Të jetosh me kancerin e lëkurës
Të jetosh me kancerin e lëkurës
JEREMIA pesëdhjetëenjëvjeçar është australian me origjinë irlandeze. Ai i ka flokët në ngjyrë të kuqe të ndezur, kurse lëkurën e ka të bardhë qumësht, tipare që disa i quajnë «mallkimi i keltëve». Ai thotë: «Si shumica e australianëve, edhe familja jonë rrinte shpesh në natyrë, sidomos në fundjavë dhe gjatë pushimeve verore. Kur isha fëmijë, për orë të tëra notoja në pishinën që kishim në oborrin e shtëpisë ose bëja sërf dhe luaja kriket në plazhet e Bregut të Artë, në jug të Brisbeinit. Shpesh rrija vetëm me rroba banje notarësh.»
Jeremia vazhdon: «Deri sa hyra në vitet e para të adoleshencës, në treg nuk kishte kremra plazhi të mira. Në atë kohë i bëhej shumë reklamë vajit të kokosit, duke i nxitur njerëzit që ta përdornin për t’u nxirë dhe të kishin pamjen e bronztë të një rojeje plazhi australian. Atëherë dinim shumë pak për dëmet që dielli mund t’i shkaktojë lëkurës. Vetëm ngaqë i provova shumë herë dhembjet e djegieve të rënda, për t’u mbrojtur nuk rrija jashtë kur dielli ishte i fortë.» Por e keqja ishte bërë. «Gjithë ato vjet me shpinë dhe gjoks zbuluar, bënë që të më dilnin shumë nishane, të cilët filluan të nxiheshin e të trasheshin, sidomos në gjoks.»
Që nga ajo kohë, Jeremia ka hequr tri melanoma dhe shumë karcinoma bazoqelizore. Prandaj, ai i ka ndryshuar zakonet e tij. Jeremia thotë: «Çdo ditë, para se të dal nga shtëpia, përdor një zbutës lëkure. Mbi të vë një krem kundër diellit. Në verë, shumicën e ditëve, nga ora 9.00 deri në orën 16.00 mbaj një kapelë ose kasketë.» Veç kësaj, çdo tre muaj, ai shkon për kontroll te dermatologu.
Jeremia tregon se çfarë e ka ndihmuar ta përballojë këtë gjendje të vështirë: «Perëndia Jehova më ka dhënë bindjen e fortë që të mos i humbja shpresat se do të shërohesha, edhe kur të tjerët mendonin se do të vdisja nga viti në vit. Duke u bazuar në jetëgjatësinë e shumë njerëzve me melanomë 20 vjet më parë, disa më kanë quajtur një kufomë që ecën. E kam provuar vetë se sa të vërteta janë fjalët e mbretit David: ‘Zoti do të më ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes time, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin tim.’»—Edhe Maksinës i është dashur të luftojë me kancerin e lëkurës. Kur ishte e re, Maksinën, e cila ishte bardhoshe, e caktuan si misionare në vendet tropikale, në fillim në Republikën Domenikane dhe pastaj në Porto-Riko. Për 20 vjet, gjatë shërbimit të saj si misionare, një pjesë të mirë të ditës ajo dilte në diell dhe shkonte nga shtëpia në shtëpia. Gjithashtu, në kohën e lirë i pëlqente të bënte banjë dielli. Mirëpo, më 1971, në fytyrën e saj u zbulua një karcinomë bazoqelizore. Ajo iu nënshtrua trajtimeve me radium, pastaj kirurgjisë dhe transplatimit të lëkurës për të ndrequr dëmet. Megjithatë, shfaqeshin vazhdimisht qeliza kanceroze.
Maksina shpjegon: «Problemi ishte se, shpesh, qelizat kanceroze nuk dalloheshin, kështu që vazhdonin të shtoheshin. Ka qenë një kohë e gjatë dhe e vështirë—gati 30 vjet me vizita te mjeku, nëpër klinika dhe spitale. Kam bërë të paktën dhjetë operacione në fytyrë, përveç vizitave në një klinikë për ta trajtuar kancerin me mjete të tjera.» Trajtimi i fundit që ka bërë 80-vjeçarja Maksinë, ka qenë kirurgjia e Mohut, e cila ka dhënë më shumë rezultat në heqjen e qelizave kanceroze.
Për shkak të kancerit të lëkurës që i rishfaqej herë pas here, Maksinës iu desh të bënte ndryshime në mënyrën se si e kryente shërbimin si misionare, duke dalë në shërbim në mbrëmje, që të mos dilte nëpër diell. Çfarë e ka ndihmuar Maksinën që ta përballojë këtë sëmundje? Ajo thotë: «Një gjë është të mbaj një pikëpamje optimiste. E di që qelizat kanceroze do të më dalin vazhdimisht dhe do të më duhet të shkoj përsëri te mjeku. Këtë e pranoj. Përpiqem të mos e mëshiroj veten ose të mos ankohem për problemet e mia. Këto nuk ma heqin gëzimin që ndiej në shërbim. Ende kam mundësi t’u flas të tjerëve për Mbretërinë e Jehovait. Gjithashtu kam shpresën që, në të ardhmen e afërt, në botën e re, do të shërohem njëherë e mirë. Atëherë do të kem një fytyrë të freskët e të përsosur.»
Po, ata që vuajnë nga kanceri i lëkurës ose nga sëmundje të tjera mund të presin me gëzim ditën kur fjalët e shkruara në librin e Jobit do të plotësohen: «Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.» (Jobi 33:25) Derisa të vijë ajo kohë, le të jemi të vetëdijshëm për rreziqet e ekspozimit të tepërt në diell dhe le të bëjmë një përpjekje të ndërgjegjshme për ta mbrojtur lëkurën.
[Figurat në faqen 9]
Jeremia ka hequr disa kancere të lëkurës, duke përfshirë edhe tri melanoma. Megjithatë, ai ruan optimizmin dhe nuk i humb shpresat
[Figurat në faqen 10]
«Në botën e re . . . , do të kem një fytyrë të freskët e të përsosur.»—Maksina