Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A bie ndesh shkenca me tregimin e Zanafillës?

A bie ndesh shkenca me tregimin e Zanafillës?

Pikëpamja e Biblës

A bie ndesh shkenca me tregimin e Zanafillës?

SHUMË veta thonë se shkenca e hedh poshtë tregimin biblik të krijimit. Por në të vërtetë kontradikta nuk qëndron mes shkencës dhe Biblës, por mes shkencës dhe bindjeve të të ashtuquajturve fondamentalistë të krishterë. Disa nga këto grupe thonë në mënyrë të rreme se, sipas Biblës, i gjithë krijimi fizik u bë në gjashtë ditë 24-orëshe, rreth 10.000 vjet më parë.

Megjithatë, Bibla nuk e mbështet këtë ide. Nëse do të ishte kështu, atëherë shumë zbulime shkencore që janë bërë gjatë shekujve të fundit, do të hidhnin vërtet dyshime mbi saktësinë e saj. Një studim i kujdesshëm i Biblës zbulon se ajo nuk bie fare ndesh me faktet e provuara shkencore. Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait nuk janë dakord me fondamentalistët «e krishterë» dhe me ata që e përkrahin këtë teori. Në vazhdim do të shohim se çfarë mëson vërtet Bibla.

Kur ishte ‘fillimi’?

Tregimi i Zanafillës nis me një pohim të thjeshtë dhe të fuqishëm: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Studiues të Biblës janë dakord se ky varg tregon një veprim të ndarë nga ajo që ndodhi gjatë ditëve të krijimit për të cilat flitet nga vargu 3 e poshtë. Domethënia është e thellë. Sipas pohimit hyrës të Biblës, universi, përfshirë edhe planetin Tokë, ekzistonte prej një kohe të pacaktuar, përpara se të fillonin ditët e krijimit.

Gjeologët llogaritin se Toka është afro 4 miliardë vjet e lashtë, dhe astronomët thonë se universi mund të ketë 15 miliardë vjet që ekziston. A bien ndesh me Zanafillën 1:1 këto zbulime, ose zbulime të tjera më të sakta që mund të bëhen nesër? Jo. Bibla nuk e specifikon moshën e ‘qiejve dhe të tokës’. Shkenca nuk e hedh poshtë këtë varg të Biblës.

Sa të gjata ishin ditët e krijimit?

Çfarë të themi për gjatësinë e ditëve të krijimit? A ishin vërtet ditë 24-orëshe? Disa thonë kështu, sepse Moisiu—shkrimtari i Zanafillës—më vonë iu referua ditës që pasoi gjashtë ditët e krijimit si një model për sabatin e përjavshëm. Prandaj, sipas tyre, secila nga ditët e krijimit duhet të jetë 24-orëshe. (Dalja 20:11) A e mbështetin këtë përfundim fjalët e Zanafillës?

Jo, aspak. Në fakt fjala hebraike e përkthyer «ditë» mund të nënkuptojë periudha të ndryshme kohore, jo vetëm një periudhë 24-orëshe. Për shembull, kur e përmblodhi veprën krijuese të Perëndisë, Moisiu iu referua të gjashta ditëve të krijimit si një ditë e vetme. (Zanafilla 2:4) Përveç kësaj, në ditën e parë të krijimit, «Perëndia nisi ta quante dritën Ditë, kurse errësirën e quajti Natë». (Zanafilla 1:5) Këtu, fjala ditë përdoret vetëm për një pjesë të periudhës 24-orëshe. Sigurisht, nuk ka asnjë bazë në Shkrime për të bërë pohime arbitrare se çdo ditë e krijimit ishte 24-orëshe.

Por, atëherë, sa të gjata ishin ditët e krijimit? Gjuha e përdorur në kapitujt 1 dhe 2 të Zanafillës, tregon se ato përfshinin sasi të konsiderueshme kohe.

Krijimi ndodh gradualisht

Moisiu e shkroi tregimin e tij në hebraisht dhe nga këndvështrimi i një njeriu në tokë. Këto dy fakte, bashkë me njohurinë se universi ekzistonte përpara se të fillonin periudhat ose «ditët» e krijimit, u japin fund shumë polemikave rreth tregimit të krijimit. Përse?

Një shqyrtim i kujdesshëm i tregimit të Zanafillës tregon se disa ngjarje filluan në një «ditë» e vazhduan edhe në një ose disa ditë të tjera. Për shembull, përpara se të fillonte «dita» e parë e krijimit, dielli tashmë ekzistonte, por drita e tij në njëfarë mënyre nuk arrinte dot deri në sipërfaqen e Tokës. Ndoshta për shkak të reve të dendura. (Jobi 38:9) Gjatë «ditës» së parë, kjo barrierë nisi të davaritej, duke lejuar që një dritë e mjegullt të depërtonte në atmosferë. *

«Ditën» e dytë, atmosfera me sa duket vazhdoi të qartësohej, duke formuar një hapësirë ndërmjet reve të dendura sipër, dhe oqeanit poshtë. «Ditën» e katërt, atmosfera gradualisht ishte qartësuar në atë masë, saqë dielli dhe hëna dolën «në hapësirën e qiejve». (Zanafilla 1:14-16) Me fjalë të tjera, nga këndvështrimi i një njeriu në tokë, dielli dhe hëna u bënë të dukshëm. Këto ngjarje ndodhën gradualisht.

Zanafilla tregon edhe se, ndërsa atmosfera qartësohej, «ditën» e pestë nisën të shfaqeshin krijesa fluturuese, që përfshinin insektet dhe krijesat me krahë. Megjithatë, Bibla tregon se gjatë «ditës» së gjashtë, Perëndia akoma po ‘formonte nga toka çdo bishë të fushës dhe çdo krijesë fluturuese të qiejve’.—Zanafilla 2:19.

Është e qartë se gjuha e përdorur në Bibël lë të nënkuptohet që disa ngjarje kryesore të secilës «ditë» ose periudhe krijimi, mund të kenë ndodhur gradualisht dhe jo menjëherë, e ndoshta disa prej tyre kanë vazhduar edhe gjatë «ditëve» të tjera të krijimit.

Sipas llojit të vet

A mos vallë kjo shfaqje graduale e bimëve dhe e kafshëve tregon se Perëndia përdori evolucionin për të prodhuar larminë e jashtëzakonshme të gjallesave? Jo. Në Shkrime thuhet qartë se Perëndia krijoi të gjitha «llojet» bazë të bimëve dhe të kafshëve. (Zanafilla 1:11, 12, 20-25) A ishin programuar këto «lloje» origjinale të bimëve dhe të kafshëve për t’u përshtatur me ndryshimet e mjedisit? Cili është kufiri i një «lloji»? Bibla nuk thotë gjë. Megjithatë, ajo pohon se krijesat e gjalla ‘gëlonin, secila sipas llojit të vet’. (Zanafilla 1:21) Ky pohim tregon se ka një kufi për larminë që mund të ketë brenda një «lloji». Si gjetjet fosile, ashtu edhe kërkimet e sotme mbështetin idenë se gjatë periudhave të mëdha kohore, kategoritë kryesore të bimëve dhe të kafshëve kanë ndryshuar shumë pak.

Ndryshe nga ajo që thonë disa fondamentalistë, Zanafilla nuk mëson se universi—përfshirë Tokën dhe të gjitha gjallesat në të—u krijua në një periudhë të shkurtër, jo shumë kohë më parë. Përkundrazi, përshkrimi i Zanafillës për krijimin e universit dhe për fillimin e jetës në tokë, është në harmoni me shumë zbulime shkencore të kohëve të fundit.

Për shkak të bindjeve të tyre filozofike, shumë shkencëtarë hedhin poshtë pohimin e Biblës se Perëndia krijoi të gjitha gjërat. Gjithsesi, është interesante se në librin e lashtë biblik të Zanafillës, Moisiu shkroi se universi pati një fillim dhe se jeta u shfaq në disa faza, progresivisht, në periudha kohe. Nga e dinte Moisiu këtë informacion të saktë shkencor rreth 3.500 vjet më parë? Ka vetëm një shpjegim të logjikshëm. Ai që kishte fuqinë e mençurinë të krijonte qiejt dhe tokën, sigurisht që mund t’ia jepte Moisiut këtë njohuri të përparuar shkencore. Kjo u jep më tepër peshë fjalëve të Biblës se ajo është «e frymëzuar nga Perëndia».—2 Timoteut 3:16.

[Shënimi]

^ par. 14 Kur përshkruhet se çfarë ndodhi «ditën» e parë, fjala hebraike e përdorur për dritën është ʼohr, pra dritë në kuptimin e përgjithshëm; por për «ditën» e katërt, fjala e përdorur është ma’ohrʹ, që i referohet burimit të dritës.

A DONI TË DINI?

▪ Sa kohë më parë e krijoi Perëndia universin?—Zanafilla 1:1.

▪ A u krijua toka në gjashtë ditë 24-orëshe secila?—Zanafilla 2:4.

▪ Si ka mundësi që shkrimet e Moisiut lidhur me fillimin e jetës në tokë, janë të sakta shkencërisht?—2 Timoteut 3:16.

[Diçitura në faqen 19]

Zanafilla nuk mëson se universi u krijua në një periudhë të shkurtër, jo shumë kohë më parë

[Diçitura në faqen 20]

«Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»​—Zanafilla 1:1

[Burimi i figurës në faqen 18]

Universi: IAC/​RGO/​David Malin Images

[Burimi i figurës në faqen 20]

Fotografi e NASA-s