TV: A është vjedhës i kohës?
TV: A është vjedhës i kohës?
NËSE dikush do t’ju jepte një milion dollarë me kusht që, sa të ishit gjallë, të mos shihnit më kurrë televizor, a do ta bënit? Disa vjet më parë, 1 në 4 amerikanë të anketuar thanë se nuk do ta bënin. Gjatë një ankete tjetër, burrat u pyetën se çfarë dëshironin më shumë. Shumica thanë se donin paqe dhe lumturi. Por, në listën e dëshirave të tyre, këto zinin vendin e dytë. Mendoni pak: gjëja që dëshironin më shumë në jetë ishte një televizor me ekran të madh!
Televizorin e gjen kudo në botë. Në vitin 1931, në «agimet» e televizorit, drejtori i Korporatës Amerikane Radiofonike tha: «Është e arsyeshme të presim që publiku i televizorit, kur ky të arrijë kulmin e zhvillimit të tij, të jetë sa popullsia e tokës.» Këto fjalë mund të jenë dukur të ekzagjeruara në atë kohë, por jo sot. Numri i televizorëve anembanë botës është rreth 1,5 miliardë, dhe numri i teleshikuesve është shumë më i madh. E kemi qejf apo e kemi zët, televizori luan një rol të rëndësishëm në jetën e njerëzve.
Koha që shumë njerëz i kushtojnë televizorit të befason. Së fundi, nga një studim botëror doli se mesatarisht njerëzit shohin televizor pak më shumë se tri orë në ditë. Amerikanët e Veriut shohin katër orë e gjysmë në ditë, kurse japonezët janë në krye të listës, me pesë orë në ditë. Si përfundim, shuma e orëve bëhet goxha e madhe. Nëse shikojmë katër orë televizor në ditë, në moshën 60-vjeçare do të kemi kaluar dhjetë vjet përpara ekranit. E megjithatë, askush nga ne nuk do të donte që në varrin e vet të shkruhej: «Këtu prehet miku ynë i dashur [mikja jonë e dashur], që një të gjashtën e jetës ia kushtoi televizorit.»
A shohin njerëzit me orë të tëra televizor ngaqë u pëlqen? Jo gjithmonë. Shumë veta mendojnë se e teprojnë me televizorin dhe ndihen fajtorë që nuk e kanë shfrytëzuar kohën për gjëra më të dobishme. Disa thonë se janë «robër të televizorit». Sigurisht, njeriu nuk bëhet rob i televizorit siç mund të bëhet rob i drogës, megjithatë ka disa të përbashkëta. Ata që janë në varësinë e drogës i kushtojnë shumë kohë asaj. Ndonëse duan ta zvogëlojnë këtë kohë ose të heqin dorë nga ky ves, nuk munden. Për hir të tij sakrifikojnë veprimtari të rëndësishme shoqërore e familjare dhe, kur duan ta lënë drogën, vuajnë nga simptomat e lënies
së saj. Të gjitha këto simptoma mund t’i kenë edhe njerëzit që shohin tepër televizor.Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Nuk është mirë të hash tepër mjaltë.» (Proverbat 25:27) I njëjti parim vlen edhe për televizorin. Ndonëse televizori të servir shumë gjëra të dobishme, ndenja me orë të tëra para tij të lë pak kohë për familjen, i pengon fëmijët të lexojnë e të dalin mirë me mësime dhe ndikon në dhjamosje. Nëse kaloni shumë kohë para televizorit, bëni mirë të mendoni se çfarë dobish ju sjell kjo. Koha është tepër e çmuar dhe s’ia vlen ta humbësh kot. Gjithashtu është mirë të mendojmë se çfarë shohim. Këtë çështje do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.