Muzetë: Pse ia vlen t’i vizitosh?
Muzetë: Pse ia vlen t’i vizitosh?
KRYEQYTETI i Shteteve të Bashkuara, Uashington D.C., është si një magnet për të tërhequr shumë turistë. * Çfarë i tërheq këtu këta vizitorë? Një nga gjërat kryesore është Shtëpia e Bardhë, rezidenca zyrtare e presidentit, që ndodhet në bulevardin Pensilvania 1600. Kjo ndërtesë historike bën për vete më tepër se një milion e gjysmë vizitorë çdo vit. Ata lejohen të hyjnë nëpër disa dhoma, të cilat janë të zbukuruara me stile që pasqyrojnë periudha të ndryshme të historisë. Në dhoma ka mobilje antike me vlerë, përveç objekteve shumë të vjetra prej porcelani, lugëve, thikave dhe pirunëve.
Një tjetër ndërtesë mbresëlënëse është Kapitoli, selia e kongresit të Shteteve të Bashkuara, i cili ka një popullsi prej afro 300 milionë nënshtetasish. Ndërsa ecni përmes salloneve dhe korridoreve të saj, do të shihni statujat e udhëheqësve të famshëm të së kaluarës. Nëse jeni të vëmendshëm, mund t’ju zërë syri ndonjë senator të famshëm ose ndonjë deputet të kongresit. Por jo të gjithë turistët vijnë për të parë posaçërisht këto ndërtesa. Shumë vetave më shumë u bëjnë përshtypje qendrat e kulturës në këtë qytet—muzetë dhe galeritë e arteve.
Ka kaq shumë muze dhe galeri në Uashington D.C., saqë do të ishte e pamundur të flisnim për të gjitha. Vetëm për t’i vizituar do të kërkonte të qëndronim goxha kohë këtu në Uashington. Le të shohim se sa prej tyre mund të eksplorojmë, duke bërë një vizitë që zgjat vetëm pak ditë.
Muzeu më mbresëlënës nga të gjithë
Pa dyshim, qendra më interesante për vizitorët është Instituti Smithson. Përse? Sepse nuk është vetëm një muze, por një koleksion muzesh dhe qendrash të njohurisë. Është shumë e lehtë ta dallosh Kështjellën Smithson në National Mall apo ndryshe Shëtitorja Kombëtare—një brez me bar të gjelbër të kositur, i gjatë 1,5 kilometra. Nga njëra anë e Shëtitores është Kapitoli kurse në tjetrën Monumenti i Uashingtonit. Kjo kështjellë është një ndërtesë shumë interesante,
e ndërtuar me gurë ranorë të kuq, dhe është në të majtë të shëtitores së famshme. Nëse jeni përballë me obeliskun e Monumentit të Uashingtonit, arrini ta dalloni menjëherë.Cila nga këto ndërtesa vizitohet më tepër? Një libër udhërrëfyes, thotë se në epokën tonë të shkencës «muzeu më i vizituar në botë», është Muzeu Kombëtar i Aviacionit dhe i Fluturimeve në Hapësirë. Përse? Ka 23 galeri të mëdha, dhe objektet e ekspozuara, shumica e të cilave varen nga tavani, ilustrojnë historinë emocionuese të fluturimit. Në galerinë e madhe të Ngjarjeve Historike të Fluturimit, ndodhet madje edhe Flyeri, pikërisht aeroplani që Orvël Raiti përdori në fluturimin e tij historik në Kiti Hok të Karolinës së Veriut, në vitin 1903. Ngjitur me të është, Shpirti i Shën Luisit, avioni që Çarls Lindbergu kishte ndërtuar me synimin për të fituar çmimin për fluturimin e parë me një pilot përmes Atlantikut, në vitin 1927. Dhe pa dyshim, atje janë ekspozuar edhe anijet kozmike, që kanë hyrë në histori, si edhe copa shkëmbore të sjella nga hëna.
A ju tërheqin paratë?
Në jug të shëtitores, dhe disa hapa larg nga Monumenti i Uashingtonit, ndodhet një ndërtesë që tërheq mijëra qytetarë kuriozë, të cilët ndoshta po marrin kampione të asaj që prodhohet këtu—kartmonedhat! Është Agjencia e Gravurës dhe e Stampimit. Vizita 40-minutëshe, na tregon procesin e gravurës dhe të stampimit që është i nevojshëm për të prodhuar kartmonedhat, të cilat përdoren në tregtinë e përditshme. Më shumë se 140 miliardë dollarë stampohen këtu çdo vit. A është letra speciale që përdoret për to, një sekret shtetëror i sigurisë së lartë? Për sa kohë qëndron në qarkullim një kartëmonedhë dollari? Çfarë hapash merren për të penguar falsifikuesit? Këto dhe shumë pyetje të tjera, marrin përgjigje gjatë kësaj vizite.
Menjëherë pas Agjencisë ndodhet një ndërtesë e veçantë, e cila u hap për publikun në vitin 1993, dhe tërheq vizitorë nga e gjithë bota. Është një muze që të zhyt në mendime —Muzeu Përkujtimor i Holokaustit.
Një muze i kushtuar vrasjeve në masë dhe të mbijetuarve
Emri Holokaust vjen nga një fjalë greke e përdorur në Bibël, që do të thotë një blatim i plotë i Hebrenjve 10:6) Megjithatë, sipas këtij muzeu, «Holokausti ka qenë persekutimi sistematik i mbështetur nga shteti dhe shfarosja e çifutëve në Evropë nga Gjermania naziste dhe bashkëpunëtorët e saj, që nga viti 1933 deri në vitin 1945». Edhe pse çifutët ishin shënjestra kryesore, policia e shtetit u përpoq të shfaroste romët dhe sintët (dy fise cigane), të gjymtuarit dhe çalamanët, robërit sovjetikë të luftës, homoseksualët, Dëshmitarët e Jehovait dhe kundërshtarët politikë.
djegur. (Ndjenja e parë që të krijohet ndërsa ecën brenda kësaj ndërtese, nuk është aspak e ngrohtë dhe mikpritëse. Kampet naziste të përqendrimit ishin projektuar në atë mënyrë që të kallnin datën. Muzeu të ngjall të njëjtën ndjenjë. Ajo ç’ka sheh vërdallë teje, është një strukturë industriale me çelik dhe tulla, shumë e lartë, e ftohtë, që të bën të dukesh njeri i pavlerë. Nga Salloni i Dëshmisë, në katin e parë, mund të shihet lart çatia prej çeliku dhe xhami, që është mbi katin e tretë. Pamja që shihet, për shkak të dritës që vjen nga jashtë, sipas një broshure zyrtare, «është e shtrembër, e deformuar dhe me një pjerrësi të çuditshme». Arkitekti ka dashur të krijonte një atmosferë ku vizitorët të ndiejnë se «këtu diçka nuk shkon».
Muzeu ka pesë kate, por zona kryesore që vizitohet nga turistët, nis nga kati i katërt deri poshtë në katin e dytë. Sugjerohet që vizitën ta filloni nga kati i katërt. Vizitën mund ta bëni vetëm, pa qenë të shoqëruar nga dikush, dhe zgjat dy ose tri orë. Për shkak të imazheve grafike të përndjekjes dhe vrasjes së viktimave, rekomandohet që fëmijët nën moshën 11 vjeç, të mos e vizitojnë Ekspozitën e Përhershme. Në katin e parë, është një ekspozitë e ndarë veçmas për fëmijët e vegjël, që quhet Historia e Danielit. Aty tregohet historia e Holokaustit nga këndvështrimi i një fëmije në Gjermaninë naziste.
Ashensorët që të çojnë në katin e katërt janë si kontejner çeliku të ftohta, që të kallin frikë. Kronika fillon në këtë kat dhe flet për «Sulmet naziste» gjatë viteve 1933-1939. Këtu mund të shihni se si propaganda naziste mbante nën kontroll popullsinë gjermane dhe mbillte frikë dhe terror, veçanërisht në zemrat e milionave çifutëve gjermanë. Çfarë mund të shihni në katin e tretë?
Ky kat ka një temë ogurzezë «Zgjidhja përfundimtare»—1940-1945. Sipas manualit udhërrëfyes për vizitorët, ajo «përshkruan lagjet e çifutëve, dëbimin, punën skllavëruese, kampet e përqendrimit dhe zbatimin e ‘Zgjidhjes përfundimtare’ [zhdukjen e çifutëve dhe të të tjerëve] me anë të mjeteve të shkatërrimit, që ishin njësitet vrasëse dhe kampet e vdekjes».
Kati i dytë ka një temë pak më pozitive «Kapitulli i fundit». Ai shpjegon «çlirimin nga rreziku, rezistencën dhe përpjekjet e të mbijetuarve për të rifilluar nga e para një jetë të re». Në një anë të katit ndodhet Qendra e Mësimit Ueksnër, e cila përfshin diçka me shumë interes për Dëshmitarët e Jehovait. Me anë të kompjuterit, vizitorët mund të mësojnë historinë e disa Dëshmitarëve të Jehovait të cilët vuajtën shumë dhe, në disa raste, e paguan këtë me vetë jetën e tyre.
Për shembull, mund të zbuloni tregimin heroik të Helena Gotholtit, nga Dortmundi, Gjermani. Ajo ishte nënë e dy fëmijëve, dhe pavarësisht nga ndalimi nazist, nuk hoqi dorë nga ndjekja e mbledhjeve të krishtere. Në dhjetor të 1944-ës, u ekzekutua në gijotinë. Mund të shihni edhe shumë e shumë raste të viktimave dhe martirëve të tjerë të epokës së kampeve të përqendrimit.
Gjithashtu, në këtë kat është Kulla e Jetës (ose Kulla e Fytyrave), një ndërtesë mbresëlënëse me tri kate. Ajo është një koleksion me qindra fotografi të banorëve çifutë të Ajshishokut, tani i njohur si Ajziskesi, një qytet i vogël në Lituaninë e sotme. Fotografitë janë bërë në periudhën midis viteve 1890 dhe 1941. Ky qytet ishte një komunitet çifutësh që lulëzoi për 900 vjet. Pastaj, në vitin 1941, një skuadër vrasëse e lëvizshme SS (Einsatzkommando) e masakroi të gjithë popullsinë brenda dy ditësh. Sipas regjistrimeve zyrtare naziste, u eliminuan 3.446 çifutë —989 burra, 1.636 gra dhe 821 fëmijë. Sistemi nazist ishte shumë i kujdesshëm për të mos harruar asnjë.
Në katin e dytë është edhe Salloni i Përkujtimit, në të cilin ka tekste të Biblës, si Ligji i përtërirë 30:19 dhe Zanafilla 4:9,10, të gdhendura në muret e mermerta. Tregohen prova të ndryshme të persekutimit të Dëshmitarëve të Jehovait, si për shembull, trekëndëshi ngjyrë vjollcë që duhej ta mbanin si shenjë identifikuese. Ndërsa jeni duke bërë vizitën, përpiquni t’i dalloni këto prova. Ka edhe shumë gjëra të tjera në këtë muze që ia vlejnë t’i vëzhgosh nga afër, duke përfshirë këtu edhe ndërtesën e madhe të kërkimeve në katin e pestë.
Vetëm kur të lini muzeun dhe të dilni në rrugë, do të merrni frymë të lehtësuar. Por tani, le të drejtohemi për në muzeun më të ri të Uashingtonit, i cili flet për një periudhë tjetër të historisë, që përfshin gjithashtu, edhe orvatjen e kotë për një gjenocid.
Një muze vërtet amerikan
Ky muze, i ngritur kohët e fundit si pjesë e Institutit Smithson, tregon për banorët e hershëm të Amerikës—më shumë se 500 fiset indigjene të Amerikës që u vendosën këtu përpara se evropianët dhe afrikanët të vinin këmbë për herë të parë. Quhet Muzeu Kombëtar i Indianëve të Amerikës (NMAI), dhe gjendet përgjatë Shëtitores Kombëtare, pas Muzeut të Aviacionit dhe Fluturimeve në Hapësirë. U inaugurua më 21 shtator 2004. Muzeu identifikohet lehtë nga struktura e tij e pazakontë në formë harqesh. Ndërtesa me një sipërfaqe 23.000 metra katrorë, ka një veshje të jashtme prej gurësh gëlqerorë të Kësotës, nga Minesota. Kjo veshje e bën atë të duket si «një mase guri e shtresëzuar, e gdhendur nga era dhe uji».
Çfarë mund të gjeni në këtë muze? Pesë ekspozitat e mëdha që shihen sapo hyn në muze, «paraqesin afërsisht 7.000 pjesë nga koleksioni me famë botërore i Muzeut Kombëtar të Indianëve të Amerikës, që ka rreth 800.000 objekte etnografike dhe arkeologjike». (Insight, buletini Smithson) Atje ka shporta, enë prej balte dhe punime me rruaza, që përfaqësojnë fiset mapuçe të Kilit, keçua të Perusë, lakotat e Shteteve të Bashkuara dhe anishnabët e Kanadasë.
Sipas U. Riçard Uest i Riu, që është nga Çejeni Jugor dhe drejtori i parë i muzeut, qëllimi i NMAI-t është që të «ndreqë idetë e gabuara dhe të ndihmojë të arrihet një kuptueshmëri më e saktë për jetesën dhe kulturën e banorëve indigjenë të kësaj hemisfere për të gjithë popujt, qofshin indigjenë ose jo». Duhen gati dy orë që të vizitohet ky koleksion i indianëve të Amerikës. Te cila nga ekspozitat e shumta të Uashingtonit të shkojmë tani?
Arti përgjatë shekujve
Le të ecim përgjatë shëtitores drejt Galerisë Kombëtare të Arteve, që është e mrekullueshme. Galeria u hap në 1941-shin. Kjo vizitë do t’ju bëjë të udhëtoni për gati tetë shekuj arti. Nëse jeni i apasionuar pas artit, do të ishte më mirë të vinit këtu që në mëngjes. Kjo sepse, duke marrë parasysh periudhën e artit pas të cilës jeni më shumë të dhënë, do t’ju duhen orë të tëra që të ecni, të përqendroheni thellë dhe të meditoni, nëse doni ta shijoni plotësisht këtë koleksion të mrekullueshëm. Lumturisht ka plot karrige nëse doni të uleni dhe të studioni ndonjë vepër të veçantë, ose edhe sikur thjesht të doni të çlodheni pak.
Meqë nga shekulli i 13-të deri në shekullin e 15-të, padronia kryesore e artit ka qenë kisha katolike, shumica e pikturave janë me përmbajtje fetare. Do të gjeni veprën «Virgjëresha Mari dhe fëmija» e Xhotos, dhe veprat e Leonardo da Vinçit. Nga shekulli i 16-të, do të gjeni «Virgjëresha Mari e Albës» (1508) e Rafaelit, vepra të Tintoretit, Titianit dhe të tjerëve. Studentët e Biblës do të jenë të interesuar për të parë veprën e Tintoretit «Krishti në Detin e Galilesë» (të bërë rreth viteve 1575/1580), e cila portretizon dishepujt e Krishtit në një barkë peshkimi, mes një stuhie në det. Një tjetër referim biblik është «Krishti pastron tempullin», i El Grekos. Shikoni sa të ndryshme janë stilet e këtyre artistëve! Vini re ngjyrat e gjalla që përdor El Greko dhe se sa mbresëlënëse është mënyra se si e paraqet një veprim.
Koleksionet e shekullit të 17-të, përfshijnë midis të tjerash, veprat e Rubenit dhe Rembrandit. Studentët e Biblës do të mahniten sërish nga piktura e Rubenit «Danieli në gropën e luanëve» (të bërë rreth 1615-ës). Vini re lehtësimin që provon Danieli ndërsa falënderon Perëndinë që e ruajti të gjallë. Tani le të afrohemi pak në kohë, vijmë te shekulli i 19-të dhe tek impresionistët francezë.
Ky është një nga koleksionet më të mira të impresionizmit që gjendet jashtë Parisit. Nëse dikush për vite me radhë ka parë vetëm kopje, do të rrëqethet kur të shohë nga afër një vepër origjinale. Do të mbeteni me gojë hapur ndërsa studioni stilet dhe paraqitjen e dritës natyrore në veprat e famshme të Çezanit, Manesë, Renuarit, Degasit dhe Monesë. Gjithashtu, janë paraqitur edhe disa vepra të mrekullueshme të artistëve amerikanë, si: Meri Kasat «Fëmijët po luajnë në plazh», Xheims Abot Meknill Huislëri «Vajza e bardhë», dhe Uinslou Homeri «Fllad».
Ka ende një ekspozitë që ndoshta do të donit ta vizitonit, Ndërtesa Lindore me koleksione të artit modern dhe bashkëkohor. Në oborr, ajo ka disa skulptura të mëdha të Aleksandër Kalderit, Henri Murit, e të tjerë. Do të gjeni gjithashtu, një sixhade nga artisti katalonjan Johan Miroja.
Siç mund ta shihni, Galeria Kombëtare do t’ju mbajë të zënë për orë të tëra ose të paktën, derisa t’ju shterojnë fuqitë. Sigurisht, ka më shumë galeri për t’u vizituar, si për shembull, Galeria Korkoran e Arteve, e cila ka një koleksion të shkëlqyer me vepra të mjeshtrave evropianë dhe amerikanë, duke përfshirë pikturat e dy impresionistëve, Monesë dhe Renuarit. Ka gjithashtu, koleksionin më të madh të veprave të Zhan Baptist Kamij Korosë, të bëra jashtë Francës. Sa kohë dhe fuqi ju kanë mbetur? Kjo do të përcaktojë se sa galeri do të vazhdoni të vizitoni.
Sido që të jetë, kur do të largoheni nga Uashingtoni, do ta çmoni më tepër kulturën. Dhe ndoshta, do ta kuptoni më mirë shprehjen e shkrimtarit francez Detushit: «Të kritikosh është e lehtë, të bësh art është e vështirë». Kjo vizitë mund t’ju inkurajojë gjithashtu që të vizitoni muzetë dhe galeritë në vendin tuaj. Vizitojini, dhe shihni çfarë ndikimi të madh ka pasur feja dhe Bibla te to.
[Shënimi]
^ par. 2 Pse njihet si «D.C.» (Krahina e Kolumbisë)? Sepse kryeqyteti nuk i përket asnjërit prej shteteve, por zë një sipërfaqe toke federale prej 177 kilometrash katrorë. Gjithashtu, «D.C.» e dallon atë nga shteti i Uashingtonit, që ndodhet në bregun perëndimor, gati 3.000 kilometra larg.
[Figura në faqen 14]
Kështjella Smithson
[Burimi]
Fotografi nga Eric Long
[Figurat në faqet 14, 15]
Muzeu i Aviacionit dhe i Fluturimeve në Hapësirë përmban «Flyerin» origjinal që nga viti 1903 (djathtas), dhe «Shpirti i Shën Luisit» të Linderbergut (poshtë)
[Figurat në faqen 15]
Agjencia e gravurës dhe e shtypjes tërheq shumë vizitorë
[Figura në faqen 16]
Kulla e Jetës është e lartë tri kate
[Figura në faqen 16]
Uniformë që vishnin Dëshmitarët e Jehovait në kampin e përqendrimit
[Figura në faqen 17]
Muzeu Përkujtimor i Holokaustit i Shteteve të Bashkuara
[Figura në faqen 17]
Helena Gothold
[Burimi]
USHMM, me mirësjellje nga Martin Tillmans
[Figura në faqen 18]
Muzeu Kombëtar i Indianëve të Amerikës ka një strukturë të veçantë
[Burimi]
Fotografi nga Robert C. Lautman
[Figura në faqen 18]
Një vazo qelqi me fryrje nga një artist modern indian i Amerikës
[Burimi]
Fotografi nga Ernest Amoroso, © Smithsonian Institution/National Museum of the American Indian
[Figura në faqen 18]
Vepra e Uinslou Homerit «Flladi», në Galerinë Kombëtare të Arteve
[Burimi]
Winslow Homer, Breezing Up (A Fair Wind), Gift of the W. L. and May T. Mellon Foundation, Image © Board of Trustees, National Gallery of Art, Washington
[Burimet e figurave në faqen 15]
Lart: Sfondi: fotografi nga Dane Penland; aeroplani: © Mark Polott/Index Stock Imagery; vizita: fotografi nga Carolyn Russo/NASM; tre fotografitë në fund: me mirësjelljen e Departamentit të Thesarit, Agjensia e Gravurës dhe Stampimit