Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Tamizi plak»: Trashëgimia unike e Anglisë

«Tamizi plak»: Trashëgimia unike e Anglisë

«Tamizi plak»: Trashëgimia unike e Anglisë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

Lumi Tamiz—që njihet nga anglezët si Tamizi plak—lind nga bashkimi i katër përrenjve në kodrat piktoreske Katsuold, në jug të Anglisë. Ndërsa gjarpëron 350 kilometra drejt lindjes, bashkohet me lumenj të tjerë derisa në fund derdhet në Detin e Veriut me një grykëderdhje rreth 29 kilometra të gjerë. Historia e këtij lumi të shkurtër që ndikoi në të kaluarën e Anglisë, është vërtet mahnitëse.

JUL CEZARI drejtoi pushtimin e parë romak kundër Anglisë rreth vitit 55 p.e.s. Kur u kthye një vit më pas, nuk përparoi dot për shkak të lumit që ai e quajti Tamesis, pra Tamiz. Më në fund, vetëm pas 90 vjetësh vendi u nënshtrua nga perandori romak Klaudi.

Në atë kohë, kënetat shtriheshin në të dyja anët e Tamizit. Mirëpo atje ku deti bashkohej me lumin, gati 50 kilometra larg grykëderdhjes, ushtria romake më vonë ndërtoi një urë druri. Atje, në bregun verior të lumit ngritën një port që e quajtën Londinium. *

Për katër shekujt vijues, romakët e zgjeruan tregtinë me pjesët e tjera të Evropës dhe importuan sende luksoze nga Mesdheu, madje edhe dru nga Libani. Po ashtu e shfrytëzuan Tamizin për t’i çuar mallrat nga zonat në brendësi të vendit në Londër. Kështu pra, Londra, shpejt u bë qendër e rëndësishme tregtare, falë sistemit të veçantë të rrugëve kryesore (që dilnin nga qendra dhe përhapeshin si rreze).

Ndikimi i pushtuesit Uilliam

Pasi Perandoria Romake u shemb, legjionet romake u larguan nga Britania në vitin 410 të e.s.; Londra u braktis dhe tregtia përgjatë Tamizit natyrisht që ra. Mbretërit anglosaksonë kurorëzoheshin në Kingston—19 kilometra nga Londra, atje ku Tamizi mund të kalohej kollaj—deri në shekullin e 11-të kur Uilliami nga Normandia e pushtoi. Pasi u kurorëzua në Uestminstër më 1066, ai ndërtoi Kullën e Londrës brenda mureve të qytetit romak, me qëllim që të sundonte dhe të shtrinte komunitetin tregtar, si edhe të kontrollonte plotësisht portin. Tregtia nisi të lulëzonte sërish, dhe popullsia e Londrës u rrit gati 30.000 banorë.

Uilliami gjithashtu ndërtoi një kështjellë mbi një shtresë të zhveshur gëlqerore gati 35 kilometra në perëndim të Londrës, që sot njihet si Uinzëri. Nga kjo kështjellë shpaloset një pamje mahnitëse mbi Tamiz, dhe ajo zëvendësoi rezidencën mbretërore saksone. Kështjella Uinzër është produkt i shumë shtesave e përmirësimeve, dhe është një nga vendet më të vizituara në Britani, pasi tërheq shumë turistë.

Në vitin 1209, u përfundua një projekt 30-vjeçar—një urë e gurtë në Londër—një nga të parat në llojin e saj në Evropë. Kjo strukturë e jashtëzakonshme—me dyqane, shtëpi, madje edhe me një faltore—kishte dy ura të lëvizshme dhe në jug të saj, në Sathërk, kishte një kullë për mbrojtje.

Mbreti Xhon i Anglisë (1167-1216) nënshkroi dokumentin e tij të famshëm Magna Carta (statuti i lirive e i të drejtave), në vitin 1215 në Ranimid, në Tamiz afër Uinzërit. Me anë të këtij veprimi, u detyrua të garantonte lirinë e qytetarëve anglezë, por në mënyrë specifike edhe lirinë e Londrës, të tregtisë së portit dhe të tregtarëve të saj.

Tamizi sjell begati

Gjatë shekujve që pasuan, tregtia lulëzoi në Tamiz. Me kalimin e kohës, kjo solli zgjerimin e ndërtesave që ishin ngritur përgjatë lumit. Dyqind vjet më parë, Tamizi kishte vend vetëm për 600 anije në skelat e ankorimit, ndërkohë që disa herë në port pritnin rreth 1.775 anije për të zbarkuar ngarkesën e tyre. Si rezultat i kësaj dyndjeje, vjedhja u bë vërtet problem. Natën, hajdutët u prisnin litarët anijeve të lidhura në mol që t’i vidhnin, dhe me barka të vogla e çonin mallin e vjedhur në vende të tjera duke lundruar nëpër Tamiz. Për të zgjidhur këtë problem, Londra vendosi forcën e parë policore në botë që kontrollonte ujërat e lumit. Kjo polici funksionon ende.

Megjithatë, nevojitej diçka më tepër për të lehtësuar dyndjen në port. Prandaj, gjatë shekullit të 19-të, parlamenti anglez ra dakord për ndërtimin e sistemit më të madh të dokeve të mbyllura në botë, të ndërtuara në të dyja anët e lumit. Doket tregtare «Surrei», doku «Londër» dhe doket «India Perëndimore dhe Lindore», ishin të parat që u përfunduan në fillim të shekullit të 19-të, ndjekur më pas nga ai mbretëror «Viktoria» në vitin 1855 dhe nga doku mbretëror «Alberti» në vitin 1880.

Dy inxhinierë—atë e bir—Izëmbërd K. dhe Mark I. Bruneli, lidhën dy anët e Tamizit në vitin 1840 duke ndërtuar një tunel të nënujshëm, i pari në botë. Është 459 metra i gjatë dhe ende funksionon si pjesë e rrjetit hekurudhor të nëndheshëm të Londrës dhe zonave përreth. Në vitin 1894 u përfundua Ura Kullë (Tower Bridge) një urë moderne që tërheq turistët. Dy pjesët e lëvizshme të urës hapen me një largësi 76 metra me qëllim që të kalojnë anijet e mëdha mes dy kullave të saj binjake. Dhe nëse ngjitni gati 300 shkallë, do të dilni në një kalim të ngushtë nga ku mund të kundroni pamje të mrekullueshme përgjatë lumit.

Në shekullin e 20-të, kompleksi i dokeve të Londrës u pajis mirë për të përballuar fluksin në rritje të avulloreve gjigante, të cilat nevojiteshin për të sjellë mallrat që tregtoheshin në qytet. Që kur u ndërtua doku i fundit më 1921, i cili u quajt me emrin e mbretit Xhorxhi V, Londra kishte «portin më të madh dhe më të pasur në botë».

Lumi «mirëpret» pallate, mbretër dhe shfaqje madhështore

Gjatë periudhës kur Londra po zhvillohej, rrugët e saj mbetën në gjendje të mjerueshme dhe të pashtruara, shpesh të pakalueshme në dimër. Mënyra më e shpejtë dhe më e logjikshme për transportin ishte Tamizi, që me kalimin e viteve u bë rrugëkalimi ujor më i ngarkuar. Thirrja e njohur «Orz!» (rrema) dëgjohej nga marinarët ndërsa mbushnin brigjet e lumit dhe shkallët. Ata thërritnin për të marrë pasagjerët përgjatë, sipër ose poshtë rrjedhës së Tamizit, ose edhe në degët gjarpëruese të lumenjve Flit dhe Ualbruk, të cilët prej kohësh janë varrosur nën rrugët e Londrës që mbajnë emrat e tyre.

Me kalimin e kohës, Londra filloi të ngjante shumë me Venecian, nga tarracat e pallateve të shumta madhështore që zbritnin deri poshtë në lumë. Jetesa në brigjet e Tamizit u bë e modës mes anëtarëve të familjes mbretërore, dhe dëshmi për këtë janë pallatet në Grinuiç, Uaitholli dhe Uestminstëri. Ngjashëm, Hemptën Korti ka qenë shtëpia e mbretërve dhe e mbretëreshave të Anglisë, dhe kështjella Uinzër, e ndërtuar mbi lumë, vazhdon të jetë rezidencë mbretërore.

Në vitin 1717, Xhorxh Fridrik Hendëlli kompozoi një muzikë koncertale për vegla fryme dhe harqe, të quajtur Water Music për të kënaqur mbretin Xhorxhi I me rastin e një pikniku në lumë. Sipas raportit të një gazete të asaj kohe, barka e mbretit shoqërohej nga «një numër kaq i madh barkash, saqë ato mbushën gjithë lumin». Barka që ishte pas asaj mbretërore kishte 50 muzikantë, që i luajtën tri herë kompozimet e Hendëllit, ndërsa bënë 8 kilometra nga Uestminstëri në Çels.

Lumë që ofron kënaqësi dhe çlodhje

Derisa u ndërtua Ura Uestminstër, në vitin 1740, e vetmja mënyrë për ta kaluar Tamizin në këmbë ishte Ura e Londrës (London Bridge), e cila më vonë u rimodelua, dhe në vitet 20 të shekullit të 19-të u zëvendësua përfundimisht. Këmbët që mbanin 19 harqet e strukturës origjinale prej guri, e pengonin shumë rrjedhjen e lumit. Si pasojë, gjatë afro 600 vjetëve të ekzistencës së asaj ure, Tamizi ngriu të paktën mbi tetë herë. Kur ndodhte kjo, «panaire të ngrira» organizoheshin mbi akull, në ato zona ku bëheshin edhe mjaft veprimtari sportive. Atje piqej mish bualli, dhe ndonjëherë edhe anëtarët e oborrit mbretëror merrnin pjesë në këto gosti. Shpejt libra dhe kukulla me një etiketë ku shkruhej «blerë në Tamiz», filluan të shiteshin shumë. Gazetat dhe madje kopjet e Lutjes së Zotërisë, shtypeshin në shtypshkronjat e vendosura në lumin e ngrirë.

Kohët e fundit, Gara Universitare e Barkave, një konkurs mes universiteteve të Oksfordit dhe të Kembrixhit, është kthyer në një ngjarje vjetore që bëhet në pranverë. Turma njerëzish grumbullohen buzë brigjeve të Tamizit midis Pëtnit dhe Mortleikut për të duartrokitur skuadrat konkurruese që përbëhen me nga tetë vozitës, të cilët përshkojnë një largësi prej 7 kilometrash brenda më pak se 20 minutash. Gara e parë është zhvilluar në vitin 1829 në qytetin e Henlit, në drejtim të kundërt me rrjedhën e ujit. Pas ndryshimit të drejtimit, në drejtim të rrjedhës, Henli sponsorizoi garën mbretërore me barka me rrema, veprimtaria më e vjetër dhe më e famshme për sa i përket llojit të saj në Evropë. Kjo garë tërheq vozitëset dhe vozitësit më të shkëlqyer nga e gjithë bota, për të marrë pjesë në garën e 1.600 metrave. Tashmë kjo garë verore është bërë e famshme në të gjithë botën.

Një udhërrëfyes në Britani thotë se Tamizi «të ofron kënaqësi të ndryshme ndërsa rrjedh përmes peizazhit karakteristik anglez me kodra të vogla, pyje, livadhe, shtëpi fshatareske, fshatra të bukura dhe me qytete të vogla. . . . Për kilometra të tëra nuk ka rrugë, por zakonisht mund të gjesh ndonjë shteg. Edhe pse një shofer mund ta admirojë lumin që kalon nëpër qytetet ku ai po udhëton, bukuria e heshtur e Tamizit mund të shijohet plotësisht vetëm kur je me barkë ose kur ecën në këmbë».

A po planifikoni të vizitoni Anglinë? Nëse po, lini edhe pak kohë për të eksploruar Tamizin dhe kënaquni me historinë e tij. Që nga burimi i tij deri te grykëderdhja e bollshme, ka shumë bukuri për të shijuar, gjëra për të bërë e për të mësuar. «Tamizi plak» nuk do t’ju zhgënjejë.

[Shënimi]

^ par. 5 Ndonëse emri Londër vjen nga latinishtja Londinium, të dyja mund të kenë rrjedhur nga fjalët kelte llyn dhe din, që së bashku do të thonë «qytet [ose, kala] mbi liqen».

[Kutia në faqen 27]

LITERATURA DHE TAMIZI

Xherom K. Xheromi, e pasqyroi atmosferën qetësuese të Tamizit në librin e tij Tre burra në barkë (anglisht). Ai përshkruan udhëtimin që bënë tre shokë bashkë me qenin e tyre, duke vozitur në lumë nga Kingstoni-mbi-Tamiz për në Oksford. I shkruar në vitin 1889 e gjerësisht i përkthyer, ai libër është ende shembull «klasik i humorit ironik».

Era përmes shelgjeve (anglisht), është një tjetër tregim shumë i njohur, që pëlqehet si nga të rriturit, ashtu edhe nga fëmijët. I përfunduar në vitin 1908 nga Kenith Gremi, i cili jetoi në Penxhbërn, një qytet mbi Tamiz, ky libër është një histori imagjinare për kafshët që jetojnë në lumë ose afër brigjeve të lumit.

[Kutia dhe figura në faqen 27]

MBRETI NË GARË ME TAMIZIN

Mbreti Xhejmsi I, i cili mbretëroi në fillim të shekullit të 17-të, një herë i kërkoi Korporatës së Londrës 20.000 paunde. Kur kryetari i qytetit refuzoi, mbreti e kërcënoi: «Do të të shkatërroj ty dhe qytetin tënd përgjithmonë. Do t’i çoj gjykatat, këshillin dhe parlamentin tim në Uinçestër ose në Oksford dhe do ta shkretoj Uestminstërin, pastaj shiko se si do të përfundosh.» Kryetari iu përgjigj: «Tregtarët e Londrës do të ngushëllohen gjithnjë nga një fakt—madhëria juaj nuk mund ta marrë dot me vete Tamizin.»

[Burimi]

Nga libri Londra e vjetër dhe e re: Rrëfim për historinë, njerëzit dhe vendet e saj, (Vëllimi II), (anglisht)

[Hartat në faqen 24]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ANGLI

Londër

Lumi Tamiz

[Burimi]

Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqet 24, 25]

Big Beni dhe Parlamenti, Uestminstëri, Londër

[Figura në faqen 25]

Ura e gurtë e Londrës (London Bridge), 1756

[Burimi]

Nga libri Londra e vjetër dhe e re: Rrëfim për historinë, njerëzit dhe vendet e saj, (Vëllimi III), (anglisht)

[Figura në faqen 26]

Kjo gravurë e vitit 1803 tregon lumin Tamiz dhe qindra anijet të ankoruara në port

[Burimi]

Korporata e Londrës, Arkivi i qytetit të Londrës

[Figura në faqet 26, 27]

Një gravurë e vitit 1683 që tregon «panairet e ngrira»

[Burimi]

Nga libri Historia e botës nga Ridpath (Vëllimi VI), (anglisht)