Ç’duhet të bëj kur dikush më hapet për problemet e veta?
Të rinjtë pyesin . . .
Ç’duhet të bëj kur dikush më hapet për problemet e veta?
«Prindërit e një shoqeje shkolle po divorcoheshin dhe ajo vetë po binte shumë nga mësimet. Më hapej shpesh për problemet e saj në familje.»—Xheni, 14 vjeçe.
«Një vajzë në shkollë më tregoi se kishte pasur marrëdhënie seksuale me një djalë. Kishte mbetur shtatzënë dhe kishte bërë abort pa u thënë asgjë prindërve.»—Mira, 15 vjeçe.
IMAGJINO sikur je duke biseduar me një mik ose me një shok shkolle. Befas ai të «zbrazet» për një problem të tijin. * Ndoshta po lufton me problemet që janë tipike për adoleshentët—veshja, paratë, paraqitja e jashtme, shoqëria, notat. Por, mund të ketë probleme edhe më të rënda e më të vështira.
Situata në Shtetet e Bashkuara ilustron se sa serioze mund të jenë problemet e të rinjve. Sipas një reviste, Newsweek, «Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor (NIMH) thotë se 8 për qind e adoleshentëve dhe 2 për qind e fëmijëve (disa janë vetëm 4 vjeç) kanë siptomat e depresionit». Një tjetër anketë vëren: «Përafërsisht 97 në 1.000 vajza të moshës 15-19-vjeçare—në të gjithë Amerikën një milion adoleshente—mbeten shtatzëna çdo vit. Shumica e këtyre shtatzënive—78 për qind—janë të padëshirueshme.» Për më tepër, miliona të rinj jetojnë në një ambient familjar të paqëndrueshëm. Mijëra janë viktima të keqtrajtimeve fizike ose abuzimit seksual. Më shumë se gjysma e studentëve të sapodiplomuar të shkollave të mesme në SHBA, kanë abuzuar me alkoolin. Një numër alarmues të rinjsh vuajnë nga ndonjë lloj çrregullimi në të ngrënë.
Nuk është çudi pra, që shumë të rinj kanë jashtëzakonisht nevojë për dikë që të bisedojnë e t’i hapin zemrën. Dhe shpesh, të parit që i drejtohen për ndihmë është një bashkëmoshatar. Çfarë do të bëje nëse dikush të hapet pikërisht ty? Nëse je një i krishterë, nuk është çudi që ata të duan të flasin me ty. Bibla i urdhëron të krishterët të jenë «shembull» në sjellje dhe të arsyeshëm. (1 Timoteut 4:12; Filipianët 4:5) Kështu që të rinjtë e tjerë, përfshirë këtu edhe jobesimtarët, fare mirë mund të duan të hapen me ty. Atëherë, çfarë duhet të bësh nëse gjendesh në një rrethanë të tillë? Po nëse mendon se nuk je në gjendje të bësh diçka për disa nga problemet që të kanë treguar?
Ji një dëgjues i mirë
Bibla thotë se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». (Predikuesi 3:7) Kur dikush ka një problem dhe dëshiron të flasë me ty, shpesh gjëja më e mirë që duhet bërë në këtë rast, është thjesht ta dëgjosh. Në fakt, Bibla dënon atë që e bën veshin të shurdhër para «britmës së ankimit të të përvuajturve». (Fjalët e urta 21:13, BR) Ndoshta shokut tënd i është dashur kohë që të merrte guximin për të të folur. Nëse tregohesh i gatshëm ta dëgjosh, kjo do t’ia bëjë më të lehtë të shprehet. «Zakonisht e lë të shprehet,—thotë një i ri i krishterë që quhet Hiram.—Ai më thotë atë ç’ka e shqetëson; unë përpiqem ta kuptoj dhe i them se me vjen keq për atë që po kalon.» Vinsenti thotë një gjë të ngjashme: «Disa herë njerëzit duan thjesht të flasin.»
Pra nuk është e thënë që shoku yt të presë t’ia zgjidhësh ti problemin. Gjithçka që mund të ketë nevojë është një vesh për ta dëgjuar. Atëherë, dëgjoje! Përpiqu të mos shpërqendrohesh nga gjërat përreth ose mos e ndërprit pa qenë nevoja. Thjesht fakti që je afër tij dhe po e dëgjon është një ndihmë e madhe në vetvete. Kjo tregon se me të vërtetë merakosesh për të.
Por, a do të thotë kjo që nuk do t’i thuash asgjë? Varet shumë nga problemi që po kalon. Në shumicën e rasteve, disa fjalë të ngrohta e të menduara mirë janë të përshtatshme. (Fjalët e urta 25:11) Për shembull, nëse dikujt i ka ndodhur ndonjë fatkeqësi, më e mira do të ishte t’i tregonit se ju vjen vërtet keq. (Romakëve 12:15) Te Fjalët e urta 12:25 thuhet: «Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.» Ndoshta, një fjalë e ngrohtë inkurajimi është ajo që nevojitet. Tregoji që ke besim se ai do ta përballojë me sukses gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet. Shprehje të tilla, si «e kuptoj pse ndihesh kështu» ose «më vjen shumë keq që duhet të përballosh këtë», mund ta bëjnë shokun tënd të kuptojë se je i sinqertë dhe se dëshiron ta ndihmosh.
Nga ana tjetër, te Fjalët e urta 12:18 paralajmërohet: «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë.» Është e rëndësishme të shmangësh komente të tilla, si: «Po kjo s’është ndonjë gjë kaq e madhe sa e bën ti», «Mos e vrit mendjen, do kalojë», ose «Ti s’duhet ta lëshosh veten kështu.» Gjithashtu, bëj kujdes që të mos e bësh problemin të duket më pak i rëndë duke futur nota humori. Ka mundësi që shoku yt të arrijë shpejt në përfundimin se nuk i respekton ndjenjat e tij.—Fjalët e urta 25:20.
Po nëse nuk di çfarë t’i thuash? Ji i sinqertë. Thuaji që nuk di çfarë t’i thuash, por gjithsesi dëshiron ende ta ndihmosh. Pyete: «Çfarë të bëj për të të ndihmuar?» E në të vërtetë ka disa gjëra praktike që mund të bësh për t’ia lehtësuar pak barrën.—Galatasve 6:2.
Jepi këshilla të dashura
Si mund të veprosh nëse mendon se shoku yt ka nevojë për këshilla? Patjetër, duke qenë i ri nuk ke shumë përvojë nga jeta. (Fjalët e urta 1:4) Kështu që, mund të mos jesh në gjendje të japësh këshilla për çdo problem. Megjithatë Psalmi 19:7, BR thotë: «Përkujtuesit e Jehovait janë të denjë për besim dhe e bëjnë të mençur atë që s’ka përvojë.» Po, pavarësisht se ‘nuk ke përvojë’, mund të kesh mjaft njohuri rreth parimeve biblike e të jesh sadopak një ndihmë për shokun në nevojë. (Fjalët e urta 27:9) Pa i bërë moral, përse të mos i tregosh disa mendime nga Bibla? Nëse nuk je i sigurt se cilat parime zbatohen në rastin konkret, bëj kërkime. Gjatë viteve, një nga rubrikat e kësaj reviste «Të rinjtë pyesin . . . » ka botuar shumë këshilla të bazuara në Bibël për një shumëllojshmëri temash. Një tjetër burim i vlefshëm informacioni është libri Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike. *
Ndoshta do të ishte e dobishme t’i tregoje disa gjëra që i ke kaluar ti vetë. Madje mund t’i japësh edhe disa sugjerime praktike. Pa ia imponuar pikëpamjet e tua, mund t’i shpjegosh se çfarë të ndihmoi ty. (Fjalët e urta 27:17) Megjithatë, mos harro që çdo situatë është e ndryshme. Nëse një sugjerim funksionoi me ty, kjo s’do të thotë se patjetër do të funksionojë me këdo.
Ki kujdes!
Mos kalo tepër kohë duke dëgjuar problemet e të rinjve që nuk i frikësohen Jehovait dhe që nuk respektojnë normat e krishtere. Shumë nga problemet e tyre mund të vijnë nga një stil jetese që nuk është në harmoni me Biblën. Të përpiqesh të ndihmosh ata që përbuzin këshillat e Biblës, mund të jetë shkurajuese për të dyja palët. (Fjalët e urta 9:7) Gjithashtu, pa dashje mund të jesh duke dëgjuar fjalë të kota madje edhe të ndyra. (Efesianët 5:3) Pra, nëse një bisedë të bën të ndihesh si mbi gjemba, ki guximin t’i thuash që nuk je në gjendje ta ndihmosh ose që tema për të cilën po flitni të vë në siklet.
Ki kujdes kur një person i seksit tjetër kërkon të të tregojë ndjenjat e veta. Bibla paralajmëron se zemra mund të jetë mashtruese. (Jeremia 17:9) Shoqëria e ngushtë me këtë person mund të bëjë që të të lindin ndjenja romantike dhe madje mund të çojë në imoralitet seksual.
Përveç kësaj, mos bjer në kurthin që të premtosh se nuk do t’ia tregosh askujt problemin e tij. Prano me përulësi se ai mund të ketë nevojë për më shumë ndihmë sesa mund t’i japësh ti.—Fjalët e urta 11:2.
Kur nevojitet ndihma e të tjerëve
Në shumë raste, gjëja më e mirë që duhet bërë është që të kërkosh ti ndihmë, me qëllim që të gjesh mënyra për t’i ndihmuar të tjerët. Mira, e përmendur në fillim, thotë: «Me të vërtetë nuk dija si ta ndihmoja. Kështu që fola me mbikëqyrësin e kongregacionit, dhe ai më dha disa këshilla të shkëlqyera se si të veproja.» Po, brenda kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait, ka burra me përvojë që mund të të ndihmojnë. (Efesianët 4:11, 12) Mbikëqyrësi i kongregacionit i sugjeroi Mirës që ta nxiste shoqen e saj të fliste me prindërit. Vajza e ndoqi këshillën e Mirës. Mira thotë: «Gjendja e saj u përmirësua. Tani ajo dëshiron të mësojë më shumë për Biblën.»
Po sikur një i ri i krishterë të hapet me ty? Natyrisht, që do të doje të bëje çmos për ta ndihmuar me aq sa mundesh. (Galatasve 6:10) Nëse ke frikë se ai po largohet shumë nga normat morale të Jehovait, mos u druaj t’i ‘thuash të vërtetën’. (Efesianët 4:25) Fol troç, por mos e mbaj veten si më të drejtë. Gatishmëria jote për të folur hapur është shenjë e miqësisë së vërtetë.—Psalmi 141:5; Fjalët e urta 27:6.
Nëse gjendesh në një situatë të tillë, është gjithashtu e nevojshme që ta inkurajosh shokun të kërkojë ndihmë—nga prindërit, nga një mbikëqyrës ose nga ndonjë i krishterë i pjekur që ai e respekton. Nëse kalon njëfarë kohe dhe ai nuk ka folur me asnjë, ndoshta duhet të flasësh ti me dikë në vend të tij. (Jakovi 5:13-15) Patjetër, të duhet guxim që të marrësh këtë hap, por kjo tregon se kujdesesh vërtet për të dhe se i do të mirën.
Sigurisht, Jehovai nuk pret që të zgjidhësh problemet e çdo njeriu. Por nëse dikush të hap zemrën, nuk duhet të ndihesh sikur je i paaftë për ta ndihmuar. Vëre stërvitjen tënde të krishterë në përdorim, dhe trego se je ‘një shok i vërtetë’.—Fjalët e urta 17:17, BR.
[Shënimet]
^ par. 5 Për thjeshtësi, do të përdorim gjininë mashkullore për t’iu referuar individit që ka një problem. Kuptohet, ky informacion u drejtohet të rinjve të të dyja gjinive.
^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 21]
Në disa raste duhet të kërkosh ndihmë nëse dikush është në telashe