Isha një bir plëngprishës
Isha një bir plëngprishës
Treguar nga Meros Uilliam Sandei
Që nga foshnjëria më mësuan të doja Perëndinë; por kur isha 18 vjeç, u rebelova dhe ika nga shtëpia. Për 13 vjet jetova si biri plëngprishës i ilustrimit të Jezuit. (Luka 15:11-24) U bëra shpërndarës droge dhe gati sa nuk e shkatërrova jetën time. Po ju tregoj se çfarë më bëri të ndryshoja mënyrën e jetesës e të kthehesha.
LINDA në vitin 1956. Prindërit e mi ishin të krishterë dhe unë isha i dyti nga nëntë fëmijët. Jetonim në Ilesha, qytet i vogël në jugperëndim të Nigerisë. Babai ishte rritur në një familje katolike, por më 1945, xhaxhai i tij i kishte dhënë librin Harpa e Perëndisë. * Pasi e lexoi, babai filloi të shoqërohej me Dëshmitarët e Jehovait. Ai u pagëzua më 1946 e pas pak kohësh, u pagëzua edhe nëna.
Ende e mbaj mend sa real ishte për mua Jehovai gjatë fëmijërisë dhe sa me zell predikoja bashkë me prindërit. Babai e studionte Biblën me mua. Me raste, studimin e bëja me Alisa Obaranë, burri i së cilës ishte mbikëqyrës udhëtues në zonën tonë. Prindërit dëshironin që unë të shërbeja në kohë të plotë. Megjithatë, nëna më sugjeroi që në fillim të mbaroja shkollën e mesme.
Por, sa fillova të mesmen, në moshën 16-vjeçare u tregova i pamend, pasi zura shoqëri me shokët e shkollës që nuk i respektonin parimet biblike. Ç’marrëzi! S’kaloi shumë dhe fillova të pija cigare e të kisha një sjellje të shthurur. E dija se jeta që po bëja nuk përputhej me mësimet që kisha marrë në mbledhjet e krishtere, prandaj i lashë edhe mbledhjet, edhe predikimin shtëpi më shtëpi. Prindërit ishin të pikëlluar, por mua nuk më bëhej më vonë për ndjenjat e të tjerëve.
Iki nga shtëpia
Kisha bërë vetëm dy vjet të shkollës së mesme, kur ika nga shtëpia që të jetoja me disa shokë aty në lagje. Ndonjëherë, hyja fshehurazi në shtëpinë e prindërve, merrja çfarëdo ushqimi që mundja dhe ia mbathja. I shqetësuar, babai vendosi të mos i paguante më paratë për shkollën time, me shpresë se mos ndryshoja.
Por në të njëjtën kohë fitova një bursë. Financuesi dërgonte nga Skocia pagesën për shkollën e ndonjëherë, më dërgonte edhe mua dhurata, madje edhe para. Ndërkohë, edhe dy nga vëllezërit e mi i shkëputën lidhjet me Dëshmitarët e Jehovait, dhe e gjithë kjo u shkaktoi prindërve aq shumë dhembje, sa s’thuhet. Disa herë nëna më lutej me lot në sy. Ndonëse kjo më bënte të ndihesha keq, nuk ndryshoja.
Në qytetet e mëdha
Pasi mbarova shkollën në vitin 1977, shkova në Lagos dhe gjeta punë. S’kaloi shumë dhe fitova para me rrugë të paligjshme e bleva një taksi. Tani që kisha më tepër para, fillova drogën dhe kaloja shumë kohë në
klubet e natës e në shtëpitë publike. Por jeta në Lagos m’u mërzit shpejt dhe, në vitin 1981, shkova në Londër. Prej andej, shkova në Belgjikë, ku merrja mësime për gjuhën franceze dhe punoja me orar të shkurtuar në një restorant. Megjithatë një pjesë të mirë të kohës e kaloja duke dërguar makina dhe pajisje elektronike në Nigeri.Babai i shkroi zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Belgjikë dhe u kërkoi të lidheshin me mua e të përpiqeshin që të filloja një studim biblik. Por, sa herë që Dëshmitarët më vinin në shtëpi, i ktheja mbrapsht. Fillova të shkoja në një kishë ku pas shërbesave fetare, haja, pija e merresha me sport.
Jeta si shpërndarës droge
Më 1982 dërgova në Nigeri një makinë të shtrenjtë luksoze dhe për t’u siguruar që makina të kalonte doganën, nisa edhe vetë udhëtimin drejt portit të Nigerisë. Dogana e Nigerisë zbuloi se dokumenti i taksës doganore ishte i falsifikuar, kështu që më mbajtën në arrest për 40 ditë. Babai pagoi garancinë dhe më liruan. Meqë më duheshin para për ta mbyllur çështjen, u ktheva në Belgjikë me ca mallra, përfshirë edhe disa kilogramë marihuanë. Pasi u lirova nga akuza për falsifikimin e dokumentit të taksës doganore, u përqendrova në tregtinë e drogës.
Gjatë një udhëtimi, më arrestuan në Holandë. Nëpunësit e emigracionit më dëbuan dhe më hipën në një aeroplan që shkonte në Nigeri. Rrugës takova shpërndarës droge të tjerë dhe u bëmë ortakë në shitjen e drogës. Në janar të vitit 1984, u transferova në një vend tjetër në Afrikë. Meqë e dija frëngjishten, gjuhën që flitej atje, zura shpejt shoqëri me policë, ushtarë dhe nëpunës të emigracionit. Kështu arritëm të importonim mijëra kilogramë marihuanë në atë vend.
I arrestuar dhe i burgosur
Më vonë hyra sërish në telashe. Isha marrë vesh me një oficer ushtrie, që të më ndihmonte për të kaluar «mallin» në aeroport. Por, oficeri erdhi me vonesë, dhe kështu më arrestuan. Policët më rrahën dhe më torturuan aq keq, saqë më ra të fikët. Më çuan në spital dhe më lanë atje, duke pritur që të vdisja. Por unë shpëtova dhe më vonë më akuzuan, më dënuan e më burgosën.
Kur dola nga burgu, një shok, të cilit i kisha thënë të kujdesej për shtëpinë, kishte shitur gjithë ç’kisha dhe ishte zhdukur. Për të siguruar jetesën, nisa menjëherë të shitja marihuanë. Megjithatë, pas dhjetë ditësh më arrestuan prapë dhe më burgosën për tre muaj. Kur më liruan, isha aq i sëmurë, sa shpëtova për një fije. Bëra si bëra dhe ia dola të kthehesha në Lagos.
I kthehem «tregtisë»
Në Lagos takova disa ortakë dhe u nisëm për në Indi, ku blemë heroinë me vlerë rreth 600.000 dollarë. Nga Bombei (sot i quajtur Mumbai) shkuam në Zvicër, pastaj në Portugali dhe në fund në Spanjë. Çdonjëri prej nesh fitoi goxha para dhe për t’u kthyer në Lagos, morëm rrugë të ndryshme. Në fund të vitit 1984 shita edhe një ngarkesë tjetër me drogë. Ëndrra ime ishte të mblidhja një milion dollarë e pastaj të rehatohesha në Shtetet e Bashkuara.
Më 1986, i mblodha gjithë paratë që kisha dhe bleva heroinë të pastër në Lagos. E çova në një vend tjetër, por atje përfundoi në duart e një shpërndarësi lakmitar që nuk m’i dha paratë kurrë. Nga frika mos rrezikoja kokën, u ktheva në Lagos dhe nuk nxora asnjë fjalë për çfarë kishte ndodhur. Isha rrënuar qoftë ekonomikisht, qoftë emocionalisht. Për herë të parë, u ula dhe mendova për qëllimin e jetës. E pyeta veten: ‘Pse jeta ime ka kaq shumë të përpjeta e të tatëpjeta?’
Kthehem te Perëndia
Pak kohë më pas, një natë iu luta Jehovait për ndihmë. E pra, të nesërmen në mëngjes, një burrë i moshuar dhe e shoqja trokitën në derën time. Ishin Dëshmitarë të Jehovait. I dëgjova me qetësi dhe mora një revistë. U thashë: «Prindërit e mi janë Dëshmitarë të Jehovait. Alisa Obara studionte Biblën me mua.»
Burri i moshuar, P. K. Ogbanefeja, u përgjigj: «Çiftin Obara e njohim mirë. Tani shërbejnë në zyrën e degës së Nigerisë, në Lagos.» Ata më nxitën t’i takoja. Takimi me çiftin Obara më dha shumë zemër. Pas kësaj, vëlla Ogbanefeja filloi një studim biblik me mua dhe shpejt nisa të ndryshoja atë mënyrë jetese të pamoralshme. Nuk ishte e lehtë, sepse kisha përdorur drogë për shumë kohë dhe nuk e lija dot kollaj. Gjithsesi, isha i vendosur të ndryshoja e të bëja një jetë të pastër.
Megjithatë kisha shumë tundime e presione. Të ashtuquajturit shokët e mi më vinin në shtëpi dhe më bënin oferta joshëse. Madje për njëfarë kohe, fillova prapë cigaren dhe jetën e shthurur. Ia zbraza zemrën Perëndisë në lutje. Shpejt kuptova se meqë shokët e botës më kishin çuar në rrugë të gabuar, nuk mund të prisja të më ndihmonin tani. Prandaj, për të përparuar frymësisht, më duhej të largohesha nga Lagosi. Por më vinte turp të kthehesha në shtëpi në Ilesha. Megjithatë, më në fund i shkrova babait dhe vëllait të madh dhe i pyeta nëse mund të kthehesha në shtëpi.
Babai më siguroi se isha i mirëpritur, kurse vëllai më tha se do të më ndihmonte nga ana financiare. Kështu, dhjetë vjet pasi i kisha braktisur prindërit, u ktheva sërish. Më pritën me krahë hapur. «Faleminderit, o Jehova!»,—tha nëna. Kur babai erdhi atë mbrëmje, më tha: «Jehovai do të të ndihmojë.» Me gjithë familjen, ai iu lut Jehovait dhe i kërkoi të më ndihmonte tani që isha kthyer për të bërë vullnetin e Tij.
Fitoj kohën e humbur
Fillova prapë studimin e Biblës dhe përparova shpejt; më 24 prill 1988 u pagëzova. Menjëherë i hyra me zell shërbimit. Më 1 nëntor 1989, fillova të shërbeja si pionier, ungjillëzues në kohë të plotë. Më 1995 më ftuan të ndiqja klasën e dhjetë të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Nigeri. Pastaj, në korrik të vitit 1998, më caktuan mbikëqyrës udhëtues që të vizitoja kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Pas një viti, pata gëzimin të takoja Ruthën, që u bë gruaja dhe shoqja ime në veprën udhëtuese.
Edhe anëtarë të tjerë të familjes sime kanë përparuar frymësisht. Një nga vëllezërit e mi, që nuk i shërbente më Jehovait, u kthye sërish në adhurimin e vërtetë dhe u pagëzua. Jam i gëzuar që babai na pa tek u kthyem në të vërtetën. Ai shërbeu me gëzim si shërbëtor ndihmës në kongregacion deri në vitin 1993, kur vdiq në moshën 75-vjeçare. Nëna i shërben edhe sot me zell Jehovait në Ilesha.
Në kërkim të pasurisë, udhëtova në 16 vende të Evropës, Azisë dhe Afrikës. Si pasojë, u shpova tejpërtej me shumë dhembje. (1 Timoteut 6:9, 10) Kur kthej kokën pas, më vjen jashtë mase keq që çova dëm aq shumë vite të rinisë, duke shkuar pas drogës e imoralitetit. Më vjen keq për dhembjen që i solla Perëndisë Jehova dhe familjes sime. Gjithsesi, jam mirënjohës që shpëtova gjallë, derisa ia arrita ditës që erdha në vete. Jam i vendosur t’i qëndroj besnik Jehovait dhe t’i shërbej atij përgjithmonë.
[Shënimi]
^ par. 4 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.
[Figura në faqen 13]
Kur isha një adoleshent rebel
[Figura në faqen 15]
Ditën e pagëzimit
[Figura në faqen 15]
Me gruan time, Ruthën