Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Punëdhënësi numër një në botë»

«Punëdhënësi numër një në botë»

«Punëdhënësi numër një në botë»

Çdo vit, mbi 600 milionë njerëz udhëtojnë jashtë shtetit. Qindra milionë të tjerë udhëtojnë brenda vendit të tyre për punë ose për pushime. Prandaj turizmi, duke përfshirë hotelet, shtëpitë e pushimit, linjat ajrore, agjencitë e udhëtimit dhe biznese të tjera në shërbim të turistëve, është quajtur «punëdhënësi numër një në botë».

ANEMBANË botës, turizmi sjell rreth katër mijë miliardë dollarë të ardhura në vit. Turistët mund të mos e shohin veten si pjesë të lëvizjes botërore për paqe, por pikërisht kështu e përshkroi turizmin Organizata Botërore e Turizmit, një institucion i OKB-së. Në vitin 2004, në një konferencë presidenciale në Lindjen e Mesme, Françesko Franxhali, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, tha: «Turizmi dhe paqja janë të pandashëm. Ndikimi i turizmit është kaq i fuqishëm, saqë mund të ndryshojë situata që në dukje janë të pandreqshme dhe të sjellë pajtim atje ku gjithçka mendohej e pamundur.»

Si lindi kjo industri e fuqishme? A ndikon për mirë turizmi? Dhe, a mund të sjellë vërtet paqe turizmi?

Epoka e artë e turizmit

Farat e industrisë moderne të turizmit u mbollën sidomos në shekullin e 19-të. Ndërsa revolucioni industrial shtonte radhët e borgjezisë së mesme në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, numri i njerëzve që kishin para dhe kohë për udhëtime, sa vinte e rritej.

Veç kësaj, u bënë mjaft përparime në fushën e transportit masiv. Lokomotivat e fuqishme i çonin trenat me pasagjerë nëpër qytetet e mëdha, kurse avulloret gjigante i transportonin nga një kontinent në tjetrin. Për t’u kujdesur për dyndjen e udhëtarëve, hotele të mëdha u ndërtuan pranë stacioneve të fundit të linjave hekurudhore dhe porteve.

Më 1841, sipërmarrësi anglez Tomas Kuk kuptoi se sa fitimprurëse do të ishte po t’i bashkoje këto elemente. Ai ishte i pari që kombinoi bashkë transportin, fjetjen dhe veprimtaritë në vendet e preferuara gjatë udhëtimeve të organizuara për turistët. «Falë sistemit që krijoi zoti Kuk,​—tha në vitin 1860 Uilliam Gledstouni, një burrë shteti i Britanisë së Madhe,​—për herë të parë, klasa të tëra shoqërore kanë pasur mundësi të shkojnë në vende të huaja dhe të njihen disi me kulturën e tyre, gjë që ushqen mirësi dhe jo përbuzje.»

Bumi i shekullit të 20-të

Mjerisht, edhe pse turizmi bëri që njerëzit të njiheshin me kulturën e të huajve, kjo nuk e pengoi shpërthimin e dy luftërave botërore gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Megjithatë, në vend që ta rrënonin turizmin, ndryshimet shoqërore dhe përparimi teknologjik që sollën luftërat, e përshpejtuan zhvillimin e këtij biznesi.

Udhëtimi me avion u bë më i shpejtë dhe më pak i kushtueshëm; nëpër kontinente u ndërtuan autostrada dhe automjetet u shtuan. Aty nga mesi i shekullit të 20-të, udhëtimet për turizëm dhe për pushime ishin bërë pjesë e kulturës perëndimore dhe mund t’i shijonin shumica e shtresave shoqërore. Gjithashtu, miliona familje u bënë me televizor dhe u mahnitën nga pamjet e vendeve të panjohura. Kjo u ngjalli dëshirën për të udhëtuar.

Në fillim të viteve 60, numri i turistëve që udhëtonin jashtë shtetit, arriti në 70 milionë çdo vit. Nga mesi i viteve 90, kjo shifër i kaloi 500 milionë veta. Në mbarë globin u ngritën shtëpi pushimi që plotësonin si nevojat e turistëve të huaj, ashtu edhe atyre vendës. Nga turizmi përfituan edhe biznese që nuk lidhen drejtpërdrejt me të, pasi turistët konsumojnë shumë ushqime dhe pije, e shpenzojnë për sa e sa gjëra dhe shërbime të tjera.

Sot turizmi zë një vend të rëndësishëm në ekonominë e më shumë se 125 vendeve. Duke theksuar dobitë e turizmit, në një njoftim për shtyp të Organizatës Botërore të Kombeve të Bashkuara për Turizmin, i cili doli në vitin 2004, thuhej se ai mund të lehtësojë varfërinë, duke hapur biznese të vogla e të mesme, që merren me turizmin. Meqë hap vende të reja pune, ai mund t’i bëjë njerëzit më të «ndërgjegjshëm në lidhje me mjedisin, kulturën dhe shoqërinë».

Por, ju mund të pyesni: «Si i realizon turizmi këto gjëra? Dhe si mund t’i sjellë dobi mjedisit?»

Të ofrosh natyrën për ta shpëtuar atë

Në fillim të viteve 80, disa shkencëtarë dhe kineastë treguan gjithnjë e më shumë interes që të shpëtoheshin pyjet e shiut, shkëmbinjtë koralorë dhe krijesat që varen prej tyre. Programet, raportet dhe dokumentarët që u përgatitën falë këtij interesi për natyrën, shtuan kërshërinë e publikut të vizitonte mrekullitë e saj. Bizneset e vogla që u hapën për të plotësuar nevojat e shkencëtarëve dhe të kineastëve, u zgjeruan për të përballuar dyndjen e turistëve të pasionuar pas natyrës.

Shpejt, shëtitjet turistike në vende të bukura, u bënë të kërkuara. Kështu, ekoturizmi u bë dega që po zgjerohet me ritme më të shpejta në industrinë e turizmit. Nxitja e interesit për mrekullitë e natyrës ka dalë vërtet me shumë fitim. Gazetarja Marta S. Hani shpjegoi: «Në disa vende, turizmi në natyrë u bë shumë shpejt grumbulluesi më i madh i valutës së huaj, duke ia kaluar edhe eksportit të bananeve në Kosta-Rikë, kafesë në Tanzani e Kenia dhe pëlhurave e bizhuterive në Indi.»

Kështu, meqë sjell përfitime financiare, turizmi është bërë një nxitës i rëndësishëm për të shpëtuar bimët dhe kafshët. Hani tha: «Sipas llogaritjeve, në Kenia një luan sjell rreth 7.000 dollarë të ardhura në vit nga turistët, kurse një kope me elefantë 610.000 dollarë në vit.» Shkëmbinjtë koralorë të Havait sjellin 360 milionë dollarë të ardhura çdo vit nga ekoturizmi.

Çfarë është ekoturizmi?

Raporti me titull Ekoturizmi: Parimet, mënyrat dhe strategjitë për ta shfrytëzuar natyrën pa prishur ekuilibrin ekologjik (anglisht), i hartuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, thotë: «Shumë bizneseve që merren me udhëtime dhe turizëm, u vjen për mbarë ta përdorin termin ‘ekoturizëm’ në literaturën e tyre. Edhe qeveritë e kanë përdorur gjerësisht për të tërhequr turistë në vendin e tyre. Por, gjithçka është bërë pa u përpjekur të zbatojnë ndonjë nga parimet bazë [të ekoturizmit].» Si ta kuptoni nëse shëtitja turistike që do të bëni mund të quhet ekoturizëm?

Sipas Megan Epler Udit, një nga autorët e raportit të mësipërm, që një xhiro turistike të cilësohet vërtet si ekoturizëm, duhet të ketë veçoritë e mëposhtme: para udhëtimit, t’u sigurohen pjesëmarrësve informacione për kulturën dhe natyrën e vendeve që do të vizitohen, si edhe të jepen udhëzime për veshjen dhe sjelljen e përshtatshme; të sigurohen ca njohuri bazë për veçoritë gjeografike, shoqërore dhe politike të vendit mikpritës e të krijohen mundësi komunikimi me vendësit, jo vetëm kur turistët të shkojnë në pazar; të merren masa që të paguhen të gjitha biletat e hyrjes në parqet natyrore dhe që strehimi të mos dëmtojë ekosistemin.

Çfarë ka arritur ekoturizmi?

Ekoturizmi shpesh është më shumë se një turizëm i organizuar në një vend me natyrë të bukur. Ai është përkufizuar si «një udhëtim në zona me bukuri natyrore, për të njohur kulturën dhe natyrën e vendit, duke u kujdesur që të mos cenohet ekosistemi. Ndërkohë, ai krijon mundësi ekonomike që e bëjnë mbrojtjen e burimeve natyrore, diçka fitimprurëse për vendësit».

A ka qenë ekoturizmi në lartësinë e këtyre idealeve? Martin Uikelski, nga Universiteti i Prinstonit, thotë: «Ekoturizmi është ndër faktorët kryesorë që mbrojnë [ishujt] Galapagos.» Në Ruandë, Afrikë, është nxitur zhvillimi i ekoturizmit, dhe kjo ka pasur sukses. Pikërisht kësaj i jepet merita që popullata e gorillave të malit ka shpëtuar, pasi vendësve u është krijuar një burim tjetër të ardhurash në vend të gjuetisë pa leje. Në vende të tjera afrikane, rezervatet e gjuetisë mbahen me shpenzimet e turistëve.

Në mbarë botën, ekoturizmi ka ndikuar për mirë te mjedisi dhe te shoqëria, e s’mund të mohohet që turizmi ka sjellë shumë përfitime financiare. Por, a ka ndikuar gjithnjë për mirë ai? Cila është e ardhmja e udhëtimeve nëpër botë?

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Këshilla për ata që udhëtojnë jashtë shtetit *

Para se të niseni

1. Bëni një listë me informacione të rëndësishme: të dhëna për pasaportën, numrat e kartave të kreditit, numrin e biletës së avionit dhe hollësira lidhur me çeqet për udhëtarët. Një kopje të listës lëreni në shtëpi, një kopje merreni me vete.

2. Sigurohuni të keni një pasaportë që nuk i ka mbaruar afati dhe një vizë të vlefshme; bëni ndonjë vaksinë të nevojshme.

3. Merrni masa që të keni një siguracion mjekësor të mjaftueshëm, pasi për ndonjë rast urgjent, trajtimi ose transportimi përtej detit, mund t’ju kushtojë mijëra euro. Nëse keni ndonjë problem shëndetësor, merrni një letër nga mjeku, ku të tregohet gjendja juaj shëndetësore dhe ilaçet që merrni. (Kini kujdes: Në disa vende, disa ilaçe mund të jenë të kundërligjshme. Për hollësirat, informohuni në ambasadën ose në konsullatën më të afërt të vendit që do të shkoni.)

Gjatë udhëtimit

1. Mos merrni me vete gjëra tepër të shtrenjta.

2. Mbani me vete pasaportën dhe gjërat e tjera të çmuara, dhe mos i lini në valixhe ose nëpër xhepa ku shihen kollaj. Mos ia lini të gjitha dokumentet një pjesëtari të familjes.

3. Nëse e mbani portofolin në xhep, hajdutët e xhepave mund ta kenë më të vështirë t’jua marrin po ta mbështillni me rripa llastiku.

4. Kini kujdes kur blini me karta krediti dhe mos e kaloni kufirin e caktuar nga kompania që jua ka lëshuar ato. Në disa vende mund t’ju arrestojnë po të veproni kështu.

5. Jini të kujdesshëm kur bëni fotografi të personelit të ushtrisë dhe ndërtesave të saj ose të pikave me rëndësi industriale, si: portet, hekurudhat ose ndërtesat e aeroportit. Në disa vende kjo mund të shihet si një kërcënim për sigurinë.

6. Mos merrni pako për t’ia dorëzuar dikujt, nga një njeri që nuk e njihni mirë.

Kur blini suvenire

1. Mos harroni se në shumë vende ndalohet importimi i fildishit, guaskave të breshkave të ujit, bimëve, gëzofit dhe gjërave të tjera, edhe nëse janë në formën e suvenirëve të vegjël.

2. Kini kujdes kur blini objekte prej qeramike të smaltuar, pasi disa nga këto mund të shkaktojnë helmim nga plumbi, nëse nuk janë bërë siç duhet.

[Shënimi]

^ par. 27 Informacion i përshtatur nga Botimi 10542 i Departamentit të Shtetit.

[Figura në faqen 5]

Ekoturizmi është përhapur me të shpejtë