Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kuaj që vallëzojnë me erën»

«Kuaj që vallëzojnë me erën»

«Kuaj që vallëzojnë me erën»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

«E kush nuk drithërohet teksa sheh hapat tuaj ritmikë, saktësinë e përkryer të lëvizjeve tuaja, vetëkontrollin, dhe ndjenjën e gjeometrisë?!»​—RAFAEL ALBERTI, POET SPANJOLL.

DRITAT fiken dhe muzika fillon. Në fund të arenës shfaqet një kalorës mbi një kalë të bardhë që vallëzon sipas ritmit të muzikës. Pastaj bashkohen edhe kalorës të tjerë, kuajt e të cilëve bëjnë lëvizje të lehta rrotulluese dhe kthehen me një harmoni të përsosur. Publiku mbetet pa frymë, i mahnitur, ndërsa sheh këto kafshë tërheqëse të kryejnë lëvizje kaq elegante.

Shkolla Mbretërore Andaluziane e Artit të Hipizmit, në qytetin e Heres-de-la-Fronterës, Spanjë, është bërë e famshme në të gjithë botën për kuajt që vallëzojnë. Shfaqja është me të vërtetë si një balet që kërcehet nga kuaj, me lëvizje koreografike të bazuara në ushtrimet klasike stërvitore të kuajve dhe në doma vaqueran, që janë ushtrimet tradicionale. Kalorësit i drejtojnë kuajt duke lëvizur lehtë duart, këmbët dhe peshën e trupit. Spektakli bëhet edhe më i bukur nga muzika tradicionale spanjolle dhe nga kostumet e kalorësve, që vijnë nga shekulli i 18-të.

Raca e pastër e kuajve spanjollë

Kuajt e përdorur në shfaqje janë të racës së pastër spanjolle, të njohur ndryshe si kuajt andaluzianë. Kali spanjoll është një racë e lashtë që ka jetuar mijëra vjet më parë në malet e Gadishullit Iberik. Kjo racë ishte shumë e njohur për romakët, ishte një kalë i shkëlqyer lufte.

Tiparet e mrekullueshme të kalit andaluzian janë fuqia, zhdërvjelltësia, fisnikëria dhe butësia. Vlera qëndron pikërisht në natyrën e tyre unike, pasi janë edhe të zjarrtë, edhe të shtruar. Falë fuqisë dhe zhdërvjelltësisë, këta kuaj mund të realizojnë hapa dhe kërcime shumë të vështira. Gjithsesi, ta kthesh një kafshë fisnike në një kërcimtar të hijshëm, nuk është e lehtë.

Stërvitja e kuajve

Shkolla Mbretërore Andaluziane e Artit të Hipizmit, u themelua nga Alvaro Domeku në vitin 1972. Shkolla i përgatit kuajt me anë të ushtrimeve të kujdesshme gjimnastikore që zhvillojnë muskujt e tyre. Në fund, pas gjithë kësaj stërvitjeje, ata do të jenë në gjendje të kryejnë ushtrime shumë të vështira në harmoni të përsosur. Kjo lloj stërvitjeje praktikohet në dy qendra shumë të njohura: në Shkollën Spanjolle të Hipizmit në Vjenë të Austrisë dhe në Shkollën Mbretërore Andaluziane të Hipizmit në Spanjë. Në të dyja këto qendra, spektaklet i bëjnë për vete vizitorët dhe u bëjnë përshtypje edhe trajnerëve të kuajve që s’kënaqen kollaj.

Si kalorësi, ashtu edhe kali duhet të stërviten shumë që të jenë në formë kaq të shkëlqyer. Zakonisht, kali dhe kalorësi stërviten bashkë pesë ditë në javë, për shtatë orë në ditë, për afro katër vjet. Stërvitja nis me lëvizjet bazë, domethënë kalorësi i mëson kalit të ecë përpara me urdhër të tij. Pasi ia merr dorën përsosmërisht këtij hapi të parë, kali duhet të mësojë të anojë mbrapa ndërsa lëviz, duke e spostuar qendrën e gravitetit drejt pjesës së pasme. Ky ushtrim e bën kalin të aftë që ta përqendrojë të gjithë fuqinë në anën e pasme, një teknikë që është e domosdoshme për të kryer lëvizjet më të vështira.

Lëvizjet që mëson kali ndahen në dy grupe: lëvizje të natyrshme dhe lëvizje artificiale. Të parat kërkojnë që kali të përmirësojë lëvizjet që i ka të natyrshme​—ecjen, trokun dhe galopin. Lëvizjet artificiale të zhvilluara nga Shkolla Mbretërore kërkojnë një lidhje shumë të ngushtë mes kalit dhe kalorësit. Këto lëvizje kanë nevojë për shumë saktësi dhe për fuqi të jashtëzakonshme fizike.​—Shih «Lëvizjet akrobatike bazë të një baleti kuajsh».

«Për t’i kryer këto ushtrime të vështira të Shkollës Mbretërore, kali dhe kalorësi duhet të kenë një lidhje shumë të ngushtë,​—thotë Hose-Maria Sançez Kobos, drejtor i shfaqjes në Shkollën Mbretërore.​—Nga të gjitha racat e kuajve, kali andaluzian konsiderohet si një nga racat më fisnike, dhe disa nga këto kafshë mund të bëhen vërtet shokë të ngushtë me kalorësin. Gjithsesi, ka raste kur kali dhe kalorësi nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin, dhe në këtë rast ata duhen ndryshuar.»

Kur u pyet për reagimin e kuajve ndaj muzikës, Hose-Maria shpjegoi: «Kuajt nuk e ndiejnë muzikën ashtu si ne, por duket ashiqare se muzika që dëgjojnë gjatë shfaqjes ndikon tek ata. Duket qartë se ata reagojnë ndaj muzikës tradicionale që është pjesë e pandashme e shfaqjes dhe gjithashtu, reagojnë edhe ndaj duartrokitjeve të publikut.»

Kuajt i përgjigjen vëmendjes së madhe që u tregohet në shkollë. Ata i pastrojnë e i zbukurojnë për shfaqjen dhe i lajnë çdo ditë pasi mbarojnë stërvitjen, që t’u heqin djersën dhe t’i freskojnë pak. Meqë lëkura e tyre është më e ndjeshme se ajo e njerëzve, ka nevojë për kujdes të veçantë.

«Ka një shprehje spanjolle,​—shton Hose-Maria,​—që thotë se 7 vitet e para, kalin duhet ta bësh shok dhe ta stërvitësh; pastaj ke 7 vjet të tjerë për t’u kënaqur me të; dhe pastaj, pas 14 vjetësh, bëhet i padobishëm. Por kjo nuk është aspak e vërtetë këtu në shkollën tonë. Një nga kuajt tanë, Zamorano, vazhdonte të jepte shfaqje edhe kur ishte 22 vjeç.»

Rezultati përfundimtar i këtij kujdesi dhe e kësaj stërvitjeje të veçantë, është shfaqja gjatë së cilës kuajt kryejnë lëvizjet e tyre karakteristike. Këtu spektatori sheh me sytë e tij se si kali dhe kalorësi formojnë një skuadër të shkëlqyer, dhe se si këto krijesa kaq të hijshme, por edhe të forta, i hedhin hapat sipas muzikës tradicionale spanjolle. Ja përse Alberti, në vargun e fundit të poezisë së tij të cituar në fillim, i përshkroi këto kafshë të hijshme si «kuaj që vallëzojnë me erën».

[Kutia dhe figurat në faqen 17]

Lëvizjet akrobatike bazë të një baleti kuajsh

Termi «lëvizje akrobatike» i referohet një sërë lëvizjesh të ndryshme që kryen kali. Më poshtë janë disa nga lëvizjet akrobatike kryesore.

Piaffe: Kali qëndron në vend, ndërkohë që kryen një trokth ritmik, tamam sikur po vrapon në vend numëro.

Passage: Kali bën një trokth të ngadaltë dhe i ngre thundrat lart nga toka, duke dhënë përshtypjen sikur po vallëzon.

Levade: Kali i ngre këmbët e përparme lart dhe mban një pozicion që formon një kënd 45 gradë me tokën. Kjo kërkon një kontrollim të mirë të muskujve dhe një ekuilibër të përsosur.

Curvet: Kali bën një seri kërcimesh me këmbët e pasme pa i lënë këmbët e përparme të prekin përdhe.

Capriole: Kali hov në ajër, duke i afruar këmbët e përparme te kraharori në momentin kur arrin pikën më të lartë, ndërsa këmbët e pasme i shtyn sikur po gjuan me shkelma.

Kuajt me karroca

Një tjetër disiplinë që përfshihet në shfaqje është enganche ose vallëzimi dysh. Kuajt tërheqin karroca tradicionale, duke i sinkronizuar në mënyrë të përsosur lëvizjet. Edhe kjo kërkon vite të tëra stërvitjeje. Të veshur bukur, kuajt dhe kalorësit japin një spektakël që i bën të pranishmit të kujtojnë edhe një herë kohën kur kuajt dhe karrocat ishin mënyra kryesore e udhëtimit.

[Burimet]

Piaffe, passage dhe capriole: Fotografía cedida por la Real Escuela Andaluza; curvet, levade dhe karroca: Fundación Real Escuela Andaluza del Arte Ecuestre

[Burimi i figurës në faqen 15]

Fotografía cedida por la Real Escuela Andaluza