

Vajza dhe fermeri: © Jeremy Horner/Panos Pictures