Të bombarduar nga stresi
Të bombarduar nga stresi
«PROBLEMI shëndetësor numër 1 në Amerikë.» Ky ishte titulli i një artikulli të botuar nga Instituti Amerikan për Stresin, sipas të cilit, sot rreziku më i madh për shëndetin nuk është as kanceri dhe as SIDA. Në artikull thuhej: «Është llogaritur se 75-90 për qind e të gjitha vizitave te mjekët e përgjithshëm bëhen për probleme që lidhen me stresin.»
Nuk e teprojmë po të themi që sot njerëzit po bombardohen nga stresi. Sipas Shoqatës Kombëtare të Konsumatorëve, «burimi kryesor i stresit për të rriturit që kanë probleme dhe që vuajnë nga stresi është puna (39%) dhe pas saj vjen familja (30%). Burime të tjera janë shëndeti (10%), shqetësimi për gjendjen ekonomike (9%), si edhe shqetësimi për konfliktet ndërkombëtare dhe për terrorizmin (4%)».
Megjithatë stresi nuk është aspak një dukuri që vërehet vetëm në Shtetet e Bashkuara. Një anketë e bërë në Britani në vitin 2002 tregoi që «në vitet 2001-2002, më shumë se gjysmë milionë njerëz në Britani mendonin se po kalonin kaq shumë strese në punë, saqë po sëmureshin». Si pasojë e «stresit nga puna, e depresionit dhe e ankthit, çdo vit në Britani ka rreth trembëdhjetë milionë e gjysmë ditë pune të humbura».
Tabloja është po kaq e zymtë edhe në Evropën kontinentale. Sipas Agjencisë Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, «është provuar se stresi nga puna ka prekur miliona punëtorë evropianë nga të gjithë sektorët e punës». Një anketë tregoi se ka «afro 41 milionë punëtorë [në Bashkimin Evropian] që preken çdo vit nga stresi në punë».
Ç’të themi për Azinë? Një raport që doli nga një konferencë e mbajtur në Tokio, nxirrte këtë përfundim: «Stresi nga puna është një shqetësim i zakonshëm në shumë vende të botës, si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e industrializuara.» Raporti thoshte se «disa vende në Azinë Lindore, duke përfshirë Kinën, Korenë dhe Tajvanin, janë industrializuar dhe janë zhvilluar shpejt ekonomikisht. Sot në këto vende është bërë shumë shqetësues stresi nga puna dhe pasojat e tij në shëndetin e punonjësve».
Gjithsesi, nuk keni nevojë për ndonjë studim apo anketë që të kuptoni se njerëzit sot janë të stresuar. Ka shumë mundësi që edhe ju tashmë po i vuani në kurriz pasojat e tij. Çfarë pasojash mund të ketë stresi te ju dhe te të afërmit tuaj? Si mund të mësojnë familjet që ta përballojnë stresin? Artikujt vijues do të shqyrtojnë këto çështje.
[Figura në faqen 3]
Për shumë veta, puna është burimi kryesor i stresit