Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka vetëm një Perëndi të vërtetë?

A ka vetëm një Perëndi të vërtetë?

Pikëpamja e Biblës

A ka vetëm një Perëndi të vërtetë?

MOLEKU, Ashtorethi, Baali, Dagoni, Merodaku, Zeusi, Hermesi dhe Artemisa janë disa nga perënditë e perëndeshat që përmenden në Bibël. (Levitiku 18:21; Gjykatësit 2:13; 16:23; Jeremia 50:2; Veprat 14:12; 19:24) Megjithatë, në Shkrime vetëm Jehovai përshkruhet si Perëndia i Plotfuqishëm. Në një këngë fitoreje, Moisiu e printe popullin duke kënduar: «Kush mes Perëndive, o Jehova, është porsi ti?!»—Dalja 15:11.

Është e qartë, Bibla e vendos Jehovain përmbi të gjitha perënditë e tjera. Por çfarë roli luajnë këto perëndi më të ulëta? A janë ato dhe perënditë e tjera të panumërta që janë adhuruar ndër shekuj, perëndi të vërteta me një pozitë më të ulët se Perëndia i Plotfuqishëm, Jehovai?

Fryt i imagjinatës

Bibla e identifikon Jehovain si të vetmin Perëndi të vërtetë. (Psalmi 83:18; Gjoni 17:3) Profeti Isaia regjistroi vetë fjalët e Perëndisë kur tha: «Përpara meje nuk u formua asnjë Perëndi dhe pas meje prapë nuk kishte asnjë. Unë, pikërisht unë, jam Jehovai dhe veç meje nuk ka tjetër shpëtimtar.»—Isaia 43:10, 11.

Të gjitha perënditë e tjera nuk janë thjesht më inferiore se Jehovai. Në shumicën e rasteve ato nuk ekzistojnë, janë fryt i imagjinatës njerëzore. Bibla u referohet këtyre perëndive si ‘perëndi të sajuara nga duart e njeriut, që nuk mund të shohin, të dëgjojnë, të hanë a të nuhatin’. (Ligji i përtërirë 4:28) Bibla mëson qartë se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë.

S’është çudi përse Shkrimet paralajmërojnë prerazi të mos adhurojmë asnjë perëndi tjetër përveç Jehovait. Për shembull, në të parin nga Dhjetë Urdhërimet që iu dhanë Moisiut, kombit të lashtë të Izraelit iu tha të mos adhuronte asnjë perëndi tjetër. (Dalja 20:3) Përse?

E para, të adhurosh një perëndi që as nuk ekziston, është një fyerje e rëndë për Krijuesin. Në Bibël, adhuruesit e këtyre perëndive të rreme janë përshkruar si ata që «e këmbyen të vërtetën e Perëndisë me gënjeshtrën dhe përnderuan e i bënë shërbim të shenjtë krijesës, në vend se Atij që krijoi». (Romakëve 1:25) Shpesh këto perëndi imagjinare përfaqësohen nga idhuj që janë bërë me materiale që gjenden në natyrë, si për shembull prej metali ose druri. Shumë perëndi shoqërohen me disa aspekte të caktuara të natyrës, si për shembull me stuhinë, oqeanet dhe erën. Është e qartë pra se adhurimi i këtyre pseudoperëndive është një akt flagrant i mungesës së respektit për Perëndinë e Plotfuqishëm.

Për Krijuesin, perënditë e rreme dhe idhujt e tyre janë të neveritshëm. Megjithatë, pakënaqësia e Perëndisë është kryesisht ndaj atyre që i kanë krijuar këto perëndi të rreme. Ndjenjat e tij janë të shprehura fuqimisht me këto fjalë: «Idhujt e kombeve janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut. Kanë gojë, por s’mund të flasin; kanë sy, por s’mund të shohin; kanë veshë, por s’mund të dëgjojnë; nuk ka frymë në gojën e tyre. Kush i bën, do të katandiset njësoj si ata, po, kushdo që u beson atyre.»—Psalmi 135:15-18.

Ka edhe një arsye tjetër përse Bibla paralajmëron prerazi kundër adhurimit të çdo njeriu ose të çdo gjëje, në vend të Perëndisë Jehova. Ky lloj adhurimi është një humbje e madhe kohe dhe përpjekjesh. Profeti Isaia pohoi me të drejtë: «Kush ka bërë një perëndi ose ka derdhur një shëmbëlltyrë? Nuk i ka vlejtur për asgjë.» (Isaia 44:10) Po ashtu, Bibla thotë se «tërë perënditë e popujve janë të kota». (Psalmi 96:5) Perënditë e rreme nuk janë asgjë, dhe adhurimi i tyre nuk të sjell ndonjë dobi.

Jezui, engjëjt dhe Djalli

Disa herë Shkrimet u referohen personave realë si të ishin perëndi. Megjithatë, një shqyrtim më i kujdesshëm tregon qartë se termi «perëndi» në këto raste nuk do të thotë medoemos se këta individë duhet të adhuroheshin si perëndi. Përkundrazi, në gjuhët origjinale në të cilën u shkrua Bibla, termi «perëndi» përdorej edhe për të përshkruar një person të fuqishëm, dikë që ngjan si perëndi ose që është i lidhur ngushtë me Perëndinë e Plotfuqishëm.

Për shembull, disa vargje biblike i drejtohen Jezuit si perëndi. (Isaia 9:6, 7; Gjoni 1:1, 18) A do të thotë kjo se duhet ta adhurojmë Jezuin? Vetë ai tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Luka 4:8) Qartë, ndonëse Jezui është i madh në fuqi dhe ka të njëjtën natyrë si Perëndia, Bibla nuk e portretizon si dikë që duhet ta adhurojmë.

Gjithashtu, engjëjve u referohet si «ata që ngjajnë si perëndi». (Psalmi 8:5; Hebrenjve 2:7) Gjithsesi, në asnjë vend në Shkrime njerëzit nuk nxiten të adhurojnë engjëjt. Faktikisht, në një rast, apostulli i moshuar Gjon, u trondit kaq shumë nga prania e një engjëlli, saqë ishte gati ta adhuronte atë. Megjithatë engjëlli iu përgjigj: «Kujdes! Mos e bëj! . . . Perëndinë adhuro.»—Zbulesa 19:10.

Apostulli Pavël e përshkroi Djallin si ‘perëndinë e kësaj bote’. (2 Korintasve 4:4) Si «sundimtari i kësaj bote», Djalli është munduar të nxitë adhurimin e një numri të panumërt perëndish të rreme. (Gjoni 12:31) Prandaj, i gjithë adhurimi që u drejtohet perëndive të bëra nga dora e njeriut, i bëhet faktikisht Satanait. Por Satanai nuk është një perëndi që meriton adhurimin tonë. Ai është një sundimtar i vetëvendosur, një uzurpues. Në fund, ai vetë, si edhe të gjitha format e adhurimit të rremë, do të zhduken. Kur të ndodhë kjo, i gjithë njerëzimi—po, i gjithë krijimi—do të njohë përgjithmonë Jehovain si të vetmin Perëndi të gjallë e të vërtetë.—Jeremia 10:10.

A DONI TË DINI?

▪ Çfarë mëson Bibla rreth adhurimit të idhujve?​—Psalmi 135:15-18.

▪ A duhet të adhurohen Jezui dhe engjëjt si perëndi?​—Luka 4:8.

▪ Kush është i vetmi Perëndi i vërtetë?​—Gjoni 17:3.

[Figurat në faqet 28, 29]

Figurat nga e majta në të djathtë: Maria, Itali; perëndia i misrit, majat, Meksikë dhe Amerika Qendrore; Ashtorethi, Kanaan; idhull, Sierra Leone; Buda, Japoni; Çikomekoatli, actekët, Meksikë; fajkua Horusi, Egjipt; Zeusi, Greqi

[Burimi]

Perëndia i misrit, fajkua Horusi dhe Zeusi: fotografi me mirësjellje nga British Museum