Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë vite të lumtura?

A janë vite të lumtura?

A janë vite të lumtura?

ËSHTË ora 6.30. Në Soveto të Afrikës së Jugut agon një ditë e acartë dimri. Evelina duhet të ngrihet nga shtrati. * Në shtëpinë e saj pa ngrohje, kjo është një torturë e vërtetë.

Me ngadalë, ajo afron në buzë të shtratit gjunjët që i dhembin nga artriti. Pastaj rri ndenjur një copë herë. Pak nga pak, dhembja sikur i lehtësohet. Mbledh forcat dhe ngrihet. Rënkon nga dhembja. Pastaj, me duart në ijë, Evelina çapitet ngadalë për në banjë. Kjo pamje e trishtueshme na sjell ndër mend një përshkrim poetik të goditur të pleqërisë, i cili është marrë nga libri biblik i Eklisiastiut.—Eklisiastiu 12:5.

‘Uh, shyqyr’,—thotë Evelina me vete. Ajo jo vetëm që arriti të ngrihet edhe një ditë tjetër, por edhe ta vërë në lëvizje trupin e saj të sfilitur.

Por diçka tjetër e shqetëson. «Kam frikë se mos matufosem»,—thotë Evelina. Nganjëherë i ndodh të humbë çelësat, por ende e ka mendjen qiqër. Evelina thotë: «Lutem vetëm të mos më ikë mendja, siç u ndodh ca pleqve.»

Kur ishte e re, Evelina as nuk e çonte nëpër mend pleqërinë. Por papritur, koha sikur ka fluturuar, e tani, trupi ia kujton çdo çast se është 74 vjeçe.

Disa që jetojnë në kushte më të mira se Evelina e nuk kanë shumë halle a ndonjë sëmundje të rëndë, i shohin vitet e pleqërisë si vite të lumtura. Ashtu si patriarku Abraham, ata arrijnë një ‘pleqëri të mbarë, të moshuar e të kënaqur’. (Zanafilla 25:8) Kurse të tjerë kalojnë ‘ditë e vite të këqija’ dhe mund të thonë vetëm: «Nuk gjej asnjë kënaqësi në to.» (Predikuesi [Eklisiastiu] 12:1, Diodati i Ri) Në një anketë, ishin kaq të shumtë njerëzit që e shihnin me pesimizëm daljen në pension, saqë revista Newsweek sugjeronte që të mos quheshin më pleqëri e bardhë, por «epoka e errët».

Çfarë mendoni ju për pleqërinë? Cilat janë disa nga problemet që hasin të moshuarit? A është e pashmangshme humbja e aftësive mendore në pleqëri? Ç’mund të bëhet për të pasur paqe mendore gjatë viteve të pleqërisë?

[Shënimi]

^ par. 2 Në këta artikuj, disa emra janë ndryshuar.