Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Ndryshimet te Zgjohuni! Mbrëmë lexova revistën Zgjohuni! të janarit 2006. Më pëlqen shumë si është organizuar tani kjo revistë. Zgjohuni! duhet shqyrtuar me kujdes tani, dhe mënyra si është ndërtuar e fut në mendime lexuesin. Nga faqja e parë deri tek e fundit, shoh dorën e Jehovait që na ndihmon të rritemi frymësisht.
B. N., Kanada
Jam 16 vjeçe. Veçoritë e reja të Zgjohuni! do të na ndihmojnë shumë në studimin e Biblës. Disa artikuj kanë një seri pyetjesh që e ndihmojnë lexuesin ta bluajë në mendje atë që sapo lexoi. Më pëlqen ta përdor revistën Zgjohuni! për detyrat e shkollës. Shpresoj të vazhdoni të botoni informacione kaq të mrekullueshme e të dobishme.
S. N., Namibi
Besimi më jep forcë të përballoj ALS-në (janar 2006) Pasi lexova përvojën e Xhejson Stjuartit, të gjitha problemet e mia m’u dukën të papërfillshme. Kuptova se Jehovai vlerëson shërbimin që i bëjmë sipas rrethanave tona. E admiroj gruan e Xhejsonit për vetëmohimin dhe besimin e saj te Jehovai. S’do ta harroj kurrë këtë përvojë. Do të më ndihmojë të përballoj problemet që mund të lindin nesër.
S. R. S., Peru
Qava kur lexova historinë e Xhejsonit, jo vetëm ngaqë u preka kur lexova për vuajtjet e tij, por edhe sepse, si një Dëshmitare e Jehovait, jam shumë krenare që kam një vëlla të tillë në besim. Nga artikulli, shoh se është e rëndësishme të përgatitemi për sprovat, meqë ‘kohë të vështira dhe ngjarje të paparashikuara’ mund t’i ndodhin secilit prej nesh.—Eklisiastiu 9:11.
T. A., Hungari
Nëna ime ka vdekur nga ALS-ja. Ndaj përvoja e Xhejsonit më preku thellë. Shembulli i tij më dha zemër të jap përherë më të mirën në shërbim. Lutem që Jehovai të vazhdojë t’i japë fuqi vëllait dhe gruas së tij.
L. S. G., Paraguai
Kur ishte mirë me shëndet, Xhejsoni harxhonte kohë duke studiuar dhe zhytej në studimin personal. Kështu pati rezerva frymore kur kishte nevojë. Kjo gjë më futi në mendime dhe më forcoi vendosmërinë për të qenë më e zellshme në studimin personal të Biblës.
J. M., Japoni
Të rinjtë pyesin . . . Pse e dëmtoj veten? (janar 2006) Si e re, kam luftuar me vesin e drogës e të alkoolit, por problemi më i vështirë ishte vetëdëmtimi. Ka qenë një betejë e vazhdueshme, por artikuj si ky më kanë dhënë forcë të mos dorëzohem. S’jua shpreh dot me fjalë mirënjohjen që ndiej.
E. K., Shtetet e Bashkuara
Vetëdëmtimi ka qenë pjesë e jetës sime që kur isha adoleshente. Tani jam 56 vjeçe. E ndërpreva këtë zakon para katër vjetësh, por ndonjëherë problemet janë kaq të mëdha saqë mezi e përmbaj veten për të mos rënë përsëri pre. Ky artikull më preku thellë në zemër. Do t’u japë forcë njerëzve si puna ime të përballojnë jetën e përditshme.
Anonime, Holandë
Jam 17 vjeçe dhe dua t’ju falënderoj për këtë artikull. E kam problem vetëdëmtimin. S’ka shumë që bëra prapë një prerje në trup. Pastaj, iu afrova
mamasë dhe i kërkova të lutej me mua. Pavarësisht nga problemi, kam mësuar se Jehovai më do. Artikulli juaj është një ndihmë e madhe, dhe i jam mirënjohëse Perëndisë për këtë.N. M., Republika Çeke
«E pabesueshme!» Ky ishte reagimi im kur pashë këtë artikull. Jam 18 vjeçe. Ka kohë që e kam problem vetëdëmtimin. Dhembja më ndihmon të ndrydh emocionet. Shpesh më vjen ta dëmtoj veten fizikisht, dhe s’di si t’u rezistoj këtyre ndjenjave. U çudita shumë kur pashë këtë artikull. Më rrodhën lot dhe falënderova Jehovain në lutje. Vetëm në organizatën e Jehovait mund të gjesh këtë lloj ngushëllimi.
A. P., Rusi
Në moshën 14-vjeçare, fillova ta lehtësoja dhembjen emocionale duke dëmtuar veten. Një herë madje përfundova në spital. Mbajtja e një ditari më ka ndihmuar shumë që t’i dalloj shenjat dhe t’i kem nën kontroll. Po ashtu, kur më vjen për të dëmtuar veten, i telefonoj një shoqeje që më kupton. Lutjet kanë qenë veçanërisht të dobishme. Kur ndihem e pavlerë për t’u lutur, miqtë dhe pleqtë e krishterë luten me mua. Është një betejë e vështirë, por kam mësuar si t’ia dal mbanë dhe të pranoj çdo ndihmë që kam në dispozicion, që të mos e dëmtoj më veten.
N. U., Gjermani
Fotografia në faqen e parë të këtij artikulli tregonte një vajzë që shkulte flokët, dhe artikulli përmendte «Sarën» që shkulte flokët për të ndëshkuar veten. Vajza ime ka një çrregullim që njihet si trikotilomania, një sëmundje që karakterizohet nga shkulja e flokëve. Kjo lidhet me neurozën obsesive-kompulsive. Shkaktohet nga neuroza, jo nga dëshira për të dëmtuar veten. Shkulja e flokëve nuk është një hap që të çon drejt prerjeve në trup.
M. H., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Termi trikotilomani, i krijuar nga fundi i shekullit të 19-të, i referohet një çrregullimi në sjellje që karakterizohet nga një nxitje e parezistueshme për të shkulur flokët. Siç ishim munduar ta paraqitnim në mënyrë sa më të përshtatshme atë fotografi, disa i shkulin flokët për t’i shkaktuar dhembje vetes. Megjithatë, kjo s’do të thotë se çdo njeri që shkul flokët është ndër ata që dëmtojnë veten, për të cilët fliste artikulli. Siç thekson edhe lexuesja më sipër, disa herë ky zakon lidhet më tepër me neurozën obsesive-kompulsive.
Sidoqoftë, disa specialistë shpjegojnë se duhet shqyrtuar cili është shkaku i trikotilomanisë, që të përshtatet trajtimi mjekësor sipas nevojave të individit që vuan. Prandaj, mund të jetë diçka e mençur që kush ka këtë problem të konsultohet me një mjek specialist që t’i japë një diagnozë specifike për atë vetë dhe të marrë mjekim.
Si do të përgjigjeshe? (janar 2006) Jam shumë entuziaste për këtë rubrikë të re. Ne i arsimojmë nipërit dhe mbesat në shtëpi, dhe kjo do të jetë diçka fantastike që do t’i shtohet leximit të përditshëm të Biblës e të artikujve nga Zgjohuni!, që i kanë si detyra shtëpie. Faleminderit që kujdeseni kaq shumë për të vegjlit.
B. E., Shtetet e Bashkuara
Është pak e vështirë kjo rubrika, por sa shumë kënaqem kur gjej një përgjigje! Mbrëmë u mora gjithë darkën me këtë faqe; ishte shumë interesante! Kur të rritem, dua të ndihmoj për të bërë këtë revistë që të tjerët të mësojnë për Jehovain.
D. H., Shtetet e Bashkuara
Jam tetë vjeç. Ne e përdorim këtë faqe për studimin familjar. Kënaqemi kur duhet të bëjmë kërkime. Pjesa «Gjeje kush jam?» mund të jetë e vështirë, por ne na pëlqen që është kështu. Vazhdoni të bëni artikuj kaq të bukur!
K. U., Shtetet e Bashkuara