Energjia: Pse është e domosdoshme për jetën?
Energjia: Pse është e domosdoshme për jetën?
MIKELI lindi në gusht të vitit 2003. Një makinë që punonte me naftë, e çoi urgjent nënën e tij në maternitet. Një termocentral që punonte me qymyrguri, i jepte dritë spitalit ku ai erdhi në jetë. Një kaldajë që punonte me gaz natyror, ngrohte dhomën ku ai mori frymë për herë të parë. Nëse ndonjë nga këto burime të zakonshme energjie nuk do të punonte, jeta e Mikelit të vogël mund të ishte në rrezik.
Vetë ekzistenca e qytetërimit modern ku lindi Mikeli varet nga një sërë burimesh energjie. Çdo ditë, në një mënyrë a në një tjetër, ne varemi nga lëndët djegëse me origjinë fosile—për të shkuar në punë, për të gatuar, për të freskuar shtëpinë, për ndriçim dhe për ngrohje. Instituti i Burimeve Natyrore Botërore thotë se lëndët djegëse me origjinë fosile përdoren për të «plotësuar rreth 90 për qind të nevojave botërore për energji». Në një raport të botuar në vitin 2000 nga ky Institut, thuhet: «Për sa i përket energjisë, nafta plotëson pjesën më të madhe të nevojave botërore me 40 për qind, më pas vjen qymyrguri me 26 për qind dhe pas tij gazi natyror me afro 24 për qind.» *
Revista Bioscience thotë: «Çdo vit, një amerikan harxhon mesatarisht 93.000 kilovatorë [energji], që është baraz me 8.000 litra naftë. Kjo sasi përdoret për çfarëdolloj nevoje, si për shembull për transport, për ngrohje dhe për pajisjet ftohëse.» Në Afrikën e Jugut, në Australi, në Kinë dhe në Poloni më shumë se 75 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga gjeneratorët që punojnë me qymyrguri. Në Indi, 60 për qind e energjisë elektrike sigurohet nga djegia e qymyrgurit, kurse në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani, me anë të qymyrgurit prodhohet më shumë se gjysma e sasisë së energjisë elektrike.
«Njerëzit nuk janë shumë në dijeni të faktit që ushqimi për mbarë botën sigurohet në sajë të naftës,—thotë gazetari Jeremia Kridon në një artikull me titull «Jeta kur të mbarojë nafta».—Nafta dhe gazi natyror janë jetësorë për çdo fazë të bujqësisë moderne, që nga prodhimi i plehrave kimike e deri te transportimi i të vjelave.» (Revista Utne Reader) Por, sa të sigurta janë këto burime energjie, nga të cilat shoqëria moderne siguron mjetet e jetesës? A ka burime energjie të tjera dhe më të pastra?
[Shënimi]
^ par. 3 Për më shumë informacion rreth historisë së shfrytëzimit të naftës, shih revistën Zgjohuni! të 8 nëntorit 2003, faqet 3-12.