Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’po ndodh me kishat?

Ç’po ndodh me kishat?

Ç’po ndodh me kishat?

AMERIKANO-LATINËT, duke filluar që nga Meksika në veri e deri në Kili në jug, kanë shumë të përbashkëta në kulturën e tyre. Të moshuarit e Amerikës Latine mund të kujtojnë kohën kur në përgjithësi, ishte vetëm një fe, katolicizmi. Në shekullin e 16-të pushtuesit spanjollë përdorën forcën e armëve për t’i detyruar vendësit të bëheshin katolikë. Në Brazil, feja e fuqisë kolonizatore, Portugalisë, ishte katolicizmi. Për 400 vjet, Kisha Katolike përkrahu qeveritë në fuqi dhe si shkëmbim, ato e mbështetën ekonomikisht dhe e njohën si fenë zyrtare.

Megjithatë, në vitet 60 disa priftërinj katolikë e kuptuan se duke mbështetur elitën sunduese, po humbitnin mbështetjen e popullit. Kështu nisën fushatat në ndihmë të të varfërve, sidomos duke propaganduar atë që njihet si teologjia e çlirimit. Kjo lëvizje nisi në Amerikën Latine si protestë kundër varfërisë që kishte pllakosur shumë katolikë.

Pavarësisht nga përfshirja e klerit në lëvizjet politike popullore, miliona veta janë larguar nga feja katolike për të provuar kisha të tjera. Janë fuqizuar e janë shtuar me ritme të shpejta ato fe, shërbesat e të cilave shoqërohen me duartrokitje, me himne të zjarrta ose me atmosferën e një koncerti rok. Në librin e tij Aspekte të Amerikës Latine (anglisht), Dankën Grini thotë: «Lëvizja evangjeliste në Amerikën Latine është ndarë në kisha të panumërta e të pavarura. Shpesh këto bëhen vegla në duart e një pastori të vetëm. Kur bashkësia rritet, zakonisht ndahet në kisha të reja.»

Evropa u kthen krahët kishave

Për më shumë se 1.600 vjet, pjesa më e madhe e Evropës është sunduar nga qeveri që pretendonin se ishin të krishtere. A po lulëzon feja në Evropë teksa ecim në shekullin e 21-të? Më 2002, në librin e tij Perëndia ka vdekur: Laicizimi në Botën Perëndimore (anglisht), sociologu Stiv Brus tha për Britaninë: «Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, pothuajse të gjitha ceremonitë e martesave ishin fetare.» Megjithatë, rreth vitit 1971, në Angli vetëm 60 për qind e këtyre ceremonive ishin fetare. Më 2000 ishin vetëm 31 për qind.

Duke folur për këtë prirje, korrespondenti për fenë i gazetës londineze Daily Telegraph shkroi: «Të gjitha fetë kryesore, duke filluar nga Kisha Anglikane dhe Kisha Katolike, e deri te Kisha Metodiste dhe Kisha e Reformuar e Bashkuar, kanë kohë që po pësojnë rënie të vazhdueshme.» Lidhur me një raport, ai tha: «Aty nga viti 2040 kishat e Britanisë do të jenë në prag të zhdukjes, pasi vetëm dy për qind e popullsisë do t’i ndjekë shërbesat e së dielës.» Deklarata të ngjashme për fenë janë bërë edhe në Holandë.

«Është më se e dukshme që dekadat e fundit vendi ynë është bërë më laik,—thuhej në një raport të Zyrës Holandeze të Planifikimit Kulturor dhe Shoqëror.—Parashikohet që deri në vitin 2020, 72% e popullsisë të mos i përkasë asnjë feje.» Në një gazetë gjermane në Internet thuhet: «Sa vjen e rritet numri i gjermanëve që po i drejtohen magjisë dhe okultizmit për të gjetur ngushëllimin që dikur e gjenin te kishat, te puna dhe te familja. . . . Në mbarë vendin kishat detyrohen të mbyllen, ngaqë nuk kanë pjesëmarrës.»

Ata evropianë që ende shkojnë në kishë zakonisht nuk e bëjnë këtë për të ditur se çfarë kërkon Perëndia prej tyre. Në një raport që vjen nga Italia thuhet: «Italianët e ujdisin fenë që t’u përshtatet jetesës së tyre.» Një sociolog në Itali thotë: «Ne pranojmë nga papa atë që na leverdis.» E njëjta gjë mund të thuhet edhe për katolikët në Spanjë, ku zellit për fenë ia ka zënë vendin materializmi dhe përpjekjet për të siguruar parajsën ekonomike, mundësisht që tani, në çast.

Këto prirje ndryshojnë si nata me ditën, me krishterimin që Krishti dhe dishepujt e tij u mësuan të tjerëve e që ndoqën edhe vetë. Jezui nuk na vuri përpara një fe stil banketi ku mund të marrësh atë që të pëlqen dhe të refuzosh atë që nuk të pëlqen. Ai tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë ditë për ditë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.» Jezui u mësoi njerëzve se jeta si i krishterë kërkonte përpjekje dhe sakrifica.—Luka 9:23.

Reklamimi i fesë në Amerikën e Veriut

Ndryshe nga situata në Kanada, ku sipas analistëve njerëzit kanë prirjen të jenë dyshues ndaj fesë, në Shtetet e Bashkuara njerëzit në përgjithësi e marrin seriozisht fenë. Sipas disa prej kompanive kryesore që merren me anketime, të paktën 40 për qind e njerëzve të anketuar thonë se shkojnë çdo javë në kishë, ndonëse numërimi faktik i pjesëtarëve në shërbesa tregon se shifra e vërtetë është afërsisht 20 për qind. Më shumë se 60 për qind thonë se besojnë që Bibla është Fjala e Perëndisë. Megjithatë entuziazmi i tyre për ndonjë kishë mund ta ketë jetën të shkurtër. Shumë nga ata që shkojnë në kishë në Shtetet e Bashkuara, kalojnë kollaj sa në një fe në tjetrën. Nëse një predikues nuk është mjaft i suksesshëm dhe nuk i bën më për vete njerëzit, ai mund t’i humbë shpejt besimtarët e shpesh edhe një shumë të majme të ardhurash.

Disa fe studiojnë metoda tregtare për të mësuar si t’i «reklamojnë» sa më mirë shërbesat e tyre fetare. Bashkësitë fetare i paguajnë me mijëra dollarë kompanitë që u japin këshilla profesionale kishave. Sipas një artikulli për këto kompani, një pastor tha i kënaqur: «Ishte një investim që ia vlejti.» Kisha të mëdha, anëtarët e të cilave arrijnë me mijëra, kanë kaq shumë të ardhura, saqë tërheqin vëmendjen e disa botimeve në fushën e biznesit, siç janë The Wall Street Journal dhe The Economist. Në një citim të The Wall Street Journal thuhet që tipike për këto kisha është se ofrojnë një «‘qendër trajtimi’ si për trupin, edhe për shpirtin». Në kompleksin e kishës mund të ketë restorante, kafene, sallon bukurie, sauna dhe komplekse sportive. Ndër aktivitetet argëtuese janë teatri, takimet me njerëz të famshëm dhe muzika bashkëkohore. Por çfarë u mësojnë predikuesit besimtarëve?

Nuk është për t’u habitur që ‘ungjilli i begatisë’ është bërë temë e njohur. Besimtarëve u thuhet se do të jenë të pasur e të shëndetshëm nëse tregohen bujarë me kishën. Për sa i përket moralit, shpesh Perëndia përshkruhet si tolerant. Një sociolog thotë: «Kishat amerikane janë për terapi, jo për të gjykuar.» Organizatat fetare që kanë më shumë sukses, zakonisht përqendrohen te këshillat se si t’ia dalësh mbanë vetë të kesh sukses në jetë. Gjithnjë e më shumë, njerëzit po ndihen rehat me bashkësitë e pavarura fetare ku doktrinat që konsiderohen përçarëse, nuk përmenden thuajse kurrë. Megjithatë, çështjet politike shpesh trajtohen qartë dhe me hollësi. Disa klerikë janë gjendur në pozitë të vështirë për shkak të përfshirjes së kishës në politikë në disa raste të kohëve të fundit.

A është rigjallëruar interesi fetar në Amerikën e Veriut? Në vitin 2005, revista Newsweek foli për popullaritetin e «shërbesave me britma, me rënie të fikëti, me përplasje këmbësh», si edhe për praktika të tjera fetare, por gjithashtu theksoi: «Çfarëdo që po ndodh këtu, nuk tregon që kemi një rritje të ndjeshme të numrit të njerëzve që shkojnë në kishë.» Sipas anketave ku njerëzit pyeten se cilës fe i përkasin, është rritur shumë përqindja e njerëzve që thonë se nuk i përkasin asnjë feje. Disa bashkësi fetare po rriten vetëm sepse disa të tjera po zvogëlohen. Thuhet se «një mori» njerëzish po i braktisin fetë tradicionale bashkë me ceremonitë e tyre, muzikën me organo dhe klerikët me veshjen e tyre ceremoniale.

Gjatë këtij shqyrtimi të shkurtër, pamë se në Amerikën Latine kishat po copëzohen, në Evropë numri i bashkësive të tyre po bie, kurse në Shtetet e Bashkuara po përpiqen të fitojnë besimtarë duke ofruar zbavitje dhe dëfrim. Sigurisht, shumë raste bëjnë përjashtim nga këto prirje, por tabloja e përgjithshme flet për kisha që po luftojnë për të ruajtur popullaritetin e tyre. A do të thotë kjo që krishterimi po bie?

[Kutia dhe figura në faqen 6]

‘SUPERMARKETI I FESË’

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Thirrjes Hyjnore të Kishës Katolike Franceze, tha: «Shohim që po krijohet një supermarket i fesë. Njerëzit i provojnë shërbesat fetare dhe kur nuk gjejnë një kishë me të cilën janë dakord, shkojnë diku tjetër.» Në një studim të feve evropiane, profesoresha Grejs Dejvi, pranë Universitetit të Ekseterit në Britani, tha: «Njerëzit thjesht ‘zgjedhin dhe përziejnë’ gjërat e shumëllojshme që u vihen përpara. Feja ashtu si shumë gjëra të tjera, është bërë pjesë e botës së alternativave, ku njerëzit zgjedhin atë që u leverdis dhe atë që u pëlqen.»

[Figura në faqet 4, 5]

Shkarravina në hyrje të një kishe në Napoli, Itali

[Burimi]

©Doug Scott/​age fotostock

[Figura në faqet 4, 5]

Në Meksikë shumë veta janë larguar nga besimi katolik