Vështirësitë që hasin nënat
Vështirësitë që hasin nënat
«Detyrat themelore të njerëzimit janë detyrat që lidhen me familjen. . . . Nëse nëna nuk e kryen detyrën e saj, nuk do të ketë një brez të ardhshëm ose brezi që do të vijë do të jetë kaq i keq, sa më mirë të mos ishte fare.»—Teodor Ruzvelti, presidenti i 26-të i Shteteve të Bashkuara.
ËSHTË e qartë se nëna është tepër e rëndësishme në jetën e njeriut, por roli i saj nuk mbaron me lindjen e fëmijës. Një shkrimtar tha për rolin e nënës në shumicën e vendeve të botës së sotme: «Ajo është mbrojtësja kryesore e shëndetit, edukimit, intelektit, personalitetit, karakterit dhe ekuilibrit emocional të çdo fëmije.»
Një nga detyrat e shumta të nënës është të edukojë fëmijët e saj. Fjalët e para dhe formulimin e shprehjeve zakonisht fëmija i mëson nga nëna. Prandaj, shpesh gjuha e parë që mëson njeriu quhet gjuha e nënës. Në përgjithësi, nëna kalon më shumë kohë sesa babai me fëmijët, prandaj ajo mund të luajë rolin kryesor si mësuese dhe si disiplinuese. Për këtë arsye, proverbi meksikan «edukimi merret me qumështin e gjirit», e ngre lart rolin e nënës.
Edhe Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, i nderon nënat. Në fakt, njëri nga Dhjetë Urdhërimet, të shkruara në pllaka guri «me gishtin e Perëndisë», i nxit fëmijët: «Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde.» (Eksodi 20:12; 31:18; Ligji i përtërirë 9:10) Për më tepër, një fjalë e urtë nga Bibla flet për «mësimet e nënës». (Fjalët e urta 1:8) Tashmë është kuptuar gjerësisht se sa e rëndësishme është t’i mësosh fëmijët gjatë tri viteve të para të jetës, kur shumica janë më tepër nën kujdesin e nënës.
Cilat janë disa vështirësi?
Shumë nëna e kanë të vështirë t’i mësojnë fëmijët gjatë viteve kritike të formimit të karakterit, pasi u
duhet të punojnë për të ndihmuar në buxhetin e familjes. Statistikat e mbledhura nga Kombet e Bashkuara tregojnë se në mjaft vende të zhvilluara, më shumë se gjysma e nënave me fëmijë nën moshën tre vjeç janë në punë.Veç kësaj, shpesh nënave u mbetet barra që t’i rritin vetë fëmijët, ngaqë burrat shkojnë në ndonjë qytet ose në një vend tjetër për të gjetur punë. Për shembull, thuhet se në disa rajone të Armenisë, pothuajse një e treta e burrave kanë shkuar jashtë shtetit për të kërkuar punë. Disa nëna i rritin të vetme fëmijët, sepse bashkëshortët i kanë braktisur ose u kanë vdekur.
Në disa vende nënat kanë një vështirësi tjetër, pasi nuk janë të arsimuara. Seksioni i Kombeve të Bashkuara për Çështjet Ekonomike dhe Shoqërore llogarit se dy të tretat e 876 milionë analfabetëve që ka bota janë gra. Sipas UNESCO-s, në Afrikë, në shtetet arabe, si edhe në lindje e në jug të Azisë, më shumë se 60 për qind e grave janë analfabete. Për më tepër, një numër i madh burrash mendojnë se grave nuk u hyn në punë shkolla, madje i pengon për të kryer detyrën e tyre të lindjes së fëmijëve.
Revista Outlook thotë se në një zonë të shtetit të Keralës në Indi, ku vajzat zakonisht bëhen nëna aty nga mosha 15-vjeçare, askush nuk e do nusen me shkollë. Në Pakistanin fqinj, rritjes së djemve i jepet rëndësi e dorës së parë. Ata i përgatitin që të gjejnë punë me pagë të mirë, dhe kështu të mbajnë prindërit kur të jenë në moshën e pleqërisë. Nga ana tjetër, sipas librit Arsimimi i grave në vendet në zhvillim (anglisht), «prindërit nuk investojnë për vajzat, sepse nuk presin që ato të jenë të zonjat për ta ndihmuar familjen ekonomikisht».
Një vështirësi tjetër është ndjekja e zakoneve vendëse. Për shembull, në disa vende, nga nëna pritet që të respektojë zakone të tilla si shitja e vajzave të vogla në martesë dhe gjymtimi gjenital i femrave. Gjithashtu është tabu që nënat t’i mësojnë dhe t’i disiplinojnë djemtë. A është e detyruar një nënë që të ndjekë këto zakone dhe të lërë të tjerët që të mësojnë djemtë e saj?
Në artikujt vijues, do të shohim se si po i përballojnë këto vështirësi disa nëna. Gjithashtu do të përpiqemi të rritim edhe më shumë vlerësimin për nënat e për mëmësinë dhe do të shqyrtojmë se si të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për rolin e nënës si edukatore e fëmijëve të saj.
[Kutia dhe figura në faqen 8]
«Roli i nënës është jetësor kur flitet për nxitjen e inteligjencës dhe të kureshtjes së fëmijës, si edhe për zhvillimin e fantazisë së tij ose të saj.»—Samiti Rajonal për të Drejtat e Fëmijëve, Burkina-Faso, 1997.
[Figurat në faqen 3]
Nënat luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin, edukimin, personalitetin dhe në ekuilibrin emocional të çdo fëmije