Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vera, druri dhe mjeshtëria e punimit të vozave

Vera, druri dhe mjeshtëria e punimit të vozave

Vera, druri dhe mjeshtëria e punimit të vozave

ÇOKOLLATË, arrëmyshk, vanilje​—këto janë disa nga fjalët që prodhuesit e verës përdorin për të përshkruar shijen e verës. Çfarë i bën verërat të kenë shije nga më të ndryshmet? Faktorë të tillë, si varietetet e rrushit, cilësia e tokës dhe moti, të gjithë së bashku bëjnë pjesën e tyre. Megjithatë, në shekullin e parë, prodhuesit e verës shtuan edhe një përbërës tjetër, në listën me më shumë se 400 përbërës që ndikojnë në shijen dhe aromën e verës. Ky përbërës i rëndësishëm është druri​—jo dru i çfarëdoshëm, por një lloj i veçantë që njihet si dushku i bardhë.

Si lindi ky «bashkëpunim» i verës me drurin? Dhe, përse dushku është lloji i preferuar i prodhuesve të verërave me cilësi?

Druri zëvendëson lëkurën dhe argjilën

Sipas të dhënave historike, që në lashtësi njeriu ka zbuluar se si ta bëjë verën. (Zanafilla 9:20, 21) Prodhuesit e verës e hidhnin lëngun e rrushit në enë argjile ose në kacekë që bëheshin me lëkurën e kafshëve, që të fermentohej. Lëkura e kafshëve dhe argjila mbetën mjetet bazë të ruajtjes dhe të transportimit të verës deri në kohën e Krishtit. (Mateu 9:17) Megjithatë, në këtë kohë nisi të përdorej një metodë tjetër për ruajtjen dhe transportimin e verës.

Historiani i shekullit të parë, Plini Plaku, shkruan se mjeshtërit që jetonin në Gali, Franca e sotme, shpikën një metodë për të bërë voza prej druri, duke u dhënë formë e duke i bashkuar listelat e drurit. Bërësit e vozave, i trashëgonin brez pas brezi aftësitë e domosdoshme për të bërë këto enë të volitshme. Përveç vozave të papërshkueshme nga uji, që mbanin lëngje, si verë dhe vaj, mjeshtërit bënë edhe voza të tjera, të cilat ishin ideale për të mbajtur gjëra të thata, si miell ose sende të ngurta si gozhdët. Në një kohë kur për të transportuar mallrat viheshin në punë muskujt e njerëzve dhe të kafshëve, shpikja e vozave ishte një hap i madh përpara. Përse?

Një hap i madh në teknologji

Forma «buçko» e vozës bëri jo vetëm që ajo të ishte shumë e fortë, por edhe të funksiononte si një rrotë. Një arkë plot me mallra të rëndë duhej të lëvizej nga disa burra ose një kafshë, kurse një vozë me të njëjtën sasi malli mund të rrokullisej dhe të manovrohej vetëm nga një burrë. Meqë vozat ishin më të forta se enët prej balte dhe lëvizeshin më kollaj se arkat, kjo i dha shtysë tregtisë të të gjitha mallrave gjatë shekujve.

Sot, enët plastike, enët prej çeliku, si dhe kutitë prej kartoni, i kanë zëvendësuar gjerësisht ato enë të lashta. Sidoqoftë, mjeshtëria e bërjes së vozave jo vetëm që po mbijeton, por edhe po lulëzon. Për shembull, vetëm në Kaliforni, SHBA, industria e prodhimit të vozave punëson rreth 12.000 njerëz dhe fiton mbi 211 milionë dollarë në vit. Vetëm një punishte e tillë në luginën Napa, një krahinë me emër për prodhimin e verës në Kaliforni, bën më se 100.000 voza në vit. Si bëhen këto voza?

Nga pylli në zjarrin e zanatçiut

Vozat e cilësisë së parë e nisin «jetën» në pyjet e dushqeve të Francës. Pikërisht atje bëhen rreth 45 për qind e të gjitha vozave të verës, ngaqë në atë vend ky dru është cilësor dhe gjendet me bollëk. Në fillim, sharrëtarët presin drurë që janë rreth 100 dhe 200-vjeçarë. Drurët sharrohen me motosharrë dhe bëhen trungje, e pastaj priten me kujdes, sipas drejtimit të damarëve, duke nxjerrë kështu disa dërrasa të ashpra. Nëse dërrasat priten gabim, do të thyhen kur të përkulen ose do ta nxjerrin verën kur të mbushet voza. Dërrasat stivohen në vend të hapur, ku dielli, era dhe shiu u heqin dalëngadalë taninin e hidhur dhe ua bëjnë më të mirë aromën. Dërrasat duhet të përballojnë kushtet e motit një deri katër vjet, para se të përdoren për voza.

Kur viziton një punishte vozash, të duket sikur po viziton ndonjë punishte të së kaluarës. Zhurma e sharrave, zdrukthave dhe çekanëve përzihet me aromën e dushkut. Duke ndjekur traditën e vjetër, mjeshtri u jep formë dërrasave, që të jenë më të gjera në mes dhe të vijnë duke u ngushtuar nga fundi. Ai i mpreh anët e dërrasave në një kënd të saktë që, kur të vendosen njëra pas tjetrës, të formojnë një cilindër. Pas kësaj, fikson disa rrathë të fortë prej hekuri në njërin skaj të dërrasave të bashkuara në formë rrethi, dhe tani voza e papërfunduar ngjan si fund me pala.

Ai e mban vozën e rëndë mbi një mangall të ndezur, që të ngrohë drurin. Pas kësaj, e lag nga brenda vozën gjysmë të përfunduar dhe avulli që krijohet, e zbut drurin. Më pas, lidh një litar ose kabllo në anën e gjerë të vozës dhe e shtrëngon fort, duke bërë kështu që dërrasat të përkulen dhe të marrin formën karakteristike të vozës. Pastaj i ngjesh duke goditur edhe rrathët e fundit prej hekuri, që të shkojnë në vend. Këta vihen për njëfarë kohe, sepse rrathët që do të qëndrojnë përherë, vihen më vonë. Në këtë fazë, voza është e hapur në të dyja anët.

«Thekja» e vozës

Pasi i jep formë vozës, mjeshtri hap një kanal nga brenda, në të dyja skajet, që më pas të vendosë dërrasa të rrumbullakëta për të mbyllur vozën. Këto dërrasa quhen edhe funde të vozës. Fundet janë bërë prej listelash dushku, me shirita kallamash të hollë, të ndërfutura midis tyre. Kallamat shërbejnë si izolues, që druri ta mbajë lëngun edhe nëse bymehet ose tkurret vende-vende.

Para se të vendosen fundet, mjeshtri mund ta vërë sërish vozën mbi mangall, duke «e thekur» ose e përzhitur paksa nga brenda. Se sa do ta përzhitë, pak apo shumë, këtë e vendos ai që prodhon verën dhe që ka porositur vozën. «Thekja» bën që aroma e dushkut të bëhet më e fortë, dhe kjo do të ndihet më shumë te vera. Fundet mund të përzhiten edhe veçan. Pastaj, mjeshtri fikson fundet dhe hap një vrimë në anë të vozës, që të mbushet a të zbrazet. Për t’i dhënë dorën e fundit, smerilon dhe pastron anën e jashtme të vozës. Tani është gati për ta çuar në punishten e verës.

Zgjedhja e «erëzave»

«Dushku është ideal për t’i vjetëruar verërat»,​—thotë Bobi, drejtuesi i një punishteje vere në Kaliforni. Ai i shpjegon një grupi vizitorësh që po shohin punishten: «Dushku është druri i vetëm që ka si fortësinë për të bërë voza të forta, ashtu edhe vetinë për ta bërë më të mirë shijen e verës.» Duke treguar një rresht me voza, Bobi thotë: «Ndërsa vera vjetërohet në vozë, ajo luan rolin e një mushkërie. Oksigjeni thithet ngadalë nëpërmjet drurit, duke bërë që vera të oksidohet. Nga ky proces vera merr ngjyrën e vet dhe i shtohet shija. Ndërkohë, voza nxjerr alkoolin dhe ujin, që dalin në formë avujsh. Llumi ose ajo që mbetet nga tharmi, bie në fund të vozës, kurse dushku ngadalë lëshon në verë sheqernat dhe taninet, që i japin shijen e tyre karakteristike. Në varësi të llojit që kërkohet, vera mund të qëndrojë në vozë 18 muaj ose më shumë përpara se të hidhet në shishe.»

Bobi shton: «Vozat nuk përdoren për një kohë të gjatë. Ne i vendosim verërat e cilësisë së parë vetëm në voza të reja, sepse, pasi është përdorur një herë, druri pothuajse e ka humbur shumicën e lëndëve që i japin shije verës. Vozat mund të përdoren më shumë se një herë, por pas disa përdorimesh fillojnë t’i japin verës shije të papëlqyeshme.»

Duke shpjeguar pse është e rëndësishme origjina e dushkut, Bobi thotë: «Dushku i bardhë që rritet në Limosin, Francë, i jep një shije ndryshe nga ç’mund të japë i njëjti lloj dushku, por i rritur në Misuri, në Shtetet e Bashkuara.» Pse ndryshon shija? «Midis shumë faktorëve që ndikojnë, janë përbërja e tokës, moti dhe mosha e drurit. Ndikon edhe mënyra se si thahet druri, nëse thahet në furrë ose në ambient të hapur. Vozat më të mira bëhen vetëm me dru që thahet në ambient të hapur. Shumica e vozave që kemi ne, bëhen me dushk amerikan ose francez, ose me të dy bashkë. Megjithatë, është i përshtatshëm edhe dushku që rritet në Kinë dhe Evropën Lindore.»

Në fund të vizitës, Bobi thotë: «Të gjithë këta faktorë​—lloji i dushkut, deri në ç’masë theket voza dhe sa kohë mbahet vera në vozë​—janë si ‘erëzat’ që prodhuesit e verës i përdorin për t’i ndryshuar shijen produktit përfundimtar. Pra, herën tjetër kur të shijoni një gotë verë të kuqe të mirë, ndaluni e mendoni pak jo vetëm për kohën dhe përpjekjet që janë dashur për të bërë verën, por edhe për mjeshtërinë e bërjes së vozave që ‘kanë ushqyer’ verën.»

[Kutia dhe figura në faqen 26]

Në voza dushku apo me pluhur dushku?

Disa verëra të bardha, si ajo Shardonej, lihen në voza prej dru dushku që të vjetërohen. Por, jo të gjitha mbahen në voza të tilla. Disa prodhues verërash e mbajnë verën në fuçi prej çeliku që nuk ndryshken ose në kontejnerë betoni. Pastaj, që vera të marrë shijen e drurit të dushkut, hedhin brenda fuçive listela, ashkla ose pluhur dushku.

[Figura në faqen 24]

Për vozat përdoret vetëm dushk i cilësisë së parë

[Figura në faqen 24]

Trungjet ndahen me krik hidraulik

[Figura në faqen 24]

Druri duhet prerë sipas drejtimit të damarëve, ndryshe dërrasat nuk do të jenë të papërshkueshme nga uji

[Figura në faqen 25]

Dërrasë e papërpunuar, gati për t’u përdorur si listelë për voza

[Figura në faqen 25]

Pasi vozat nxehen mbi mangall, dërrasat shtrëngohen me njëra-tjetrën me rrathë hekuri

[Burimi]

Seguin-Moreau, France

[Figura në faqen 25]

Që të ketë më shumë shije, vera vjetërohet në voza dushku

[Figura në faqen 26]

Mjeshtër vozash. Paris, fillimi i shekullit të 20-të

[Burimi]

© Cliché Bibliothèque nationale de France, Paris

[Figura në faqen 27]

Provon verën e vjetëruar në voza, rreth vitit 1900

[Burimi]

© Cliché Bibliothèque nationale de France, Paris

[Burimi i figurës në faqen 24]

© Sandro Vannini/CORBIS