Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është evolucioni një fakt?

A është evolucioni një fakt?

A është evolucioni një fakt?

«EVOLUCIONI është një fakt siç është nxehtësia e diellit»,—deklaron profesori Riçard Dokins, një shkencëtar i shquar evolucionist. Sigurisht, eksperimentet dhe vrojtimet e drejtpërdrejta vërtetojnë se dielli është i nxehtë. Por a e mbështetin në mënyrë absolute eksperimentet dhe vrojtimet e drejtpërdrejta edhe teorinë e evolucionit?

Përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të sqarojmë diçka. Shumë shkencëtarë kanë vënë re se me kalimin e kohës, pasardhësit e gjallesave mund të ndryshojnë paksa. Çarls Darvini e konsideronte këtë proces si prejardhje me modifikim të mëvonshëm. Ndryshime të tilla janë parë nga vrojtimet e drejtpërdrejta, janë provuar nëpërmjet eksperimenteve dhe janë shfrytëzuar me zgjuarsi nga rritësit e bimëve dhe të kafshëve. * Këto ndryshime mund të merren si fakte. Megjithatë, shkencëtarët, këto ndryshime të vogla i quajnë «mikroevolucion». Edhe nga ky emër kuptohet ajo që pohojnë shumë prej tyre: që këto ndryshime fare të vockla japin prova për një dukuri krejtësisht të ndryshme, një dukuri që askush nuk e ka parë, të cilën e quajnë makroevolucion.

E pra, Darvini nxori përfundime që shkonin përtej ndryshimeve të vrojtuara. Në librin e tij të famshëm Origjina e llojeve, Darvini shkroi se qeniet e gjalla nuk i shihte si krijesa të ndara sipas llojeve, por si pasardhës të drejtpërdrejtë të një numri të vogël gjallesash. Ai tha se gjatë periudhave shumë të gjata, ky numër i vogël gjallesash të para ose të ashtuquajturat forma jete të thjeshta, evoluan dalëngadalë—nëpërmjet modifikimeve fare të vogla, siç pohonte ai—e sollën miliona llojet e gjallesave në tokë. Evolucionistët thonë se këto ndryshime të vogla u grumbulluan dhe sollën ndryshimet e mëdha që u deshën për t’i shndërruar peshqit në amfibë dhe majmunët në njerëz. Këto ndryshime të mëdha të supozuara quhen makroevolucion. Shumë vetave u duket i logjikshëm ky pohim. Ata thonë: ‘Përderisa brenda një lloji mund të ndodhin ndryshime të vogla, atëherë përse evolucioni nuk mund të sjellë ndryshime të mëdha gjatë periudhave kohore të gjata?’ *

Teoria e makroevolucionit bazohet në tri hipoteza kryesore:

1. Mutacionet sigurojnë lëndën e parë që nevojitet për të krijuar lloje të reja, *

2. Seleksioni natyror çon në formimin e llojeve të tjera,

3. Dëshmitë fosile provojnë se te bimët dhe te kafshët ka pasur ndryshime makroevolucioniste.

A janë kaq të forta provat për makroevolucionin saqë ai të konsiderohet si një fakt?

A mund të sjellin lloje të reja mutacionet?

Shumë veçori të një bime a të një kafshe përcaktohen nga udhëzimet që gjenden në kodin gjenetik të saj—projekti i mbyllur në bërthamën e çdo qelize. * Studiuesit kanë zbuluar se mutacionet ose ndryshimet e rastësishme në kodin gjenetik, mund të sjellin ndryshime te pasardhësit e bimëve e të kafshëve. Në vitin 1946, Herman J. Myleri, fitues i çmimit Nobel dhe nismëtar i studimeve rreth gjenetikës së mutacioneve, tha: «Gjithë këto ndryshime të rralla dhe kryesisht të vockla, të marra së bashku, jo vetëm që përbëjnë mjetin kryesor për përmirësimin artificial të kafshëve e të bimëve, por për më tepër, nëpërmjet tyre ka ndodhur evolucioni natyror nën drejtimin e seleksionit natyror.»

Ç’është e vërteta, teoria e makroevolucionit bazohet mbi pohimin se mutacionet jo vetëm që mund të prodhojnë lloje të reja, por mund të formojnë familje bimësh dhe kafshësh krejtësisht të reja. A ka ndonjë mënyrë për ta provuar këtë pohim të guximshëm? Le të shqyrtojmë se çfarë është zbuluar për afro 100 vjet studime në fushën e gjenetikës.

Në fund të viteve 30 të shekullit të kaluar, shkencëtarët e përqafuan me entuziazëm idenë sipas së cilës, nëse seleksioni natyror mund të formonte lloje të reja bimësh nga mutacionet e rastësishme, atëherë një seleksion artificial i mutacioneve, pra një seleksion i drejtuar nga njeriu, duhej ta bënte më mirë këtë gjë. «Euforia pushtoi biologët në përgjithësi dhe sidomos gjenetistët e rritësit e bimëve dhe kafshëve»,—tha në një intervistë për Zgjohuni! Volf-Ekehard Lënigu, shkencëtar në Institutin Maks Plank për Kërkime në Kultivimin e Bimëve në Gjermani. Përse kjo eufori? Lënigu, i cili ka kaluar rreth 28 vjet duke studiuar gjenetikën e mutacioneve te bimët, tha: «Këta studiues mendonin se kishte ardhur koha për të revolucionarizuar metodën tradicionale të rritjes së bimëve e të kafshëve. Ata mendonin se duke nxitur e duke përzgjedhur mutacionet e dobishme, mund të merrnin bimë e kafshë të reja dhe më të mira.» *

Shkencëtarë në Shtetet e Bashkuara, Azi dhe Evropë ndërmorën programe kërkimesh të financuara mirë, duke përdorur metoda që premtonin përshpejtimin e evolucionit. Cilat ishin rezultatet pas më shumë se 40 vjet kërkimesh intensive? «Pavarësisht nga shpenzimet kolosale,—thotë studiuesi Piter fon Zengbush,—u pa më së miri se orvatja për të kultivuar varietete gjithnjë e më pjellore me anë të rrezatimit, dështoi.» Lënigu tha: «Rreth viteve 80, shpresat dhe euforia e shkencëtarëve kishin përfunduar në dështim mbarëbotëror. Vendet Perëndimore hoqën dorë nga kultivimi me anë të mutacioneve, si një degë më vete kërkimesh. Pothuajse të gjitha format mutante dolën ‘me cilësi të padëshirueshme selektive’, që do të thotë se morën fund ose ishin më të dobëta se varietetet natyrore.» *

Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga afro 100 vjet kërkime për mutacionet në përgjithësi dhe sidomos, nga 70 vjet eksperimentimi duke përdorur mutacionet në rritjen e bimëve e të kafshëve, kanë bërë që shkencëtarët të nxjerrin përfundime për aftësinë e mutacioneve për të prodhuar lloje të reja. Pasi shqyrtoi provat, Lënigu përfundoi: «Mutacionet nuk mund të transformojnë një lloj [bime ose kafshe] në një lloj krejt tjetër. Ky përfundim pajtohet me të gjitha provat dhe rezultatet në fushën e kërkimeve për mutacionet gjatë shekullit të 20-të, të marra së bashku, si edhe me ligjet e probabilitetit. Kështu, ligji i varietetit të përsëritur nënkupton se llojet gjenetikisht të ndryshme nga njëra-tjetra, kanë vërtet kufij që nuk mund të shkelen ose të kapërcehen nëpërmjet mutacioneve të rastësishme.»

Mendoni se çfarë duan të thonë faktet e mësipërme. Nëse shkencëtarë shumë të përgatitur nuk janë në gjendje të prodhojnë lloje të reja duke nxitur e duke përzgjedhur mutacione të dobishme, a ka mundësi që një proces pa asnjë drejtim inteligjent të arrinte diçka më të mirë? Nëse kërkimet tregojnë se mutacionet nuk mund ta transformojnë një lloj në një lloj krejt tjetër, atëherë, si mendohet të ketë ndodhur makroevolucioni?

A çon në krijimin e llojeve të reja seleksioni natyror?

Darvini mendonte se seleksioni natyror, siç e quante ai, do t’i favorizonte format e jetës që përshtateshin më mirë me mjedisin, kurse ato që përshtateshin më pak, dalëngadalë do të zhdukeshin. Evolucionistët modernë thonë se ndërkohë që llojet përhapeshin dhe izoloheshin nga të tjerat, seleksioni natyror zgjidhte ato lloje që, falë mutacioneve gjenetike, përshtateshin më mirë me mjedisin e ri. Si pasojë, evolucionistët ngrenë hipotezën se këto grupe të izoluara, si përfundim, evoluan në lloje krejtësisht të reja.

Siç thuhet më sipër, provat që vijnë nga kërkimet tregojnë pa pikë dyshimi se mutacionet nuk mund të formojnë lloje krejt të reja bimësh a kafshësh. Megjithatë, çfarë provash japin evolucionistët për të argumentuar se seleksioni natyror zgjedh mutacionet e dobishme për të prodhuar lloje të reja? Një broshurë e botuar nga Akademia Kombëtare e Shkencave në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1999, thotë: «Një shembull mjaft bindës i formimit të llojeve, janë 13 llojet e harabelorëve që Darvini studioi në ishujt Galapagos, që tani njihen si harabelorët e Darvinit.»

Në vitet 70, një grup studiuesish të drejtuar nga Piter dhe Rozmari Granti filluan të studionin këta zogj dhe zbuluan se pas një viti thatësire, zogjtë që kishin sqepa pak më të mëdhenj mbijetuan më kollaj se ata me sqepa më të vegjël. Meqë përmasa dhe forma e sqepit është një nga mënyrat kryesore për t’i dalluar nga njëri-tjetri 13 llojet e harabelorëve, menduan se këto zbulime ishin domethënëse. Broshura vazhdon: «Grantët parashikuan se, në qoftë se në këta ishuj thatësirat ndodhin me përafërsi një herë në dhjetë vjet, vetëm brenda 200 vjetësh mund të dalë një lloj i ri harabelorësh.»

Megjithatë, kjo broshurë nuk përmend disa fakte domethënëse, por jo fort të pëlqyeshme. Në vitet që pasuan thatësirën, zogjtë me sqep të vogël mbizotëruan sërish. Prandaj, në vitin 1987, Piter Granti dhe studenti i diplomuar Lajëll Gibsi shkruan në revistën shkencore Nature se kishin parë që «seleksioni po ndodhte në kah të kundërt». Në vitin 1991, Granti shkroi se «popullata, që i nënshtrohet seleksionit natyror, po pëson ndryshime njëherë në një drejtim, njëherë në të kundërtin» çdo herë që ndryshon klima. Gjithashtu, studiuesit vërejtën se disa «lloje» të ndryshme harabelorësh po kryqëzoheshin dhe po jepnin pasardhës që mbijetonin më mirë se prindërit. Piter dhe Rozmari Granti arritën në përfundimin se po të vazhdonte, kryqëzimi do të sillte shkrirjen e dy «llojeve» në një të vetëm brenda 200 vjetësh.

Në vitin 1966, biologu evolucionist Xhorxh Kristofor Uilliamsi shkroi: «Mendoj se është për të ardhur keq që teoria e seleksionit natyror në fillim doli si shpjegim për ndryshimet evolucioniste. Ajo është shumë më e rëndësishme për të shpjeguar se si gjallesat përshtaten me mjedisin.» Teoricieni evolucionist Xhefri Shvarc shkroi në vitin 1999 se nëse përfundimet e Uilliamsit janë të sakta, ndoshta seleksioni natyror po i ndihmon llojet të përshtaten me kushtet e ndryshueshme të jetesës, por «nuk po krijon diçka të re».

Vërtet, harabelorët e Darvinit nuk po bëhen ‘diçka e re’. Ata mbeten harabelorë. Dhe fakti që po kryqëzohen, ngjall dyshime për metodat që përdorin disa evolucionistë për të përcaktuar një lloj. Gjithashtu, këta zogj nxjerrin në shesh të vërtetën se edhe akademitë shkencore prestigjoze mund të jenë të anshme në paraqitjen e provave.

A provojnë mbetjet fosile se ka ndryshime makroevolucioniste?

Broshura e lartpërmendur i krijon lexuesit përshtypjen se fosilet e gjetura nga shkencëtarët, japin prova të mjaftueshme për makroevolucionin. Aty thuhet: «Janë zbuluar kaq shumë forma të ndërmjetme midis peshqve dhe amfibëve, midis amfibëve dhe zvarranikëve, midis zvarranikëve dhe gjitarëve si edhe në linjën e primatëve, saqë shpesh është e vështirë të përcaktosh në mënyrë kategorike kur ndodh kalimi nga njëri lloj te tjetri.»

Kjo deklaratë e thënë me kaq bindje, është mjaft befasuese. Përse? Më 2004, revista National Geographic i përshkruante dëshmitë fosile si «një film për evolucionin, ku në çdo 1.000 kuadro, 999 kanë humbur në dhomën e montazhit». A e provojnë vërtet makroevolucionin këto një në një mijë «kuadro» që mbeten? Çfarë tregojnë vërtet dëshmitë fosile? Najëllz Eldrexhi, një evolucionist i flaktë, pranon se dëshmitë tregojnë se në periudha të gjata kohe «në shumicën e llojeve kanë ndodhur pak ose aspak ndryshime evoluese».

Deri më sot, shkencëtarët anembanë botës kanë nxjerrë nga toka dhe kanë klasifikuar rreth 200 milionë fosile të mëdha dhe një mori mikrofosilesh. Shumë studiues janë dakord se ky mal dëshmish të hollësishme tregon se të gjitha grupet kryesore të kafshëve dolën papritur dhe mbetën thuajse fare të pandryshuara, ndërkohë që shumë lloje u zhdukën befas pak kohë pasi erdhën në ekzistencë. Pasi bëri një rishqyrtim të provave që japin mbetjet fosile, biologu Xhonatan Uells shkroi: «Në nivelin e mbretërive, tipave dhe klasave, duket qartë se prejardhja me modifikime nga paraardhës të përbashkët nuk është një fakt i vrojtuar. Madje, po të gjykosh nga provat e mbetjeve fosile dhe sistemeve komplekse molekulare, as nuk është një teori me baza të forta.»

Evolucioni—Fakt apo legjendë?

Përse shumë evolucionistë të shquar këmbëngulin se makroevolucioni është një fakt? Pasi kritikoi disa nga arsyetimet e Riçard Dokinsit, evolucionisti me influencë Riçard Leuontini shkroi se shumë shkencëtarë janë gati të pranojnë pohime shkencore që bien ndesh me logjikën. Duke treguar arsyen, ai thotë: «Sepse, ne kemi një detyrim kryesor: t’i qëndrojmë besnikë materializmit.» * Shumë shkencëtarë nuk pranojnë as të marrin në shqyrtim mundësinë e një Projektuesi inteligjent, sepse, siç shkruan Leuontini, «nuk mund të lejojmë që të na shkelë në derë një këmbë hyjnore».

Lidhur me këtë, në revistën Scientific American citohen fjalët e sociologut Rodni Stark: «Ka 200 vjet që propagandohet ideja që nëse dëshiron të jesh në anën e shkencës, duhet ta mbash mendjen të lirë nga vargonjtë e fesë.» Më tej thuhet se në universitetet që merren me kërkime, «njerëzit fetarë e mbajnë gojën mbyllur», kurse «njerëzit antifetarë diskriminojnë [fetarët]». Sipas Starkut, «në rangjet e larta [të komunitetit shkencor] njerëzit antifetarë shpërblehen».

Që ta pranoni si fakt makroevolucionin, duhet të besoni se shkencëtarët agnosticistë dhe ateistë nuk i lënë bindjet e tyre personale të ndikojnë në interpretimin që u bëjnë zbulimeve shkencore. Duhet të besoni se mutacionet dhe seleksioni natyror sollën të gjitha format e jetës, pavarësisht nga fakti se nga një shekull kërkimesh, studimi i miliarda rasteve mutacionesh, tregoi se mutacionet nuk kanë transformuar as edhe një lloj në një lloj krejt tjetër. Duhet të besoni se të gjitha krijesat evoluan gradualisht nga një paraardhës i përbashkët, pavarësisht se mbetjet fosile e tregojnë qartë se llojet kryesore të bimëve e të kafshëve u shfaqën papritur dhe nuk evoluan në lloje të tjera edhe pse kaluan mijëvjeçarë të tërë. A ju duket e bazuar në fakte një bindje e tillë? Apo, e bazuar në legjendë?

[Shënimet]

^ par. 3 Rritësit e qenve mund t’i përzgjedhin ata dhe t’i çiftojnë, në mënyrë që pasardhësit t’i kenë këmbët më të shkurtra ose qimen më të gjatë se paraardhësit. Megjithatë, ndryshimet që mund të shkaktojnë rritësit e qenve shpesh vijnë ngaqë disa gjene e humbin funksionin e tyre. Për shembull, trupi i vogël i qenit daks’hund është i tillë ngaqë kërcet nuk zhvillohen normalisht, dhe kjo çon në shkurtësi.

^ par. 4 Në këtë artikull, fjala lloj, shpesh është përdorur në kuptimin shkencor të këtij termi. Në Bibël, në librin e Zanafillës, kjo fjalë ka një kuptim shumë më të përgjithshëm. Shpesh, ajo që shkencëtarët e quajnë evolucion i një lloji të ri, është thjesht çështje varietetesh brenda një «lloji» sipas konceptit të përdorur në tregimin e Zanafillës.

^ par. 6 Shih kutinë «Klasifikimi i gjallesave»

^ par. 11 Studiuesit thonë se edhe citoplazma e qelizës, membranat e saj dhe strukturat e tjera luajnë rol në veçoritë që do të ketë organizmi.

^ par. 13 Komentet e Lënigut në këtë artikull shprehin thjesht mendimin e tij, dhe nuk përfaqësojnë mendimin e Institutit Maks Plank për Kërkime në Kultivimin e Bimëve.

^ par. 14 Eksperimentet me mutacione, treguan njëra pas tjetrës se numri i formave të reja mutante zvogëlohej vazhdimisht, ndërkohë që shfaqeshin rregullisht mutantë të të njëjtit tip. Nga kjo dukuri, Lënigu nxori «ligjin e varietetit të përsëritur». Veç kësaj, më pak se 1 për qind e mutacioneve te bimët u zgjodhën për kërkime të mëtejshme dhe më pak se 1 për qind e këtyre mutacioneve të zgjedhura ishin të përshtatshme për t’u shfrytëzuar për qëllime tregtie. Rezultatet në mbarështimin e kafshëve me anë të mutacioneve, ishin edhe më të dobëta se te bimët, prandaj u hoq dorë plotësisht nga kjo metodë.

^ par. 29 Në këtë kuptim, materializmi i referohet teorisë që thotë se materia fizike është realiteti i vetëm ose themelor dhe se çdo gjë në univers, ku përfshihen të gjitha format e jetës, erdhi në ekzistencë pa ndonjë ndërhyrje të mbinatyrshme.

[Diçitura në faqen 15]

«Mutacionet nuk mund të transformojnë një lloj [bime ose kafshe] në një lloj krejt tjetër»

[Diçitura në faqen 16]

Harabelorët e Darvinit, e shumta mund të tregojnë se një lloj mund të përshtatet me ndryshimet e klimës

[Diçitura në faqen 17]

Dëshmitë fosile provojnë se të gjitha grupet kryesore të kafshëve u shfaqën papritur dhe nuk ndryshuan pothuajse fare

[Tabela në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

KLASIFIKIMI I GJALLESAVE

Gjallesat klasifikohen në grupe që vijnë duke u zgjeruar, nga lloje të veçanta e deri në mbretëri. * Për shembull, krahasoni klasifikimin që bëhet më poshtë për njeriun dhe për mizën e uthullës.

NJERIU MIZA E UTHULLËS

Lloji sapiens melanogaster

Gjinia Homo Drosophila

Familja Hominidae Drosophilidae

Rendi Primatët Diptera

Klasa Gjitarët Insektet

Tipi Chordata Arthropoda

Mbretëria Kafshët Kafshët

[Shënimi]

^ par. 49 Shënim: Në kapitullin 1 të Zanafillës thuhet se bimët dhe kafshët do të riprodhoheshin «sipas llojit të vet». (Zanafilla 1:12, 21, 24, 25) Megjithatë, fjala «lloj» në Bibël nuk është një term shkencor, dhe nuk duhet ngatërruar me përkufizimin shkencor të kësaj fjale.

[Burimi]

Tabelë e bazuar në librin Simbolet e evolucionit: Shkencë apo legjendë? Pse shumë nga ato që mësojmë për evolucionin janë të gabuara? (anglisht) nga Xhonatan Uellsi.

[Figurat në faqen 15]

Miza e uthullës (sipër) edhe pse e keqformuar nga një mutacion, ka mbetur një mizë uthulle

[Burimi]

© Dr. Jeremy Burgess/​Photo Researchers, Inc.

[Figurat në faqen 15]

Eksperimentet me mutacione te bimët, treguan njëra pas tjetrës se numri i formave të reja mutante zvogëlohej vazhdimisht, ndërkohë që shfaqeshin rregullisht mutantë të të njëjtit tip. (Forma mutante e treguar ka lule më të mëdha)

[Burimi i figurës në faqen 13]

Prej një fotografie nga Mrs. J. M. Cameron/​U.S. National Archives photo

[Burimi i figurës në faqen 16]

Harabelorë: © Dr. Jeremy Burgess/​Photo Researchers, Inc.

[Burimet e figurave në faqen 17]

Dinosaur: © Pat Canova/​Index Stock Imagery; fossils: GOH CHAI HIN/​AFP/​Getty Images