Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Varret​—Dritare për të kuptuar besimet e lashta

Varret​—Dritare për të kuptuar besimet e lashta

Varret​—Dritare për të kuptuar besimet e lashta

KTHEHU me imagjinatën tënde mijëra vjet prapa. Je në Ur, një qytet i begatë mbretëror që ndodhet në Sumer, Babiloni. Një procesion i gjatë sumerësh ka dalë nga qyteti, ka hyrë në varreza dhe tani po zbret poshtë për te varri i një sundimtari që ka vdekur para pak kohësh. Muret anësore dhe dyshemeja e varrit janë veshur me sixhade, dhe dhoma është zbukuruar me vepra madhështore të artit sumerian. Muzikantët shoqërojnë këtë procesion me ushtarë, shërbyes dhe gra. Të gjithë janë veshur me rrobat më të bukura. Oficerët mbajnë me krenari simbolet që tregojnë rangun e tyre. Në këtë turmë të larmishme ka karroca që i drejtojnë njerëzit e i tërheqin qetë ose gomarët, dhe, në krye të kafshëve, ecin shërbyesit. Të gjithë zënë vend dhe fillon një shërbesë fetare, e shoqëruar me muzikë.

Pasi përfundojnë ritet fetare, secili, që nga muzikantët e deri te shërbyesit, merr kupën e vogël prej argjile, guri ose metali që ka sjellë me vete për këtë rast, e zhyt në një enë të madhe bakri dhe pi një përgatesë të bërë enkas për ta. Pastaj, të gjithë shtrihen duke u vendosur me rregull, rehatohen nëpër sixhade, i zë gjumi dhe vdesin. Dikush me të shpejtë ther kafshët. Punonjësit mbushin kalimin që të çon te varri dhe e vulosin. Sipas besimit të sumerëve, mbreti i tyre i hyjnizuar, tani po hyn plot lavdi në botën tjetër me karrocën e tij të vendosur në varr, me shërbyesit besnikë dhe me rojat e veshura tërë shkëlqim.

Ndërsa punonte në Irakun Jugor, arkeologu sër Leonard Uolli zbuloi 16 varre mbretërore në varrezën e Urit të lashtë, të cilat ishin tamam si ai që përshkruam më lart. Një zbulim makabër, por i jashtëzakonshëm. «Ndër pasuritë e gjetura në këto varre, që deri tani s’kanë asnjë rival në arkeologjinë mesopotame, ishin disa nga sendet më të famshme të artit sumerian, që tani zbukurojnë sallat e Muzeut Britanik dhe Muzeun e Universitetit të Pensilvanisë»,​—thotë Pol Bahni, në librin e tij Varre, varreza dhe mumie (anglisht).

Mirëpo, varret e Urit të lashtë s’ishin aspak të pashoqe, qoftë edhe në ritin e llahtarshëm të flijimeve në njerëz e në kafshë. Në mjaft qytetërime të lashta, fisnikëria dhe mbretërit investonin shumë, e në disa raste me gjëra mizore, për vdekjen e tyre dhe për jetën pas saj. Të mbushura me sende të mrekullueshme artistike dhe me thesare, varret e tyre shpesh u bënin konkurrencë pallateve të të gjallëve. Kurse sot, këto varre, si edhe shumë të tjera më modeste, shërbejnë si një dritare për të parë të kaluarën, duke na dhënë mundësi të shqyrtojmë besimet, kulturën dhe aftësitë artistike e teknologjike të popujve të lashtë dhe të qytetërimeve të zhdukura.

Kalben mes shkëlqimit . . . e madje, të shoqëruar

Në vitin 1974, disa fshatarë po hapnin një pus pranë qytetit të Sianit, në Kinë. Por në vend të ujit, gjetën copa statujëzash prej argjile, disa mekanizma të një arme prej bronzi dhe koka shigjetash. Pa dashje, kishin zbuluar ushtrinë 2.100-vjeçare prej balte të Çinit, që përfshinte mbi 7.000 ushtarë dhe kuaj prej argjile, me një pamje madhështore, të vendosur në formacion ushtarak! Ushtria prej balte e Çinit, që është pjesë e varrit më të madh mbretëror në Kinë, ka marrë emrin e Çin Shih Huang Tisë, perandorit që bashkoi shtetet e Kinës që luftonin me njëri-tjetrin, në vitin 221 p.e.s.

Mauzoleu i Çinit është pak a shumë si një pallat i nëndheshëm. Po pse duhej kjo ushtri prej balte? Në librin e tij Ushtria prej balte e Cinit, Zhang Uanli shpjegon se «mauzoleu [i Çinit] paraqet perandorinë Cin [dhe ishte] bërë që t’i jepte Cin Shi Huangdisë [Çin Shih Huang Tisë] pas vdekjes, gjithë lavdinë dhe fuqinë që kishte pasur kur ishte gjallë». Tani varri është pjesë e një muzeu me sipërfaqe shumë të madhe, që përfshin 400 varre dhe gropa fqinje.

Zhangu thotë se, për të ndërtuar varrin, «u morën në punë mbi 700.000 burra nga çdo cep i perandorisë». Puna vazhdoi edhe pas vdekjes së Çinit në vitin 210 p.e.s. dhe zgjati gjithsej 38 vjet. Megjithatë, jo e gjithë shpura e Çinit ishte prej balte. Historianët thonë se pasardhësi i tij dekretoi që konkubinat pa fëmijë të Çinit të varroseshin bashkë me të, e kështu vdiq një numër «shumë i madh» njerëzish. Praktika të tilla ishin më se të zakonshme në ato kohë.

Në verilindje të Meksikos gjenden rrënojat e qytetit të lashtë të Teotihuakanit. Ky qytet ka një rrugë që quhet «Rruga e të Vdekurve». Bahni, i cituar më parë, shkruan: «Përgjatë kësaj rruge gjen disa nga monumentet arkitekturore më të mëdha në botë.» Këtu përfshihen: Piramida e Diellit dhe Piramida e Hënës, të ndërtuara gjatë shekullit të parë të erës sonë, si edhe rrënojat e Tempullit të Ketzalkoatlit.

Pjesa e brendshme e Piramidës së Diellit duket se ka qenë dhomë varrimi për individë të rangut të lartë, ndoshta edhe për priftërinj. Skeletet njerëzore të gjetura në varret masive aty pranë, tregojnë se mund të jenë flijuar luftëtarë, për të mbrojtur të vdekurit që ndodheshin brenda. Për shkak të modelit të veçantë të varrimeve, arkeologët kanë arritur në përfundimin se në këto rrënoja janë skeletet e rreth 200 njerëzve, përfshirë edhe fëmijë që mund t’i kenë flijuar si pjesë të programit të kushtimit të monumenteve.

Me anije ose me kuaj për në jetën tjetër

Vikingët, luftëtarë dhe detarë të Skandinavisë, që terrorizuan Evropën rreth 1.000 vjet më parë, po ashtu shpresonin të kishin sendet luksoze për një jetë të mirë në tokë pas vdekjes, siç mendonin ata. Ata besonin se të vdekurit e tyre kalëronin me kuaj ose lundronin me anijet e tyre të gjata, për në botën tjetër. Prandaj, në varret e vikingëve mund të gjesh që nga skeletet e kuajve të therur deri te dërrasat e kalbura të anijeve të gjata. Në librin Historia e vikingëve (anglisht), Guin Xhonsi shkruan: «Burrit ose gruas së vdekur i jepej gjithçka që mund t’ia bënte jetën e mëpasshme sa më të rehatshme e të nderuar, si ajo që njihte në tokë . . . Anija [e varrosur] në Ladbi, Danimarkë . . . kishte në bord spirancën, gati për ta hedhur në përfundim të udhëtimit të pronarit të saj.»

Vikingët, si racë luftëtarësh, besonin se, po të vdisnin duke luftuar, do të shkonin në shtëpinë e perëndive, një vend që e quanin Asgard. «Atje mund të luftonin gjithë ditën e të hanin gjithë natën»,​—thotë World Book Encyclopedia. Edhe në varrimet e vikingëve bëheshin flijime në njerëz. Në librin Vikingët thuhet: «Kur vdes një prijës, skllevërve dhe shërbyesve u kërkohet kush dëshiron të vdesë bashkë me të.»

Keltët e lashtë të Evropës Veriore besonin, madje, se borxhi përcillej në botën tjetër, e ndoshta e përdornin këtë si justifikim dinak për të mos i paguar borxhet. Në Mesopotami, fëmijët i varrosnin bashkë me lodrat. Në disa pjesë të Britanisë së lashtë, nëpër varret e ushtarëve viheshin ushqime të tilla si këmbë qengji, që të mos e nisnin të uritur jetën tjetër. Në Amerikën Qendrore, mbretërit e fisit maja varroseshin bashkë me sende prej nefriti, një gur i çmuar i gjelbër që paraqiste lagështinë dhe frymëmarrjen e kondensuar. Qëllimi mund të ketë qenë t’u sigurohej vazhdimësia e jetës pas vdekjes.

Pak pas vitit 1.000 p.e.s., në një rajon ku sot gjenden Bullgaria, Greqia Veriore dhe Turqia, jetuan trakët, një racë mizore, por që njihej edhe për punimet e shkëlqyera prej ari. Varret e trakëve zbulojnë se krerët e tyre varroseshin në mënyrë madhështore, bashkë me karroca, kuaj, armë dhe, patjetër, me gratë e tyre. Në fakt, një grua trake e kishte për nder të flijohej e të varrosej bashkë me të shoqin!

Pak më vonë dhe jo shumë larg nga ai vend, në veri të Detit të Zi, jetuan skithasit. Ata njerëz gjakatarë pinin me kupa të bëra nga kafkat e viktimave dhe visheshin me pelerina të bëra nga skalpet e tyre. Në një varr skithas u gjend skeleti i një gruaje, si dhe një tufë kanabisi anash saj. Në kafkë kishte tri vrima të vogla, ndoshta për të lehtësuar ënjtjen dhe dhembjen që i vinte nga kjo. Me siguri, kanabisin ia kishin vënë pranë, që të lehtësonte dhembjen e kokës në botën tjetër.

Si e mendonin egjiptianët jetën pas vdekjes?

Piramidat e Egjiptit pranë Kajros dhe dhomat e varreve në Luginën e Mbretërve, pranë Luksorit, janë ndër varret e lashta më të famshme. Për egjiptianët e lashtë, fjala që përdornin për «varr» ishte e njëjtë me fjalën për «shtëpi»​—per. «Pra, njeriu kishte një shtëpi kur ishte gjallë dhe një shtëpi pas vdekjes»,​—thotë Kristina El Mahdi në librin e saj Mumiet, mitet dhe magjia në Egjiptin e lashtë (anglisht). Ajo thotë edhe se, «sipas besimeve [të egjiptianëve], ishte e nevojshme mbijetesa e trupit, për mbijetesën e pjesëve të tjera të qenies së tyre: ka, ba dhe ak».

Pjesa «ka» ishte një kopje e padukshme e trupit fizik dhe përfshinte aspiratat, dëshirat dhe nevojat e tij. Pas vdekjes, pjesa «ka» largohej nga trupi dhe banonte në varr. Ngaqë pjesës «ka» i nevojitej çdo gjë që njeriu kishte pasur gjatë jetës, «të mirat materiale që vendoseshin në varr, ishin kryesisht për të plotësuar nevojat e saj», siç shkruan El Mahdi. Pjesa «ba» lidhej me karakterin ose personalitetin e njeriut dhe paraqitej si një zog me kokë njeriu. Pjesa «ba» hynte në trupin e njeriut kur ky lindte dhe largohej nga trupi, pas vdekjes. Pjesa e tretë, «Ak», «lindte» nga mumia ndërsa mbi të thuheshin formula magjike. * Kjo pjesë, «Ak», banonte në botën e perëndive.

Duke e ndarë njeriun në tri pjesë, egjiptianët shkuan një hap më tej se filozofët e lashtë grekë, që e ndanin njeriun vetëm në dy pjesë: trupi dhe një «shpirt» i vetëdijshëm. Ky koncept, ende i përhapur sot, nuk mbështetet fare në Bibël, e cila thotë: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.»​—Eklisiastiu 9:5.

Pse ky fiksim për vdekjen?

Në librin e tij Feja prehistorike (anglisht), E. O. Xhejmsi shkruan: «Nga gjithë situatat . . . që ka hasur njeriu, vdekja ka qenë më shqetësuesja dhe më shkatërruesja . . . Prandaj, nuk është për t’u habitur që kulti i të vdekurve ka zënë një vend kaq të spikatur e ka luajtur një rol kaq thelbësor në shoqërinë njerëzore, që nga lindja e saj.»

Bibla, libri më i vjetër që ka mençuri të vërtetë, e quan vdekjen një armik të njerëzve. (1 Korintasve 15:26) Sa i përshtatshëm ky krahasim! Çdo fis e çdo qytetërim i është kundërvënë me forcë idesë se vdekja është përfundimi i plotë i gjithçkaje. Nga ana tjetër, te Zanafilla 3:19, Bibla e shpreh qartë atë që tregojnë të gjitha varret: «Ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.» Mirëpo, Bibla përdor edhe një shprehje tjetër, që në gjuhën origjinale, fjalë për fjalë, është «varr që shërben për të kujtuar të vdekurit». Përse? Sepse shumë nga ata që janë në varre, qoftë edhe që janë shpërbërë krejtësisht, janë në kujtesën e Perëndisë dhe po presin kohën e lumtur kur ai t’i ringjallë e t’u japë mundësinë të gëzojnë jetën e përhershme në një tokë parajsore.​—Luka 23:43; Gjoni 5:28, 29, shënimi.

Ndërkohë, të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm. Jezui e krahasoi gjendjen e tyre me gjumin. (Gjoni 11:11-14) Në gjendje të tillë, një njeri s’ka nevojë t’i vendosin në varr të mira materiale ose shërbyes. Në fakt, shpeshherë, ata që kanë përfituar nga thesaret e vendosura në varre, kanë qenë jo të vdekurit, por të gjallët, domethënë grabitësit e varreve! Në përputhje me mësimin e saj për gjendjen e të vdekurve, Bibla thotë: «Asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj.» (1 Timoteut 6:7) Sa mirënjohës janë të krishterët për këtë të vërtetë që ‘i liron’ nga praktikat mizore e barbare të riteve të lashta​—po nganjëherë edhe të sotme​—në lidhje me vdekjen!​—Gjoni 8:32.

Po të lëmë mënjanë këtë aspekt, duhet thënë se varret madhështore të njerëzve të lashtë nuk kanë qenë krejt kot. Pa sendet e shumta të punuara nga zejtarët, e madje edhe mbetjet e të vdekurve në ato varre, njohuria jonë për të kaluarën e largët e për disa nga qytetërimet e saj të zhdukura, do të ishte vërtet e cekët.

[Shënimi]

^ par. 20 Termi «mumie» vjen nga fjala arabe mummiya, që do të thotë «bitum» ose «katran». Fillimisht me këtë term quheshin kufomat e zhytura në rrëshirë, ngaqë bëheshin të zeza. Kurse tani përdoret për trupat e ruajtur (të njerëzve a të kafshëve), pavarësisht nëse ruajtja është e rastësishme ose e qëllimshme.

[Kutia dhe figurat në faqen 24]

Sa të shëndetshëm ishin njerëzit në lashtësi?

Duke shqyrtuar kufomat​—sidomos mumiet e trupave të gjetur në varre e të atyre të ruajtur në mënyrë natyrore në shtresa me torfë, në rërën e nxehtë të shkretëtirës dhe në akull e borë,​—shkencëtarët kanë mësuar shumë për shëndetin e paraardhësve tanë të largët. Përparimet në fushën gjenetike u kanë dhënë shkencëtarëve mjete të reja të fuqishme për të përcaktuar çdo gjë: që nga lidhjet familjare të faraonëve e të mbretëreshave të tyre, e deri te grupet e gjakut të vashave inkase. Nga këto studime është zbuluar se njerëzit e lashtë vuanin nga shumë probleme shëndetësore që i kemi edhe ne sot, duke përfshirë artritin dhe iriqët.

Sidomos egjiptianët e lashtë duket se vuanin më tepër, kryesisht për shkak të parazitëve të shumtë​—që nga trematodët e gjakut e deri te krimbat që shkaktojnë drakunkulozën e te shiritat​—që i merrnin nga lumi Nil e nga kanalet e ujitjes. Kjo na sjell ndër mend fjalët që i tha Perëndia Izraelit, pikërisht pasi kombi u çlirua nga Egjipti në vitin 1513 p.e.s.: «Lëngatat e tmerrshme që pe në Egjipt, [Jehovai] nuk do t’i lëshojë mbi ty.»​—Ligji i përtërirë 7:15.

[Burimi]

© R Sheridan/ANCIENT ART & ARCHITECTURE COLLECTION LTD

[Figura në faqen 20]

Kapelë dhe bizhuteri sumeriane të një shërbyeseje të varrosur në varrin e një mbreti, në Ur

[Burimi]

© The British Museum

[Figurat në faqen 21]

Ushtria prej balte e Çinit​—secili ushtar ishte punuar me tipare të veçanta të fytyrës

[Burimi]

Kutia: Erich Lessing/Art Resource, NY; © Joe Carini / Index Stock Imagery

[Figura në faqen 23]

Piramida e Diellit dhe «Rruga e të Vdekurve» në Teotihuakan, Meksikë

[Burimi]

Sipër: © Philip Baird www.anthroarcheart.org; piktura: Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.

[Figurat në faqen 23]

Majtas: maskë varrimi e derdhur në ar të kulluar, e mbretit egjiptian Tutankhamen; poshtë: pikturë në një varr, që e paraqet pjesën «ba» si një zog me kokë njeriu